LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Referendumi në Serbi/ Diplomatët perëndimorë, mesazhe Albin Kurtit

14 Janar 2022, 14:08, Kosova & Bota CNA
Referendumi në Serbi/ Diplomatët perëndimorë, mesazhe Albin

Diplomatët e pesë vendeve kryesore perëndimore dhe Bashkimit Evropian, i bënë thirrje qeverisë së Kosovës të lejojë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në referendumin e 16 janarit, për ndryshimet kushtetuese në Serbi.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të Serbisë për t?u afruar me strukturat evropiane. Në një deklaratë të përbashkët, misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, thanë se mirëpresin referendumin si një hap thelbësor për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve të sundimit te ligjit dhe për këtë arsye u kanë bërë thirrje qytetarëve të Serbisë të marrin pjesë në referendum.

?Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të grumbullojë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur?, thuhet në deklaratë në të cilën u bëhet thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorikat që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

?Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap ardhmërinë evropiane dhe rrit qëndrueshmërinë rajonale?, thuhet në deklaratë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, ?nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik?, ndërsa serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë përmes postës apo në zyrën ndërlidhëse serbe në Prishtinë.

Të mërkurën mbrëma shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell kërkoi që të lejohen votimet në Kosovë, ndërsa Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë tha se ishte e gatshme të grumbullojë votat sic ka vepruar në të kaluarën me votat e hedhura nga serbët e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se moslejimi i mbajtjes së referendumit në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë ?do ketë pasoja afatgjate përtej asaj çfarë mendojnë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar?.

Të premten ai ka ftuar në Beograd përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

Kosova nuk e ka penguar pjesëmarrjen në zgjedhjet e Serbisë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por autoritetet thonë se ka dallim ndërmjet zgjedhjeve dhe çështjeve të brendshme të një vendi, siç është referendumi i së dielës në Serbi./VOA

Lajmet e fundit nga