web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot Myftaraj/ Të vërtetat e pabesueshme për pesë eurokratët më të fuqishëm që drejtojnë perandorinë burokratike europiane

28 Qershor 2016, 16:54, Aktualitet CNA

1)?Kryeministri? i BE është lukemburgasi 62 vjeçar Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian (?Qeverisë? së BE). Ai ka qenë Kryeministër i Luksemburgut për 18 vite (1995-2013) dhe Ministër i Financave për 20 vite (1989-2008), Për 14 vite i ka mbajtur të dy postet. Kohëzgjatja e tij në pushtet është një rekord i lakmueshëm edhe në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore. Luksemburgu është një shtet i vogël mirëqenia e të cilit ka ardhur si rezultat i sektorit bankar që punon me metoda të llojit të offshoring-ut, duke ruajtur sekretin bankar për paratë me prejardhje nga krimi dhe korrupsioni. Që nga viti 2005 deri në 2013, pra në kohën kur nisi kriza financiare, Juncker ka qenë i pari President i Eurogroup, grupimi i ministrave të financave të vendeve anëtare të Eurozonës (vendet e monedhës së përbashkët euro).
Z. Juncker, ndonëse me profesion është avokat, nuk e ka ushtruar kurrë avokatinë, duke pasur thjesht titullin. Në jetën e tij, ai nuk ka bërë asnjë punë tjetër veç politikës. Këtij njeriu megjithatë iu dhanë detyra të rëndësishme në BE në momentet më të vështira të historisë së tij.
2)Presidenti i Bashkimit Europian, zyrtarisht Presidenti i Këshillit Europian, me një mandatetrevjeçar është Donald Tusk, shtetas polak i minoritetit kashubian. Donald, Tusk i lindur në 1957, në Gdansk të Polonisë, diplomoi në 1980 për histori në Universitetin e Gdanskut. Për shkak të pjesëmarrjes së tij në protestat e Solidarnostit nuk u lejua të punonte as si mësues historie dhe u detyrua që për të siguruar jetesën të bëhej punëtor i thjeshtë në kooperativën ?Sëietlik? (Qielli i ndritshëm).
Në 1988, me lejimin e partive opozitare në Poloni nisi të merret me politikë dhe që nga ky moment u bë politikan profesionist. Tusk ishte një nga njerëzit të cilin e mbështeste më së shumti Soros në Poloni. Arsyeja është se Tusk i përkiste një minoriteti etnik, atij kashubian, me çerek milion njerëz. Sipas manualeve të Soros vendet ish-komuniste duhet të kontrolloheshin nga elita të përbëra nga minoritetet etnike, të cilat duke mos pasur obligim ndaj kombit përkatës bëhen pa ngurim zbatues të çdo agjende në dëm të vendit të tyre. Tusk në së paku një rast ka dhënë të kuptojë se në mendësinë e tij është e ngulitur thellë urrejtja sipër gjermanët ashtu dhe polakët. Ai ka thënë se minoriteti kashube luftohej njëjtë si nga gjermanët nazistë ashtu dhe nga komunistët polakë. Arsyeja është se kashubianët bashkëpunonin pa ngurim, sipas rastit, me gjermanët ose polakët kundër palës tjetër.
Tusk ka qenë për shtatë vite kryeministër i Polonisë, 2007-2014. Si kryeministër ai mbahet mend për rritjen e taksave, në kundërshtim me premtimet zgjedhore. Në politikën e jashtme ai u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet me Rusinë, armikun historik të Polonisë. Ai miratoi me entusiazëm vendimin e Presidentit Obama për të anuluar vendimin e paraardhësit të tij Bush, për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes antiraketore në Poloni dhe Republikën Çeke. Tusk u shpreh se ishte shumë i kënaqur nga ky vendim që i shërbente paqes. Sorosiani Tusk nuk e shpjegoi se cilës lloj paqeje i shërbente që Polonia të ishte e pambrojtur përballë sistemeve raketore ruse që gjendeshin fare pranë saj.
Ky njeri që nuk kishte bërë asnjë punë serioze në jetën e vet u bë President i BE në 2014.
3)Kryetar i Parlamentit të BE është gjermani Martin Schulz, i lindur në 1955, i cili e mban këtë post që nga viti 2012. I biri i një polici, ai u dërgua të studionte në një shkollë të mesme katolike, ku nuk mori diplomën. Rinia e tij është e errët dhe ai ka pohuar se ka qenë i alkoolizuar në këtë kohë, por kjo i ndodhi për shkak të ndërprerjes së karrierës së tij si futbollist për shkak të një dëmtimi në gju. Që nga mosha 20 vjeç ai punoi si librashitës. Që nga viti 1992 ai kishte dyqanin e tij të shitjes së librave në të cilin punoi deri në vitin 1994, në moshën 39 vjeç.
Në 1987 Martin Schulz u bë kryetar i Bashkisë së qytezës Wurselen në Gjermani, post që e mbajti deri në 1998. Në 1994 braktisi punën e librashitësit sepse u zgjodh anëtar i Parlamentit Europian nga Partia Socialdemokrate, si përfaqësues i klasës punëtore. Që atëherë është zgjedhur vazhdimisht deputet në Parlamentin Europian. Në 2012 u bë Kryetar i Parlamentit Europian.
Këtij sharlatani të çuditshëm pa diplomë universitare, i takoi të merret me probleme shumë të rëndësishme në kohën e krizës financiare më të rëndë që ka kaluar Europa, problem për të cilët flet me kurajë të madhe, pa kuptuar asgjë prej tyre.
Për t? i dhënë vetes hije intelektuale Martin Schulz thotë se lexon librat e Erich Hobsbawm, një historian dhe studiues i shkencave politike, i adhuruar nga Soros. Librat e Hobsbawm përhapen nga fondacionet e Sorosit në botë, dhe kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri.
4)Jeroen Dijssebloem, president i Eurogroup, forumit të përhershëm të ministrave të financës të vendeve të Eurozonës (që kanë monedhën e përbashkët euro). Dijssebloem, i lindur në 1966, në Holandë, ka diplomuar për ekonomi agrare në 1991. Pas përfundimit të studimeve në Holandë, shkoi të studionte në një universitet në Irlandë, për të marrë një gradë shkencore, por nuk e arriti dot këtë. Nuk ka ushtruar kurrë profesionin e vet. Të parën punë në jetë e ka nisur si punonjës në grupin parlamentar të partisë së tij, Partisë Punëtore të Holandës. Kjo ndodhi në 1993, pas kthimit nga Irlanda. Që nga viti 2000 ka qenë deputet i partisë së tij në parlamentin holandez.
Në 2012 u bë Ministër i Financave në Holandë, dhe meqënëse sipas ndarjes së posteve në nivel europian Holandës i takonte posti i Presidentit të Eurogroup, ky sharlatan i çuditshëm që nuk ishte financier, dhe që madje nuk kishte punuar një ditë të vetme si economist, u bë befas President i Eurogroup, që praktikisht do të thotë Ministër i Financave i Eurozonës. Në këtë detyrë zëvendësoi Jean-Claude Juncker, avokatin që nuk ka punuar asnjë ditë avokat. Është interesante që, nga viti 2005, e deri më sot, pra në periudhën më delikate për financat europiane dhe botërore pas Luftës së Dytë Botërore, detyrën e Presidentit të Eurogroup, nuk e ka mbajtur asnjë financier.
Ekspertët kanë vënë re se Dijssebloem nuk zotëron as fjalorin bazë të financës ndërkombëtare. Për shkak të detyrës së tij si President i Eurogroup, ai u bë edhe President i Bordit të guvernatorëve të ESM (European Stability Mechanism), një strukturë e krijuar për t? u dhënë para vendeve të Eurozonës që gjenden në vështirësi finaciare. ESM ka një buxhet prej 700 miliard euro. Është domethënëse që në momentet më delikate për financat europiane këto struktura me rëndësi të madhe, ranë në dorën e një sharlatani për shkak të kombinimit fatal të formulave politike me ato burokratike në BE.
5)Mario Draghi. Të bën përshtypje të madhe fakti që aq sa janë mediokër dhe të pashkolluar drejtuesit e tjerë të BE, aq i shkolluar, i sofistikuar dhe diabolik është drejtuesi i Bankës Qendrore Europiane (BQE), italiani Mario Draghi. I lindur në Romë në 1947, ai është një bankier, bir bankieri. I diplomuar në Romë për financë, ai ka kryer një doktoraturë në Institutin Teknologjik Të Massachusetts, një shkollë elitare amerikane.
Draghi ka punuar si nënkryetar dhe drejtor i menaxhimit në Goldman Sachs, bankën amerikane për të cilën thuhet se komandon financat botërore. Draghi është anëtar i Grupit të Tridhjetëve, i krijuar nga Fondacioni Rockfeller. Në 2005 Draghi u emërua Guvernator i Bankës së Italisë.
Që kur nisi kriza financiare në Eurozonë (vendet e monedhës së përbashkët euro), Sorosi ka thënë vazhdimisht se BQE duhet të blerë bondet e thesarit të vendeve anëtare, të cilët nuk shesin dot bondet në tregun e lirë ndërkombëtar për shkak se duke pasur shumë borxhe, bondet e tyre nuk janë të besueshme. Sipas Soros BQE duhet të bëhej kreditor i pakufizuar i vendeve anëtare sistemi financiar i të cilëve gjendej në krizë dhe duhet të pranonte si kolateral bondet e tyre. Kjo politikë financiare ishte në kundërshtim me rolin për të cilin ishte krijuar BQE, sipas modelit të Bundesbank, si gardian i sistemit financiar të Eurozonës. Në 2012, vetëm pak kohë pasi Draghi ishte emëruar Guvernator i Bankës Qendrore Europian, e bëri këtë ide të Soros politikën si politikë zyrtare të BQE, me frazën e famshme ?Whatever it takes?. Që do të thotë se ai ishte i vendosur që të bënte gjithçka që duhej për të shpëtuar euron dhe që duke pasur parasysh kontekstin në të cilin u tha fraza, do të thoshte se BQE do të punonte si fabrikë e prodhimit dhe furnizmit me para pafund për Eurozonën. Rreziku i kësaj politike është se flluska e krijuar kështu nuk mund të mos shpërthejë një ditë, megjithëse duket se shqetësimi i vetëm i Draghit është që ajo të mos shpërthejë sa kohë që ai është në krye të BQE. Kur të shpërthejë kjo flluskë, euro do të bjerë si rubla ruse në vitet nëntëdhjetë dhe monedha e përbashkët do të marrë fund bashkë me BE. Draghi, fjalë që do të thotë ?dragon? do të mbahet mend si shkatërruesi i BE. Mandati i Draghit është tetëvjeçar dhe përfundon në 2020, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Katër të parët, Jean-Claude Juncker, Donald Tusk, Martin Schulz, Jeroen Dijssebloem janë emëruar në postet që mbajnë, qëllimisht që të mos kuptojnë asgjë dhe të zbatojnë agjendën e ndërtuar nga ekspertë djallëzorë. Të katër këta janë të lumtur me privilegjet që kanë, duke mos menduar për pasojat e vendimeve të tyre. Kjo që po bëjmë ne mund të ketë pasoja katatrofike, ndoshta mendojnë ata, por jeta jonë personale do të kishte qenë një katastrofë nëse nuk do të kishim bërë këto që po bëjmë në postet për të cilat askush më tepër se nuk është i çuditur që na i kanë dhënë.
I pesti, Mario Draghi është emëruar pikërisht se ai e di çfarë bën dhe si duhet bërë. Në postin ku është ai duhet pikërisht një njeri i tillë.





Lajmet e fundit nga