web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Investimet në aeroportin e Rinasit/ Së shpejti 20 dalje (gate) për pasagjerët

12 Mars 2026, 14:11, Aktualitet CNA

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit po përmbyll punimet për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, ku janë shtuar 6 dalje të reja (gate), duke e çuar numrin total në 20 nga 14 që janë aktualisht. Ky investim i konsiderueshëm i “Kastrati Group” me rreth 50% rritje të daljeve për fluturime është një hap vendimtar drejt përmirësimit të shërbimit dhe rritjes së efikasitetit për udhëtarët që fluturojnë përmes këtij aeroporti.

Faza e punimeve është tashmë në përfundim, siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga CNA, me rikonstruksionin e terminalit, vendosjen e fasadës së re, tabelave njoftuese dhe sistemit modern të ajrimit tashmë të kryer. Parashikohet që në ditët në vijim, këto investime të jenë plotësisht funksionale, duke ofruar një eksperiencë më të rehatshme, kohë më të shkurtër pritjeje dhe kapacitet më të madh për fluturimet nga dhe drejt Rinasit.

Investimet në aeroportin e Rinasit/ Së shpejti 20 dalje (gate)

Ky zgjerim vjen në një kohë kur trafiku i pasagjerëve në TIA është në rritje të qëndrueshme, duke reflektuar zhvillimin e industrisë së turizmit dhe rritjen e kërkesës për udhëtime ajrore. Gjatë vitit 2025, aeroporti trajtoi një total prej 11.6 milionë pasagjerësh, me një rritje prej 8.7% në krahasim me vitin 2024.

Ky është një rekord historik dhe shifër më e lartë se çdo aeroport tjetër në rajon, duke treguar jo vetëm rritje të trafikut, por edhe pozicionimin e TIA-s si një nyje kyçe trafiku ajror në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu vitin e shkuar në TIA u shtuan edhe 15 destinacione të reja.

Shifrat vijojnë të jenë të larta edhe për këtë vit. Në muajin janar 2026, TIA priti 12% apo 12.529 më shumë pasagjerë krahasuar me një vit më parë. Në janar 2025, aeroporti i Rinasit priti 699,501 pasagjerë, ndërsa në janar 2026, numri i pasagjerëve ishte 712,030.

Investimet në aeroportin e Rinasit/ Së shpejti 20 dalje (gate)

Ky zhvillim shënon një transformim të rëndësishëm për Rinasin, nga një aeroport tradicional kombëtar në një qendër të fortë të lidhjeve ajrore, me rrjet të zgjeruar destinacionesh dhe linjash, që ofron lidhje direkte me destinacione të shumta europiane dhe më gjerë. Rritja e vazhdueshme e trafikut dhe zgjerimi i shërbimeve për pasagjerët e vendosin TIA-n jo vetëm si portë hyrëse për Shqipërinë, por edhe si një aeroport me ndikim të qëndrueshëm në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Me këto investime TIA është duke u pozicionuar jo vetëm si një model suksesi për infrastrukturën moderne ajrore, që ofron standarde të larta shërbimi dhe përvojë më të mirë për udhëtarët, duke i paraprirë sezonit veror me pritshmëri për fluks të madh turistësh./CNA





Lajmet e fundit nga