LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pështyma e Berishës ndaj Bashës, bie dhe mbi fytyrën e tij

21 Janar 2022, 16:49, Opinione CNA
Pështyma e Berishës ndaj Bashës, bie dhe mbi fytyrën e tij

Nga Berat Buzhala

Lufta Civile në Partinë Demokratike në Shqipëri tash po futet në fazën e saj më të rrezikshme, atë të ndarjes definitive të këtij subjekti, për t?i hapur rrugë Partisë Socialiste që e patrazuar ta qeverisë vendin edhe për kushedi sa vite.

Perspektiva e bashkimit të Bashës me Berishën duket shumë më e zymtë se sa e bashkimit të Bashës me Ramën. Kurse Perspektiva e Berishës për t?i fituar zgjedhjet në këtë formë duket edhe më e zymtë se sa ajo e vitit 1997.

Në gjithë këtë kaos ky subjekt politik po shqyhet për cdo natë ngapak nëpër studio televizive, duke e injoruar kështu tash e kushedi sa muaj qeverisjen e Ramës. Ky i fundit, kur i sheh njeri zhvillimet në PD, duket si një fisnik që shqiptarët kanë fat që e kanë aty.

Çdo njeri me mendje të shëndoshë, që nuk ka konflikt të interesit në këto zhvillime politike, e di që PD nuk do të mund të ecë përpara as me Bashën në krye e as me Berishën në krye. Të dytë këta, nëse mund ta themi kështu, kanë përgjegjësi të barabartë për gjendjen në të cilen ndodhet subjekti i tyre politik.

Sa herë që ta pështyjnë njëri- tjetrin në fytyrë, Basha e Berisha duhet ta dijnë që një copë pështyme do të bije edhe mbi fytyrën e tyre. Inatet disa mujore të tyre nuk mund t?i shlyejnë raportet pothuajse intime në këto 10 vitet e fundit.

Nuk dëshiroj këtu ta bëj një kalkulim të pastër, duke i bërë të njëjtë të dytë, sepse nuk mendoj që janë të tillë, por megjithatë tash e tutje përgjegjësia e tyre është e njëjtë. Për Berishën problem i patejkalushëm është raporti me SHBA?të dhe biologjia, kurse për Bashën problem është Basha.

Këta të dytë edhe kur ishin të bashkuar nuk arritën që ta rrëzojnë Ramën, e lërë më tash si të ndarë. Zakonisht armiqësitë e reja janë shumë më të egra se sa ato të vjetrat, prandaj ekziston mundësia që në këtë luftë vëllavrasëse të dytë do të janë më të gatshëm që të bëjnë ndonjë pakt me Ramën, se sa me njëri tjetrin.

Urrejtja është aq e madhe, sepse dashuria ishte e tillë, sa fitorën ndaj njëri- tjetrit do të mund ta konsideronin si fitorën më të madhe në jetën e tyre. Të dytë këta i kanë ndërruar prioritetet politike. Nuk është më prioritet fitorja ndaj Ramës, por fitorja ndaj njëri tjetrit. Pastaj, pas gjithë këtyre akuzave që ia bëjnë njëri tjetrit, kush do të mund të mendonte ose shpresonte që opozita e Bashës, ose ajo e Berishës, vërtetë do të mund të ishte alternativa e duhur politike?

Për këto, dhe qindra arsye të tjera, ata që kanë mbetur të pavarur në PD, nëse ka të tillë, do të duhej të fillonin të mendonin për një rrugë të tretë politike. Për një lider të ri të këtij subjekti, që jodomosdoshmërisht duhet të vijë prej strukturave formale të PD-së.

Në fakt brenda këtyre organeve është e pamundur që të gjendet dikush, sepse sot të gjithë ata janë rreshtur ose prapa njërit ose prapa tjetrit. Gjasat janë të mëdha që më këso klime politike këto dy figura do të shkojnë edhe drejt zgjedhjeve lokale, të bindur si kurrë më parë që do të humbin prej Ramës por me shpresën që do ta mundin njëri tjetrin.

Ky do të duhej të ishte momenti ideal për një lëvizje të tretë, për një ide të tretë, për një opcion të tretë, ose për ckado qoftë tjetër të tretë. Për një opcion të tillë nuk duhet të pritet deri pas zgjedhjeve, sepse atëherë ose Basha ose Berisha do të shpallin vetën fitues, jo përballë Ramës por përballë njëri- tjetrit.

Sigurisht që unë jam i bindur që këtë lloj të fitorës së Pirros do ta korrë Berisha, por sa pare vlenë ajo? Një opcion i tretë tash, që do të mund të ishte një biznesmen i njohur, bie fjala Zamir Mane, a një gazetar i shquar, bie fjala Blendi Fevziu, a një figurë publike e respektuar në të djathtën, si Artan Hoxha, do ta kishte mundësinë që qysh tash, sic i thonë fjalës, ta hidhte kapuçin në ring, për të kërkuar zgjedhje të brendshme partiake pas zgjedhjeve lokale.

Pas këtyre zgjedhjeve votuesi shqiptarë do ta shohë me saktësi se cfarë fuqie reale kanë Basha dhe Berisha të ndarë, por edhe duke i bashkuar votat e tyre. As njëri e as tjetri nuk do të dalin as afër pritjeve të tyre. Morali politik i këtyre dy figurave do të pësojë një goditje të rëndë, prandaj një opcion tjetër i paprovuar deri më sot do të mund të ishte një si thirrje për shpëtim.

Nuk e di se si do të vijë fundi i kësaj ngjarje, e ardhmja duket mjaft pesimiste, por nëse rastësisht prej saj do të ketë të mbijetuar dhe prej saj do të mbijë një lëvizje e re dhe një frymë e re, atëherë do të kishte vend për një falendërim edhe për Bashën edhe për Berishën. Të parin do të duhej falenderuar që, ndonëse pa dëshirën e tij, e çliroi PD-në nga themeluesi, kurse të dytin do të duhej falenderuar që bashkë me vete e mori edhe servilin e tij më të madh./CNA.al

Lajmet e fundit nga