web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kohë të vështira për shtypin e shkruar/ Lulëzojnë portalet

10 Shkurt 2018, 17:53, Ekonomi CNA

Shtypi i shkruar po kalon një periudhë të vështirë. Ai po konkurrohet fort jo vetëm nga mediat online, që e përhapin lajmin brenda pak sekondave, por edhe nga njësitë online brenda gazetës së tyre.
Lexuesit tradicionalë po largohen gradualisht nga media e shkruar, reklamuesit po ashtu. Totali i sipërfaqes së reklamuar në median e shkruar në vitin 2017 (për 36 gazeta e revista) ra me 21% me bazë vjetore, sipas të dhënave të monitorimit nga Idra Media, duke shënuar të tretin vit radhazi me tkurrje dyshifrore.
Në bazë të monitorimeve të Idra Media dhe të dhënave nga bilancet e gazetave kryesore, të ardhurat nga reklamat e shtypit të shkruar vlerësohen më pak se 2 milionë euro në vitin 2017 , me një rënie vjetore prej të paktën 10%. Në krahasim me katër vjet më parë, tkurrja është e fortë, rreth 40%.

Vodafone, Albtelecom dhe Telekom Albania, që dikur ishin reklamuesit më të mëdhenj në median e shkruar, rezultojnë me një ulje të vazhdueshme të sipërfaqes së reklamuar në 2016-2017. Vodafone e ka reduktuar sipërfaqe e reklamuar me 37% në 2017-n, Albtelecom me 5%, ndërsa Telekom Albania pothuajse është ?zhdukur? nga printi.

Credins është reklamuesi më i madh në 2015-2017 për nga sipërfaqja, sipas Idra Media. Por, më shumë se orientim i Credins drejt medias së shkruar, ky është vijim i kontratave të shkëmbimit të shërbimeve mes bankës dhe disa gazetave.
Reklamues të mëdhenj përveç, telekomunikacioneve, rezultojnë dhe biznese që janë më shumë mbështetje për mediat që bëjnë pjesë në të njëjtin grup (rasti i Birrës Korça me gazetën Panorama, apo Ferlut me Gazetën Ballkan, Abissnet te Shekulli etj).

Në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është Panorama Group (me median kryesore gazeta Panorama, më e madhja në vend nga tirazhi, dhe Panorama Sport) me një qarkullim vjetor prej 276 milionë lekësh, duke shënuar rënie prej gati 5% me bazë vjetore.
Edhe media e dytë më e madhe në vend Unipress (Gazeta Shekulli dhe publikime të tjera të grupit) ka parë rënie të qarkullimit vjetor me 13%, në gati 95 milionë lekë.

Mediat e tjera kanë shënuar rënie dyshifrore të të ardhurave, sipas bilanceve të 2016-s. Me tkurrje kanë rezultuar, Shqiptarja.com, Gazeta Shqiptare, Sport Ekspres, Gazeta Dita. E vetmja me rritje rezulton Koha Jonë.
Menaxherët e shtypit të shkruar konfirmojnë rënien e ndjeshme të shitjeve. Gazeta më e madhe në vend (Panorama) ka zbritur nën 10 mijë kopje, ndërsa e dyta nuk ka tirazh më të lartë se 4 mijë kopje (gara mes Sot dhe Dita). Vitin e fundit është shënuar një rritje e shitjeve në Tiranë, që shpjegohet me zhvendosjen e popullsisë drejt kryeqytetit dhe rënie në rrethe, duke kompensuar njëra-tjetrën.
Shumë gazeta të printuara tashmë mbahen në treg për të mbështetur markën e tyre në versionin online.

Korriku 2016 shënoi dhe viktimën e parë të madhe të shtypit të shkruar, me mbylljen e gazetës ?Shqip? në variantin e shtypur, duke mbajtur vetëm versionin online. Arsyet e këtij vendimi lidheshin me rënien e tirazhit dhe uljes së reklamave. Të dhënat zyrtare të bilancit flasin për një përgjysmim të të ardhurave në 2016 (-53% në 24 milionë lekë). Por, reduktimi i shpenzimeve me ritme më të larta, si rrjedhojë e kursimit në shtypshkronjë, ka bërë që ?Shqip? të rezultojë me fitime 2 milionë lekë, nga humbjet prej 7 milionë lekësh në vitin e mëparshëm.

Redi Gjuzi, zv.kryeredaktor i gazetës ?Panorama?, pohon se, edhe pse ka një diferencë të madhe profesionale, konkurrenca mes medias së shkruar dhe asaj online, duket se po sjell një zhvillim pozitiv. ?Sot, në krahasim me një vit më parë, më të fituarit janë lexuesit. Kjo ?luftë? e shtypit me vetveten dhe zhvillimin, ka bërë që, të paktën në rastin e ?Panorama?, të kemi dyfish më shumë lexues në online, dhe fatmirësisht një ndalje të trendit rënës në shitjen e gazetës print. Përballja mes informacionit falas, dhe atij me pagesë ka bërë që të paktën të kemi më shumë shqiptarë që informohen?.
Gjuzi shton se për gazetarët e shtypit të shkruar mund të quhet viti i fundit i luftës për të ndaluar rënien. ?Edhe pse media online po rritet me ritme të frikshme, fakti që media e shkruar nuk po i ul më tirazhet dhe shitjet, tregon se përballjes po i vjen fundi?. Në treg, duket se është gjetur mesatarja e artë për të dy ?konkurrentët??, pohon Gjuzi.

 

 

LULËZIMI I PORTALEVE

Çdo sekondë portalet të bombardojnë me lajme, që i dalin shumëkujt në facebook apo në aplikacionin e shkarkuar në smartphone, duke i ?harruar? tërësisht gazetat si një mjet alternativ informimi.
Në të njëjtën linjë, reklamuesit që po i ikin shtypit të shkuar po drejtohen në internet, një tendencë mbarëbotërore kjo. Në botë, të ardhurat nga reklamat online i kanë kaluar ato në print që në vitin 2012. Në Shqipëri, ky tranzicion ndodhi në periudhën 2016-2017 dhe sot media online është absolutisht më e preferuar se ajo në shtypin e shkruar, duke i kaluar 2 milionë euro të ardhura.

Reklamimi online shihet nga bizneset si më i leverdishëm dhe shënjestron më mirë brezin e ri që, dhe më parë, nuk ishte lexues i rregullt i shtypit të shkruar. Të dhënat e Idra Media tregojnë se sipërfaqja e reklamuar në mediat online u rrit me 68% në 2016-n dhe 16% në 2017 (me bazë vjetore).

Nga monitorimet e sipërfaqes rezulton se portali Anabel.al kishte më shumë reklama për 2017-n, i ndjekur nga gazetatema.net, living.al, shqiptarja.com., lapsi.al, revistaclass.al, noa.al. Megjithatë, sipas të ardhurave, kryesimin vijon ta mbajë Balkanweb, për shkak të tarifave të shtrenjta që ka (në 2017-n ky portal ka pasur rënie të lehtë të sipërfaqeve të reklamave, që ka ardhur jo për mungesë interesi, por për shkak të disa problemeve me serverin). Të ardhura të larta ka edhe Top Channel, ndonëse me sipërfaqe më të ulët reklamimi sesa shumë portale të tjera.

Pothuajse të gjitha portalet kanë parë rritje të ndjeshme të sipërfaqes së reklamuar në 2016-n dhe 2017-n. Vilma Mesareja e Focus Media News, e cila menaxhon dhe portalin e Balkan Web, pohon se është rritur dukshëm interesi i reklamuesve për online, ndërsa ka një rënie të jashtëzakonshme të interesit për print. Ajo tregon rastin e Gazetës Shqiptare, që pasi hapi faqen e vet online, për shkak edhe të emrit, arriti menjëherë 80 mijë klikime në ditë, duke tërhequr edhe reklamuesit.

Telefonia e lëvizshme, bankat, produktet e kujdesit shëndetësor, telefonia fikse dhe e internetit, ushqimet, pijet, agjencitë e udhëtimit, edukimi, rezultojnë të kenë rritur dukshëm vëmendjen ndaj reklamave online.
Vodafone është reklamuesi më i madh në internet, për sa i përket sipërfaqes, i ndjekur nga Telecom Albania, Albtelecom, Banka Credins, Raiffeisen, Alpha Bank duke konfirmuar tendencën e të mëdhenjve drejt zhvendosjes së reklamave nga print tek online.
Sipas sektorëve, në reklamat në median online kryesojnë telefonia e lëvizshme, bankat, kujdesi shëndetësor, telefonia fikse dhe ofruesit e shërbimit të internetit, pajisjet elektronike dhe shtëpiake.

Sipas vlerësimit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, numri i portaleve aktualisht mund të ketë arritur në rreth 800. Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit, thotë se kosto e hapjes dhe menaxhimit të tyre është e ulët. Shuma minimale që duhet investuar në muaj është 200 mijë lekë.
Çipa rendit disa nga tendencat kryesore të hapjes masive të tyre.

-Së pari, përfaqësues të biznesit, krijojnë ortakëri me persona të marrëdhënieve me publikun, apo gazetarët për hapjen e një portali.

-Së dyti, janë grupe të rinjsh, kryesisht studentë të shkencave të komunikimit, por edhe të shkencave politike dhe pak nga ekonomiku që përqendrohen në botën e online. Unioni vlerëson se janë gati 120 portale që i zotërojnë studentët.

-Së treti, ka disa grupe online që po zëvendësojnë energjikisht median tradicionale lokale. Në të gjitha qytetet ka një portal që ka krijuar profilin e një media lokale, duke luajtur rolin e gazetave. Çipa thotë se këta janë dhe efektivë, pasi po tërheqin reklama nga bizneset.

-Së katërti, Çipa pohon se ka portale të financuara në mënyrë anonime nga grupe të interesit, ku p.sh. ish-punonjës policie indirekt lobojnë me reporterë lokalë dhe kanë krijuar disa portale që rivalizojnë për lajmin e kronikës, apo në drejtësi dhe në politikat në burimet njerëzore të këtyre sektorëve. Çipa shpreh shqetësimin se ky segment ushtron dhe politika të raportit shantazhues, apo lajme të rreme (fake news). Në fakt, i gjithë zhvillimi i shpejtë dhe i pakontrolluar i medias online ka ulur nivelin e raportimit të lajmit dhe besueshmërinë e tij në vend.

-Së pesti, ka grupe të lidhura me politikat rajonale, etnopolitike, fetare.
Një tendencë e fundit, e konstatuar në 6-mujorin e dytë 2017, është krijimi i rrjeteve online mes mediave të shqiptarëve në rajon dhe botë. Çipa e vlerëson këtë si një zhvillim pozitiv, që zgjeron këndvështrimin e lajmit, duke i dhënë atij një dimension rajonal dhe global, si dhe sfidon traditën e keqe për provicionalizimin e mediave tona. /Monitor





Lajmet e fundit nga