LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kostot e fiskalizimit/ Sipas kategorive të biznesit luhaten nga 120 deri në 1300 euro

3 Korrik 2021, 06:02, Ekonomi CNA
Kostot e fiskalizimit/ Sipas kategorive të biznesit luhaten nga 120 deri

Procesi i fiskalizimit synon vërtetimin e transaksioneve nëpërmjet lëshimit të faturave elektronike sipas sistemit të ri. Për të lëshuar fatura elektronike, biznesi duhet të blejë një kasë të re të teknologjisë moderne, të përshtasë atë ekzistuesen ose të përdorë zgjidhjet software, duke investuar edhe në blerjen e një kompjuteri, instalimin e linjës së internetit dhe printerit.

Çdo faturë, që do të lëshohet, do të jetë e nënshkruar elektronikisht dhe për këtë, biznesi duhet të pajiset me certifikatën të lëshuar nga AKSHI. Ky dokument do të rinovohet çdo vit dhe do të jetë i integruar, si te pajisja fiskale, ashtu edhe te programi software. Tarifa vjetore e nxjerrjes së certifikatës elektronike është 4,000 lekë.

Kontabilisti Armand Mala llogarit se kostoja e fiskalizimit do të varet nga lloji i aktivitetit të biznesit (shërbim, tregti, prodhim, me pika shitje, pa pika shitje, etj.). Referuar çmimeve të tregut, kontabilisti Mala thotë se për biznesin e vogël që zgjedh të blejë kasë fiskale të re, kostoja e fiskalizimit do të jetë rreth 300 euro. Për bizneset e shërbimit, kostoja fillestare e fiskalizimit llogaritet nga 1,200 deri në 1,300 euro, ndërsa shpenzimet më të mëdha do të jenë për prodhuesit, për shkak të tarifave më të larta të zgjedhjeve software.

?Kostoja më e ulët është për biznesin e vogël, që do të paguajë 4,000 lekë në vit për nxjerrjen e certifikatës elektronike dhe 230- 275 euro (për kasën me vlerë 275 euro ka të përfshirë edhe çmimin e kartës SIM të internetit që kushton 15 euro/vit), në rast se do të zëvendësojë kasën elektronike me një pajisje tjetër që përshtatet me kërkesat e fiskalizimit, si dhe 40 euro/vit tarifa e mirëmbajtjes. Kjo kosto është për ato njësi biznesi që shesin tek konsumatori final, vetëm me para në dorë.

Për kategori të tjera biznesesh, kostoja është më e lartë. P.sh. për një kompani shërbimi, kostoja do të ishte: 4,000 lekë certifikata elektronike dhe 140-200 euro zgjidhja software. Kjo është në ato raste kur zgjidhja software nuk është një program kontabiliteti, por i shërben faturimit sipas procesit të fiskalizimit. Nëse do të trokasim në dyert e kompanive që ofrojnë programe për mbajtjen e kontabilitetit, në këtë rast përditësimi i programit, që është i domosdoshëm, do të kushtojë 32,000 lekë dhe shërbimi 29,000 lekë (këto janë çmime faktike të marra nga kompanitë në treg).

Përpos më sipër, do të nevojitet internet me kosto mujore 2,500-3,000 lekë/muaj, si dhe një printer dhe kompjuter. Në rast se kjo kompani lëshon shumë fatura në ditë. Përveç printerit të zakonshëm, do të nevojitet dhe një printer termik 130-150 euro (për të ulur kostot e printimit). Çmimi i një kompjuteri minimalisht kushton 200 euro. Në total, kostoja me çmimet minimale do të jetë rreth fashës së 1,200 ? 1,300 euro si investim fillestar.

Kosto të tjera do të shfaqen nëse je kompani prodhuese apo restorant (ku nevojiten fatura për produktin final), zgjidhja software do të jetë më e shtrenjtë se ajo për bizneset e shërbimit apo tregtisë. P.sh. në njërin prej ofertuesve, zgjidhja software kushton 140 euro për kompani shërbimi dhe 265 euro për kompani prodhimi.

Nëse në zyrën e financës, një kompani prodhuese, nuk ka vetëm një të punësuar, por disa, për secilin prej tyre nevojiten kosto ekstra për t?i mundësuar përshtatshmërinë me fiskalizimin. P.sh. një prej ofertuesve të shërbimit, do t?u tarifojë 32,000 lekë për secilin kompjuter që do të përditësojë dhe 29,000 lekë për shërbimin. Një problem i procesit është se ofertuesit e programeve të kontabilitetit nuk mundësojnë ndërlidhjen me zgjidhjet software të ofertuesve të tjerë, ose e mundësojnë me çmime shumë të larta.

Nëse kompania zotëron disa pika shitje, në adresa të ndryshme, logjikshëm për secilën adrese, do të nevojiten kosto ekstra. Nëse ka agjente shitje derë më derë, secili prej tyre do të jetë një qendër kostoje në kuadër të fiskalizimit. Në këtë rast se sa kushton fiskalizimi, nuk mund të thuhet një shifër, por sa më e sofistikuar struktura e shitjes, aq më shtrenjtë do të kushtojë?.

Regjimi i ri, përveç dërgimit të të dhënave të transaksioneve në kohë reale në serverin e tatimeve, mundëson edhe dhënien e disa informacioneve më shumë nga biznesi, siç janë elementet e sigurisë, duke nisur që nga kodi i pajisjes që po përdor, i prodhuesit, NIPT-i i bizneseve etj.

 

Çfarë është më e leverdishme për biznesin e vogël

Për biznesin e vogël, që është ?Thembra e Akilit? të fiskalizimit, si kompanitë e tregtimit të kasave dhe ato të programeve software rekomandojnë se më e leverdishme është të mbajnë kasat aktuale, duke i përshtatur për procesin e ri. Nëse një biznes i vogël llogarit të përshtasë kasën ekzistuese, referuar çmimeve maksimale të tregut, kostoja do të jetë rreth 230 euro (120 euro përshtatja e kasës vetëm vitin e parë.

Kosto vjetore 32 euro certifikata elektronike + 50 euro mirëmbajtja + 15 euro karta SIM e internetit) dhe nëse do të blejë kasë të re rreth 350 euro (240 euro blerja e kasës së re bashkë me kartën SIM të internetit vitin e parë. Kosto vjetore 32 euro certifikata + 50 euro mirëmbajtja e kasës).

?Përshtatja e kasave me procesin e fiskalizimit kushton nga 100 deri në 120 euro. Kasa e re kushton 220-240 euro për klientët që lënë kasën e vjetër, pra çmimi është preferencial nga 279 euro që shiten në treg. Brenda këtij çmimi është përfshirë edhe tarifa prej 15 euro/vit për kartën SIM të internetit. Prandaj ju rekomandojmë bizneseve të vogla, që kryejnë transaksione me para në dorë, se për ta është më ekonomike përshtatja e kasës ekzistuese.

Edhe tarifa e internetit është më e lirë, ndërsa për programet është rreth 10 herë më e lartë. Edhe kostoja e mirëmbajtjes së kasës është më e ulët se ajo e mirëmbajtjes së programeve software. Mirëmbajtja e kasës është 50-60 euro në vit, ndërsa për programin është më e lartë?, nënvizoi znj. Myrvete Pazaj, drejtoresha ekonomike e kompanisë Daisy ETM Electronics, që ofron programin e fiskalizimit I-Cash.

 

Cilat kasa përshtaten për fiskalizimin

Përshtatja e kasës e llogaritur me çmimet minimale është deri 138 euro. Drejtor i Përgjithshëm i A.E. Distribution sh.p.k, z. Bledar Balla, i cili zotëron pjesën më të madhe të kasave që përdoren nga biznesi, garanton përshtatjen e tyre, pavarësisht vitit kur është blerë pajisja fiskale.

?Të gjitha kasat e kompanisë AED janë të certifikuara dhe të azhurnueshme për zbatimin e procesit të fiskalizimit. Çdo kasë, pavarësisht vitit se kur është blerë, mund të vazhdojë të përdoret edhe për lëshimin e faturave elektronike. Kostoja për adoptimin e kasës me sistemin e ri varion nga 50 euro deri në 100 euro.

Subjektit gjithashtu do t?i aktivizohet automatikisht falas llogaria personale në platformën e kasave AED të ndërtuar për përdoruesit e kasave AED, ku subjekti mund të shikojë, anulojë apo të korrigjojë çdo shitje me kasë. Në këtë platformë, ka akses edhe në modulin e tij SelfCare, ku mund të gjenerojë të gjitha shërbimet e fiskalizimit, faturë shoqërimi, e-Fatura. Këto të dhëna, ai mund t?i eksportojë në format excel ose t?i lidhë me sistemin e kontabilitetit. Në rastin kur një subjekt ka nevojë për një sistem të mirëfilltë menaxhimi dhe fiskalizimi, mund të porosisë atë falas në platformën cloud: www.aedcloud.al

 

Me ndryshimet ligjore, kostot e mirëmbajtjes së kasave janë reduktuar, pasi nuk do të jenë më në bazë të memories fiskale. Kostoja e mirëmbajtjes së kasave, duke përfshirë edhe faturën vjetore të internetit, është 5 mijë lekë/vit. Kostot e mirëmbajtjes së kasave në raport me zgjedhjet software janë më të ulëta. Për zgjedhjet software, përfshihet edhe blerja e kompjuterit, ndërrimi i tij në rast dëmtimi, tarifa vjetore e internetit prej 240 euro/vit.

Përveç kësaj, kompania jonë ofron edhe zgjidhjet software në cloud dhe subjektet mund ta porosisin online. Zgjidhjet software ofrohen falas për të gjithë fashat e bizneseve. Edhe në rastin kur subjektet nuk do të zgjedhin të përdorin më pajisjen fiskale, për procesin e fiskalizimit, programet software do të ofrohen falas, që do të jenë pa limit faturimi dhe për të gjitha llojet e faturave. Subjektet do të paguajnë vetëm koston e trajnimit dhe të mirëmbajtjes së programit në vlerën e 5 mijë lekë?./Monitor

Lajmet e fundit nga