web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec/ Qyteti liqenor ndien efektet në turizëm dhe ekonomi

2 Mars 2026, 12:12, Aktualitet CNA

Bllokimi i aksit në Librazhd ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetin e Pogradecit, duke prekur ndjeshëm sektorin e turizmit dhe ekonominë lokale. Si porta hyrëse e Qarkut të Korçës, Pogradeci ka parë rënie të menjëhershme të vizitorëve, anulime prenotimesh dhe boshatisje të hoteleve edhe në prag të festave të 7 dhe 8 Marsit.

Nënkryetarja e Bashkisë Pogradec, Entela Gusho, shprehet se situata ka ndikuar negativisht në qytet, pasi shumë kolektiva mësuesish dhe grupe nga qytete të ndryshme të vendit kishin prenotuar për të festuar në Pogradec. Sipas saj, anulimet janë ndier jo vetëm në hoteleri, por edhe në restorante dhe në tregun vendas. Ajo thekson se më të prekura janë hotelet në Pogradec dhe Tushemisht, ndërsa bujtinat ndikohen më pak për shkak të sezonalitetit të tyre.

"Situata e ditëve të fundit, me prishjen e rrugës ka ndikuar negativisht për qytetin tonë. Pogradeci është porta hyrëse e Qarkut të Korçës ku Qafë-Thana ishte një nga destinacionet ku turistët hyjnë nga vendet e tjera. Sipas informacioneve që kemi, kjo është një mënyrë e trishtë e subjekteve dhe operatorëve turistikë sepse janë anuluar prenotime. Kjo për faktin që shumë kolektiva të mësuesve festonin 7 Marsin apo edhe 8 Marsin në qytetin tonë. Kolektivë të ndryshme nga Shqipëria kishin prenotuar të kalonin festat këtu. Kjo ndihet jo vetëm në hoteleri, por edhe në restorante dhe në tregun në përgjithësi. Pogradeci ka një numër të lartë të rezidencave ku banorët kanë blerë shtëpi dhe pjesën më të madhe e kalojnë këtu. Kjo ka bërë që të mos jenë më frekuentues dhe mund të them që është një boshllëk i madh për pjesën e turistëve. Më tepër me këtë situatë preken hoteleritë e Pogradecit, Tushemishtit dhe më pak bujtinat sepse janë të frekuentuara gjatë stinës së verës, por hoteleria në Pogradec e Tushemisht është në moment krize", shprehet Gusho.

Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec/ Qyteti liqenor ndien efektet në
Entela Gusho

Të njëjtën situatë konfirmojnë edhe operatorët turistikë. Markel Bimbli, pronar i Vila Bimbli në Pogradec, tregon se që nga momenti i bllokimit të rrugës, fundjavat që lidhen kryesisht me vizitorët nga Tirana janë zhdukur. Sipas tij, kjo javë ka qenë “zero turistë”, duke paralizuar si hotelerinë, ashtu edhe restorantin. Ai shprehet se pa lëvizje nuk ka të ardhura dhe se situata mbetet e vështirë nëse vijon në të njëjtat ritme.

"Situata e rrugës ka ndikuar shumë te ne sepse ne e kemi fundjavën të lidhur me Tiranën, kështu që mund të them që nga momenti i bllokimit të rrugës është zero pjesa e hotelerisë dhe restorantit sepse janë të lidhura me njëra-tjetrën. Këtë javë nuk ka pasur fare turistë, zero. Nëse nuk ke njerëz, nuk ke as të ardhura, vetëm gjëra të vogla në pjesën e kafesë sepse në restorant s'ka fare. Nuk marrim shumë gjëra nga Tirana, por kemi një pjesë produktesh. Ata janë munduar të vijnë me vështirësitë e tyre. Ne jemi optimistë për situatën në vazhdim sepse po vazhdoi kështu do të jetë shumë e vështirë. Besoj se edhe bizneset e tjera kanë të njëjtën situatë", thotë Bimbli.

Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec/ Qyteti liqenor ndien efektet në
Markel Bimbli

Edhe artizanet e zonës flasin për rënie të ndjeshme të frekuentimit. Në ditët e fundit, vizitorët, sipas tyre, kanë qenë kryesisht maqedonas dhe grekë, ndërsa turistët nga Tirana, Durrësi apo Elbasani kanë munguar. Sipas artizanes, fillimisht moti me reshje ndikoi në lëvizje, ndërsa tashmë problemi i rrugës ka përkeqësuar situatën.

"Dje e pardje kishte maqedonas dhe grekë kurse zona e Tiranës nga do vijnë? Deri tani na kishte paralizuar shiu, tani akoma më shumë rruga. Behari ka pasur shumë turistë, edhe para se të bllokohej rruga, kishte turistë. Tirana, Durrësi, Elbasani nuk ka pasur. Tani ne me qeverinë nuk do hahemi, por do përshtatemi", shprehet artizanja. 

Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec/ Qyteti liqenor ndien efektet në

Qytetarët e Pogradecit thonë se qyteti duket i zbrazët. Disa prej tyre kujtojnë se më parë fundjavat sillnin dhjetëra makina dhe vështirësi për parkim, ndërsa tani mungojnë thuajse plotësisht. Të tjerë theksojnë se përveç turizmit, problematikat e rrugës kanë ndikuar edhe në jetën familjare, duke vështirësuar lëvizjen drejt Tiranës për arsye shëndetësore apo familjare.

"Nuk kam parë turistë në Pogradec. Mbase ka ndikuar prishja e rrugës, po të shohim nuk ka. Nuk më është dashur të shkoj në Tiranë, por ka të tjerë që shkojnë dhe duhet menduar për të gjithë, jo vetëm për vete", shprehet një qytetar. 

"Kam parë rrallë turistë. Më parë shikoja rreth 40 makina nga ballkoni, nuk kishin ku të parkonin, tani asnjë makinë. U ndërpre rruga. Ka ndikuar shumë, kemi dhe fëmijët në Tiranë kur do na vijnë? Ata s'na erdhën 1 muaj, por tani sa do presim? Kemi edhe njerëz në Amerikë dhe pyesin a do bëhet rruga derisa të vijnë. Nuk i kanë anuluar biletat, por janë me frikë", shton një tjetër.

"Nuk kam parë turistë në Pogradec, për shkak të rrugës së prishur. Unë tani fola me një nga vëllezërit tim, e kam në Proptisht dhe nuk shkojnë dot në Tiranë se kanë nusen e djalit që ka lindur. As e marrin dot e as nuk shkojnë dot. Me çfarë të venë? Ndikon edhe për bizneset se s'ka njerëz, ata me njerëzit e kanë të lidhur punën. Zona juglindore është paralizuar këtë kohë, edhe ushqimet janë ngritur. Është ca edhe faji i natyrës, por gjëra që ndodhin", shprehet qytetari.

Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec/ Qyteti liqenor ndien efektet nëBllokimi i aksit Librazhd-Pogradec/ Qyteti liqenor ndien efektet në

Në këto kushte, bizneset e zonës shpresojnë në një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës, pasi çdo ditë pa lëvizje përkthehet në humbje ekonomike për një qytet që e ka turizmin një nga shtyllat kryesore të zhvillimit. /CNA





17:19 Aktualitet

Nga na humbi Salianji?

Pas deklaratave të tij në kuadër të misionit për t’i shërb...

Lajmet e fundit nga