LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqipëri 2021/ Nga pandemia tek zgjedhjet

31 Dhjetor 2021, 08:15, Politikë CNA
Shqipëri 2021/ Nga pandemia tek zgjedhjet

Për të dytin vit radhazi, në 2021, shqiptarët, ashtu si dhe pjesa tjetër e botës, bashkëjetuan me koronavirusin. Ky vit nisi si një betejë për të siguruar vaksina dhe u mbyll me një tjetër betejë, këtë herë për të nxitur vaksinimin përballë skepticizmit dhe stepjes së shumë qytetarëve.

Dy zhvillime të rëndësishme politike dominuan gjithashtu këtë vit në Shqipëri.

Në gjysmën e parë të tij, ishin zgjedhjet parlamentare, në të cilat socialistët u rikonfirmuan për të tretën herë radhazi në pushtet, si askush më parë.

Në gjysmën e dytë, zhvillimet në Partinë Demokratike, iu mbivendosën gjithç?kaje tjetër.

Tronditja prej humbjes në zgjedhje u pasua nga një goditje dhe më e fortë. Ish kryeministri Sali Berisha u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara. Një vendim që provokoi lëvizje të forta tektonike brenda forcës kryesore të opozitës.

PANDEMIA COVID 19

Në ditën e parë të vitit kryeministri Rama njofton se ?Shqipëria ka siguruar zyrtarisht, 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer?.

Furnizimi megjithatë do të jetë i shtrirë në kohë e fillimisht në sasi të kufizuara.

Ngarkesa e parë pritej në javën e tretë të Janarit. Por falë 1 mijë dozave dhuratë nga një vend europian, emri i të cilit nuk u mësua asnjëherë, vaksinimi nisi më 11 Janar.

Kritik ndaj asaj që e cilëson mungesë solidariteti nga ana e Bashkimit Europian, pikërisht në Bruksel (1 mars) kryeministri paralajmëron se Shqipëria po hedh sytë dhe nga vaksinat kineze e ruse.

?Edhe pse nuk ishte zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave?, – deklaroi gjatë një konference shtypi me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikat e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrel dhe Komisionerin për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

Një sasi prej 10 mijë dozash Sputnik V, mbërrin si dhuratë (22 Mars) nga Emiratet e Bashkuara.

Pak ditë më pas njoftohet marrëveshja për 1 milion doza të vaksinës kineze Sinovac.

Të çliruara, autoritetet nisin vaksinimin masiv, dhe pas muajit gusht, procesi hapet për të gjithë ata mbi 18 vjeç.

Por ritmet bien ndjeshëm në tetor e nëntor, duke u përgjysmuar. Prej 1 nëntorit mosha ulet në 16 vjeç dhe nis aplikimi i dozës së tretë.

Një përmirësim i lehtë vihet re në dhjetor ndoshta si pasojë e frikës së shfaqjes së variantit Omicron, apo vendimit për ta bërë gati të detyrueshme për administratën publike dhe punonjësit qendrave tregtare dhe supermarketet.

Një vendim që nuk dihet sa do të zbatohet, përsa kohë një masë e ngjashme për studentët u shpërfill haptazi, sikundër dhe masat kufizuese, që duken se qëndrojnë në fuqi vetëm në letër.

Shqipëria ende nuk ka vaksinuar me të paktën një dozë as gjysmën e popullatës, pavarësisht premtimit të qeverisë për ta përmbyllur si proces në pranverën e ardhshme.

Gjatë gjithë vitit, mbi 150 mijë qytetarë u prekën nga virusi. Thuajse gjysma e tyre në muajt shkurt dhe mars, kur dhe spitalet u tejmbushën me mbi 650 pacientë në ditë. Shkurti ishte dhe muaji më i vështirë me gati 29 mijë të prekur.

Përgjatë 2021-it Covid 19 shkaktoi vdekjen në spitale të pak më shumë se 2 mijë qytetarëve.

ZGJEDHJET E 25 PRILLIT

Ethet elektorale nisin shumë më përpara hapjes zyrtare të fushatës. Për herë të parë aplikohet identifikimi biometrik i votuesve, ndërsa pilotohet, në një zonë të Tiranës, dhe votimi elektronik.

Rezultati bëhet i qartë brenda 48 orësh. Një lumë ankesash nga opozita nuk do e ndryshojnë atë.

Ndërsa partitë janë ende në kohë për përpilimin e listave të kandidatëve, ambasadorja amerikane Yuri Kim vë theksin te rëndësia e pastërtisë së emrave që do përzgjidhen (29 Janar).

?Eshtë përgjegjësi e liderëve politik që kandidatët të jenë të pastër. Të heqin të korruptuarit nga lista që ofendojnë zgjedhësit shqiptarë?, deklaron ajo. Ndërsa duket se këto deklarata kanë kryesisht si objektiv shumicën, kryeministri Rama (1 Shkurt) shprehet se për këdo që gënjen në vetdeklarim ?është përgjegjësi individuale. Nuk është përgjëgjësi partie. Partitë nuk janë drejtori policie?.

Thirrjeve për kandidatë të pastër do i bashkohet po ashtu dhe BE-ja. Ambasadorja Kim do t?i rikthehet disa herë kësaj teme, duke kujtuar veçanërisht rastin e deputetit Tom Doshi, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara. Eshtë kjo trysni që e detyron në përfundim të zgjedhjeve zotin Doshi të tërhiqet nga mandati i sapofituar.

Në garën e 25 Prillit socialistët hyjnë të vetëm, ndërsa opozita, për shkak se koalicionet nuk parashikohen në ligj, paraqitet me dy skuadra.

Nga njëra anë demokratët që përfshijnë në lista drejtuesit e forcave kryesore aleate dhe nga ana tjetër LSI-ja. Pavarësisht një marrëveshjeje për bashkëpunim në qeverisje, ato zhvilluan një fushatë në distancë. Madje Basha e Kryemadhi shfaqen vetëm një herë së bashku.

Përtej retorikës së ngarkuar, fushata duket se ecën përgjithësht e qetë. Por në javën e fundit atmosfera do të trazohet.

Në Kavajë (19 prill) plagoset me armë sekretari i PD, në një nga zyrat elektorale. Policia flet për një sherr banal.

Autori i goditjes është një person me precedentë penal, por që, sipas demokratëve, me lidhje me eksponentë lokal të shumicës.

Dy ditë më pas, një përplasje me armë në qendër të Elbasanit përfundon me vrasjen e Pjerin Xhuvanit, që mendohet të ishte i angazhuar në fushatën e socialistëve. 4 të tjerë, mes tyre dhe një punonjëse policie e ndodhur pranë vendngajrjes, mbetën të plagosur.

Një grup në mbështetje të Partisë Demokratike, i quajtur ?Struktura e mbrojtjes së votes?, do të deklaronte se kishte ndaluar një automjet që po shpërndante para në këmbim të votave dhe po mblidhte karta identiteti.

Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, sot e kësaj dite. Policia dhe prokuroria japin deklarata disi kontradiktore mbi materialet e gjendura në automjetin e bllokuar nga demokratët, ndërsa 10 anëtarë të strukturës së demokratëve arrestohen, përfshirë autorin e vrasjes, që ish shprehur të kishte vepruar në kushtet e vetmbrojtjes.

Po ashtu u arrestohet dhe një mbështetës socialist. Një person tjetër u shpall në kërkim.

Dy ditë më pas drejtuesi demokrat në Dibër Xhelal Mziu, i hedh benzinë zjarrit duke deklaruar se ?çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do e pësojë si ai i Elbasanit?. Menjëherë pasi thirrja e tij bëhet publike zoti Mziu detyrohet të kërkojë falje

Kryeministri Edi Rama, ka një strategji të qartë. Më shumë se sa te premtimet, ai përpiqet të bindë shqiptarët se sipas tij një votë për opozitën do të ishte votë për zotin Berisha dhe presidentin Meta.

?69 është numri i djallit. Kush e ka 6-ën? Mona. Kush e ka 9-ën? Luli. Rrotullohen ato bëhet 69, të del Iliri me Saliun?, shprehet kryeministri gjatë një prej takimeve në Tiranë.

Zoti Basha nga ana e tij premton ndërhyrje të shumta thuajse në të gjitha drejtimet, duke u angazhuar për ulje taksash apo dhe financime të projekteve zhvillimore e subvencione të ndjeshme për disa sektorë të ekonomisë, i bindur se koha e kryeministrit ka mbaruar: ?8 vite dështim, 8 vite mjerim. Përgjigjen do ta marrin me votë në kutitë e votimit?.

Procesi i votimit zhvillohet qetësisht. Në mbrëmje, Exit poll-et parashikojnë një rezultat të ngushtë.

PS konfirmohet si forcë e parë, por PD me LSI-në, së bashku, rezultojnë te jenë në avantazh. Rama qetëson menjëherë të tijët. ?Votat janë në kuti, që të gjitha?, deklaron ai nga selia e partisë së tij.

Zoti Basha shfaqet optimist. ?Kjo është një fitore e qartë për popullin shqiptar, është një fitore e qartë për Aleancën për ndryshim?, thotë ai. Me të njejtin optimizëm do të dalë para gazetarëve dhe të nesërmen: ?Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të Partisë Socialiste dhe një fitore, ose më mirë një rritje të numrit të votave për Partinë Demokratike, për Koalicionin për Ndryshim?.

Por orët në vijim do të ofrojnë një panoramë tjetër për opozitën. PD ndalet në 59 mandate, ndërsa LSI tkurret në vetëm 4 vende në parlament.

Për kryeministrin Rama ?kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e Partisë Socialiste të Shqipërisë?. Por zoti Basha flet për një masakër zgjedhore: ?Këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë, jo me një kundërshtar politik, por me një rregjim, që bëri gjithshka për të shkatërruar garën e ndershme elektorale?./VOA

Lajmet e fundit nga