web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Patetike deri te Zoti: Kida dhe Ledri me këngën e fundit të rrasin në siklet tmerrues

6 Maj 2022, 16:52, Lifestyle CNA

Gjithçka mori kuptim kur shikova kalendarin… 5 maj, 2022.

E vështirë të shohim e dëgjojmë një bashkëpunim si ky që u publikua mbrëmë mes Kidës dhe Ledri Vulës në një periudhë tjetër të vitit. Duket se do të jemi dëshmitarë të një tjetër vere të gjatë e të gjerë të vijave pa shije e të sikletshme melodike si “se kur t’kom thonë ty t’du, t’du, t’du, pse m’ke lënduuu?”, e pasuar me “a menon për mu, mu, mu, a m’ke harruuuu?”

Për fat të keq, nuk ka përgjigje në këto dy pyetje aq të klisheizuara në muzikën tonë pop.

Klipi në fjalë fillon me ca pamje ultra klishe të një varke duke lundruar në det, e xhiruar nga droni, para se të futet në skenë Kida në një peisazh pothuajse identik me atë të vitit të kaluar… e dini për cilin e kam fjalën, “unë Coca Cola e ti Pepsi”.

Fokusi i klipit kokë e këmbë në interpretuesen dhe veshjen e saj jashtëzakonisht të mbi-bërë, me ngjyrë të gjelbër. Vargjet që thuhen pastaj janë thjesht gjithçka që një njeri i rëndomtë nuk dëshiron të dëgjojë, por që ka qenë i detyruar dhe i imponuar ta bëjë vazhdimisht në kush e di sa vitet e fundit.

Fusni në miks edhe mimikat e sikletshme për të cilat Kida tashmë njihet si praktikuese e zellshme, dhe keni një produkt që do të gjejë përfaqësim dinjitoz nëpër autobusët me pushues që do të udhëtojnë drejt Durrësit dhe Velipojës këtë verë.

Sinqerisht, është e vështirë të kritikohet gjithçka dhe çdo gjë, por Kida dhe Ledri Vula njëmend e kanë dhënë maksimumin për të mos lënë opsione tjera.

Oh Zot i madh… ajo pjesa kur po ndalet gjithçka dhe Kida po rifillon me “veç pak, prit…”, para se biti të fillojë me ndërprerje në sfondin e vargjeve “du… du… duu”, në miks me lëvizje krejtësisht nonshalante me lëvizje duarsh – e gjej të sikletshme edhe ta komentoj tutje këtë pjesë.

Nëse diçka të tillë si kjo e gjej të sikletshme ta komentoj, si t’i qasem pjesës “A, B, C, D… s’po di ça me thonë se m’ke lonë edhe pa shkronja”, që Ledri fjalëpërfjalshëm e thotë në një këngë e cila, deri në kohën e këtij shkrimi, ka marrë 281 mijë klikime, por që nuk janë numra as të përafërt me ato që do të vijnë në vazhdim, pasi ky klip është publikuar para vetëm 10 orësh.

Derisa po e dëgjoja, në mesin e krejt sikletit që të shkaktojnë recitimi i shkronjave “A, B, C, D” në një këngë që do ta dëgjojë bota, ka edhe mungesë saktësie në injorim brutal të një shkronje jashtëzakonisht të rëndësishme në alfabetin e shqipes siç është “Ç”-ja jonë e famshme. Sigurisht, Vula duhet të ketë menduar anglisht kur e ka shkruar atë pjesë… nëse e ka shkruar, apo ndoshta thjesht nuk e pëlqen ta thotë ç-në e fortë. Ndoshta, është kompleksuese për të ta thotë pasi mund ta shqiptojë si “q” të butë… nuk e di, lëmsh i vërtetë, nuk di çka të mendoj më përpara.

Veshja e zotit Vula është po ashtu klishe e ripërsëritje nga ajo që pamë edhe verën e kaluar te degradimi “unë Coca Cola e ti Pepsi”. E kam paksa të paqartë nëse produksioni ishte ideatori apo këngëtarët për klipin, por e drejtë të them se duhet të bëhet një reflektim serioz mbi krejt këtë koncept të trajtuar e të praktikuar në secilën sekuencë (për ironi, emri i produksionit është i njejtë) të klipit. Versioni “Hana Band” i klipeve, por me pajisje pak më të sofistikuara.

Sa herë e keni parë Vulën duke marrë këtë pozitë nëpër klipe muzikore? Unë për vete më shumë se që do të dëshiroja ta shihja e ta komentoja.

Përveç kësaj, zoti Vula dhe e nderuara Kida duhet të punojnë seriozisht me gjuhën trupore. Sinqerisht, lëvizjet që i bëjnë në pamjet më poshtë janë të tilla që të bëjnë të kuptosh se edhe vetë ata janë në dijeni se krejt eventi dhe tematika e projektit është e kotë. Mungesë monumentale respekti për dëgjuesin.

Për regjisorët e rinj dhe produksionet që pretendojnë të futen në treg në të ardhmen e afërt apo të largët, le të shërbejë ky klip si një manual: “ÇKA NUK DUHET TË BËNI KURRË, KUR KRIJONI NJË SPOT MUZIKOR”.

Sinqeriozisht, çka ka lidhje klipi i kësaj kënge me atë që thuhet prapa? Më shumë duket sikur një spot i krijuar për shuarjen e apetitive egocentrike të të përfshirëve, të cilët nuk mundën ta lënë veten jashtë as edhe në një skenë të vetme.

Në fakt, qenka një dy-sekondëshe, kur kamera në fund largon nga fokusi këngëtarët dhe drejtohet nga qielli, për ta shtuar atë elementin kinse artistik të qiellit në perëndim të diellit, sikur kjo e bën më pak tragjike tmerrin artistik që shohim për 3 minuta e 6 sekonda.

Oh, sa i përket veshjeve dhe dukjeve në përgjithësi… situata duket se ka ardhur në atë pozitë që është përtej riparimit e përmirësimit. Gjithmonë paraqitjet janë në versionin “Zara” dhe “Bershka”, modelet e të cilave kanë një periudhë 2-3 mujore të hovit, para se të dalin nga trendi i asaj që konsiderohet “cool” globalisht./Burim Pacolli- nacionale





Lajmet e fundit nga