Rusi-Ukrainë/ Si mund të zhvillohet lufta?

26 Janar 2022, 09:51, Blog CNA
Rusi-Ukrainë/ Si mund të zhvillohet lufta?

Nga Julien Théron ?The Conversation?

Bisedimet e javëve të funditmidis Rusisë dhe Perëndimit kanë dështuar. Moska e ka përshkruar situatën në Ukrainë si ?të patolerueshme? dhe si një ?çështje për jete a vdekje?. Presidenti amerikan, Xho Bajden, ka parashikuar se Kremlini ?do të mësyjë? në Ukrainë.

Ngërçi ndodhi kur presidenti rus, Vladimir Putin, këmbënguli se konflikti i armatosur në Ukrainën Lindore ?duket si një gjenocid?, duke e shtuar presionin për plotësimin e kërkesave të tij diplomatike.

Rusia këmbëngul se është e përgatitur të vendosë një numër mjetesh të papërcaktuara por gjithsesi alarmante ?ushtarako-teknike? për të përmbushur synimet e saj. Sinjalet janë më se të qarta:pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe sponsorizimit të lëvizjeve separatiste në Donbas, në lindje të Ukrainës, Moska po kërcënon drejtpërdrejt me një inkursion të tretë kundër sovranitetin territorial të Ukrainës, duke grumbulluar trupa në kufi me këtë vend dhe po ashtu edhe në Bjellorusi, zyrtarisht për ?stërvitje të përbashkëta?.

Përtej Ukrainës, Rusia po ushtron presion mbi NATO-n dhe BE-në, dhe po përpiqet që ta ndryshojë rendin ndërkombëtar. Moska po luan bllofin, apo ka gjasa të ndodhë një konflikt ushtarak i përshkallëzuar në Ukrainë? Nëse po, cilat janë shanset që Kievi t?i rezistojë fqinjit të tij më të fuqishëm?

Një fushatë e bashkërenduar keqinformimi, e realizuar nëpërmjet mediave në gjuhën ruse, synon që të nxisë trazira në Ukrainë. Por 8 vite luftë, e kanë zbehur ndjeshëm fuqinë e propagandës pro-ruse, teksaKievi ndërmori hapa të mëtejshëm vitin e kaluar duke bllokuar mediat pro-ruse.

Ndërkohë, shërbimet ukrainase të sigurisë kanë zbuluar se disa mijëra sulme kibernetike janë ndërmarrë që nga vitit 2014 nga Krimea e pushtuar. Në mesin e këtij muaji, një mesazh që u bënte thirrje ukrainasve të ?kenë frikë dhe të presin më të keqen? – që pretendonte se vinte nga Polonia, një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës – u zbulua nga Ministria e Informacionit e Ukrainës se ndoshta ishte ideuar nga Rusia.

Siguria energjetike, është një element tjetër i rëndësishëm e kësaj krize. Planet e Moskës për ?Nord Stream 2? , një gazsjellës që supozohet të dërgojë drejtpërdrejt gazin rus në Gjermani përmes Detit Baltik, mund t?ia mohojë furnizimet me energji Ukrainës, e cila ka humbur tashmë kontrollin e depozitave të saj të qymyrit në Donbasin e kontrolluar nga separatistët.

Për më tepër, Ukraina mund të humbasë tarifat e tranzitit, ekuivalente me afro 4 për qind të PBB-së së saj, ose 7 miliardë dollarë. Por frika është se Moska po pozicionohet në një mënyrë të tillë, ku përdorimi i forcës është mënyra e vetme për të mbetur e besueshme.

Rusia ka në dispozicion burime të mjaftueshme ushtarake për të depërtuar në territorin ukrainas. Por nuk ka gjasa që ajo të jetë në gjendje të pushtojë të gjithë territorin e Ukrainës, dhe më e rëndësishmja ta mbajë atë të pushtuar për një kohë të gjatë. Kjo duke pasur parasysh perspektivat e rezistencës së ashpër të armatosur nga Ukraina. Gjithsesi ekzistojnë disa opsione, nga të cilat mund të nisë një sulm ushtarak i kalibruar:

Sulmi nga lindja:Rusia mund të nisë lehtësisht një operacion të madh nga provinca lindore ukrainase e Donbasit, ku ajo po mbështet separatistët e zonës. Në këtë zonë është pozicionuar edhe pjesa më e madhe trupave në kufi me Ukrainës. Por problemi është se qytetet kryesore që mund të përpiqet t`i pushtojë Moska, Karkivi dhe Dnjepri, janë shumë të populluara, dhe kjo e vështirëson objektivin.

Sulmi nga jugu:Territoret e Detit të Zi, ose Prichernomori , do të ishin një objektiv joshës për strategët rusë. Pushtimi i kësaj zone do ta shkëpuste Ukrainën nga qasja e saj në det dhe do të lidhte forcat ruse nga Donbasi në Transnistria, një rajon moldav i pushtuar nga Rusia, që ndodhet në perëndim të Ukrainës.

Rusia mund të përdorë për këtë sulm trupat e saj në kufirin lindor si dhe trupat që gjenden prej kohësh në Krime. Analistët thonë se mbrojtja bregdetare në perëndim të Krimesë është shumë e ekspozuar. Por Rusisë do t?i duhej të pushtonte qytetet e Mariopolit, në lindje, dhe Odesës në perëndim, ku popullsia me shumë gjasa do t?i rezistonte me forcë pushtimit rus.

Sulmi nga veriu:Kievi, kryeqyteti i Ukrainës, ndodhet më pak se 100 km larg nga kufiri me Bjellorusinë, ku Rusia ka trupa që po kryejnë aktualisht stërvitje të përbashkëta me ato vendase. Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, një autokrat që po e mban pushtetin e tij falë mbështetjes së Moskës, deklaroi ditët e fundit se ?nëse shpërthen lufta, vendi i tij nuk do të qëndrojë mënjanë?.

Sulmi nga perëndimi:Ndoshta ky është drejtimi më befasues nga mund të vinte një pushtim i ri i Ukrainës. Pentagoni u shfaq së fundmi i shqetësuar për një stërvitje të Kremlinit në Transnistria, një rajon rusisht-folës që i përket zyrtarisht Moldavisë, por ku Moska ka mbajtur trupa që nga shembja e Bashkimit Sovjetik.

Për 8 vite me radhë, Kievi ka luftuar në lindje të vendit, duke e forcuar ushtrinë e tij, dhe duke e përgatitur popullatën për t?i rezistuar rusëve. Por gjithsesi burimet ushtarake janë të pakta për të mundësuar një rezistencë më të gjatë sesa një javë, pa ndihmën e aleatëve perëndimorë.

Mbrojtja ajrore është e dobët, por Ukraina zotëron mjete të tjera, si dronët ushtarakë të blerë nga Turqia, por edhe raketa të reja anti-tank të ofruara nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, bashkë me trajnimin përkatës. Ukraina ka zhvilluar gjithashtu raketën e saj, e cila po rezulton efektive në terren.

Përveç trupave të saj të rregullta, Ukraina ka gardën e saj kombëtare, e cila e mbështetur me investime të mëdha dhe armatime të avancuara, mund të veprojë si një prapavijë e fortë kundër infiltrimeve të parashutistëve ose forcave speciale ruse.

Ndërkohë, batalionet e mbrojtjes së Ukrainës shtrihen tani në të gjithë territorin, pas hyrjes në fuqi në fillim të këtij muaji të Aktit të Rezistencës Kombëtare. Këto janë njësi civile, të trajnuara për të përdorur taktika guerile kundër forcave pushtuese.

Edhe popullsia ukrainase është mobilizuar në mbështetje të trupave që nga pushtimi i Krimesë dhe lufta në Donbas. Dhe sipas një sondazhi të krye në dhjetor 2021 nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev, 58 për qind e burrave dhe gati 13 për qind e grave deklaruan se janë gati të rrokin armët. Ndërkohë pjesa tjetër thanë se do të rezistonin me mjete të tjera. Në atë që do të ishte një rast klasik i luftës asimetrike, rezistenca nga popullsia e Ukrainës mund të jetë një problem serioz për Moskën.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga