web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Foto- Bushati takon homologun maqedonas/ Thekson rëndësinë e referendumit për emrin

13 Shtator 2018, 16:00, Aktualitet CNA

Në ditën e dytë të vizitës në Maqedoni Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u takua me homologun Nikola Dimitrov, ku në fund të takimit dhanë dhe një konferencë për shtyp.

Ministri Bushati u ndal tek mbështetja që Shqipëria i jep Maqedonisë në projektin e saj euroatlantik.  Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve si faktor stabiliteti dhe mbështetës të flaktë të proceseve euroatlantike të Maqedonisë.

Në këtë kontekst, i  bëri apel qytetarëve maqedonas dhe veçanërisht shqiptarëve të Maqedonisë, që të votojnë Pro Referendumit më 30 shtator si një marrëveshje me ?rëndësi të madhe për stabilitetin demokratik në rajonin tonë dhe perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike?.

Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se Shqipëria pret me padurim zbatimin e ligjit të gjuhëve në Maqedoni, i cili është një hap vendimtar për përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike.

Të dy qeveritë po punojmë për agjendën e ardhshme të mbledhjes së përbashkët  dhe për një sinkronizim akoma më të mirë të ndërveprimit me Komisionin Europian në kuadër të procesit ?screening?. Dy homologët diskutuan dhe për situatën në rajon, dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, dhe marrëdhëniet me shtetin fqinj, Greqinë.

Më herët, Ministri Bushati u takua me Kryeparlamentarin Talat Xhaferri dhe Zëvendëskryeministrin Bujar Osmani. Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë Talet Xhaferri, Ministri vlerësoi rolin e Parlamentit dhe faktorit politik shqiptar në mbajtjen e ritmit dhe dinamikës së reformave gjatë vitit të fundit.

Ministri Bushati dhe  Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani diskutuan dhe për mundësinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit operacional në procesin ?screening?, në kushtet kur ka një kalendar dhe një horizont të qartë për dy vendet tona në vitin 2019.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan dhe mbi mundësinë e zhvillimit të rajoneve dhe komuniteteve ndërkufitare duke e maksimizuar dhe asistencën financiare të BE-së.

Fjala e plotë e  Bushatit

Përshëndetje të gjithëve,

Faleminderit i dashur Nikola për mikëpritjen këtu në Shkup.

Për mua është kënaqësi e posaçme që vizitoj Maqedoninë në një moment shumë të rëndësishëm për sa i përket perspektivës euroatlantike të vendit.

Me këtë rast, dëshiroj të përcjell në radhë të parë falënderimet nga ana e qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar, për gjithë ecurinë e këtij procesi që na ka sjellë sot në këtë ditë të rëndësishme vendosmërinë e demostruar nga ju, nga Kryeministri Zaev për të ecur përpara dhe për zgjidhur një mosmarrëveshje që qëndronte aty prej disa vitesh mes dy fqinjëve të mirë të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, dëshiroj që në emër të shtetit shqiptar, t?i bashkohem gjithë zërave, gjithë miqve të vendit tuaj, duke ju bërë një apel e sidomos, shqiptarëve që jetojnë këtu, për të mbështetur marrëveshjen historike të Prespës, sepse kjo marrëveshje, pavarësisht se shpesh konsiderohet si një marrvëshje për zgjidhjen e çështjes së emrit ndërmjet dy vendeve, në fakt ka një rëndësi të madhe për stabilitetin demokratik në rajonin tonë dhe për perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike. Prandaj, dëshiroj më të mirën për vendin tonë fqinj, Maqedoninë, në datën 30 shtator.

Së dyti, ishte një mundësi gjithashtu e mirë për të diskutuar me mikun tim Nikola edhe në lidhje me mbledhjen e ardhshme të përbashkët të dy qeverive tona si dhe për programin e përbashkët, qoftë për sa i përket bashkëpunimit ndërkufitar ku ne kemi një  angazhim të tre vendeve tona, përfshi edhe Greqinë për ta zhvilluar më tej rajonin e Prespës, pra për të mos e lidhur thjesht dhe vetëm me një marrëveshje, e cila urojmë që do të jetë e një rëndësie historike, por për të zhvilluar dhe rivitalizuar jetën e komuniteteve ndërkufitare si shenjë e miqësisë më të mirë mes vendeve tona.

Në këtë kontekst, jemi të mandatuar nga ana e kryeministrave Rama dhe Zaev për të punuar më tej dhe për të detajuar më tej marrëveshjet që do t?i paraprijnë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona.

Dhe së treti, para dy vendeve tona kemi horizonte bashkëpunimi shumë më të rëndësishëm.E vizitoj sërish Shkupin me dëshirë sepse jemi fqinj, kemi ndarë dhe do të ndajmë bashkë, shpresoj sa më pak ditë të vështira dhe vetëm ditë të lumtura, por nuk ka si të mos shënoj faktin që sot për sot kemi një atmosferë më gjithëpërfshirëse, një harmoni më të mirë ndëretnike, disa veprime më kurajoze qoftë në raport me Bullgarinë dhe Greqinë, sikundër angazhimin e qeverisë dhe mazhorancës aktuale për ligjin e gjuhëve, përdorimit të gjuhëve që i krijon një mundësi të gjithëve të ndihen qytetarë të lirë me të drejta dhe detyrime të barabarta.

Në këtë kontekst, ne kemi diskutuar me Nikolën dhe për sa i përket kalendarit të procesit të integrimit evropian, pjesës politike më të rëndësishme, punës me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke qenë se 2019-ta përcakton një kalendar të qartë për dy vendet tona. Nga ana tjetër, si një vend anëtar i NATO-s që prej 2009-ës, kemi qenë dhe vijojmë të jemi mbështetës të pakushtëzuar të anëtarësimit tuaj në NATO dhe sot, kolegu im më ka njohur me disa nga pritshmëritë e vendit tuaj. /CNA.al





Lajmet e fundit nga