web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kadare vlerëson librin e Monika Stafës/ "Ndërgjegjja e shqiptarëve e kalon provën e rëndë"

3 Maj 2019, 12:32, Aktualitet CNA

Me një parathënie nga Ismail Kadare, është publikuar libri më i ri i gazetares dhe shkrimtares, Monika Stafa.

Libri ka në thelb të tij ngjarje historike, të cilat lidhen me Luftën e Dytë Botërore, kohë në të cilën hebrenjtë ishin populli më i persekutuar në botë nga nazizmi i Adolf Hitlerit.

Në një kohë të tillë ku shumë vende i largonin hebrenjtë, disa nga frika e të tjerë nga paragjykime fetare, shqiptarët i strehuan dhe i mirëpritën sipas traditës së tyre se ?shtëpia është e mikut dhe e Zotit? duke e quajtur kështu mikun që u vinte në shtëpi të barabartë me Zotin.

Lidhur me traditat dhe kulturën tonë të mikpritjes kanunore apo edhe për mikpritjen e hebrenjëve si një vlerë që na lartëson, nuk ka folur askush më shumë dhe më mire se Ismail Kadare, i cili ka marrë përsipër të shkruaj edhe parathënien e e librit të Stafës.

Gazetarja e ka përhapur lajmin duke postuar foto në rrjetet sociale ku shihet libri i saj me titull ?Hebrenjtë në Shqipëri?.

Duhet të shtojmë se askush më mire se Ismail Kadare nuk do të mund ta përshkruante dot më mire brendinë e librit dhe rëndësinë që ka për kulturën dhe popullin tonë. Ne jemi një popull i vogël por me një shpirt të ndieshëm dhe këtë gjë e kemi treguar sidomos në strehimin e hebrenjëve në një kohë kur rreziku ishte më i madh se kurrë.

Ismail Kadare në parathënin e këtij libri, me të drejtë shkruan se një libër i tillë është pritur prej kohësh në Shqipëri.

Çështja e hebrenjëve është një çështje palnetare, shkruan Kadare, pasi ?ndërgjegjja e njerëzimit mbarë është vënë në prove? duke treguar kështu se ndërgjegjja e shqiptarëve i ka rezistuar më së miri një prove të tillë.

?Historia shqiptare ka një pikë takimi tepër të ndieshme me këtë dramë botërore. Qëndrimi ndaj  hebrenjve, më saktë, mbrojtja e tyre, nga një popull me histori të zymtë, si i yni, që e nderon, në kuptimin më të madh të kësaj fjale. Është kjo një nga arsyet që libri   i shkrimtares dhe studiueses Monika Stafa «Hebrenjtë në Shqipëri» zgjon një interes të veçantë.?- ka shkruar Kadare në parathënin e librit.

Kadareja si një njohës i mirë i histories shqiptare, e trajton me detaje çështjen e hebrenjëve të cilën e gjen edhe në shumë libra të tij, si p.sh te ?Darka e Gabur?  ku një peng hebre trajtohet njëlloj si të tjerët dhe shpëtohet edhe pse përballë kishin një oficer të lartë gjerman.

Shqiptarët nuk kanë qenë të ndarë në këtë pike, ata i kanë mbrojtur hebrenjtë pa asnjë dallim, qofshin këta shqiptar të pasur apo të varfër, të arsimuar apo të paarsimuar, të krishter apo mysmiman. Pra ne i qëndruam proves së shekullit dhe i treguam botës një anë që ata nuk e njihnin, atë njerëzore. Kadare madje e quan idilike, por gjithësesi është e vërtetë thotë ai.

?Ka qenë një nga cështjet që i ka bashkuar të gjithë. Nuk gjendet në Shqipëri asnjë dokumentacion i një grupimi politik ose i një lëvizje që ta ketë prishur këtë unanimitet. Prova e madhe, sic u tha ka qenë Lufta e Dytë Botërore. Kjo është një e vërtetë e njohur. Këtu, ky unanimitet u konfirmua edhe njëherë. Shqiptarët nuk kanë pasur unitet gjatë luftës, rrjedhimisht prova ka qenë e dyfishtë në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera. Sepse Shqipëria pati një keqkuptim të madh politik,?-shkruan më tej Kadareja.

Në përfundim të parathënies, Kadare shkruan:

?Do të shtoja në fund se ky ndërgjegjësim ka kaluar në artin dhe letërsinë shqipe. Një nga dramat e para te saj, « Izraelitë dhe filistine », është shkruar një shekull më parë, nga peshkopi i Shqipërisë Fan Noli, përpara se të bëhej kryeministër dhe shkrimtar i madh i saj.?

Për të treguar kështu se kjo ndieshmëri  njerëzore që ka populli ynë për hebrenjtë dhe jo vetëm për ta është aq e vjetër sa vet shqiptarët.

PARATHËNIE

Është pritur prej kohësh një libër për hebrenjtë në Shqipëri. Nuk është e tepërt të theksohet se trajtimi i këtij problemi delikat do të ishte diçka e natyrshme për  letrat dhe studimet kudo në botë.

Qëndrimi ndaj hebrenjve ka qenë dhe vazhdon të jetë një çështje globale, planetare. Kjo, për arsyen e qartë se ndërgjegjja e njerëzimit mbarë është vënë në provë.

Historia shqiptare ka një pikë takimi tepër të ndieshme me këtë dramë botërore. Qëndrimi ndaj  hebrenjve, më saktë, mbrojtja e tyre, nga një popull me histori të zymtë, si i yni, që e nderon, në kuptimin më të madh të kësaj fjale. Është kjo një nga arsyet që libri   i shkrimtares dhe studiueses Monika Stafa «Hebrenjtë në Shqipëri» zgjon një interes të veçantë.

Në Shqipëri hebrenjtë, sic dihet tashmë historikisht nuk janë mbrojtur nga një pjesë e popullit dhe janë diskriminuar nga pjesa tjetër, nuk ka qenë problem i njerëzve  të kulturuar që mund ta kenë bërë këtë gjë për arsye emancipimi dhe pjesa e paditur e popullit ka bërë disa herë të kundërten siç qëllon shpesh. Nuk kanë qenë ndikuar nga rrymat politike, nuk ka asnjë dallim në qëndrimin ndaj hebrenjve mes katolikëve shqiptare mes ortodoksëve shqiptarë dhe muslimanëve shqiptarë. Kjo tingëllon pak e habitshme, madje idilike por është e vërteta. Kur erdhi ora e provës së madhe, të tre këto ndarje fetare kanë qenë në një qëndrim kryekrejet të barabartë ndaj hebrenjve. Nuk kanë lozur rol regjimet politike. Shqipëria si në periudhën otomane, ashtu më pas kur fitoi pavarësinë dhe u bë një republikë, e më vonë nje mbreteri ballkanase, ndonëse arkaike, qëndrimet ndaj hebrenjve nuk i ka ndryshuar, d.m.th., zyrtarë dhe popull, administratë dhe shoqëri, komunistë dhe antikomunistë, nacionalistë dhe internacionalistë. Ka qenë një nga cështjet që i ka bashkuar të gjithë. Nuk gjendet në Shqipëri asnjë dokumentacion i një grupimi politik ose i një lëvizje që ta ketë prishur këtë unanimitet. Prova e madhe, sic u tha ka qenë Lufta e Dytë Botërore. Kjo është një e vërtetë e njohur. Këtu, ky unanimitet u konfirmua edhe njëherë. Shqiptarët nuk kanë pasur unitet gjatë luftës, rrjedhimisht prova ka qenë e dyfishtë në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera. Sepse Shqipëria pati një keqkuptim të madh politik. Forcat komuniste dhe nacionaliste u ndeshën në shumë probleme themelore që lidheshin me komunizmin apo me antikomunizmin dhe Shqipëria përfundoi pas pushtimit gjerman zyrtarisht në një shtet gjermanofil. Pra me pozicionin e hebrenjve mund të ishin krijuar kushtet që të shpallej  dukshëm si vend antisemit. Kjo nuk ndodhi. Ishte një nga rastet e rralla në Evropë që qëndrimet ndaj hebrenjve vazhdoi ai i mëparshmi. Hebrenjtë ndiheshin si në vendin e tyre, jo vetëm fjala përcmim që nuk ekzistonte, por asnjë shenjë e saj. Dhe kjo vazhdoi edhe në pushtimin gjerman. Është folur për mosgjetjen e dokumentacionit të mundshëm të qeverisë kuislinge shqiptare, e cila mund të ketë qenë e detyruar t?ua kërkonte gjermanëve mosprekjen e hebrenjve, për të mos krijuar probleme afatgjata me kombin shqiptar. Këto dokumente nuk janë bërë publike as atëhere dhe as më pas, sepse komunistët nuk mund ta duronin që ky qëndrim luajal ndaj hebrenjve të ishte monopol i nacionalisteve ose i një qeverie kuislinge e cila për cdo gjë duhej përbaltur. Ata ishin kuislinge, ata bashkëpunuan me gjermanët, bënë një gabim historik, por në këtë pikë u treguan realistë. Nuk është zbuluar natyrisht, as përgjigjja gjermane. Duhet të ketë qenë jashtëzakonisht sekrete, sepse Gjermania në kulmin e forcës së saj, nuk mund të pranonte se në një vend sado të vogël u pranua një marrevshje e tille e heshtur. Ky qëndrim ndoshta ka nevojë të shpjegohet. Këtu do të shtoja që shqiptarët nuk janë engjëj. Shqiptarët i kanë njohur sëmundjet e kohës. Ata janë një popull me temperament, disa herë të ashpër. Nuk janë ndonjë popull që falin cdo  gjë dhe nuk diskriminojnë askënd. Shqiptarët dinë të jenë dhe racistë të verbër. Si në rastin kundër romëve apo egjiptianëve. Pyetja se a mund të ketë racizëm me arsye është nga më të vështirat. Kurse racizëm me një farë arsye që unë quaj racizmin kundër një pushtuesi është tjetër gjë. Kam menduar se racizmi kundër një pushtuesi është një formë qëndrese jo fort e fisme sepse është racizëm gjithsesi. Por  këtu duhet gjendur një emër tjetër. Gjuhët nuk e kanë gjetur këtë lloj fjale. Kur ti je racist ndaj një perandorie që të shtyp ditë e natë, me krejt peshën, ushtrinë dhe me hijen e saj të rëndë dhe ti guxon ta përcmosh madje në mënyrë raciste mendoj se nuk është thjesht racizëm. Ka pasur raste që ky racizëm ka qenë jashtëzakonisht i fortë te shqiptarët kundër osmanëve. Ka qenë racizëm në elita, ka qenë racizëm në popull. Ka qenë për një periudhe paradoksalisht kundër italianëve në fillim të shek. 20 kur pati konflikte Italia me Shqipërinë kurse tani ka mjaft raste kur janë italianet racistë me ne. Ka njohur racizmin, kombi shqiptar kundër fqinjëve të tij, si përgjigje kundër racizmit të tyre. Është formë jo e lakmueshme por kështu ka qenë. Ky popull pra, i njeh të gjitha ato që quhen sëmundje të shoqërive të kombeve, të shteteve dhe në këtë sfond, qëndrimi i tij luajal ndaj hebrenjve merr edhe një kuptim më të thelle, edhe me të ndërgjegjshëm. Do të shtoja në fund se ky ndërgjegjësim ka kaluar në artin dhe letërsinë shqipe. Një nga dramat e para te saj, « Izraelitë dhe filistine », është shkruar një shekull më parë, nga peshkopi i Shqipërisë Fan Noli, përpara se të bëhej kryeministër dhe shkrimtar i madh i saj.

ISMAIL KADARE

Tiranë, 2018″.

Gjithashtu ajo ka shkruar se cfarë nënkupton ky libër dhe ku synon të hedhë dritë:

Dy fjalë

Libri me titull ?Hebrenjtë në Shqipëri?, që po paraqesim për lexuesin është fryt i një punë disa vjeçare kërkimore dhe shkencore. Hebrenjtë në Shqipëri janë një komuniteti jo pak i rëndësishëm në mjedisin shqiptar, një mjedis harmonik në lidhje sa i përket minoriteteve. Teza vjen si një studim i mirëfilltë shkencor, larg miteve të ngritura deri më tani për arsyet e shpëtimit dhe mbrojtjes së hebrenjve prej rrezikut shfarosës gjatë udhëve të historisë, me theks të veçantë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Punimi synon të hedhë dritë mbi ekzistencën e këtij komuniteti dhe arsyet e bashkëjetesës së harmonishme me shqiptarët. Qytetarë nga e gjithë Europa me shtetësi të ndryshme, por që i përkisnin kombësisë hebraike gjetën shpëtim e mbrojtje në Shqipëri, duke e parë atë si një rast ?sui generis? në mes gjithë atij kontinenti që  kërcënohej prej terrorit nazist. Vlerësimi i sfidave me të cilat Shqipëria u përball në një prej periudhave më të vështira që hebrenjtë e huaj dhe ata vendas po kalonin në Europë (1933-1944), përbëjnë bazën analitike dhe kërkimore të këtij studimi. Fokusimi në marrëdhëniet e tyre me autoritetet vendore/ lokale dhe popullin shqiptar zë peshën më të madhe në studim, për vetë rolin që këto të fundit luajtën në shpëtimin e tyre ndaj rrezikut shfarosës nazist.

 

Në fokus të tij, ky punim ka pasur 5 cështje për t?u trajtuar, në pesë kapituj të ndryshëm. Pjesë e punimit janë edhe parathënia, hyrja, konkluzionet dhe bibliografia. Studimi është ndërtuar kronologjikisht mbi dy fazat më të rëndësishme historike dhe me ndikim të dukshëm në historinë e këtij komuniteti: faza e parë ka të bëjë me periudhën e Mbretërisë Shqiptare, për të vijuar me atë të Luftës së Dytë Botërore. Në tërësinë e tij punimi synon t?u japë përgjigje disa pyetjeve. Përse hebrenjtë iu drejtuan Shqipërisë, sapo u shpall doktrina famëkeqe ?Final Solution?? Çfarë mundësish ofroi Mbreti shqiptar Ahmet Zogu dhe autoritetet qeverisëse të vendit ndaj tyre? Si vijoi ardhja e hebrenjve gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe përse ajo ndoqi një politikë survejimi dhe jo ndëshkimi ndaj tyre? Cili ishte qëndrimi i qeverive kolaboracioniste ndaj hebrenjve të rrezikuar që erdhën prej Jugosllavisë, Bullgarisë, Rumanisë e Maqedonisë? Si ishte sjellja e shqiptarëve ndaj hebrenjve, kur vendi u pushtua nga Gjermania? Cilat janë veçoritë dalluese të Shqipërisë në raport me vendet e tjera, që i dorëzuan autoriteteve pushtuese gjermane listat me hebrenj? Përse me hebrenjtë e Shqipërisë në kushtet e një terrori të pashembullt në vendet europiane u ruajt një sjellje shembullore dhe rasti Shqipëri u shënjua si një ndër rastet më të paprecedent në historinë e popullit që kërcënohej për zhdukje masive? Çfarë ndodhi me ta gjatë luftës dhe pas saj?

Hebrenjtë në Shqipëri në vitet 1933-1946, është një çështje sa e studiuar, po aq edhe e pathelluar. Shënime të përzgjedhura mbi këtë komunitet gjenden në librin ?Shqiptarët dhe hebrenjtë në shekuj?, një libër me kërkime të mëhershme mbi këtë komunitet, të studiuesit Apostol Kotani. Kërkimet e tij kanë filluar aty rreth viteve 1968 për shkak të një kërkese që atij iu bë nga autoritetet e kohës. Në fakt, kërkimet e tij mbetën në letër. Ato asnjëherë nuk u botuan derisa ai iu rikthye atyre sërish pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1991. Ky fakt nuk ishte i panjohur, por hapja e arkivave e pasuroi më shumë kërkimin mbi hebrenjtë në Shqipëri. Shumëllojshmëria e të dhënave të tyre ndihmoi shumë në profilizimin e studimeve rreth këtij komuniteti dhe kontributin që ai kish dhënë në shumë procese historike të shqiptarëve. Asgjë prej atyre që shkruhej në librat e historisë apo që thuhej publikisht gjatë viteve të komunizmit, nuk mund të krahasohej me atë që shkruhej në ato dokumente. Përpara syve tanë po shpalosej një faqe tjetër e historisë, krejtësisht e panjohur prej nesh, jo vetëm për fatin e hebrenjve apo të popujve të tjerë, por dhe të vetë shqiptarëve.





Lajmet e fundit nga