web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Erjon Nexhipi: Llazar Fundo, figurë e mendimit europian të Shqipërisë

16 Maj 2025, 12:19, Aktualitet CNA

Erjon Nexhipi: Llazar Fundo, figurë e mendimit europian të

Erjon Nexhipi, kryetari i Këshillit të Qarkut Korçës, ka qenë pjesë e simpoziumit shkencor për intelektualin Llazar Fundo.

Nexhipi, në një prononcim për CNA, tha se Llazar Fundo është një figurë komplekse dhe shumëdimensionale, një figurë atdhetare dhe e mendimit europian të Shqipërisë.

“Ne në kuadër të bashkëpunimit që kemi me universitetin, kemi zhvilluar disa konferenca. Ky është një tjetër aktivitet shkencor që unë shpresoj se do të sjellë kontribute për të evidentuar një figurë atdhetare dhe të mendimit europian të Shqipërisë që ne për fat kemi privilegjin ta kemi atdhetar të Korçës. Është një figurë komplekse shumëdimensionale që një aktivitet i kësaj natyre thjesht kontribuon, nuk mjafton. Mendoj që në periudhën e ardhshme do të ketë nevojë të ketë aktivitete të tjera të ngjashme për t'i dhënë ato vlera që ky patriot ka”, tha Erjon Nexhipi.

Fjala e plotë e Erjon Nexhipit në Simpoziumin Shkencor për Llazar Fundon. 

Është kënaqësi e veçantë për mua, si Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, t'ju përshëndes në këtë aktivitet shkencor kushtuar një figure të rëndësishme të historisë dhe mendimit shqiptar: Zai (Llazar) Fundo.

Këshilli i Qarkut Korçë është vazhdimisht i angazhuar në mbështetjen e aktiviteteve që synojnë studimin, njohjen dhe vlerësimin e personaliteteve historike dhe kulturore, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të qenësishme në pasurimin e trashëgimisë së vendit tonë.

Figura e Zai Fundos është një nga më komplekset dhe më interesante të historisë shqiptare të shekullit XX. Ai është një personalitet që me mendimin e tij të lirë dhe angazhimin intelektual kontribuoi dukshëm në zhvillimet politike, sociale dhe intelektuale të kohës së tij. Korça ka privilegjin të jetë vendlindja e këtij atdhetari dhe intelektuali, jeta dhe veprimtaria e të cilit vazhdon të zgjojë interes dhe diskutime edhe sot.

Fundo, megjithëse vinte nga një familje e pasur dhe kishte mundësi të tjera jete, zgjodhi një rrugë ndryshe—atë të angazhimit aktiv përballë rreziqeve politike dhe sociale të kohës. Ai iu bashkua lëvizjeve progresiste dhe antifashiste, duke e parë qartë fashizmin si kërcënim ndaj lirisë dhe të ardhmes së vendit të tij. Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm për rreziqet që i kanoseshin, por kjo nuk e pengoi të mbante qëndrime të forta dhe të vendosura.

Në këto ditë, kur po zhvillohet në Tiranë Këshilli Politik i Europës, në kuadër të Javës së Europës, vlen të kujtojmë vizionin europian të Zai Fundos. Ai besonte në një Europë të bashkuar, demokratike dhe progresiste. Për Fundon, pjesa më e ndërgjegjësuar e shoqërisë është ajo që arrin të dalë nga zonat e rehatisë dhe konformitetit, duke kuptuar realitetin dhe duke bërë zgjedhje të qarta e të guximshme që paraprijnë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Në këtë kontekst, bashkëpunimi me Universitetin “Fan S. Noli” është mjaft domethënës për ne, pasi krijon hapësira për kërkimin shkencor dhe debatet intelektuale, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj dhe duke ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm social e kulturor të rajonit tonë.

Shpreh besimin se konferenca e sotme do të thellojë njohuritë mbi jetën dhe kontributet e Zai Fundos, duke i bërë këto vlera më të kuptueshme dhe më të afërta për publikun e gjerë.

Ju falënderoj për punën tuaj të çmuar dhe ju siguroj se Këshilli i Qarkut Korçë do të vazhdojë të mbështesë dhe të nxisë nismat që kanë në qendër historinë, kulturën dhe arsimin.

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në punimet e ketij aktiviteti shkencor.

Faleminderit!





Lajmet e fundit nga