web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Në një vend normal Kryeministër është punë e rëndë

20 Gusht 2018, 21:32, Aktualitet CNA

Nga Artur Çani

Këshilla, zotit Rama, kryeministrit tonë

I nderuar zoti kryeministër, këto radhë u drejtohen Ju zoti Rama, jo se kam gjë me Ju personalisht, por mbasi ti je ulur në kolltukun e kryeministrit. E di që nuk jeni në zyrë, e di që nuk jeni as në Tiranë, por jam i sigurtë që kudo që të jesh ka drita e do të mund gjesh kohe e të lexosh këto pak radhë që po Ju dedikoj.

Nuk kam as kualifikimet, e as më gënjen mëndia ta mendoj veten të aftë për të këshilluar njerëzit, mbasi kam bindjen se sic thoshte i ndjeri gjyshi im: ?eksperienca është shumatoria e gabimeve të jetës.? Por tashmë, mbas kaq viteve punë në lëmin e gazetarisë, mbasi kam parë shumë qeveri ti lënë vendin, me të mirë a me pahir, njëratjetrës mendoj se edhe unë pak eksperiencë e kam grumbulluar në vite, eksperiencë që modestësisht, mendoj se mund t?Ju shërbejë. Po e filloj nga dicka personale.

Nuk dua të kem kurrë asnjë detyrë drejtuese, as edhe te pallati ku banoj, është larg meje cdo aspiratë për të patur një vënd të rëndësishëm në sallën e butonave të komandimit. Nuk më përshtatet as roli i atyre që ?detyra i thëret? për ti dhënë këshilla e sugjerime Mbretit. Është e vërtetë se po të jesh afër diellit ke gjithmon behar e ngrohesh më shumë, por unë preferoj pranverën dhe vjeshtën time.

Radhët në vijim, janë vetëm disa reflektime të thjeshta e të paanëshme, që po ju reshtoj me mirdashje në vazdhdim. Hiq dorë nga premtimet, sidomos nëse nuk je i bindur e i sigurtë që do e mbash fjalën, mos vendos afate me ditë për realizimin e tyre. Populli ynë është tashmë i bërë qull nën shiun e premtimeve dhe programeve të dështuara e nuk ngopet më me lugë të zbrazët.

Mos ja lër fajin të tjerëve, as bashkëpuntorëve të tu më të ngushtë e jo më kundërshtarëve a opozitës, duke thënë se janë, të paaftë, të trashë apo të liq. Mos bëj sikur i zgjedh, por bëj një seleksion të thellë të bashkëpuntorëve të tu. Bëje vetë, imponoja edhe të tuve ta bëjnë. Në e ndjen se ke bërë gabime, gjithmon ke kohë për ti riparuar. Më mirë vonë se kurrë. Duhet të jesh i gatshëm të përgjigjesh, jo vetëm për gabimet e tua por edhe për gabimet e bashkëpuntorëve të tu, sepse këtë ta imponon pozita që ke.

Eshtë e pakonceptueshme që mbas asaj që ndodhi në Sarandë, me sekretarin e deputetit Kokdhima të thuhet: ?Akt i turpshëm. Ne perversët kur i identifikojmë i vutim në burg.? Mirë mo mirë, po kush i përzgjodhi, kush i emëroi, kush i la hallexhinjëve në dorën e tyre? si është e mundur që ndërkohë që i kërkojmë Serbisë të mbyllë zyrat paralele në veri të Kosovës, një miku Juaj i afërt, një deputet kapadai i partisë që Ju udhëhiqni, hap zyra paralele me ato të shtetit që Ju drejtoni e për më tepër në zonën ku Ju keni fituar si deputet? Mos u bëj, e mos lër as të tjerët të bëhen si Fullani që cdo mëngjes kur zgjohet, shkon përpara pasqyrës e thotë: ?E kujt është kjo fytyrë e bukur? U qënka e imja. Kush është ky burrë kaq elegant? U qënkam unë?. Në se di mësoje: Shqipëria shejtanbudallenj ka me tepri.

Hiq dorë nga, transmetimet direkte në televizion për takimet kudo qofshin ato, në natyrë apo reth tavolinave të rumbullakta, katrore, elipsorea drejtkëndëshe. Kujtohu që televizioni, ka marrë në qafë më shumë kryeministra se sa vetë kriza. Historia mbas ?90 fillon me Bufin, uroj të mos jesh edhe ti në këtë vazhdë. Por në se vërtet nuk të rihet, ofroje pamjen tënde të reptë apo të qeshur nëpër postera.

Ndoshta e kam gabim por më duket se edhe fytyra juaj i takon tashmë klasikëve të politikës, programeve të paraparë. Shëmben shtëpitë në Gjirokastër, prishen afresket e Onufrit, renohen kalatë historike, por fytyrat e politikanëve janë po ato. Andaj më mirë minimizoje në maksimum daljen e dukjen.

Mundohu të mos mendosh si shumë kolegët e tu, që populli meriton qeverisjen që ka e ai duron gjithcka, bazuar vetëm tek fakti që vazhdon të votojë. Informohu, por jo nga ata që hanë e pinë reth teje, jo nga ata qe konsumojnë miliona lekë të shtetit në muaj, jo nga ata s?të lënë të marrësh frymë, dhe do të kuptosh që dicka po ndryshon.

Bëj inventarin e njëmilion shuplakave, apo edhe të atyre qindramijërave shqiptarëve që nuk kanë shkuar tëë votojnëë, dëgjo edhe ata që hanë në shtëpitë e tyre e jo ne restorante, madje edhe ata qe e mbyllin ditën me borxhe se s?kanë të hanë, dhe do ta kuptosh se numrat kanë ndryshuar, të pakënaqurit po rriten, mbështetësit po zvogëlohen. E kuptoj që një shtet në Bankën Qëndrore të të cilit vidhet ditën për diell e drejtuesit gëzojnë imunitet politik, e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të llogarisë mosbesimin, perbuzien dhe përcmimin që përhapet përditë në opinionin publik. Por ti tento.

Përpiqu. Perpara se të flasësh kujto të madhin Konica që thoshte: ?Zoti ynë që je në qiell, jepna fuqine ta mbajme gojen të mbyllur kur s’kemi gjë per te thënë!? Mos i konsidero miq gazetarët apo pronarët e mediave që të servilosen. Mbaj parasysh se ata që marrin me qira mendimet dhe opinionet tuaja, humbasin besimin e lexuesëve. Më mirë një kritik më shumë, qoftë dhe e padrejte, por pa qëllim të keq, se sa një duartrokitës i paguar.

Duartrokitiet me komandë nuk kanë mundur kurrë ti fshijnë stonimet. E kuptoj që nuk është e lehtë, madje e konsideroj shumë të vështirë, ti kërkosh një populli të vihet në djetë, të shtrëngojë rripin. Kjo mendoj se të bëhet edhe më e vështirë mbasi të duhet ta kërkosh këtë sakrificë në emer e për llogari të atyre, që me ose pa të drejtë, vlerësohen nëë popull si gllabëruesit e tortës. Ka ardhur momenti që të shpërndash me drejtësi të paktën thërimet e mbetura.

Së fundëmi, meqënëse ke qënë disa herë i martuar, konsideroje martesën si një cështje thellësisht personale. E respektoj gruan tende të re, fëmijët e tu, të ritur apo edhe të sapolindur, por do ti lutesha të rinin sa më larg kamerave e komenteve. Zonjë e nderuar, mbaj jashtë kronikave veten dhe fëmijët e tu e të tijtë njëkohësisht. Mos e bëj familien ushqim për oreksin e kronikave, packa se dikush thotë se emri i djalit Tuaj të sapolindur Zaho është bërë trendi. U kujtoj se kanë qënë ?inisiativat? e zonjave të tyre që kanë bërë që kryeministrat të përballen me situata të papëlqyeshme.

Në se padashur ky shkrim u duket Ju, apo edhe cdo lexuesi tjeter të gazetës, si një predikim unë u kërkoj të falur të gjithëve. Por e ndjej për detyrë të deklaroj se: Sic e thashë edhe më sipër kurrë nuk kam dashur e as dua që të bëhem pjestar i oborit e as këshilltar i mbretit.

 





Lajmet e fundit nga