web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Spastrimi i militantëve të LSI nga administrata/ Zbulohet lëvizja e radhës e Kryeministrit

11 Janar 2018, 09:01, Aktualitet CNA

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të angazhohet personalisht për zgjedhjet vendore të vitit 2019 dhe spastrimin e administratës nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në mbledhjen e Asamblesë Socialiste, por edhe në atë të Kryesisë së Partisë Socialiste, kreu i ekzekutivit ka qenë i pakënaqur me deputetët, ministrat dhe degët e partisë dhe për këtë arsye të gjithë do të monitorohen.

Sipas informacioneve, në të gjitha degët e PS do të dërgohen specialistë, të cilët do të asistojnë procesin e reformës në administratë, fushatën e zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por edhe ato brenda partisë.

Por ajo që bie në sy nga kjo lëvizje e kryeministrit, ka të bëjë me faktin se specialistët në fjalë do të jenë kryesisht juristë, të cilët do të kalojnë në dorë çdo dosje të militantëve të LSI të punësuar në zyrat e shtetit, duke e spastruar njëherë e mirë administratën publike nga njerëzit e Metës.

Madje, burimet i thanë gazetës së për çdo veprim dhe vendim që do të merret, i pari që do të informohet është vetë shefi i qeverisë. Ndërkohë, interesant është fakti se të deleguarit në bazë do të mbajnë edhe leksione praktike sa i takon portalit ?Shqipëria që duam?, duke nxitur çdo anëtar të Partisë Socialiste që të anëtarësohet tek ky portal.

Zgjedhjet në parti

Megjithatë, puna që u është ngarkuar të deleguarve nga ana e kryeministrit, pritet të jetë akoma më e ngjeshur.

Pasi sipas burimeve, të deleguarit do të asistojnë edhe ecurinë e zgjedhjeve në Partinë Socialiste, të cilat kanë nisur prej 15 shtatorit në çdo degë dhe Organizatat Socialiste në të gjithë vendin.

Kështu për të gjitha ato degë në të cilat procesi i zgjedhjeve ka përfunduar, do të bëhet një prezantim i panoramës, ku të deleguarit do t?ju japin porositë e kryeministrit gjithë krerëve të rinj, si për reformën e nisur në administratë, ashtu edhe për zgjedhjet vendore të 2019.

Ndërkohë që burimet thanë se gjithë puna e të deleguarve do të përqendrohet tek ato degë që janë në proces e sipër, apo edhe për ato zona krerët e së cilave kanë dalë humbës e që u është kërkuar të dorëhiqen, dhe që ende nuk janë larguar.

Për të gjitha këto degë është  urdhëruar që procesi të mbyllet sa më shpejt. Nga ana tjetër, një tjetër mision i të deleguarve do të jetë edhe asistenca për fushatën e zgjedhjeve vendore.

Dhe për këtë çështje, të deleguarit jovetëm që do asistojnë fushatën e socialistëve, por do të kërkojnë nga strukturat e shteti që të përshpejtohen realizimet e premtimeve, si një kusht i vendosur nga kryeministri gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS.

Ja kategoritë që rrezikojnë vendin e punës

Mbërritja e të deleguarve nga Tiranë në degët e PS në rreth, ka si synim edhe spastrimin e administratës nga të emëruarit politik dhe të paaftët. Po kush janë kategoritë që rrezikojnë vendin e punës?

Ashtu siç e ka pohuar edhe vetë kryeministri Edi Rama, të parët që do të largohen nga administrata janë militantët e LSI.

Ndërsa vala e spastrimit nuk do të kursejë as punonjësit e korruptuar por që janë edhe të emëruar jashtë çdo kriteri. Ndërkohë spastrime do ketë edhe sa i takon punonjësve të administratës, të cilët janë emëruar jashtë profilit. Nga ana tjetër, reforma radikale e spastrimit nuk do të kursejë as të emëruarit politik, si dhe ata që nuk kanë arsimin përkatës.

Madje, të gjithat këta do të hyjnë në testim, ku me shumë ngjasë do të ngelen, duke u larguar natyrshëm nga administrata./Sot

 





Lajmet e fundit nga