web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Shteti në alarm/ Autoritetet vënë në monitorim turistët dhe zyrtarët

23 Maj 2018, 07:56, Aktualitet CNA

Autoritetet vendase janë vënë në alarm nga rreziku i ndikimit rus. Kryeministri Edi Rama, ministri Bushati dhe funksionarë të lartë e kanë thënë disa herë se Moska po tenton të ndërhyjë në vendin tonë. Rasti më flagrant ishte ai i investigimit të mediave amerikane, ku pretendohet se PD është financuar nga rusët për lobime në administratën e Donald Trump.

Por ai që i vuri kapak ishte kreu i SHISH, Helidon Bendo, i cili gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë tha se ka tentativa për ndërhyrje, sidomos në administratë. Të gjitha këto kanë bërë që disa autoritete shtetërore të marrin masa sa i takon rrezikut që vjen nga lindja.

Sipas burimeve shumë të sigurta pranë qeverisë, Drejtoria e Pastrimit të Parave, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe njësia antiterror në polici, kanë nisur të vënë në monitorim të gjithë shtetasit rusë që kanë hyrë në vendin tonë.-raporton gazeta Sot.

Mësohet se ditët e fundit ka pasur një fluks të lartë rusësh që kanë ardhur si turistë në vendin tonë, ndërsa parashikohet që ky numër të rritet akoma dhe më shumë gjatë sezonit turistik. Frika e autoriteteve është se mes grupeve të turistëve mund të infiltrohen dhe persona të caktuar që mund të synojnë destabilizimin e vendit apo të ndërhyjnë në punët e brendshme. Drejtoria e Pastrimit të Parave është duke bërë verifikime pasi ekziston frika se mund të bëhen pastrime parash apo mund të ketë financime për grupe terroriste, ndërsa dhe SHISH dhe antiterrori po ashtu janë duke kryer monitorime për të shmangur çdo lloj mbështetje për grupe radikale. Por gazeta ka mësuar se nga këto autoritete është vënë re se ka shumë shtetas rusë që janë punësuar nëpër Call Center.

Ky numër është rritur shumë kohët e fundit dhe ka nga ata që investojnë në këtë biznes, por ka dhe shumë të tjerë që kanë filluar të punojnë si operatorë. Edhe këta persona janë vënë në monitorim pasi është parë e çuditshme që individë rusë të vijnë deri në vendin tonë të punojnë në Call Center, ndërkohë që është vënë re se pothuajse të gjithë janë me leje qëndrimi 6-mujore. Megjithatë burimet thanë se si turistë, por edhe zyrtarë të caktuar rusë në vendin tonë janë në monitorim të vazhdueshëm, pasi ka indicie për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.





Lajmet e fundit nga