web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ti nuk lexon

5 Korrik 2015, 09:44, Opinione CNA

Nga Edison YPI

 

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, udhëton, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke kërruajtje. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Këto taksirate do t?i kesh deri sa të ngordhësh. Sepse ti nuk lexon.
Vendi yt ka vuajtur diktaturën më gjakatare të botës, gjatë së cilës u përdhosën vlerat dhe u himnizuan veset. Prej një çerek shekulli vendi yt nuk është më diktaturë, por vend i lirë ku fatet nuk i vendos 1 njeri i vetëm por vullneti i shumicës. Megjithatë ti gjithë kohën ankohesh. Ankohesh dhe do ankohesh sepse ti nuk lexon.
Ti pi kafe dhe sodit njerëzinë. Habitesh dhe nuk e gjen dot pse nuk janë të gjithë si ty, por njëri kështu e tjetri ashtu, dhe kafja të duket zeherr. Kafja zeherr e helm do të bëhet sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk do ta kuptosh kurrë madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt idiotesk që të gjithë të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte groposja për së gjalli e të gjithëve.
Qëllon ndonjëherë që ti del në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të rregulluara, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet;
-Janë bërë me pare droge.
-Ore eja në vete, të thotë ndonjëri. Kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Këto shtëpi nuk i kanë ngritur në 1 ditë, por tullë pas tulle për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota.
E kotë. S?ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, ty që duke mos lexuar nuk kupton.
Je vërdallosur ca kohë ?jashtë shtetit?. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t?i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t?i bësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra të çuditëshme banorësh lokalë. Por ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk ndodh për asnjë arësye tjetër përpos asaj se ti nuk lexon.
Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, letrën e Tatjanës Onieginit, por mban ment batuta të pështira soc-filmash. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Në fakt, gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.
Ti voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet kafeneje. Ky, ai, ai tjetri, trokiti në një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, bëri muhabet, u krruajt nga majasilli, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave vërtet kështu. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë pafundësisht herë më të vlefshëm se këta me natë dimri mbi mangall, sepse ti nuk lexon.
Nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre, nazet e tyre, icklat e tyre, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh sepse ti nuk lexon.
Ti çfaqesh në Fejsbuk në foto me të ngrëna përpara. Është turpi më i madh. Më turp se t’i ulësh brekët tek Sheshi Skënderbej. Po të lexoje nuk do ta dilje kurrë në fotografi me të ngrëna përpara.
Sheh ndonjëherë në televizor analfabetë që mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë. Habitesh pa masë, dhe thua me vete; Ç?u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë që fatkeqi, fatkatrani, fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i grafomanëve, atyre budallenjve delirantë që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.
Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, të gjitha janë nëpër libra, që ti nuk i lexon
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere dhe një këllirë që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.
Rrofsh e qofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, stuhitë e paragrafeve, tornadot e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve.





11:42 Opinione

Na falni!

Nga Bledi Lumani Nëse ka gjë që i karakterizon shqiptarët, a...

19:41 Opinione

Kalinihta Eladha

Nga Edison YPI Si fqinjë gjeografikë dhe historikë që jemi n...

15:55 Opinione

Pazari i fjalëve

Nga Artan FUGA Vitet e fundit ka praktika që kanë hapur një ...

Lajmet e fundit nga