Rama nuk ishte në interpelancë/ Berisha: Nuk shkel më në Parlament, s'ia mban
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur jash...
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur jash...

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka zbuluar shtatoren e shkrimtarit Ismail Kadare në një nga kafenetë e Tiranës.
Brataj përpara se të zbulonte shtatoren, mbajti një fjalim në nder të shkrimtarit, ku vlerësoi figurën dhe veprën e shkrimtarit.
Më tej, Brataj tha se në veprat e Kadaresë, Shqipëria shfaqej ashtu siç është, një vend i plagëve dhe i krenarisë.
Brataj u shpreh se Kadare na paralajmëroi të mos e harrojmë historinë, por dhe na mësoi se plagët nuk duhet të kthehen në varrime të përjetshme.
Fjalimi i Bratajt
KADARE në 90-vjetorin e lindjes.
Të nderuar zonja dhe zotërinj, e nderuar zonja Helena Kadare, të nderuar miq të Kadaresë, të letërsisë dhe kulturës shqiptare,
Sot nuk jemi mbledhur thjesht për të përkujtuar një datë. Jemi këtu për të nderuar një jetë që u bë gjuhë, histori dhe ndërgjegje kombëtare.
Në 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, ne nuk përulemi vetëm para një shkrimtari të madh, por para një figure që i dha Shqipërisë një zë universal, në kohë kur zëri i saj rrezikonte të mbetej i mbytur nga frika dhe heshtja. Kadare na mësoi se “Letërsia është një formë e lirisë.” Dhe ai vetë ishte prova më e gjallë e kësaj. Në një kohë diktature, kur fjala kontrollohej, ai arriti të krijojë hapësira lirie brenda gjuhës, metaforës dhe mitit. Letërsia e tij nuk ishte pasqyrë e realitetit, por siç thoshte vetë “rebelim ndaj tij.”
Ai na kujtoi se shkrimtari nuk zgjedh vendin ku lind, por zgjedh mënyrën se si ta dojë atë. Kadare e deshi Shqipërinë jo me heshtje, por me guxim; jo me servilizëm, por me të vërtetën e dhimbshme. Në veprën e tij, Shqipëria shfaqet siç është, një vend i plagëve dhe krenarisë, i tragjedive historike dhe bukurive të papritura. Siç do të thoshte ai: “Qenia shqiptar është një fat tragjik dhe krenar njëkohësisht.” Kadare nuk na ftoi të harrojmë historinë. Përkundrazi, ai na paralajmëroi: “Nuk ka ferr më të madh se harresa”. Por njëkohësisht na mësoi se plagët nuk duhet të kthehen në varrime të përjetshme, sepse kujtesa është për të ndërtuar, jo për të mbetur peng i së shkuarës.
Në një botë ku diktatura përpiqet të marrë frymën e gjithçkaje, ai e identifikoi armën e saj më të vjetër: FRIKËN. Dhe na la një mësim që tejkalon kohët: shkrimtari që hesht përballë së keqes, bëhet bashkëfajtor me të. Sot, në këtë përvjetor të madh, ne e kuptojmë edhe më qartë se Kadare nuk ishte vetëm shkrimtar i Shqipërisë, por shkrimtar i dinjitetit njerëzor. Ai i tregoi botës se një komb i vogël mund të ketë një letërsi të madhe, se një gjuhë e lashtë mund të flasë në mënyrë universale, dhe se fjala, kur është e lirë, mund të jetë më e fortë se çdo pushtet.
Sot nuk po flas për kohën, as për protokollin, as për rendin e fjalimeve.
Fatmirësisht sot me protokoll flet Franca që nderon Kadaren.
UNË PO FLAS PËR KAFE ME KADARENË
Kështu e quajtëm ne miqtë e tij. Sot po flas për veprën, për Shqipërinë, për Kosovën, për miqësinë dhe për përgjegjësinë që kemi ndaj figurave tona kombëtare.
Jemi mbledhur këtu, sepse këtu vinte çdo ditë Ismail Kadare. Jo si monument, Jo si ikonë, por si njeri. Ulej mes njerëzve. Dëgjonte më shumë sesa fliste. Dhe nga kjo qetësi lindte mendimi i madh. Ai tani këtu është fizikisht me këtë shtatore!
Kadare nuk ishte shkrimtar i një regjimi, as i një kohe të përkohshme. Ai ishte shkrimtar i Shqipërisë historike dhe i shqiptarëve kudo që janë.
Në romanet e tij, Shqipëria nuk është kurrë periferi, është vend kufitar i qytetërimit europian. Një tokë që ka mbajtur mbi vete më shumë histori sesa madhësi.
Me "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur" ai i tregoi Europës absurditetin e luftës. Me "Kështjellën" tregoi se kjo tokë nuk ka qenë kurrë tokë dorëzimi. Me "Kronikë në gur" tregoi se edhe fëmijëria mbart histori. Me "Ura me tri harqe" tregoi se shqiptarët kanë qenë gjithmonë urë, jo mur.
“Kafe me Kadarenë” nuk lindi nga institucione. Lindi nga miqësia e tij.
Nga njerëz që nuk donin ta shihnin Kadarenë të kthehej në figurë të ftohtë ceremoniale. E filluam këtë nismë me Timo Fllokon, me Behar Malajn, Helena Kadarenë, me skulptorin Henri Mimani, nxënësi i profesor Timos, me gatishmërinë e Xhulieta Lamajt, e filluam si miq që donin ta mbanin Kadarenë NJERI.
Unë pata fatin ta njoh personalisht, të udhëtoj me të, të bisedoj. Të dëgjoj shqetësimet e tij për Shqipërinë, dhe një fjali e tij më ndjek gjithmonë:
“Mbroni figurat kombëtare”
“Më mbroni kur të mos jem” .U takon ju intelektualëve!
Ai thoshte: “Figurat kombëtare duhen mbrojtur, sepse ato janë pasaporta morale e një populli, pa to, kombi varfërohet në dinjitet.”
Kujtesa kombëtare nuk është luks
“Një komb që s’ruan kujtesën, rrezikon të humbasë vetveten.” Mesazhi i tij ishte i qartë, kur cenohen figurat kombëtare, cenohen themelet e vetëdijes sonë.
Figurat e mëdha janë pasuri, jo shënjestër. “Të godasësh figurat e kombit është një mënyrë për të dobësuar kombin,” sulmet ndaj figurave nuk janë “kurajë”, por shpesh shkatërrim i qëllimshëm i dinjitetit. Shqiptari i shitur nuk ka problem me të vërtetën, ai ka problem me Shqipërinë, dhe për ta goditur Shqipërinë, godet simbolet e saj. Shpifja ndaj figurave të kombit shpesh nuk është mendim, është profesion. Dhe profesionet e errëta gjithmonë gjejnë paga, çuditërisht atje ku janë paguar në shekuj. Ka njerëz që nuk jetojnë duke ndërtuar, por duke rrënuar. Ata ndihen të rëndësishëm vetëm kur hedhin baltë mbi të mirën dhe mbi të shtrenjtën e një kombi. Të rrëzosh figurat e kombit është mënyra më e lehtë për të rrëzuar vetë kombin. Sepse kur i heq një populli respektin për veten, ai bëhet i pambrojtur. Një komb nuk rrëzohet vetëm nga armiqtë. Ai rrëzohet kur në brendësi të tij rritet një turmë që e përçmon atdheun, historinë dhe figurat e veta.
“Kadare na e la si amanet një të vërtetë të hidhur: kombin e godasin armiqtë, por e plagosin më rëndë ata që shiten brenda tij. Sepse i huaji të sulmon nga jashtë, ndërsa i shituri të rrëzon nga brenda. Ai nuk godet thjesht një emër të madh, godet dinjitetin tonë. Nuk godet vetëm një figurë, godet kujtesën dhe krenarinë. Dhe kur një popull pranon të shahet vetvetja, atëherë nuk i duhet më as armiku: e ka armikun brenda.”
Për Kosovën, Kadare kishte një qëndrim të qartë, të vendosur dhe emocionalisht të thellë:
Kosova është pjesë e pandashme e qenies shqiptare, çështja e Kosovës është çështje e dinjitetit, e drejtësisë historike dhe e lirisë dhe Europa nuk mund të mbyllë sytë përballë një populli që kërkon të jetojë i lirë. Ai e shihte Kosovën jo vetëm si territor, por si provën morale të shekullit për shqiptarët. Kosova nuk ishte periferi: ishte zemër. Ishte prova se një komb nuk mund të jetë i qetë kur një pjesë e tij mbahet e palirë.
Kadare foli për Kosovën kur nuk ishte e lehtë të flisje. Kur heshtja shitej si mençuri, kur padrejtësia relativizohej. Për të, mbrojtja e Kosovës, ishte mbrojtje e dinjitetit shqiptar dhe europian njëkohësisht, sepse historia u shtrembërua, e drejta u shtyp, dhe një popull u mbajt nën presion. Kosova nuk është temë e ditës, është çështje e qenies kombëtare, mohohet liria e shqiptarit si ide. Gjithmonë ne shqipëtarët duam të na ndajnë në bazë të fesë jo të kombësisë. Për këtë Kadare ishte shumë i kujdesshëm, ai e ndante besimin nga pushtuesit. Feja është çështje personale dhe e shoqërisë. Pushtimi është çështje politike dhe historike.
Ai ka qenë shpesh kritik ndaj atyre që e paraqesin Perandorinë Osmane si “epokë të artë”, kjo nostalgji prodhon rrezik, sepse zbeh identitetin europian të shqiptarëve, relativizon pushtimin, dhe krijon konfuzion te brezat. Të njëjtën gjuhë përdorën në Luftën e Parë Botërore fqinjët tanë duke u munduar të na shihnin si fe jo si komb: “Kadare e njihte historinë e dhunës në Ballkan jo si thashethem, por si doktrinë të shkruar dhe tragjedi të jetuar. Ai e sillte shpesh si shembull memorandumin e Çubriloviçit një plan i ftohtë për shpërnguljen e shqiptarëve dhe në anën tjetër, Zervën për fatin e Çamërisë, ku dëbimi mori formën e dhunës në terren. Për Kadarenë, këto nuk ishin episode të largëta, ishin paralajmërime se një komb duhet të ruajë kujtesën, sepse harresa është ftesë për përsëritje.”
Kadare i shihte Çubriloviçin dhe Zervën si dy fytyra të të njëjtit model ballkanik: doktrina ose projekti ishte Çubriloviçi me memorandum dhe ideologji shtetërore. Zbatimi në terren i saj ishte Zerva dhe Milosheviçi, forcë e armatosur, dëbim real i popullsisë.
Pra: nga letra te pushka, ose nga “projekti” te “tragjedia”. Por Shqipëria dhe Kosova, shqipëtarët janë pjesë e Europës. Kjo është shtylla më “kadareane”: Shqipëria është pjesë e qytetërimit europian identiteti i saj është i lidhur me Europën dhe duhet ta ruajë këtë orientim pa komplekse.
Për Kadarenë, orientimi europian nuk ishte zgjedhje politike e ditës, ishte “fati kulturor” i kombit.
Kadare na mësonte të mos e ngatërrojmë historinë me nostalgjinë.
"Shqipëria, thoshte Kadare në veprën e vet, është europiane në shpirt e në kulturë dhe nuk duhet ta humbasë këtë busull,” Europa ishte shtëpia natyrore e shqipëtarëve.
“Europa” si identitet, jo si modë politike, Shqipëria dhe Kosova nuk “shkojnë” në Europë, kthejnë vendin e vet në Europë. Ai ishte kundër kompleksit të inferioritetit.
Ai e urrente idenë që shqiptarët duhet të “justifikohen” për t’u pranuar në Europë.
Mesazhi i tij ishte: mos u ulni si të vegjël, mos e shani veten, mos ia mohoni vetes trashëgiminë.
Europa respekton kombet që respektojnë veten.
“Kadare na e tha me gjithë veprën e tij: Shqipëria është Europë. Jo sepse e dëshiron sot, por sepse i përket prej shekujsh. Ai na paralajmëroi se kombet e vogla rrezikojnë më shumë nga humbja e kujtesës sesa nga humbja e pasurisë. Prandaj, rruga jonë drejt Europës është rrugë drejt vetvetes, drejt gjuhës, historisë dhe kulturës që na bëjnë shqiptarë.”
“Kadare na kujtoi se politika është e përkohshme, ndërsa kombi është i përjetshëm. Ai nuk e duroi politikën që e kthen shtetin në zhurmë, që e ul kulturën në propagandë, që e përdor historinë si armë dhe qytetarin si numër. Për të, politika duhet të jetë shërbim dhe përgjegjësi, jo pazare e frikë. Sepse kur politika humb moralin, shteti dobësohet, dhe kur shteti dobësohet, i pari që plagoset është dinjiteti i qytetarit.”
Por akoma sot politika përdor interesat e ngushta partiake dhe personale, akoma sot diskutohet a duhet të hyjmë në Europë apo jo? Politikanë, sot po të bëni një referendum besoj se do të merrni një përgjigje 100% po nga shqiptarët, prandaj kush jeni ju që na ndaloni? Pse përdorni Europën kundër Shqipërisë? Për ju shqetësimi kryesor janë zgjedhjet e radhës!
“Historia nuk është për t’u përdorur si baltë e ditës.”
Lavdia e një kombi është kultura e tij, “Kombi njihet nga kultura që prodhon”, ne nuk mbrohemi vetëm me ekonomi apo politikë, por me kulturë, me vlera, me simbolet që na formojnë.
T’i mbrosh figurat kombëtare do të thotë t’i vendosësh në vendin e merituar.
“Kombet e qytetëruara i nderojnë shkrimtarët, heronjtë dhe mendimtarët e tyre. ”Ai e shihte nderimin jo si “fjalë”, por si institucione, muze, libra, emërtime, respekt publik.
Ismail Kadare është ndër figurat më të mëdha kombëtare për shqiptarët, një simbol i kulturës, identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare. Shtatoret e figurave kombëtare si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Nënë Tereza e të tjerë gjenden me qinda më shumë në Europë dhe nëpër botë sesa në Shqipëri, por absurditeti, anormalja dhe alogjika është se në Shqipëri ka më shumë shtatore të huajsh, ushtarësh pushtues, varre të thjeshta shqiptarësh që i kanë kthyer në varre ushtarësh të huaj! Prandaj sot me këtë shtatore duam të çimentojmë një pjesë të veprës së tij si:
Zëri letrar i kombit
Ai arriti të përfaqësojë popullin shqiptar përmes letërsisë së lartë, duke sjellë në romanet dhe poezitë e tij historinë, mitet, dhimbjet dhe aspiratat e një kombi të vogël, por krenar dhe të etur për liri.
Krijues i letërsisë moderne shqiptare
Kadare është themeluesi i letërsisë moderne në shqip. Ai krijoi një stil unik që ndërthur realizmin, simbolikën, historinë dhe fantastiken. Romane si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, janë kthyer në pasuri kombëtare.
Përfaqësuesi i Shqipërisë në letërsinë botërore
Ai e bëri gjuhën shqipe të dëgjohej në gjuhët më të mëdha të botës. Falë tij, Shqipëria u bë pjesë e hartës letrare ndërkombëtare.
Zëri i mendimit të lirë dhe të pavarur
Edhe në kohë të errëta, Kadare arriti të shkruajë me guxim, duke përdorur alegorinë dhe metaforën për të denoncuar diktaturën dhe shtypjen, pa u dorëzuar kurrë ndaj shablloneve politike.
Figurë unifikuese e kombit shqiptar
Për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe diasporë, Kadare është një emër që bashkon, që tejkalon kufijtë politikë dhe ndan një identitet të përbashkët kulturor.
Ismail Kadare jeton sot në veprën e tij, në gjuhën tonë, në kujtesën tonë kolektive, dhe në përgjegjësinë që kemi për ta mbrojtur fjalën e lirë.
Në këtë 90-vjetor, ne nuk i themi thjesht faleminderit. Ne i themi se fjala e tij vazhdon të ecë me ne. Dhe se Shqipëria do ta njohë gjithmonë veten në pasqyrën e letërsisë së tij.
Lavdi veprës së Ismail Kadaresë. Lavdi fjalës së lirë. Lavdi kujtesës që na mban njerëzorë.
Ditën e sotme janë shënuar 90 vite nga lindja e shkrimtari...
Më 28 janar 1936 u lind në Gjirokastër shkrimtari i madh I...
Shfaqja teatrale “24 orë nga jeta e një votuesi” është shf...
Anne Frank lindi më 12 qershor 1929 në Frankfurt am Main (...
Në laboratorin e restaurimit të Institutit Kombëtar të Tra...
Këtë të mërkurë feston ditëlindjen e 69-të aktori i mirënj...
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë tash...
Kisha e Shën Sotirit, që ndodhet në fshatin Thanë, në Bash...
Aktori i madh, Robert Ndrenika, një nga kolosët e skenës d...
Këtë të enjte u mbajt ceremonia e shpalljes së Çmimeve Kom...
Më 6 janar, në fshatin Polenë të Bashkisë Korçë, prej vite...
Më 6 janar, Epifania festohet nga miliona njerëz në mbarë ...
Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit do t’i mbajë dyert e...
Për më shumë se tetë dekada, Llazar Zai Fundo mbeti një em...
Nga një novelë "me atmosferë të pasur" te një debutim “vir...
Këtë të mërkurë, në një ceremoni të organizuar nga Kryesia...
Në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, për herë...
Kulla e Turanit, një prej fortifikimeve me vlerë të të...
Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë DRT...
Nënë Tereza ishte 19 vjeç, kur shkoi si fillestare në Indi...
Protestat e ditëve të fundit të lidhur me situatën në Zvër...
Rasti i trajtuar këtë të mërkurë, më 3 qershor, në emision...
Emisioni “Stop” transmetoi këtë të mërkurë, më 3 qershor, ...
Irfan Hysenbelliu, pretendon që është biznesmen i madh, nj...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, shprehu pak...
Zbardhen detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë që u sh...
Një ngjarje e rëndë u shënua këtë të enjte në Lozhan të Ma...
Policia e Korçës ka ndarë një informacion të detajuar lidh...
Dëshmitarët e ndodhur në Lozhan të Maliqit kanë ndarë deta...
Shqipëria po përballet me një tranzicion demografik të pap...
Ditën e enjte, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosfe...
Një shifër alarmante prej më shumë se 166.4 mijë shqiptarë...
Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të rinovojnë armëpushi...
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tru...
Asambleja e Përgjithshme e Kombet e Bashkuara ka përfundua...
Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e sulm...
Korça është gati të çelë sezonin veror me një nga ngjarjet...
Dy vite pas ndarjes nga jeta, poeti i njohur korçar, Skënd...
Muzeu Etnografik i Beratit ka hapur dyert për vizitorët pa...
Historia e Harilla Bakallit është një nga dëshmitë më rrëq...
Sot, në tregun e këmbimit valutor, një dollar amerikan bli...
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi sot një vendim...
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti m...
Sot, në tregun e këmbimit valutor, një dollar amerikan bli...