Stuhia rrëzon pemët/ OSHEE: Librazhdi dhe Elbasani pa energji elektrike

12 Nëntor 2019, 18:05, Sociale CNA

Moti i keq në 24 orët e fundit, i shoqëruar me me stuhi dhe erëra të forta ka shkaktuar dëme në linjën elektrike të tensionit të mesëm në Librazhd.

Mësohet se, një numër i konsiderueshëm shtyllash elektrike dhe disa km përcjellës të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike janë shkatërruar, duke krijuar probleme në furnizimin me energji për bashkitë Librazhd dhe Përrenjas.

Po ashtu, bëhet me dije se si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike, një numër i konsiderueshëm pemësh janë thyernë Përrenjas Fshat, duke dëmtuar linjat e Tensionit të Mesëm 6 Kv të fiderave 3 në Nënstacionin Elektrik të Përrenjasit që furnizon me energji një pjese të qytetit të Përrenjasit dhe zonën e Njësisë Administrative Stravaj.

OSHEE, Agjencia Librazhd njofton se po punohet për riparimin e defekteve dhe linjave elektrike të dëmtuara, me qëllimin rikthimin në kohën më të shpejtë të mundur të energjisë.

Ndërkohë që, raportohet se gjatë ditës së sotme të tilla defekte ka pasur edhe në zona të ndryshme të bashkisë Elbasan.

Sipas burimeve zyrtare nga Emergjencat Civile, defekt pati fidri në fshatin Godolesh, që la pa energji Qerretin dhe disa fshatra të tjerë. Në Gramsh po gjatë të martës mbetën pa energji, për shkak të motit të keq, fshatrat Kokel, Bratile, Grabove, Bicaj. Në bashkinë e Librazhdit ndërprerje energjie pati në fshatrat Funarës, Tregan, Bujaras, Kacivel dhe zona e Lixhave të Treganit në Njësinë Administrative Tregan./CNA.al