web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Saimir Pirgu, mbrëmje magjike në Shirokë

6 Shtator 2025, 14:06, Kulturë CNA

Saimir Pirgu, mbrëmje magjike në Shirokë

Shiroka u mbush me emocione dhe art të lartë muzikor gjatë koncertit të Saimir Pirgut, një nga tenorët më të njohur shqiptarë në botë. Orkestra Simfonike e Shkodrës, nën drejtimin virtuoz të Elda Laros, dhe kori i fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”, krijuan një atmosferë unike, duke ngritur disa herë në këmbë spektatorët mes duartrokitjeve të pandërprera.

Ky koncert riktheu pas shumë vitesh mungesë aktorën Ema Ndoja, këtë herë në rolin e prezantueses.

Në fjalën e tij, tenori Saimir Pirgu falënderoi publikun për energjinë e jashtëzakonshme! Ndërkohë që kryebashkiaku Benet Beci tha se ka të tjera projekte për Shkodrën së bashku me tenorin e famshëm.

Saimir Pirgu, mbrëmje magjike në Shirokë

"Është një emocion i madh për mua, është hera ime e parë në Shkodër. Ndihem i emocionuar. Nëse njëri nga këta fëmijë që këndoi me mua bëhet këngëtar apo tenor unë e kam bërë punën time. Shkodrën e ka bekuar zoti me mal, det e çdo gjë të bukur. Besoj që në vijim do të kemi më shumë mundësi të tjera", u shpreh tenori Saimir Pirgu.

"Kemi disa plane të mira në të ardhmen me maestron. Kemi parë teatrin dhe mendoj se aty do të kthehet në tempull edhe të muzikës. Shkodra e ka shpirtin artistik, ka çdo gjë për të qenë një qytet i magjishëm për kulturën. Kjo ishte një natë e paharrueshme, ishte një kimi e jashtëzakonshme mes maestros, fëmijëve dhe publikut", tha Benet Beci.

Saimir Pirgu, mbrëmje magjike në Shirokë

"Çfarë kënaqësie, nuk e di me të vërtetë është e papërshkruar çdo gjë që ka ndodhur sot në darkë. Saimirin e dëgjoj kudo nëpër botë, por kjo sonte ishte e mrekullueshme dhe mendoj se do të mbetet në kujtesën e Shkodrës e timen patjetër", deklaroi Elda Laro.

"Kam pasur shumë emocione, por duke qenë në shtëpinë time emocionet i përballova. Publiku është jashtëzakonisht i kulturuar dhe ia kisha sugjeruar edhe Saimirit se është publiku i tij, publiku që ai do", u shpreh prezantuesja Ema Ndoja.

Artistja me përvojë, Zana Çela, tashmë Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, si dhe kompozitori Zef Çoba, vlerësuan se Shiroka këtë mbrëmje ishte më e bukur se kurrë, ndërsa publiku shkodran përjetoi një natë të paharrueshme.

Saimir Pirgu, mbrëmje magjike në Shirokë

"Jam veçanërisht e lumtur që Shiroka, liqeni i Shkodrës, një nga destinacionet më të bukura që vendi ynë ka, u ndriçua në mënyrë tepër të veçantë sot nga Saimir Pirgu dhe orkestra simfonike e qytetit. Sot ishte një natë e veçantë sepse solli vokalin më të bukur në botë”, tha Zana Çela.

"Me të gjitha bukuritë që ofron Shiroka sonte ishte më e pastër dhe më e bukur me këtë koncert që solli një këngëtar kaq të njohur si Saimir Pirgu me një repertor tejet të zgjedhur dhe sfidues. Ishte mirë me dirigjenten Elda Laro, vajzë e rritur në Shkodër dhe e njohur me traditën që ka Shkodra. Ishte bukur me orkestrën simfonike, por edhe me korin e fëmijëve".

Ky koncert ishte jo vetëm një festë për artin, por edhe një dëshmi e fuqisë së kulturës shqiptare dhe e talentit që sjell emrin e Shqipërisë në skenat më të mëdha të botës./ CNA





12:34 Kulturë Agim Xhafka

LADI YNË…

Ndodhi para ca vitesh, m’u kujtua sot nuk di për ç'shk...

Lajmet e fundit nga