web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori bën një punë të dytë si bodyguard institucional i Henri Çilit

14 Shtator 2014, 17:32, Aktualitet CNA

Nga Kastriot Myftaraj

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, duhet të ketë një figurë të pastër morale. Madje Kushtetuta përcakton se një gjyqtar i tillë mund të shkarkohet për akte e sjellje që cënojnë rëndë figurën e tij. Aq më tepër e ka detyrim kryetari i Gjykatës së Lartë që të ruajë pastërtinë e figurës së tij. Kur ligji kushtetues flet për akte e sjellje që cënojnë rëndë figurën e gjyqtarit, me këtë nuk ka parasysh aktet kriminale, se ato hynë në një kategori tjetër. Pikërisht për këtë arsye, neni 140 i Kushtetutës, i cili përcakton rastet se kur shkarkohet gjyqtari i Gjykatës së Lartë, parashikon si raste të ndryshme kryerjen e një krimi dhe aktet e sjelljet që diskreditojnë rëndë figurën e tij.
Me akte e sjellje që diskreditojnë figurën e një anëtari të Gjykatës së Lartë, nuk mund të kuptohen vetëm skandalet seksuale, bie fjala, apo gjëra të ngjashme. Me akte e sjellje që diskreditojnë figurën e një anëtari të Gjykatës së Lartë duhen kuptuar të gjitha ato akte e sjellje që kompromentojnë figurën e tij publike si një drejtësidhënës. Dhe në rradhë të parë përzierja në çfarëdo mënyre në afera të dyshimta ekonomike të çdo lloji.
Një sjellje e tillë, që kompromenton figurën e gjyqtarit, është ajo e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili është anëtar i Senatit Akademik, si dhe pedagog në departamentin e së Drejtës Publike të Fakultetit Juridik të Universitetit Europian të Tiranës (UET), një universitet privat ky në pronësi të Henri Çilit. 
UET, si një biznis privat, është në qendër të një skeme mëse të dyshimtë financiare. Pronari i UET, Henri Çili është që prej më shumë se dy viteve, marrës i një kredie të keqe prej 18 milionë eurosh në një bankë si ?Credins?, e cila që prej qershorit të këtij viti është bërë mëse e dyshimtë pasi drejtori i përgjithshëm, njëherësh bashkëpronari i saj, Artan Santo, u vra në një atentat pikërisht te hyrja kryesore e bankës. Henri Çili e ka marrë kredinë pikërisht për të zhvilluar biznisin e Universitetit të tij privat, si dhe për të zotëruar një resort turistik, që tashmë është bërë kompelementar me Universitetin, pasiqë studentët nxiten që t? i kryejnë pushimet atje.
Në rrethana të tjera, emri i Henri Çilit do të ishte shënuar në Regjistrin Kombëtar të Kredive që administrohet nga Banka e Shqipërisë, si kredimarrës i keq, por kjo nuk ka ndodhur për arsye se në UET është i punësuar si një nga drejtuesit e tij akademikë, prof. dr. Adrian Civici, i cili deri para pak ditësh kur dha dorëheqjen ishte anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, që prej vitit 2004. Gjithashtu në UET është i punësuar si një nga drejtuesit e tij akademikë edhe ish-anëtari i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë në vitet 2004-2011, Ksenofon Krisafi. Të dy, si Civici, ashtu dhe Krisafi kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Guvernatorit Fullani të Bankës së Shqipërisë. UET rezulton kështu të jetë i vetmi universitet privat në Shqipëri i cili rezulton të ketë marrëdhënie preferenciale me dy banka mëse të dyshimta, atë ?Credins?, si dhe Bankën e Shqipërisë, të kohës kur atë e drejtonte Fullani.
Unë e kuptoj plotësisht se përse i duhet Henri Çilit emri i Xhezair Zaganjorit. Duke qenë se Henri Çili është zhytur në afera të dyshimta financiare, dhe është praktikisht një kredimarrës i keq, atij nuk i duhet Xhezair Zaganjori, si profesor doktor, për Senatin akademik dhe Fakultetin Juridik të UET, por i duhet Xhezair Zaganjori si kryetar i Gjykatës së Lartë, ashtu siç i duhej deri dje Xhezair Zaganjori si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. (Xhezairi Zaganjori që nga viti 2003 e deri më sot është praktikisht pa ndërprerje anëtar i Gjykatës Kushtetuese në fillim, e pastaj i Gjykatës së Lartë). Xhezair Zaganjori i duhet Henri Çilit si një bodyguard special institucional. Njëjtë siç i janë dashur edhe Ksenofon Krisafi dhe Adrian Civici si bodyguardë specialë institucionalë. Njëjtë ashtu siç i duhet për këtë qëllim edhe prof. dr. Përparim Fuga, prorektori i UET, i cili është babai i Endri Fugës, bashkëpunëtorit të ngushtë të Kryeministrit Rama, në cilësinë e drejtorit të Komunikimit në Kryeministri. 
Pyetja është se përse i duhet kryetarit të Gjykatës së Lartë, prof. dr. Xhezair Zaganjorit, UET e Henri Çilit? I duhet për të ngjitur shkallët e karrierës akademike? Nuk duket e besueshme. I duhet për shpërblimin financiar që merr zyrtarisht nga Henri Çili? As kjo nuk duket e besueshme, se z. Zaganjori e di mirë se përse i shërben emri i tij Henri Çilit, kështu që nuk do t? ia shiste kaq lirë emrin e tij Henri Çilit. Atëherë mbetet të thuhet se lidhjet mes Zaganjorit dhe Henri Çilit janë më të thella, më të ndërlikuara, dhe se të dy kanë disa afera të përbashkëta në sajë të të cilave kryetari i Gjykatës së Lartë njëherësh ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese detyrohet që të punojë si bodyguard me kohë të pjesshme i Henri Çilit. Gjyqtarët në Shqipëri, duke përfshirë dhe ata të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, ankohen shpesh se ata kanë ngarkesë të madhe në pune. E megjithatë çuditërisht kryetari i Gjykatës së Lartë gjen kohën që të punojë edhe në Universitetin privat të Henri Çilit.
Një gjë të bën përshtypje në jetëshkrimin zyrtar të Xhezair Zaganjorit si kryetar i Gjykatës së Lartë. Atje ai nuk flet për punën që bën në UET të Henri Çilit?! E pra, në këtë jetëshkrim, z. Zaganjori ka përfshirë edhe karrierën e tij akademike përveç asaj gjyqësore. Arsyeja nuk është e vështirë që të kuptohet. Z. Zaganjori e kupton se ka jo më diçka, por shumëçka që nuk shkon në angazhimin e tij në Universitetin privat të Henri Çilit.
Në Republikën e Shqipërisë nuk mund të ekzistojnë të dy, edhe neni 140 i Kushtetutës, ku kërkohet pastërtia e figurës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, edhe kryetari i kësaj gjykate, z. Zaganjori, që është i punësuar te Henri Çili. Një prej këtyre dy gjërave duhet të shfuqizohet, ose neni ose mandati i z. Zaganjori si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kryetar i saj. 
Henri Çili, përveçse biznisimen, pretendon të jetë edhe një autoritet i pushtetit të katërt, që është media, si analist televiziv dhe si pronar i një gazete të përditshme. Por nëpërmjet grupit të tij të shoqërimit, të bodyguardëve institucionalë, Henri Çili ka shtrirë kontrollin, për aq sa i duhet për të mbrojtur veten dhe aferat, e tij të pista financiare, edhe në pushtetet e tjera. Ky është rasti klasik i oligarkut.





Lajmet e fundit nga