web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Skënderbeu afron një tjetër brazilian, Moraes: Ja pse zgjodha korçarët

7 Tetor 2021, 07:05, Sport CNA

Skënderbeu ka prezan tuar dje fantazistin brazilian, Agnaldo Moraes. 27-vjeçari është bashkuar me ekipin ditët e fundit dhe do të jetë një armë plus për Migen Memellin. Mesfushori ka treguar pse vendosi të largohej nga Kastrioti për t?iu bashkuar Skënderbeut. Në konferencën për mediat, Moraes rrëfen pritshmëritë që ka nga ky transferim.

Agnaldo, vendosët të bëheni pjesë e Skënderbeut. Cilat janë përshtypjet e para për ekipin dhe qytetin?

Është një ndjesi pozitive që të jem këtu në Korçë dhe pikërisht te Skënderbeu. Për mua nuk është sezoni i parë që luaj në kampionatin shqiptar. Kam qenë këtu që ditën e ndeshjes me Vllazninë dhe kam parë një ekip që ka funksionuar shumë mirë, veçanërisht në pjesën e parë. Klubi është i njohur tashmë dhe nuk kam asnjë mundësi të jap unë komentet e mia, pasi bëhet fjalë për një markë si Skënderbeu, që çdo lojtar ndjehet i vlerësuar kur të kërkon ky klub. Unë personalisht jam ndjerë i vlerësuar kur Skënderbeu është interesuar për mua dhe pasi fola me menaxherin, ja ku jam këtu.

Këtu gjeni një tjetër brazilian. Keni folur me Zhan Viktorin?

Po, kam folur me të. Të them të drejtën më parë nuk njihesha me Zhan Viktorin, por në momentin kur Skënderbeu u interesua për mua i shkrova dhe për fat të mirë kam marrë të gjitha informacionet e duhura mbi këtë klub. Ka qenë edhe ai që më ka bindur në njëfarë mënyrë, pasi ka shprehur konsideratë të veçantë dhe fjalë shumë të mira për këtë klub. Më ka treguar gjithçka që ky klub ka arritur dhe pritshmëritë e larta për të ardhmen. Sigurisht që kjo ishte një shtysë më shumë.

Pse u larguat nga Kastrioti, çfarë nuk shkoi?

Kam luajtur një sezon shumë të suksesshëm te Kastrioti dhe në aspektin personal them se ka qenë i mirë për mua, pavarësisht problemeve në fillim. Kisha një akord me presidentin e Kastriotit, që kohëzgjatja e bashkëpunimit mes palëve do të ishte 1-vjeçare dhe gjatë kësaj periudhe do të jepja më të mirën time që të ngrija lart ekipin dhe të synonim objektiva të rëndësishëm. Pra, ishte një marrëveshje mes palëve që në fillim dhe më pas, në përfundim të sezonit kisha garancinë që mund të largohesha. I falënderoj për korrektësinë e treguar dhe tani jam këtu me të tjera ambicie dhe pikësynime.

Keni një karrierë të pasur në të kaluarën?

Po, kam luajtur në Finlandë për dy vite, në Norvegji gjithashtu me Molden ku kam vijuar bashkëpunimin për pesë vite. Mund të them se është një karrierë e pasur, por personalisht shpresoj që të bëj më të mirën tani, pa e kthyer kohën pas dhe pa parë me nostalgji të kaluarën.

A ndryshon shumë futbolli nordik me atë shqiptar?

Nuk ka shumë ndryshime. Ata janë zhvilluar shumë në mënyrën e të luajturit futboll dhe në mënyrën e të parit, pasi prej kohësh kanë klube që kanë luajtur edhe në Champions edhe në Europa Ligë. Një ndryshim i vogël është ndoshta çmimi apo vlera e lojtarëve. Pra, investimet për futbollin.

Çfarë premton Moraesh për Skënderbeun këtë sezon?

Pritshmëritë e mia janë që të jap maksimumin dhe të jem gjithnjë e më shumë një ndihmesë për ekipin. Unë jam i kënaqur nga statistikat në sezonin që shkoi, pasi mendoj se kam bërë mirë, përtej problemeve me dëmtimet që kam pasur, që kanë ndikuar paksa.

Ky ka qenë problemi im në sezonin e parë në Shqipëri, por tani jam mirë dhe pres që të tregoj akoma edhe më shumë se çfarë kam bërë një vit më parë. Jam stërvitur shumë këto kohë edhe individualisht, që të jem gati për eksperiencën e re. Shpresoj që të kem sa më shumë minuta në dispozicion te ky ekip, që ka lojtarë të rinj në përbërje, por shumë cilësorë. Vij këtu me pritshmërinë për të bërë më të mirën dhe të ndihmoj shumë ekipin.





Lajmet e fundit nga