web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Vallja e luleve"/ Së shpejti botohet libri më i ri i Prof.Dr.Isuf Luzajt

18 Tetor 2016, 07:07, Kulturë CNA

Në poemën “Vallja e luleve” kam përmbledhur vjersha me brendi heterogjene, pa ndërlidhje të një theme dhe pa kontinuitet në kohë. Këtu ka vargje të shkruar në ndarje vitesh që nga viti 1945 deri 1990.

Arsyeja është, historia e jetës time. Kur më 1948, u nisa nga Italia, për në Argjentinë, vargjet e mia lashë në dorë Ekrem Vlorës. Vite pas vdekjes së tija m’i pruri në SHBA miku i udhëtimit Shkodër – Vienë, Kolë Bibë Mirakaj. Duke mos pasur një vend qëndrimi definitif, per arësye të zyravet të Emigracionit, këto dorëshkrime dhe të tjerë në prozë i depozitova në Bibliotekën e Harvardit.

Shumë vonë, më arrijtën dorëshkrimet e mi nga Argjentina, të lëna t’im vëllai Ifraimit. Si të parët dhe të dytët, të çrregulluar në fletë e katërshore të ndryshme, me mungesa të humbura. Më në fund më 1969 kur u vendosa definitivisht në Indiana i bashkova dorëshkrimet, pa rregull themash, as datash; këto të fundit disa të pa caktuara. Atje i depozitova në Bibliotekën e Universitetit.

Më vonë, në vitin 1990, më arrijtën nga Biblioteka Nacional e Buenos Aires, afërsisht 13 volume të depozituar gjatë viteve 1953 – 1962.

Kur u transferova në Universitetin e Illinoisit në Chicago (ChAMPHGNE) u mundova t’i mbleth të gjitha dorëshkrimet, e palexuarshëm, për t’i rishkruar që deri më sot, dhjetori 18 – 1995, edhe nuk i kam mbaruar.

I dorëzova nipit tim, Bernard Caushaj, dy vëllime: ?Përtej të mirës e të ligës?, poemë dhe ?Rindërtimi i fuqivet shpirtërore?, studim fillozofik, dy vëllime.

I dërgova Xhevahir Spahiut 12 vëllime fillozofi e poezi.

I dërgova ekzekutores së testamentit t’im ELANIJE SHECHAN. TOLEDO /OHIO – ish nxënëse imja (1969 – 1974) 82 vëllime.

Kështu që ky mish – mash i dorëshkrimevet të mi, me këtë Odise, shumë më e komplikuar në realitet se sa duket në tregim, është arësyeja kryesore e HETEROGJENITETIT të punimevet të mi: Fillozofi, Metafizikë, Psikollogji, Sociollogji, Paleontollogji, Histori dhe poezi heterogjene reflektohet në të gjitha punimet e mi.

Ky vëllim është një shembull tipik i heterogjenitetit të mendimit t’im. Për këtë arësye dhe një pjesë të vjershavet i kam kllasifikuar me emrin anonim: Anthollogji.

Kuptimin e mendimit t’im multidimensional lexonjësi duhet ta ketë të qartë, po të kërkojë në poezi, arësye fillozofike dhe në punimet fillozofike, arësye e paraqitje poetike. Janë prizma të një shtatorje, me përpjekje botëkuptimi e qartësije.

Vallja e lulevet duhet të lexohet si një symfoni ngjyrash e përfumesh të ndryshme që mundohen të paraqesin një të vërtetë të vetme: SHPIRTIN T’IM.

Për të plotësuar sqarimin multidimensional të shpirtit të lexonjësit, më duket e nevojëshme të theksoj që:

Shumica e këtyre këngëvet, mund të titulloheshin “Estetika e Berkeley – t” dhe “Metafizika e Heideggerit?; jo sepse janë imitime të atyrevet fillozofëvet, sepse po qe që unë të zgjedh në mes të imitimit e të ngjasimit, do të zgjidhja të thyeja penën edhe dorën t’ime, më parë. Në poezi, kujdesi im ka qënë, të shkoj në sitë ç’kam lexuar dhe t’i hedh poshtë, dhe të vë mbi letër, ç’ka unë besoj që asnjeri nuk e ka thënë.

Kur them Estetika e Berkeley – t dhe Metafizika e Heideggerit, dua të nënvizoj që, unë besoj në këto dy shkolla mendimi; ç’kam vënë unë në letër, as i ka profesuar metafiziku irlandes, as i ka thënë metafiziku gjerman, vetëm dua të them që unë aplikoj në poezi, atë që ata kanë aplikuar në realitet.

Metafiziku gjerman thotë që esenca dhe egzistenca janë përbërja e jetës njerëzore dhe QËNIET dhe të qënurit, janë provë e tyre. Këtë konklludim të gjermanit të famshëm, që bëri vetëm një gabim në jetën praktike, që pranoj, presidencën e Universitetit me dekret të HITLERIT.

Këjo nënpunësi rutinare devijoi, e bëri një auto – revizionist të metafizikës më të shkëlqyer të shekujvet.

Ngëthehem tek konklluzioni i mendimit të metafizikut gjerman që, nga esenca që është xhini, D.N.A. e lindjes së jetës nga jeta që nga esenca e xhinit do të formojë trazhektorjen e sajë me anë të eksperiencës, vjen mësimi. Këtë mësim dua të jap, në të gjithë veprën time poetike.

Kur them ?Estetika e BERKELEY – T?, jo sepse këtë estetikë t’a ketë profesuar metafiziku irlandes, porse, u aplikoj letravet unë, ato që ai aplikoi realitetit. Shija e mollës (dekllaron Berkeley) qëndron në kontaktin e frutit, me qiellzën, jo në vetë frutin. Anallogjikisht do të thoshja unë; poezia qëndron në mësimin e poemit me lexonjësin, dhe nuk qëndron në serinë e simboleve që parashtrojnë si fantazma në fletët e poemit.

Esencial është fakti Estetik i EMOCIONIT modifikimi shpirtëror që sugjeron leximi i një poeme. Ky mendim mund të mos jetë një INOVACION, në letërsitë e përbotëshme, porse, vitevet të mi, dhe trashëgim i tyre, shekullit të njëzet e një, inovacionet kanë shumë, shumë, shumë më pak rëndësi se sa E VERTETA. /Citynews





17:24 Kulturë

Verë në Epidamn

Festivali “Verë në Epidamn” ka çelur siparin në edicionin e ...

Lajmet e fundit nga