web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ndalimi i gazetarëve në sencat plenare/ Kuvendi: Po përdorim praktikat më të mira Evropiane

9 Qershor 2021, 15:07, Aktualitet CNA

Pas protestës së gazetarëve ditën e sotme për shfuqizimin e ligjit që ndalon ata të futen në seancat plenare ka ardhur reagimi i parë nga Gramoz Ruçi.

Përmes një njoftimi nga faqja e Kuvendit thuhet se përmes këtij vendimi do të ndërtohet një sistem i ri audio-video për ndjekjen dhe transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare.

?Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian  për Shqipërinë,  dhe Kuvendi është përfitues i këtij projekti/modeli të ri. Edhe specifikimet teknike të ndërtimit të këtij sistemi u përcaktuan dhe miratuan nga Komisoni Evropian, bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të parlamenteve të vendeve të BE-së.

Projekti i sistemit i është dërguar BE-së në rrugë zyrtare më datën 27 Maj 2014 dhe i është prezantuar nga Kuvendi përfaqësuesve të BE-së në dy takimet e zhvilluara më datat 28 maj dhe 3 qershor 2014. Më datën 17 dhjetor 2014, Komisioni Europian miratoi paketën IPA 2014 për Shqipërinë,  e cila përfshin edhe mbështetjen financiare për Kuvendin për instalimin e sistemit të ri  audio-video. 

Marrëveshja kuadër ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian për Rregullat e  Zbatimit të Asistencës Financiare të BE-së për Shqipërinë në Kuadër të Instrumentit për Asistencën  Para-Anëtarësimit (IPA II), u nënshkrua në vitin 2015?, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera sqarohet se sistemi audio-video është instaluar vetëm në sallat e komisioneve parlamentare, ndërsa seancat plenare do të vazhdojnë të transmetohen si më parë, pa asnjë ndryshim.

?Sistemi i ri rrit transparencën parlamentare dhe nuk e kufizon aksesin e gazetarëve, por e rregullon atë. Gazetarëve u mundësohet transmetimi i mbledhjeve të të gjitha komisioneve dhe ata zgjedhin vetë, në liri të plotë, informacionin që do të transmetojnë.

Transmetimi i mbledhjeve të komisioneve, realizohet në kohë reale nëpërmjet këtij sistemi dhe pa asnjë mundësi ndërhyrjeje. Sistemi nuk ka një regji qendrore, por komandohet nga vetë gazetarët, sipas nevojave të tyre. Gazetarët komandojnë sistemin dhe jo sistemi gazetarët.

Sistemi i ri nuk i pengon gazetarët të hyjnë në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit. Ndërhyrjet në Rregulloren e Kuvendit dhe në Rregulloren e Masmedias nuk shtojnë asnjë ndalesë të re lidhur me hapësirat e lejuara për punonjësit e akredituar të medias, krahasuar me rregulloren e mëparshme. Në Rregulloren për Akreditimin, akomodimin dhe orientimin e Masmedias pranë Kuvendit të Shqipërisë, miratuar me vendim të Byrosë së Kuvendit, nr. 4, datë 12.02.2014, shprehimisht, neni 17, pika ?a?, mundëson lëvizjen e personave të akredituar në të gjitha mjediset, me përjashtim të hollit nga kati i parë në të katërt në godinën e Kryesisë së Kuvendit?, thuhet në njoftim./ CNA.al





Lajmet e fundit nga