web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sekretarja e Thesarit, takim me Zv.Kryeministrin kinez/ Analistët: Hap diplomatik

10 Nëntor 2023, 07:26, Kosova & Bota CNA

Sekretarja e Thesarit, takim me Zv.Kryeministrin kinez/ Analistët: Hap

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, fillon të enjten dy ditë bisedimesh me Zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng, ndërsa Shtetet e Bashkuara përpiqen të menaxhojnë tensionet me Pekinin dhe të mbajnë të hapur dialogun për një sërë çështjesh, që nga ndryshimet klimatike dhe deri tek tregtia dhe mbrojtja.

Pas takimeve të Sekretares Yellen të enjten dhe të premten, presidentët Joe Biden dhe Xi Jinping pritet të takohen javën e ardhshme në kuadrin e forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, që mbahet në San Francisko.

Analistët thonë se takimi i zonjës Yellen dhe zotit He është përpjekja më e fundit për t’u siguruar që Kina nuk do të tërhiqet nga takimi i planifikuar mes dy krerëve të shtetit. Zonja Yellen ka vendosur më parë theksin te një marrëdhënie e bazuar te “konkurrenca e shëndetshme” dhe jo te përbuzja e dyanshme.

Përpara bisedimeve në San Francisko, zonja Yellen i tha zotit He se “Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë synim për t’u shkëputur nga Kina...”, por se kur lindin shqetësime “për praktika konkrete ekonomike, si ato që ua ndalojnë firmave amerikane dhe punonjësve konkurrimin në kushte të barabarta, ne do t’i shprehim ato drejtpërdrejt”.

Zoti He i tha zonjës Yellen se takimet me të kanë qenë “konstruktive”. Ai gjithashtu tha se marrëdhëniet SHBA-Kinë duhet të rikthehen “te zhvillimi i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm”.

Ruajtja e linjave të komunikimit është mënyra se si zonja Yellen ka vepruar deri më tani me diplomacinë e saj dhe ka shmangur keqkuptimet për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ajo vizitoi në korrik Pekinin për t’u takuar me zotin He.

“Këtë javë, do të flas me homologun tim për shqetësimet serioze në lidhje me praktikat e padrejta ekonomike të Pekinit, përfshirë përdorimin në shkallë të gjerë të mjeteve jo të tregut, barrierat ndaj qasjes në treg, dhe masat shtrënguese ndaj kompanive amerikane në Kinë”, shkroi zonja Yellen në një artikull për gazetën "The Washington Post" që u publikua të hënën.

Në artikull, zonja Yellen gjithashtu theksoi se problemet globale, përfshirë ndryshimin klimatik dhe lehtësimi i borxheve të vendeve në zhvillim, mund të ofrojnë mundësi për bashkëpunim dypalësh./ VOA





Lajmet e fundit nga