LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

NOA, si kompanitë e inceneratorëve/ Miliona euro nga taksat e shqiptarëve

31 Korrik 2022, 11:23, Denoncim CNA

NOA, si kompanitë e inceneratorëve/ Miliona euro nga taksat e

Gati shtatë vite më parë, në vitin 2015, CNA.al, atëherë si City News Albania, raportonte në lidhje me një koncesion. Ishte në fakt skandali më i madh korruptiv, që do të vazhdonte zinxhirin, që filloi në Elbasan me një incenerator 22 milionë euro, shkoi në Fier e përfundoi në Tiranë me një kontratë 430 milionë euro.

Fillimisht raportuam se ishte një kontratë koncesionare disi e çuditshme, për faktin se Qeveria gjashtë muaj pasi kishte firmosur kontratën kishte nisur të paguante.

Çfarë kuptimi kishte një koncesion, kur shteti po e paguante me paratë e tij?

Pse quhej i tillë?

Pse nuk ishte bërë një garë e hapur ndërkombëtare, ku të futeshin shumë subjekte dhe njëra të fitonte. Por, ishte gjetur një shpikje PPP dhe gjashtë muaj pasi firmosej kontrata subjekti i favorizuar fillonte e merrte paratë nga Qeveria.

Pra, inceneratorët ndërtoheshin me lekët e Qeverisë, me lekët e taksapaguesve. Qindra miliona euro. Një skandal që do të duheshin shumë vite ta kuptonin. Ishin pak media që raportuan, si Birn, CNA.al, pak më vonë edhe TPZ dhe të tjerët heshtën. U blenë, u paguan nga inceneratorët. Të gjitha mediat kryesore në vend heshtën.

Heshti edhe politika. Heshti LSI-ja sepse kishte ministrin e saj. Heshi PD-ja dhe Lulzim Basha sepse ishte i lidhur dhe i zhytur.

Filluan diku nga viti 2020 të flasin, të artikulojnë në lidhje me inceneratorët. Duhej gjysmë dekade të fillonin ta kuptonin.

Në të njëjtën situatë jemi edhe me një tjetër kompani që rrjep çdo ditë taksat e shqiptarëve. Një kompani e cila sërish me një strukturë koncesionare, me një pincë në dorë, do të marrë dhjetëra miliona euro nga taksat e shqiptarëve.

SPAK rri dhe bën sehir, megjithëse faktet dalin. Miliona euro nga një koncesion ku janë përfshirë në skandal shumë institucione të shtetit shqiptar, ashtu siç u përfshinë me inceneratorët. Janë përfshirë disa institucione, kjo edhe për shkak të Autoritetit të Konkurrencës që një monopol nuk e vlerëson si të tillë. Por, bën sikur nuk shikon.

Nga ana tjetër, një koncesion me pincë në dorë, që rrit kostot e çmimit të karburantit që tregtohet në Shqipëri.

Pra, nuk mjaftonin taskë përmbi taksë, por duhej të paguhej edhe një privat për të vënë gjoja disa vula.

Por, nuk mjafton vetëm koncesioni. Ashtu si dhe inceneratorët që kishin kompani zinxhirë për matësit e ujit, për ujësjellësit, për ndërtime landfillesh, duke fituar apo dhënë tendera për ndërtime digash etj, kështu është edhe NOA.

Nuk është vetëm te ky koncesion. CNA.al ka mundur të gjejë dokumente që tregojnë se ka përfituar miliona euro nga tenderat me Ujësjellësin e Tiranës.

Tendera totalisht abuziv. Një korrupsion i hapur, ku në garë hynë disa kompani. Por, pasi kualifikohen të gjitha u kërkohet çmimi secilës, por këtë herë jo me koncesion apo hapje publike të ofertave, por në portokoll. Pra, i hap dhe i shikon sekseri i radhës, i paguar që ndodhet në korridoret e institucionit.

Një tjetër rast është edhe ai i përfitimit të miliona eurove nga kjo kompani, nga energjia elektrike, duke shfrytëzuar kompaninë publike KESH sh.a.

NOA me një kontratë skandaloze rrëmbente energji elektrike në orët e pikut, pra kur çmimi varionte nga 200-400 euro për megavat dhe ia kthente këtë KESH-it në orët e para të mëngjesit apo pas mesnate, ku energjia ishte pesë apo shtatë herë më lirë.

Këto në fakt janë vetëm tri nga skandalet e një kompanie që ka të gjitha dritëhijet, si kompanitë e inceneratorëve. Mund të ndryshojnë vlerat, por janë të dyja shumë të ngjashme.

Marrin koncesione nga Qeveria, përfitojnë nga tenderat nëpër ujësjellësa apo xhirojnë para nga kompani të tjera publike. Apo bashkëpunime, të cilat janë direkt të paguara nga taksat e qytetarëve. Askush nuk kontrollon, askush nuk flet. Ashtu si me inceneratorët, ka një të përbashkët të madhe, ka një heshtje totale. Media të blera, gazetarë të paguar, portale që mbushin xhepat, ndërkohë që zbrazen ato të shqiptarëve nëpër afera korruptive të zyrtarëve të shtetit dhe kompani private të lidhura me to./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga