web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Legeni"/Nga Kastriot MYFTARAJ

27 Dhjetor 2016, 22:35, Aktualitet CNA

Fjala ?legen? nuk përdoret si fyerje dhe tallje vetëm te shqiptarët, ndonëse është një sharje dhe tallje shumë e përhapur ndër shqiptarët. Te një nga romanet më të famshëm të letërsisë botërore, që është ?Don Kishoti i Mançës?, autori, shkrimtari spanjoll, Servantes, për të tallur aristokratët anakronikë e bën personazhin kryesor, Don Kishotin që të vendosë në kokë si një helmetë të famshme, legenin (brazen basin në anglisht) e një berberi fshati, të cilin e kishte mësyrë duke e menduar për një kalorës që kishte shtënë në dorë helmetën e Mambrinit (helmeta e famshme e një luftëtari të njohur). Vërtet që kishte disa lloj legenësh të thellë, me anë të gjera, që ngjanin me helmetat e kalorësve mesjetarë, me strehë përreth tyre. Por edhe në këtë rast dallohej lehtë legeni nga helmeta.
?Ka vënë legenin e Don Kishotit mbi krye?, është një frazë që përdoret për ata që mendojnë se kanë fituar lavdi me një veprim të tyre, kur në fakt vetëm sa e kanë bërë veten qesharakë.
Në rastin e Don Kishotit, bëhet një përcaktim kuptimor për legenin; jo në çdo rast ai është fyes dhe tallës. Ky send merr atribute fyese kur vihet në kokë si helmetë. Te shqiptarët, përdorimi i fjalës ?legen? është fyes në çdo rast, pa u kërkuar një saktësim kuptimor. Është nga ato lloj sharjesh që gjithkush e kupton por që askush nuk di ta shpjegojë nëse do ta pyesnin për kuptimin e saj. Dikush thotë për dikë ?Ai është legen?, ?Ai është bërë legen?, ?Ai legeni?, ?Ai i bie legenit? dhe bashkëbiseduesit e kuptojnë e nëse kanë ndonjë dyshim, për të cilin bëjnë pyetje nuk e kanë për përdorimin e fjalës ?legen?, por për sjelljen dhe veprimet e personit që etiketohet si legen.
Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i vitit 2006, legeni është ?një enë e rrumbullakët dhe mjaft e thellë, që shërben për të larë etj.?(532)
Shkaku i përdorimit të fjalës ?legen? për sharje dhe tallje, nuk mund të ketë të bëjë me përdorimin e enës për larje, sepse p.sh. fjala ?govatë?, që e ka ekskluzivisht këtë përdorim, nuk përdoret për sharje ndaj femrave. Fjala ?legen? përdoret si sharje vetëm për meshkujt. Nuk kam dëgjuar kurrë që të thuhet për një femër se ajo është legene.
Unë mendoj se përdorimi i fjalës ?legen? si sharje, ka të bëjë me rëndësinë dhe funksionin shumëpërdorimësh që ka pasur legeni në të shkuarën shekullore, në jetën familjare dhe shoqërore shqiptare.
Në pjesën më të madhe të shtëpive shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare legeni ishte objekti më i shtrenjtë, më i përdorur dhe më i domosdoshëm në shekuj. Nuk kishte legenë plastikë, të prodhuar industrialisht si sot, kështu që legenët ishin praktikisht prodhime artizane, firmato si të thuash. Legenët ishin kryesisht prej bakri, kishte dhe prej alumini, e më të rrallë e më të shtrenjtë qenë ata prej bronzi (tunxhi).
Për të kuptuar rëndësinë e legenit në jetën familjare dhe shoqërore shqiptare në shekuj, duhet të dini se legeni përdorej shpesh për ato funksione që sot i kryen lavamani, dushi, vaska e banjës, makina larëse e rrobeve, makina larëse e pjatave, WC-ja, pjatat, zilja elektronike, aparaturat e sofistikuara mjekësore të spitalit etj.
Legeni ishte një send i identifikuar me burrin e shtëpisë, ose më saktë me burrat sipas hierarkisë në familjen e madhe të kohës. Kur burri lahej, dhe burrat pëlqenin veçanërisht larjen e këmbëve duke i futur në legenin e mbushur me ujë të nxehtë, gruaja duhet të sillte legenin e mbushur me ujë dhe të përkulej për t? i larë këmbët burrit i cili rrinte gjithë dinjitetin mbi legenin e tij, jo më pak se një mbret mbi fronin e tij mbretëror. Në fakt legeni ishte froni mbretëror i çdo shqiptari në shekuj. Burrat më të pastër lanin në legen edhe krahët dhe sqetullat.
Burri mund ta kërkonte përsëri legenin pasi kishte ngrënë drekë ose darkë, për të urinuar, si të lëngshmen ashtu dhe të ngurtën. Shumë pak familje kishin luksin që të kishin edhe enë për urinim, të quajtur uturak, përveç legenit.
Kur meshkujt rruanin mjekrën, gjë që ndodhte jo shpesh, për këtë përdornin legenin. Kur dikush sëmurej, vinte berberi që shërbente edhe si mjek, dhe kërkonte legenin për t? i marrë gjak të sëmurit, gjë që konsiderohej gjerësisht si metodë mjekësore me efekt të madh. Sepse si shkak i sëmundjes quhej gjaku i keq i krijuar në trup, që duhej hequr.
Legeni kishte një përdorim simbolik edhe në marrëdhëniet publike të familjes. Me atë iu bëhej të kuptonin miqve rastësorë se kishin trokitur dhe bujtur në shtëpinë e gabuar. Kulti i mikpritjes në Shqipëri nuk ka qenë aspak ashtu si thotë Ismail Kadareja në librat e tij, që gjithsecili që udhëtonte mund të trokiste në çdo derë. Ai që trokiste në një derë për të bujtur një natë, duhet të peshonte mirë veten në raport me shtëpinë ku kërkonte bujtje, sa i përket shtresës shoqërore, pasurisë. Secili duhet të gjente të ngjashmin e vet.

Kur ndodhte që të shkeleshin këto rregulla të pashkruara, miqtë e padëshiruar shërbeheshin me ushqim në legen. Ushqimi duhet të hahej në një enë të vetme ku drekuesit apo darkuesit futnin duart e rrallë lugët. Meqënëse legenët ishin të formave të ndryshme dhe shpesh të ngjashëm me tavat e thella, mund të bëheshin edhe shaka të tilla. Kumti i nënkuptuar simbolik ishte: Ju që keni bërë gabimin të trokisni në këtë derë, meritoni të ushqeheni në legen.
Miqtë (njerëzit në atë kohë pothuajse nuk udhëtonin kurrë vetëm) mund të kishin dyshime se çfarë ishte ena ku u ishte ofruar ushqimi, por heshtnin për shkak të turpit se e kuptonin që ishin ata të cilët e kishin bërë veten për t? u shërbyer në legen nga i zoti i shtëpisë. Heshtnin edhe për shkak të urisë së madhe që kishin nga udhëtimi i gjatë. Por në mëngjes herët, kur largoheshin nga shtëpia ku kishin bujtur, i thoshin njëri-tjetrit:
?Na bënë legen!?

Në fjalorët e gjuhës shqipe, do të gjeni një shpjegim shumë të varfër të kësaj sharjeje me larmi kaq të madhe përdorimi dhe kuptimi në të folurën e përditshme. Megjithatë, dihet nga të gjithë se fjala ?legen? në gjuhën shqipe përdoret në një kuptim shumë më të gjerë se ai në të cilin përdoret në librin e Servantesit, që do të thotë se në rastin shqiptar personi është i vetëdijshëm për atë që po sillet ose po përdoret si legen.
Kur përdoret fjala ?legen? si sharje ose tallje, gjithmonë nënkuptohet edhe kur nuk adresohet se ?legen? i kujt është bërë personi sharë dhe tallur. Kështu krijohet një hierarki legenore. Një person i cili ka siguruar poste dhe privilegje për vete dhe për familjarët, duke i shërbyer një politikani, quhet ?legen i X politikani?. Politikani është ?legen i X ambasadori? (të huaj).

Në mitingjet politike, përkrahësit e liderit opozitar i cili pritet të vijë në pushtet, i drejtohen liderit që është në pushtet me thirrjen në kor: ?O X, o legen, prite Y-në se po vjen!?
Në parlament, deputetët e palëve kundërshtare, kur ashpërsohet debati, përdorin si argument të fundit kundër njëri-tjetrit atë ?Bjeri legenit, bjeri!?

Polici, prokurori, gjyqtari quhen ?legen i X krimineli?. Gazetari quhet ?legen i X politikani?. Profesori, universitar është ?legen i X politikani? që ka mbështetur karrierën e tij akademike dhe të cilit i shërben. Dijetarë me grada dhe tituj shkencorë, me shumë libra të botuar, nuk kanë veçse një vepër shkencore që mund të cilësohet thjesht ?legenologji? dhe ata vetë legenologë.
Gjithkush është ?legen? i dikujt. Edhe kriminelët kur shajnë njëri tjetrin e quajnë ?legen i X politikani?. Në shkallët më të poshtme të hierarkisë legenore gjenden ata të cilët janë bërë legenë të dashnorit të gruas. Në këtë kategori të fundit ka politikanë, qeveritarë, zyrtarë të lartë, gjyqtarë, biznesmenë, gazetarë etj.

Kur dikë nuk e quajnë dot ?legen? dhe nuk e kategorizojnë dot si ?legen? të dikujt, dhe kjo ndodh me ata që mbrojnë një kauzë publike, me interes publik, i thonë: ?E ja i re legenit ti, çfarë fitove?? Domethënë, bëre zhurmë duke i rënë legenit bosh, që ka kuptim për mendësinë legenore vetëm si sinjal për të kërkuar mbushjen e legenit (me ushqim). E nëse nuk do këtë, atëherë çfarë dreqin do?

Sepse dihet që legeni i mbushur nuk bën zhurmë. Ti biesh legenit, domethënë që ta kesh legenin e zbrazur, pra të bësh një punë kot, pa përfitim, në mendësinë e atyre që i masin veprimet e njeriut në jetë me leverdinë legenore. Kur iu thua se duke i rënë legenit përfiton atë që tregon me një provë të sigurt se se nuk je bërë legen, se proteston ndaj kultit të njeriut legen. Legenit të mbushur- në këtë rast me ushqim- nuk mund t? i bihet, sepse ai nuk bën zhurmë.
Epo, unë, Kastriot Myftaraj po i ?bie legenit?, si thoni ju, dhe këtë e bëj më së paku për t? i dëshmuar vetvetes që nuk jam një qënie legenore.

Në ktë rast, të shikojnë me habi sikur po u flet në gjuhën kineze. Sepse janë mësuar që t? i bien legenit vetëm për arsyen që thashë më lart. Që t? ua mbushin me ushqim, sipas traditës së shumëpërdorimësisë së legenit, të përdorur në këtë rast si sahan.

Me shumëpërdorimësinë e fjalës ?legen? është e lidhur edhe proverba ?Qentë le të lehin, karvani le të ecë përpara!?, që përdoret aq shpesh nga Kryeministri Rama. Karvanët mbanin përreth qenër, të cilët qenë pjesë e karvanit dhe kishin detyrë të qëndronin anash dhe pas tij për ta mbrojtur nga qentë pa zot, të cilët mësynin karvanin. Sipas mendësisë qenore, qentë pa zot mendonin se karvani ishte pronë e qenve që e ruanin atë, të cilëve gjatë ndalesave u jepej ushqim në legenë, çka në mendësinë qenore ishte qëllimi i udhëtimit të karvanit. Qentë pa zot lehnin se mendonin që kështu do t? u bënin pjesë në ndarjen e presë, që ishte për ta ushqimi që ndahej për qentë e karvanit. Në anën tjetër, qentë mbrojtës të karvanit mendonin se qëllimi i udhëtimit të karvanit ishte që t? u ikte qenve pa zot, të cilët i shikonin si rivalë që rrezikonin legenët me ushqim që viheshin atyre përpara.

Në kuptimin legenor, slogani i Kryeministrit Rama ka kuptimin se ?karvani? janë ?qentë? të cilët kanë marrë nën kontroll atë dhe ushqimin që jep ai në legenë. Domethënë ?karvani? (pushteti) janë ata që kanë marrë në dorë Shqipërinë për të vjedhur e grabitur ligjërisht me mandat pushtetari. Qentë që lehin përreth karvanit janë opozita dhe të gjithë ata që nuk përfitojnë nga ushqimi i karvanit dhe të cilët kanë arsye të ?lehin?. Veçanërisht, ?lehja? bëhet e fortë dhe e egër kur për ?qentë? e ?karvanit? (pushtetit) vihen legenët e mbushur me ushqim, pra me të mirat e pushtetit. Shkurt, janë dy palë qensh që vijnë rrotull legenëve, një palë duke i mësyrë, dhe pala tjetër duke i mbrojtur. Legeni me ushqim qenor është trofeja e luftës politike qenore. Për ndeshen qënie njerëzore që mund të përcaktohen si racë hybride qenore-legenore.

E keqja, me këtë përdorimin kaq të përhapur të fjalës ?legen? si sharje dhe tallje është se ka një zili të fshehtë për ?legenin? e suksesshëm, që të gjithë e kanë afër, në lagje, fis, rrethin shoqëror etj.





Lajmet e fundit nga