web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Familjarët e prokurorëve dhe gjyqtarëve frikë nga kontrolli i llogarive bankare/ S’japin firmat për të kandiduar në SPAK

22 Janar 2017, 09:45, Aktualitet CNA

Struktura Speciale Antikorrupsion do jetë në dorë të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë studiuar dhe janë trajnuar jashtë, si dhe që gëzojnë mbështetjen e SHBA. Në muajin mars pritet të ngrihet struktura që do të pastrojë drejtësinë dhe politikën shqiptare, por deri më tani pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendas janë skeptikë. Ligji e ka të përcaktuar se ndryshe nga gjyqtarët e tjerë, ata që duan të aplikojnë për gjyqtarë apo prokurorë në SPAK duhet të plotësojnë formularë të veçantë dhe do verifikohen nga një komision ad hoc.

Sot shkruan se sipas përcaktimeve në ligj, të drejtën të parët për të kandiduar e kanë anëtarët e gjykatës apo prokurorisë për Krimet e Rënda. Mirëpo sipas informacioneve, deri më tani askush nuk e ka shprehur dëshirën që të kandidojë. Burimet pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda bënë me dije se shumë gjyqtarë e prokurorë nuk po gjejnë konsensusin e familjarëve. Në ligj parashikohet që përveç gjyqtarëve e prokurorëve, do ketë kontrolle të vazhdueshme për familjarët dhe të afërmit e tyre. Atyre do u monitorohen llogaritë bankare dhe do u përgjohen telefonat.

Pra nëse një person do të kandidojë për SPAK, ai duhet të mbledhë firmat e të gjithë familjarëve të tij, të cilët autorizojnë se heqin dorë nga privatësia. Secili prej tyre duhet që të plotësojë një formular ku bie dakord që të përgjohet dhe t?i verifikohet pasuria. Mirëpo deri më tani shumë gjyqtarë dhe prokurorë nuk kanë arritur të bindin familjarët dhe për pasojë asnjë prej anëtarëve aktualë të krimeve të rënda nuk e ka bërë të ditur nëse do kandidojë apo jo. Dyshimet janë se kjo është një lëvizje e tyre për të shmangur çdo lloj kontrolli te familjarët. Në mënyrë që të shmanget çdo lloj korrupsioni, SPAK ka vendosur që të monitorojë çdo anëtar dhe familjar të tyre. Por kjo ka frikësuar familjarët e gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. Në rrethet e brendshme të gjyqësorit flitet se askush prej tyre nuk e pranon një gjë të tillë, duke jetuar në survejim. Për këtë arsye pritet që në SPAK të vijnë emra të rinj, apo individë kryesisht beqarë. Mësohet se shumë prej tyre janë spikatur nga SPAK dhe bëhet fjalë për femra kryesisht që janë trajnuar apo kanë studiuar jashtë vendit. Nëse shihen shembujt rajonalë, kështu ka ndodhur në Maqedoni, në Rumani, etj. Po ashtu emrat pritet të përcaktohen nga SHBA, e cila ka nisur trajnimin e disa prej tyre.

Aplikimi për në SPAK

Çdo person që do kandidojë për në SPAK, do i nënshtrohet kontrollit të figurës, pasurisë dhe karrierës. Më pas ai duhet që të japë pëlqim përmes një formulari për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake. Të njëjtën gjë bëjnë dhe anëtarët e afërt të familjes, duke hequr të drejtë nga privatësia. ?Kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes plotësojnë dhe nënshkruajnë vetëdeklarimin, sipas shtojcës B3, të këtij ligji, sipas së cilës, nëse caktohet në detyrë apo punësohet, telekomunikimet e tyre, si dhe llogaritë bankare do të jenë objekt vëzhgimi, si dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime, si dhe i dorëzojnë ato tek institucionet e emërtesës?, thuhet në ligj. Verifikimi i tyre do të bëhet nga një komision ad hoc, ku do të ketë numër të barabartë pjesëtarësh nga mazhoranca dhe opozita.

 





Lajmet e fundit nga