web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Deputetët dhe ministrat socialistë braktisën fushatën

7 Qershor 2015, 06:25, Aktualitet CNA

Fushata elektorale për zgjedhjet e 21 Qershorit, përpos të tjerave, ka nxjerrë në pah divergjencat, turbullirat dhe ndarjet e vogla brenda Partisë Socialiste, subjektit politik më të madh në vend.

Po kush janë deputetët të cilët nuk janë angazhuar në fushatë, në zonat e tyre përkatëse? Deputeti Ben Blushi, pas përplasjeve me kryeministrin Edi Rama dhe kritikave sistematike ndaj qeverisë, vendosi të mos bëhet pjesë e fushatës, për zgjedhjet lokale, në Qarkun e Elbasanit. Deputeti Blushi nuk është shfaqur në asnjë takim dhe prezantim me karakter elektoral, ndërsa drejtimin e fushatës në Elbasan e ka marrë deputeti Taulant Balla.

Ndërkaq, fushatës së Partisë Socialiste për të rimarrë Bashkinë e Tiranës i ka munguar edhe Fatmir Xhafaj, i cili në zgjedhjet e 2013, mund të thuhet se arriti një rezultat mjaft pozitiv në njësinë bashkiake numër 4. Ndryshe nga Majko, Xhafaj nuk është shfaqur në asnjë takim të kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Edhe mes Xhafajt nuk ka artikuluar pakënaqësi dhe kritika ndaj qeverisë, duke përjashtuar kritika objektive dhe profesionale ndaj disa projektligjeve, deputeti nuk ka qenë pjesë e kësaj fushate. Po ashtu, një rol pasiv në këtë fushatë ka pasur edhe deputeti, Vladimir Kosta, i cili disa ditë më parë njoftoi largimin nga grupi i PS, por u rikthye sërish me ndërhyrjen e Ramës. Megjithatë, Kosta nuk ka qenë pjesë e fushatës në Përmet dhe në zonën ku është deputet. Edhe deputeti i Qarkut të Durrësit, Namik Dokle, nuk është angazhuar në fushatë.

Ministrat

Pavarësisht fotove të sforcuara dhe sajimit të takimeve, mes Saimir Tahirit dhe Erion Veliajt nuk ka paqe. I lakuar si kandidat potencial për Tiranën, ministri Tahiri duket se nuk e ka gëlltitur dot faktin e përzgjedhjes së Veliajt nga Edi Rama, aq më tepër që ky vendim është lexuar edhe si një piketim i Veliajt për pasardhës i largët. Në këto kushte, është vënë re një prezencë mjaft e ulët e Tahirit në fushatën për Tiranën. Ndonëse kryetar i PS së Tiranës, Tahiri ka marrë pjesë vetëm në disa takime elektorale. Madje nuk kanë munguar as dyshimet se Tahiri mund të sabotojë fushatën e Tahirit. Po ashtu, është vënë re një tërheqje e ministrit Arben Ahmetaj nga fushata në Gjirokastër. Mësohet se prezenca e pakët e Ahmetajt ka ardhur pas konflikteve në bazë. Ndërkaq, të gjithë ministrat dhe deputetët, të cilët nuk janë bërë pjesë e fushatës, pritet të jenë pjesë e procesit të analizës pas zgjedhjeve të 21 Qershorit. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka paralajmëruar se analiza do të bëhet në të gjitha nivelet politike.





Lajmet e fundit nga