LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pikëpyetje rreth referendumit për largimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës

13 Prill 2024, 18:42, Kosova & Bota CNA

Pikëpyetje rreth referendumit për largimin e kryetarëve të

Suksesi i referendumit për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave në veri të Kosovës duket se është vënë në pikëpyetje që nga vendimi i subjektit politik serb, Lista Serbe, që ta bojkotojë atë. Njohës të zhvillimeve politike në veri thonë se pjesëmarrja e nevojshme prej 50 për qind plus një nga votuesit e regjistruar, në këtë referendum, duket vështirë e arritshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdoi punën edhe të shtunën për organizimin e referendumit për largimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, që do t’u hapte rrugën zgjedhjeve të reja. Por suksesi e tij është vënë në pikëpyetje për shkak të vendimit të Listës Serbe të mbështetur nga Beogradi për ta bojkotuar atë.

Milica Andriç Rakiç, nga organizata “Nisma e Re Shoqërore”, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se referendumi duket se do të dështojë.

“Mbase do të mund të kishim një votim të suksesshëm në Zveçan dhe Leposaviç, por është shumë shumë e vështirë. Për Zubin Potokun jam e sigurt thuajse që nuk arrihet sepse shumica e banorëve që janë larguar nga veriu janë nga Zubin Potoku por menjëherë pas tij vjen Mitrovica e Veriut. Prandaj do të thosha që nëse ka sukses mund të ndodhë në Zveçan dhe Leposaviç por kjo do të ishte shumë optimiste, gjasat më të mëdha janë që të dështojë në të katër komunat”, thotë ajo.

Kryetari i kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, i tha Zërit të Amerikës se thirrja e Listës Serbe për bojkotimin e këtij procesi është dëshmi e trsynisë që Beogradi vazhdon të ushtrojë ndaj serbëve të Kosovës.

“Po shihet qartë që ndikimi i Republikës së Serbisë është i madh në pjesën veriore, sidomos nga subjekti politik Lista Serbe. Bojkotimi do të realizohet dhe për shkarkimin e kryetarit nuk do të deklarohen qytetarët nga shumica serbe. Por procesi i KQZ-së nuk do të ndalet por do të kryhet sipas mënyrës demokratike”, tha zoti Uglanin.

Për të qenë i suksesshëm referendumi kërkon pjesëmarrjen e 50 për qind plus një të votuesve më të drejtë vote. Përfaqësuesit politik të serbëve këtu por edhe autoritetet në Beograd, thonë se është e vështirë të përmbushet ky kriter për shkak “të fryrjes së listave të votuesve”, por pa dhënë asnjë provë për këtë pretendim. Ndërkaq autoritetet në Kosovë, akuzojnë Beogradin se po ushtron trysni ndaj serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit, i cili në rast të dështimit nuk do të mund të organizohet sërish pa kaluar 12 muaj.

“Edhe para se të nënshkruhej peticioni kishim probleme me numrin e fryrë të votuesve të regjistruar meqë në dhjetor 2023, pra vetëm më pak se pesë muaj më parë kishim 45 mijë votues dhe tani kemi 46 mijë votues të regjistruar. Kështu që edhe në atë kohë ishte e qartë se këta numra nuk janë vërtetë të saktë”, thotë zonja Rakiç.

“Sigurisht nuk ka fryrje të listave sepse siç e dini moshat 18 vjeçare po lajmërohen këtu për letërnjoftime në evidencën e administratës dhe kjo është arsyeja që vjen deri te fryrja e listës sepse ata kanë të drejtë te votës dhe kjo nuk është fryrje e listës që pretendon një subjekt politik nga shumica serbe. Por në të katër komunat vijnë e lajmërohen ata qytetarë që kanë të drejtë edhe sidomos edhe këta të zhvendosur që janë nga territori i Kosovës po vijnë për letërnjoftime”, thotë zoti Uglanin.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, i kërkuan të mërkurën Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për bojkotimin e votimeve në veri.

Aktualisht, komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviçit dhe Zveçanit udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.

Qeveria e Kosovës, e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë./ VOA

Lajmet e fundit nga