web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Cfarë nuk kuptoj nga ngjarjet politike të aktualitetit dhe nga gjuha politike e tij?

27 Qershor 2015, 05:45, Opinione CNA

Nga Artan FUGA

Shkruajta për qejfin tim para nja pesë ditësh : Zgjedhjet mbaruan, tani t’i shtrohemi punës!!! Sigurisht për shakà… Në vend të punës morën pasqafe luftën e tretë botërore në Lazarat.

Cfarë lidhje kanë zgjedhjet me punën??? Asgjë, veç ndryshimit të stafeve që mbajnë çelësat e bashkive dhe vjelin të ardhurat lokale sipas strategjive politike, klienteliste dhe personale!!!

Kur nuk ka demokraci lokale, nuk mund të presësh ndonjë gjë të madhe nga zgjedhjet lokale. Cfarë është demokracia lokale??? Nuk e dini??? Atëhere kot që debatojmë, presim, shpresojmë. Aty duhet filluar historia. Të tjerat, nëse nuk niset që andej janë vetëm fantazi, pretekste, e gjithçka që dëshëroni tjetër.

Disa ankohen se zgjedhjet lokale u prishën meqë disa parti të vogla, të quajtura “buburreca” ose “fantazma”, si ta doni, thërmuan votat e elektoratit lokal dhe ato ishin parti “të fortësh” lagjesh apo njerëzish që trafikojnë, blejnë dhe shesin vota për interesa personale.

Dakord, po e pranoj. Por duhet provuar, jo kështu në përgjithësi. Përderisa kemi pranuar sistemin e zgjedhjeve, kjo do të thotë se kushdo mund të kriojojë një parti, mjafton që ajo të jetë në përputhje me ligjin. Pra, paradoksalisht, edhe një mashtrues, edhe një i luajtur nga mendt e kokës, por i pashpallur “çmendanik” nga mjeku psikiatër, edhe një delirant, madje edhe një ish i dënuar, por që ka të drejtën e zgjedhjes dhe të zgjidhet, mund ta bëjë këtë.

Cfarë të bësh ! Kjo është logjike e lirisë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Cfarë duam, të kthehemi në situatën e një partie unike, apo monopolin e lirive të zgjedhjes t’a lemë në dorë të dy ose tre partive vetëm. Kush ua jep këtë të drejtë???

Sigurisht tensionet tani mes kompozimit të këshillave bashkiake dhe kryetarëve të bashkive gjithandej do të jenë të forta dhe mund të bëhen edhe bllokuese. Grupime këshilltarësh bashkiakë do të bashkohen, ndahen, ribashkohen, dhe do të kemi paqendrueshmëri, bllokime vendimmarrjesh, debate pa fund, blerje dhe shitje këshilltarësh, e kështu me rradhë. Por, kjo gjë, që sigurisht prodhon pasoja edhe negative, nuk është një deviancë e sistemit, por gjendja normale e debatit në asambletë lokale që nga koha e Greqisë e deri në botën moderne.

Fjalë, fjalë, fjalë, palabras” – thoshte greku i lashtë. Këtu mësohet bashkëjetesa me tjetrin, dialogu, moderacioni, etj. Sa kohë duhet ta mësojnë që nuk duhet abuzuar me të drejtën për të vendosur??? Nuk e di, mbase 100 vjet!!! Por, cfarë do të bëjmë deri atëhere??? HIç, do të vuajmë dhe mësojmë, por amà duke pësuar! Mos prisni fat më të mirë! Ja pra mos u ankoni si ai fëmija që ankohet gjithë ditën se nuk është një burrë i madh që të ketë edhe ai një veturë si baba i vet.

Po, po, qytetari do të vuajë, do të shohë me vite e vite me radhë se në asamble nuk mendohet për të, por për lejet e ndërtimit, dhe një ditë do të ndërgjegjësohet politikisht, do të piqet. Qytetari shqiptar ende nuk është pjekur, si ai rrushi nën hardhi, por do të piqet, do piqet.

Se unë dakord jam, është shëmti shitja e votës për një thes me krunde. Por, a nuk u shit Juda për 30 aspra??? Juda është shenjtor sot mesa di!!! E kur shiten shenjtorët, pse mos shitet qytetari shqiptar që nga vota nuk ka parë hajër deritani??? Cila është vlera e votës??? Ose politike, por kjo nuk rezulton deritani, ose financiare, pra të jetë si parà, letër me vlerë në treg. Shumë racionale, por e dhimbëshme, fakti që qytetari shqiptar diku e shet votën, pra e konsideron si letër me vlerë. Cfarë të bëjë tjetër. Faji është i demokracisë lokale që nuk e kemi dhe jo e individit që gjithmonë sillet sipas interesave të tij.

Pse kur në fushatë u thuhet qytetarëve që më jepni votën, unë do ju jap një lulishte apo ca stola, a nuk është allishverish shitje-blerje kjo?

Unë Halimin e kam mik të vjetër, dhe përse jo, miqësisht, ndjenjë njerëzore është, do të doja të zgjidhej kryetar. Jo për gjë, por kështu do ta shihja mirë e të realizuar një shok. Djalë me vlera aq më tepër. Por, kur shoh sesi sot tregojnë keqardhje dhe i thonë : “Bravo, ke bërë fushatë të mirë!” më vjen të buzëqesh dhe i them mikut tim : Lëre atë muhabet miku im! Fushata ishte për ibret, ishe vetëm, krenoheshe që nuk ishe politikan, në kohën që pikërisht si politikan kërkoje votën qytetare. Ishe kandidat thjesht sepse ashtu ishin konjukturat aktuale në partinë tënde, jo më shumë. Ishe një kandidat i projektuar për humbës! Nuk e kuptoje? Cfarë të bëjmë ne tani, ec je mjek, bëj jetën tënde me sinqeritetin dhe vlerat e tua.

Se tani kryetari i ri i bashkisë, që u zgjodh legjitimisht, e në të drejtë të vet, lexova, që dje kishte thënë se do të hetohen të gjitha lejet e ndërtimit! Ja doli! Pse ky është prioriteti? Por, aty është, kush merr leje ndërtimi!!! Nuk e besoni! atëhere sfidojeni demokracinë që na mungon, botoni të dhëna statistike se kush i ka marrë lejet e ndërtimeve në Tiranë në këto dy dekada, kush ka marrë projektet, kush ka marrë lejet e aktiviteteve private për shërbime bashkiake dhe do ta shihni. Lëreni analizën e votës, kush shiti sa e shiti, kush e tradhëtoi njerin apo tjetrin, mos shihni gjethet, shihni ariun që lëviz në pyll…

Paskan pasur zgjedhjet anomali??? As nuk e diskutoj. Por, nuk mjafton ta thuash. Partitë humbëse kanë pasur në komisione antarët e tyre. Kanë mbledhur prova ata apo jo? Në i kanë mbledhur, le t’i japin, nëse nuk i kanë, le të qajnë gjithë ditën, te qajmë edhe ne bashkë me ta, kot flasim pastaj! Nëse këta komisionerë janë blerë, atëhere kjo është dobësia e partisë që as komisionerë të besueshëm nuk gjekërka dot??? Tragjike, por duhet të presim sa të lindin komisionerët…

Sepse votimi duhet bërë elektronik dhe gjithçka hyn në rrugë të saktë. Por, janë vetë partitë që e kanë sabotuar atë, si fitueset si humbëset, për nevojat e tyre.

Natë e ditë është e drejtë që shteti te ne është një makinë private kolektive, një shtojcë e partive. Shteti bën presion në zgjedhje. Ka të drejtë opozita. Por, vetëm, vetëm, kujdes, se mos ndodh sot kjo punë? Ne si qytetarë po vuajmë prej vitesh e vitesh nga shteti partiak, ose dypartiak. Nuk u krijua sot shteti partiak, ka qenë edhe dje, edhe njësoj është përdor edhe nga kjo anë edhe nga ana tjetër…

Mos u anko që në zgjedhje shteti bënte presione elektorale, kjo dihet, ne qytetarët kemi dhimbje koke dhe kraharori nga presionet dhe kërcënimet e shtetit, shteti që duhet të na mbrojë na ka dalë nga dora dhe na kërcënon, na rrezikon, siç del treni nga shinat, treni që duhet të na çonte me pushime, rrezikon jashtë shinave të na çojë në greminë… Por kjo është normale me këtë sistem politik që kemi nga kushtetuta në fuqi. Perversitet i plotë. Por, duhet kërkuar reforma e shtetit zoti Basha dhe jo ndryshimi i sjelljes të shtetit, duhet ndryshuar shkaku dhe jo pasoja, për ndryshe sikurse themi ne andej nga Skrapari : Ai stan atë bulmet ka!

Paskan dalë kandidatë të inkriminuar! Cfarë tmerri dhe lemerie e vërtetë!!! Por, ne qytetarët nuk kuptojmë e nuk dimë se kush janë ata. Kaq vështirë e paska politika të nxjerrë nga gjykatat dhe policia apo nga interpoli dëshmitë për figurën dhe pastërtinë penale të kandidatëve???

Ose nxirrini këto fakte juridike, ose mbylleni këtë muhabet sepse qytetari nuk ju kupton dhe nuk ju ndjek. Jo sepse dëshiron të zgjedhë hajdutë, trafikantë, mafiozë, por sepse nuk beson, nuk i mbushet mendja që akuzat politike janë të vërteta, ka humbur besimin në ligjërimin politik.

Nuk dëshiron ta pranosh reformën elektorale, mendon se kushtet për zgjedhje nuk plotësohen, mendon se kandidatët janë kandidatë për në burg ose kriminelë, mendon se ligja elektorale nuk është ajo që duhet, merr guximin dhe mos u fut në zgjedhje vëlla! Sfidoji ato, thuaj : “Jo!”, dhe merr pasojat e këtij vendimi me guxim e kurajo!

Se kështu qytetari nuk kupton, edhe i thua se reformat territoriale ishin për qëllime manipulimesh në zgjedhje, edhe pastaj hyn në zgjedhje, edhe në fund nuk pranon rezultatin e tyre.

Qytetari nuk kupton, as unë bashkë me të, sikurse ka shkruar miku dhe kolegu im Mark Marku, se si mendohet të na bëjnë “budallenj”, në forma të ndryshme, dhe nëse fakti që nuk pranoj absurditetet politike të vendit me etiketojnë si “budallë”, e pranoj me gëzim edhe unë bashkë me qindra intelektualë të tjerë që jam “budallë”…

E në këtë rast, qytetari me dhimbje ja “luan Zotin” që e shet, e trafikon, e riblen, e fut në “bursë” votën e vet, se ajo për tjetër punë nuk vlen.

Pra, mjerimi ynë është se nuk kemi demokraci lokale, as qendrore, (në fakt), dhe jo se kush fitoi, si fitoi, kush tradhëtoi kë, kush shiti cfarë, e kështu me rradhë.

Një sistem qeverisjeje lokale pervers, nuk ka sesi prodhon një sjellje politike demokratike.





15:55 Opinione

Pazari i fjalëve

Nga Artan FUGA Vitet e fundit ka praktika që kanë hapur një ...

Lajmet e fundit nga