web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mijëra abuzime të parasë publike injorohen nga drejtësia

3 Shkurt 2017, 13:56, Aktualitet CNA

Propozohet ndryshimi i Ligjit për të ndëshkuar zyrtarët abuzivë

Drejtësia kosovare, respektivisht sektori i prokurorisë, është duke i injoruar pothuajse të gjitha raportet e ZAP-it, të cilat kanë gjetur mijëra shkelje dhe abuzime financiare e ligjore në institucionet tona. Deri më tash, në disa raste, Gazeta është interesuar, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Prokuroria, nëse po punohet dhe sa është punuar në fakt deri më tash mbi hetimin dhe ngritjen e ndonjë rasti rreth këtyre raporteve të Zyrës së Auditorit, marrë parasysh se në të gjitha institucionet,komunat, nivel qendror etj. po konstatohen parregullsi, abuzime financiare, shkelje ligjesh. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga pozita dhe opozita, mosveprimin e institucioneve të drejtësisë ndaj konstatimeve të shkeljeve ligjore e abuzimeve financiare, ia adresojnë faktit që drejtësia është e kapur thellë nga politika. “Raportet e Auditorit janë tregues shumë të rëndësishëm për keqpërdorimet dhe shkeljet e shumta. Askush nuk i pasqyron në mënyrë më profesionale se ai. Por, çka ndodh me këto raporte? Këto vetëm diskutohen në Kuvend, ose në ndonjë institucion tjetër, dhe pastaj hidhen pas shpine dhe harrohen. Askush më nuk merret me to”, ka theksuar deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Kapja e drejtësisë nga politika

Një opinion të ngjashëm e ka edhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën. “Faktikisht, për vite të tëra Auditori i Përgjithshëm ka evidencuar pothuajse në të gjitha njësitë buxhetore shkelje, edhe shkelje ligjore, edhe procedurale, që janë keqpërdorim i hatashëm i parasë publike. Mirëpo, fatkeqësia është në atë se Prokuroria e Shtetit, prokurori, edhe përkundër faktit që ka pasur takim me Auditorin Gjeneral, dhe kanë biseduar për këtë çështje, akoma nuk e ka bërë asnjë veprim, derisa shkeljet janë evidente, shumë transparente dhe publike, në vetë ueb faqen zyrtare të Auditorit të Përgjithshëm”, u shpreh ai. “Unë mendoj se pikërisht kapja e drejtësisë nga politika është duke e bërë të vetëm dhe se keqpërdorimet që janë bërë nëpër këto institucione e kanë një burim, e ai burim është politik, tani për tani është koalicioni qeverisës dhe ky klani i natës që po e qeveris vendin. Prokuroria, nëse flasim figurativisht, vetëm edhe në ëndërr po ta shohë ndonjë shkelje do të duhej menduar e hetuar se çfarë në fakt po ndodh atje, e lëre më tani kur një mal shkeljesh janë të shkruara në bardhë e zi dhe ato qëndrojnë aty publike në raportet e Auditorit të Përgjithshëm”, tha Berisha për “Kosova Sot”. Njohësit e fushës së ligjit dhe ekspertët e ekonomisë theksojnë se për të mos i lënë krejtësisht në harresë këto raportet dhe për të mos u amnistuar shkelësit dhe abuzuesit me paranë publike, ka nevojë që të forcohet akoma më shumë me bazë ligjore autoriteti i Auditorit Gjeneral, duke specifikuar me ligj se kujt duhet t’i drejtohen rekomandimet për masa veprimi, në rast të raporteve negative. Prof. Riza Smaka, ekspert i fushës së legjislacionit, thotë se një pjesë të përgjegjësisë e ka edhe vetë Auditori Gjeneral që nuk e jep nyjën lidhëse të procedimit të mëtejmë të raporteve nga zyra e tij për në Prokurorinë e Shtetit.

Rekomandimet të jenë detyruese

Sipas Smakës, po ndodh edhe një lëshim, apo thënë më shkurt anashkalim i obligimit kushtetues të ZAP-it. “Sipas nenit 136 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Organizimi dhe funksionimi, si dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm, saktësohen me Ligjin për Auditorin e Përgjithshëm. Vijimisht, me nenin 137 të Kushtetutës ,Auditorit të Përgjithshëm i janë përcaktuar autorizimet kryesisht për kontrollimin e veprimtarive ekonomike e financiare të institucioneve publike, por jo edhe për sanksionime praktike e konkrete. Madje, nuk i janë dhënë autorizime as për të obliguar organet dhe institucionet kompetente për procedime të çështjeve abuzive së pakut për ta informuar kthyeshëm përkitazi me ndërmarrje apo pezullime të procedurave kundër abuzuesve të mjeteve publike sipas opinionit të tij. Në këtë drejtim ka nevojë për modifikime dhe nivelime të dispozitave kushtetutare e vijimisht ligjore në të mirë të autorizimeve efektive të Auditorit të Përgjithshëm kundër keqpërdoruesve të mjeteve publike”, është shprehur ai. Edhe njohësi i kësaj fushe, ishdeputeti, Xhevdet Neziraj thotë se për të mos lënë hapësirë manipulimi dhe mosveprimi, ka akoma nevojë konkretizimi të raporteve që hartohen nga Auditori. “E para dhe kryesore është që rekomandimet që jepen nga Auditori tek institucionet që harxhojnë paranë publike të jenë obligative, e jo vetëm sa për sy e faqe, një problem tjetër është se edhe institucionet duhet të kenë vetë Auditor të Brendshëm të profesionalizuar me qëllim që mos të lejojnë agjencitë e ndryshme buxhetore të bëjnë shkelje të ndryshme si administrative e shpesh edhe shkelje që është në kundërshtim me Ligjin mbi menaxhimin e financave publike”, theksoi ai. Sipas tij, gjatë krejt këtyre viteve rekomandimet që i jep Auditori nuk janë marrë seriozisht nga asnjë institucion relevant, pra edhe as Prokuroria, as gjykatat. Gazeta u është drejtuar me pyetjet përkatëse edhe Prokurorisë së Shtetit, Prokurorisë Speciale dhe asaj Themelore në Prishtinë, Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, por që të gjitha këto institucione kanë zgjedhur rrugën e heshtjes./Kosova Sot





Lajmet e fundit nga