web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Larg duart nga prona!

28 Maj 2015, 18:23, Politikë CNA

Nga Jorida Tabaku*

Për të qenë të sinqertë e për të pranuar realitetin dhe gabimet tona, duhet të pranojmë se pronarët kanë pritur më shumë nga qeverisja e djathtë. Ndjej keqardhje që nuk arritëm të vendosnim drejtësinë për padrejtësinë e një sistemi që luftonte pronarët. Nuk do ndjehesha e qetë nëse nuk do pranoja këtë dhe gjithashtu nuk ndjehem e qetë kur shoh se çfarë vendimesh po merren sot jo vetëm për buxhetin e zërit të Kthimit e Kompensimin të Pronarëve. Nuk mund të ndjehem e qetë kur shoh se në projektligjin për ?Investimet Strategjike? lexoj një ligj i cili ua rrëmben pronën pronarit për t?ia dhënë investitorit. Kjo, nuk ka të bëjë më me të majtën apo të djathtën evropiane sepse e gjitha kjo lidhet drejtë për drejtë me dhunimin e të drejtës së pronës.

Gjatë fushatës tuaj elektorale të përpara dy vjetëve i mbushët pronarët me lloj lloj gënjeshtrash si e si për të përfituar nga ato duke i premtuar dhe njëkohësisht gënjyer.
U thatë që do të jepnit përparësi kompensimit në natyrë në raport me kompensimin në vlerë dhe më pas i hoqët në 300 ditë 18 076 hektarë tokë nga kompensimi fizik.
U premtuat pronarëve se do të eliminoni zvarritjet burokratike dhe ndërkohë që në fund të Prillit të këtij viti keni miratuar shtyrjen e kompensimit të pronave.
U premtuar pronarëve se do të orientoni procesin e privatizimeve për të kompensuar pronarët ndërkohë që vlera e shpenzuar për të kompensuar pronarët është 763 milionë lekë më pak se sa viti 2014 ndërkohë që krahasuar me vitin 2013 kjo vlerë është 294 milionë lekë më pak. Shifra këto, që tregojnë që megjithëse nuk kemi bërë aq sa duhet të kishim bërë ndaj tyre, më së paku kemi atë të drejtë për t?u kërkuar llogari për mos mbajtjen e premtimeve tuaja.

Mbi të gjitha, në këto dy vjet juve keni zgjedhur të mos veproni. Keni zgjedhur që të mos krijoni asnjë ligj apo projektligj për t?i ndihmuar sado pak ato pronarë të cilëve u dolët për zot se do t?i nxirrni nga bataku i gënjeshtrave. E në këmbim të këtyre premtimeve të pambajtura, në këmbim të atyre gënjeshtrave që sot përpiqeni t?i ikni. Keni sjellë pas 25 vjetësh në parlament një projektligj si ai për investimet strategjike i cili në përbërje ka dhe një nen që parashikon ndërhyrjen e shtetit në një marrëdhënie private midis pronarit të pronës dhe investitorit strategjik. Sipas këtij ligji, nëse një investitor me një investim mbi 50 milion euro, nuk bie në dakortësi me pronarin e tokës për vlerën në të cilën investitori duhet ta blejë. Atëherë shteti, merr përsipër të shpronësojë pronarin e tokës me vlerën e një toke të shpronësuar për Interes Publik. Shkurtimisht kjo do të thotë që pronari i tokës nëse nuk ia shet për 5 pare tokën investitorit ka rrezik që shteti me paratë e investitorit privat t?ia blejë tokën me 2 lekë pronarit të saj. Megjithëse investimi në fjalë nuk hyn aspak në kriteret e një investimi publik, për të cilin ka një ligj që shpjegon dhe qartëson në mënyrë shteruese rastet e shpronësimeve. Përkundrazi, rastet e paraqitura nga projektligji në fjalë nuk parashikohen në asnjë nen të Ligjit për Shpronësime Publike dhe për rrjedhojë bien në kundërshtim me këtë të fundit. Qeveria nuk mundet të shpronësojë një pronar privat për interes të një pronari tjetër privat i cili do të kryejë një investim privat.

Atëherë ku e gjen të drejtën kjo qeveri që të paraqesë një ligj që i jep të drejtën të ndërhyjë në një marrëdhënie tregtare mes dy privatëve?
Cili është ky ligj më i fuqishëm se sa Nenet 41 dhe 17 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që i japin të drejtën qeverisë të ndërhyjë në një marrëdhënie tregtare mes dy privatëve? A mos vallë nuk ka pafundësi kontratash ligjore që një investitor mund t?i ofrojë një pronari të tokës që ky i fundit ta zhvillojë akoma më tej atë?! Qartësisht që kjo është një mënyrë antikushtetuese përmes së cilës qeveria përpiqet të ndërhyjë në një treg të lirë Kërkese dhe Oferte për të mbështetur njërën palë në dëm të një pale tjetër. Ky projektligj është një tjetër vjedhje, që 25 vjet pasi që shqiptarët hodhën tej investimet strategjike të një kohë të vjetërsuar dhe të harruar, juve po ua sillni prapë në derë.

I pyetur në komision se përse projektligji nuk shtyn që investitori që ka një shumë të madhe parash në investim të mos futet në treg për të blerë pronën private sipas rregullave të një ekonomie të hapur. Z. Ministër i Ekonomisë u përgjigj se qeveria promovonte bashkëpunimin privat-privat, duke marrë përsipër lehtësira. Shtrohet pyetja se cilët janë këto lehtësira? A është lehtësi që qeveria të vijë dhe me paratë e investitorit strategjik që në çantë ka 50 milionë euro të shpronësojë tokën në pronësi private me çmimin e një shpronësimi publik? E cilët mund të jenë këto investitorë strategjikë të cilët nuk njihkan konceptet e një tregu të lirë?! A mos janë të njëjtët investitorë që gjatë dy viteve të fundit kanë ndërtuar në brigjet e jugut?! A mos janë ato investitorë që kanë fituar tendera strategjikë në fusha si mjekësia, turizmi e kështu me radhë dhe tanimë janë të gatshëm të investojnë në mënyrë strategjike në pronat private të shqiptarëve pasi kanë abuzuar me ato publike?!

Me siguri, që do të jenë ato dhe ndaj nuk duhet të habitemi nëse shohim po të njëjtët figura e të njëjtët emra të vijnë një ditë prej ditësh në shtëpinë tuaj, në pronën tuaj për t?u kërkuar ta shisni atë me një çmim qesharak se përndryshe qeveria do t?ju vijë t?ua marrë me një çmim akoma më qesharak. Edhe e gjitha kjo do të kryhet në emër të një investimi strategjik i cili do të ketë një përfitim personal për investitorin, që edhe në rast falimentimi do ta gëzojë tanimë pronën e re të blerë për dy lekë.

Ministri në mbledhjet e komisionit ka pohuar se ligji siguron një konkurrencë të ndershme. Megjithëse, për hir të së vërtetës, në ligj kur bëhet fjalë për pronën private për të cilën investitori strategjik dhe pronari nuk bien dakord dhe në këtë mes hyn shteti. Kur i njëjti problem hapet mes investitorit strategjik që ka në pronësi një pronë dhe një tjetër investitori që kërkon ta blejë atë, këto të dy duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët sipas kërkesës dhe ofertës. A mund ta quajmë këtë konkurrencë të ndershme? A mund të jetë e tillë derisa tokën në pronësi private të një pronari shteti futet ndërmjetës që investitori ta blejë shumë lirë dhe më pas këtë pronë ai fare kollaj mund t?ia shesë një tjetër investitori me çmim tregu?! Çfarë konkurrence e ndershme mund të quhet kjo z. ministër?!

Ja pra, se përse ky ligj është skandaloz. Ai i rrëmben pronarit tokën që i takon për t?ia dhënë një miku apo të afërmi apo qoftë edhe një investitori duke kundërshtuar çdo sens logjik mbi pronën dhe marrëdhëniet tregtare. Ky ligj, deformon në mënyrë të qartë marrëdhënien mes dy individëve privatë në një ekonomi të lirë, duke e shndërruar shtetin në një entitet arbitrar që favorizon në mënyrë abuzive njërën palë ndaj një pale tjetër. Duke shkelur me të dyja këmbët jo vetëm konkurueshmërinë por edhe të drejtën themelore të njeriut për të patur dhe kryer veprime tregtare me pronën. Një ligj, i cili është ndërtuar në interes të disa oligarkëve që të veshur me petkun e investitorëve do të vijnë jo për të investuar por për të gllabëruar dhe përçudnuar pronat më të lakmueshme të qytetarëve të këtij vendi.

Jo dhe jo, nuk do ta zgjidhë ky projektligj problemin e investimeve strategjike sepse problemi kryesor në vendin tonë nuk ka mbetur marrëdhënia mes pronarit të tokës dhe investitorit. Investimet në këtë vend kanë mbetur peng i politikave të gabuara fiskale dhe ekonomike të një qeverie që nuk dëgjon jo vetëm opozitën por as biznesin. I cili sa herë e kritikon dhe e këshillon këtë mazhorancë, ajo i përgjigjet me nga një taksë të re. Prandaj, ky ligj me këtë nen në përbërje nuk ka aspak ndërmend dhe as në synim që të rregullojë apo të modelojë investimet e huaja për t?i shumëfishuar ato. Ky ligj ka si synim vetëm uzurpimin e pronës private me ndihmën e shtetit. Ky ligj zhvlerëson dhe përçudnon pronën e qytetarit aq sa juve i jepni të drejtën vetes në një republikë parlamentare të silleni si një shtet absolut që mund t?ia marrë pronën kujtdo, në emër të investimeve strategjike.

E sillni këtë projektligj që në përbërje ka një nen të tillë antikushtetues në një çast ku vetë Bashkimi Evropian përmes 12 prioriteteve ju kërkon që të zgjidhni problemet si ajo e pronës. Në një moment ku Gjykata e Strasburgut ju ka sjellë faturat e dëmshpërblimit për pronarët dhe kjo qeveri ende nuk ka paraqitur një strategji për shpërblimet. Miratimi i këtij projektligji me nenin 26 brenda tij, jo vetëm që do të rëndojë gjendjen e pronarëve por gjithashtu do të rrisë edhe borxhin që qeveritë në të nesërmen do të kenë ndaj pronarëve. Sepse logjikisht dhe me të drejtë pronarët e tokave do të shkojnë të trokasin sërishmi në Strasburg për të fituar një të drejtë që qeveria po ua heq. Prandaj, votimi i këtij projektligji me këtë nen brenda do të thotë jo vetëm vjedhje e pronës nga pronari por edhe një kosto shtesë që juve i lini këtij shteti si barrë?tamam nën atë frymën ?pas meje ardh hataja?.
Midis të tjerave, ju kërkoj që të mos votoni këtë projektligj që në brendësi ka një nen të tillë, jo vetëm që të mos ktheheni në noterët e një qeverie që vendos për interesa personale. Por mbi të gjitha për të mos e kthyer këtë projektligj në një vatër të konflikteve të mëdha sociale të atyre që dhunshëm dhe në kundërshtim me çdo liri njerëzore do t?u merret prona dhe atyre që nën petkun e investitorëve do ta zotërojnë atë.

Në fillim të këtij muaji, morëm lajmin se numri i shqiptarëve që po largohen nga ky vend në drejtim të Gjermanisë ishte rreth 4700 persona. Njerëz që largohen sepse nuk kanë besim, po largohen ngaqë kanë humbur punën, dinjitetin, ngaqë po paguajnë më shumë faturën e energjisë elektrike. E me shumë mundësi, nëse ky projektligj do të votohet, shumë prej tyre do të largohen me atë dy lekëshin që juve do t?i jepni nga investitori strategjik.
Ky është shteti që keni vendosur të ndërtoni, shteti i të padrejtës, shteti i kundra ligjit, shteti ku elektricisti është polici! Nuk është shteti që funksionon me ekonominë e tregut por shteti që funksionon me ndërhyrjen e qeverisë për të ndihmuar oligarkun strategjik të radhës. Ky është koncepti që juve keni pronën. Kjo është mënyra se si juve e trajtoni pronën! Si një mall me një të zot që mund t?ia hiqni kur të doni! Por kjo, për disa prej nesh që kanë memorie të fortë nuk është gjë e re.

Për t?ua shpjeguar më thjeshtë se si jeni mësuar të silleni me pronën, po ju sjell si shembull të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë jo më larg se katër vjet më parë. Përpara disa ditësh, isha në një takim me z. Kosova, në një nga zonat që për vite me radhë kur në krye të bashkisë ishte kryeministri aktual, qe shpallur zonë muze se me demek atje Partia e Punës, sot Partia Socialiste, ishte themeluar. Një vendim i çuditshëm, duke qenë se edhe pronarët e shtëpisë ku qe themeluar partia, e ku me shumë mundësi ndonjë pionier i dikurshëm sot deputet mund ta ketë vizituar me hare, u shemb dhe u rindërtua nga e para nga pronarët e saj. Por megjithëse ajo shtëpi nuk u ruajt, simotrat e saj në atë zonë mbeten të pazhvilluara sepse kryearkitektit nuk i pëlqente që ajo zonë të zhvillohej. Apo më saktë, nuk i pëlqente që të zhvilloheshin vetëm se pronat që shlyenin ndonjë detyrim tek ai. Megjithëse, për të thënë të vërtetën, asaj zone i takonte të kishte investime sepse qe pikërisht ajo zonë që nxori nga Parlamenti i Shqipërisë pasardhësin e Diktatorit.

Por, siç edhe ky ligj, investimet strategjike për zhvillimin e pronës në atë zonë kryheshin duke i trajtuar pronarët si të njerkës dhe si të babës.
E përmenda këtë fakt, për të sjellë në kujtesën tuaj mënyrën se si z. kryeministër sillet me pronat e qytetarëve. Natyrisht madje mund të them që pashmangshmërisht ndokush nga ju do të ngrihet dhe do të kërkojë llogari se përse për 8 vite qeveria e djathtë nuk ka bërë asgjë për pronat. Në të vërtetë, e këtë nuk do të lodhem ta pohoj dhe ta pranoj, Partia Demokratike nuk ka bërë aq sa duhet për pronarët dhe për pronën. Por, fakti që ajo nuk ka bërë aq sa duhet të bënte nuk do të thotë se duhet të heshtim për padrejtësitë, abuzimet dhe përçudnimit që juve keni nisur t?i bëni jo vetëm pronarëve me kompensimin apo duke pezulluar Aktin Normativ. Por, tanimë me ligjin e fundit për ?Investimet Strategjike?, keni vendosur një kambanë alarmi duke qenë se përmes saj, juve i caktoni vetes të drejtën për t?i rrëmbyer padrejtësisht pronën e dikujt për t?ia dhënë një tjetri.

Prandaj, nën tagrin moral, si një deputete që përfaqësoj këtë shtresë të pronarëve por mbi të gjitha si një qytetare e cila kam marrë përsipër të mbrojë interesat e çdo qytetari në këtë vend. Kam paraqitur një amendament i cili kërkon të shfuqizojë nenin 26 të këtij projektligji, duke qenë se ai nuk e respekton të drejtën e pronësisë së qytetarëve shqiptar, si dhe të drejtën e tyre për të hyrë lirisht në marrëdhënie civile me të tretë, pa ndërhyrjen e shtetit. Kerkoj sot qe koleget te mbeshtesin kete amendament, dhe te mos lejojme kthimin pas 25 vite ku prona grabitej, zhvatej, konfiskohej.

 

*Fjala në Kuvend





Lajmet e fundit nga