web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Adriatik Llalla kryeprokuror deri në nëntor/ “CEZ” e “21 janari” në dorë të prokurorisë speciale

17 Gusht 2017, 11:57, Aktualitet CNA

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla në fund të nëntorit pritet të ikë nga posti. Teksa ai do të jetë dhe azilanti më i ri shqiptar në Gjermani, situatën në dorë do ta marrë Prokuroria Speciale, e ngritur për këtë qëllim, që do të hetojë dhe japë zgjidhje për të gjitha dosjet e mëdha. Për të cilat më kot është pritur shtatori i çdo viti sikurse premtonte Adriatik Llalla për të bërë ndonjë lëvizje të madhe. Prandaj Llalla në nëntor realizon një ikje pa lavdi, pasi në tërë këtë periudhë ai nuk ka zbardhur asnjë dosje, por është marrë me të gjitha ?qokat? e mundshme në shërbim të Berishës dhe Metës, të cilët e vendosen në atë post, e mbrojtën fort në të gjitha rastet. Llalla ua shpërbleu duke i varrosur dosjet penale në ngarkim të tyrë. Madje bëri dhe tentativën e fundit, u ankimua në kushtetuese për Vettingun që përkundër të gjitha praktikave botërore, kërkoi që të jetë prokuroria ajo që mbyll një dosje dhe jo të vendosë gjykata.

Pikërisht në funksion të shpëtimit të dy bamirësve të tij politikë, Berisha dhe Meta. Gjë që u refuzua. Dhe në nëntor Llalla ikën, duke ia lënë vendin Prokurorisë Speciale. Ku pavarësisht se në çdo dalje publike ka deklaruar se do ketë arrestime të zyrtarëve të lartë. Deri më sot vetëm ish-ministri Spiro Ksera ka dalë para gjykatës dhe askush tjetër. Ndonëse Llalla në takim me prokurorët kërkon arrestime në nivele të larta dhe luftë ndaj korrupsionit, deri më sot organi i akuzës ka dështuar në këtë aspekt. Por duke qenë se Llalla ka qëndruar në heshtje, një sërë institucionesh të tjera kanë denoncuar disa zyrtarë të nivelit të lartë. Por duket se të gjithë janë amnistuar nga kryeprokurori. Preteksti i nxjerrë nga prokuroria është reforma në drejtësi. Pak kohë më parë Llalla deklaroi se ligjet ja kalojnë kompetencat SPAK dhe ai nuk heton dot zyrtarët e lartë.

Por edhe pse me ndryshimet që ju bënë ligji ju la hapësirë prokurorisë, tani preteksti tjetër është se prokurorët janë të pavarur. Sipas organit të akuzës, kryeprokurori nuk mund të ndikojë mbi ta edhe ata e kanë vetë në dorë çfarë bëjnë me dosjet. Por sipas burimeve, dosjet po shkojnë drejt mbylljes, në mënyrë që zyrtarët t?ia hedhin lehtë nga reforma. Nëse dosjet janë të hapura kur të ngrihet SPAK, çështjet pritet të ndiqen nga Prokuroria Speciale dhe të gjithë rrezikojnë burgun. Mirëpo duke u justifikuar te reforma, organi i akuzës i ka amnistuar të gjithë, pasi hetimet për të gjitha dosjet e bujshme kanë ngecur.

Adriatik Llalla pasi mbylli dosjen e ish ministrit Ilir Beqja, mbylli dhe dosjen e kreut të ARRSH, Dashamir Xhika, i kallëzuar nga KLSH për abuzime me tenderët. Në listë janë dhe dy ish-ministra të Sali Berishës. I pari është Lulzim Basha. Ai është paditur dy herë për abuzime me lejet e ndërtimit kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, si dhe për ngjarjen e 21 Janarit. Emri tjetër është Sherefedin Shehu, i kallëzuar penalisht për abuzime me rrugën Durrës-Kukës. Të gjithë këta emra ia kanë hedhur paq. Por në ?tavë? është dhe dosja e rëndë e abuzimit me privatizimin e OSSH nga CEZ, abuzimi dhe gjobat që janë vënë nga Berisha dhe Meta për këtë kompani përmes uljes së çmimit nga ana e ERE e urdhëruar asokohe nga Berisha, Meta dhe ministrat e tyre përkatës. Por dhe kompania DIA për mbledhjen e borxheve të CEZ, ?patatet? e nxehta në duart e Llallës, pasi implikohen direkt Berisha dhe Meta. Pikërisht këto dosje deshi shumë Llalla ti mbyllte përmes ndryshimit në ligj, por tashmë ato do shqyrtohen nga Prokuroria Speciale.

Ndërkohë që Llalla ka bllokuar për të dytën herë dërgimin para drejtësisë të autorëve të vërtetë të ngjarjes së 21 Janarit, ku u vranë 4 persona. Ashtu siç çështja u zvarrit për vite e vite me radhë, tani autoritetet shqiptare të drejtësisë nuk pranojnë rolin e ndërkombëtarëve. Pasi në Strasburg kanë shkuar dy padi nga familjarët. Ku Strasburgu përmes një shkrese i kërkonte qeverisë dhe familjarëve që t?u dërgojnë të gjitha provat për ngjarjen në fjalë. Por duket se po përsëritet i njëjti skenar, ku prokuroria nuk u jepte provat familjarëve. Por edhe në kërkesën e dytë të Strasburgut, prokuroria ka refuzuar. Sipas familjarëve, sërish pengesë është organi i akuzës, pasi nuk jep asnjë dosje apo dokument për ngjarjen në fjalë. Ndonëse është hera e dytë që kërkohet një gjë e tillë nga Strasburgu, prokuroria sërish ka refuzuar bashkëpunimin.

Gjykata e Strasburgut kërkon që ankimimi të plotësohet me të dhënat dhe dokumentet përkatëse që kanë mbledhur autoritetet shqiptare. Pra është prokuroria ajo që ka dosjet hetimore dhe veprimet e saj bëjnë që të bllokohet për të dytën herë 21 Janari. Duket se Kryeprokurori Adriatik Llalla vijon të zbatojë urdhrat politikë të Sali Berishës, i cili e vendosi atë në këtë post. Berisha bëri të gjitha lëvizjet për të mbyllur këtë çështje dhe tani po vijon si duket e njëjta lojë. E njëjta gjë po ndodh me Gërdecin, me rrugën e Kombit dhe me të gjitha dosjet e tjera të rënda që janë sot në tavolinën e drejtësisë shqiptare. Të gjitha presin fillimin e punës së Prokurorisë Speciale./Pamfleti.com





Lajmet e fundit nga