Kishte dhimbje koke dhe barku/ Spitali i Korçës jep informacion mbi vdekjen e 58 vjeçarit

13 Nëntor 2019, 14:53, Sociale CNA

Spitali i Korçës ka konfirmuar se 58-vjeçari Telha Kelo i cili ndërroi jetë mëgjesin e sotëm vuante nga guri në tëmth.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Spitali Rajonal i Korçës sqaron se i 58 vjecari u trajtua në reanimacion për dy orë dhe i është dhënë gjithë ndihma e mundshme.

Ai kishte mbërritur dy ditë më parë në spital me dhimbje barku dhe koke.
Ndërkohë familjarët e Telha Kelos akuzojnë mjekët se i kanë dhënë mjekim të gabuar dhe nuk kanë pranuar që i ndjeri të dërgohet për trajtim të specializuar në Tiranë./CNA.al

Njoftimi i spitalit:

Drejtoria e Shërbimit të Spitalit Rajonal Korçë u shpreh ngushëllimet familjarëve të T.K duke sqaruar opinionin publik si më poshtë:

Pacienti T.K është paraqitur përpara dy ditësh në spital me ankesë dhimbje të kokës, menjëherë është kryer ekzaminimi i plotë duke përfshirë analiza laboratorike, EKG, eko abdominale, CT koke me contrast etj. Pas kryerjes së ekzaminimeve pacienti ka rezultuar me Kolecistit Kalkuloz.

Pas kësaj pacienti është shtruar në kirurgji. Gjendja e tij është rënduar mëngjesin e sotëm dhe pacienti është dërguar menjëherë në reanimacion ku për rreth dy orë është trajtuar nga reanimatori.

Spitali Rajonal Korçë, sqaron se bazuar në protokollet e mjekimit pacientit i është dhënë ndihma maksimale nga personeli i spitalit. Jemi në pritje të autopsisë. Drejtoria e Shërbimit të Spitalit Rajonal Korçë