LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A do ta arrijmë ndonjëherë imunitetin e tufës ndaj Covid-19?

13 Janar 2022, 08:52, Blog CNA
A do ta arrijmë ndonjëherë imunitetin e tufës ndaj Covid-19?

Nga Erin Mordekai & Mallory Harris ?The Guardian?

Në majin e vitit 2020, ne dhe shkencëtarë të tjerë parashikuam se shumë rajone të botës mund të mos arrijnë asnjëherë pragun e imunitetit të tufës për Covid-19, pra pikën në të cilën janë imunë mjaftueshëm njerëz ndaj infeksionit, dhe transmetimi i virusit nis që të ngadalësohet.

Kjo mbetet e vërtetë  ende sot, ndonëse vaksinat anti-Covid janë bërë të aksesueshme në vendet e pasura, dhe shumë njerëz kanë fituar imunitet nëpërmjet vaksinimeve, dozave përforcuese dhe infeksioneve të mëparshme. Pragu i imunitetit të tufës zakonisht keqkuptohej si një objektiv universal për t?u arritur në fillim të pandemisë.

Por pragu ka qenë gjithmonë i ndryshueshëm:ai varet nga sa i transmetueshëm është patogjeni dhe nga karakteristikat e sjelljes imunologjike të popullatës në të cilën po përhapet, pra sa ndërveprime ka midis njerëzve dhe sa lehtë infektohen ata.

Për shembull, në rast se një virus është shumë i transmetueshëm, pra i aftë të infektojë më lehtë njerëzit, apo nëse popullsia është shumë e dendur dhe e lëvizshme, një pjesë e madhe e popullsisë do të ketë nevojë për imunitet për të ndaluar përhapjen e tij.

E kundërta:nëse një virus është më pak i transmetueshëm apo një popullatë nuk grupohet shpesh në grupime të mëdha, për të ngadalësuar virusin duhet të jenë të imunizuar më pak njerëz. Në secilin rast, pragu i saktë i imunitetit të tufës do të ishte i ndryshëm.

Shtami origjinal i virusit Sars-CoV-2 kishte një prag imuniteti të tufës që u vlerësua në nivelin 60-75 për qind. Por variantet më të fundit dhe më të transmetueshëm, si Delta dhe Omicron, ka të ngjarë të kenë pragje mbi 80-90 për qind. Dhe kjo duke supozuar se kushdo që është vaksinuar ose infektuar më parë, është plotësisht i mbrojtur nga infeksioni i ardhshëm.

Në fakt, për Omicron, mbrojtja ekzistuese imune kundër infeksionit dhe transmetimit është shumë më e ulët (edhe pse mbrojtja kundër formave të rënda të sëmundjes mendohet të jetë ende shumë e lartë). Kësisoj edhe me 90 për qind të popullsisë të vaksinuar, ne nuk do të shihnim zhdukjen e transmetimit të variantit Omicron.

Ndryshimet e sjelljes si mbajtja e maskave, puna nga shtëpia, dhe shmangia e tubimeve të mëdha mund ta ngadalësojnë përhapjen e virusit. Por ndërsa këto masat eleminohen ose ndryshojnë nëpër popullata të ndryshme, transmetimi i virusit do të përshpejtohet sërish, duke e rritur pragun e imunitetit të tufës, krahasuar me atë të një popullate më të kujdesshme.

Njëkohësisht, pabarazitë sociale mund të përkeqësojnë numrin disproporcional që ka pasur Covid-19 në komunitetet e margjinalizuara, duke e rritur pragun e imunitetit të tufës në nivel lokal. Për shembull nëse njerëzit jetojnë në banesa të mbipopulluara.

Vitin e kaluar, disa shkencëtarë sugjeruan se po i afroheshim pragut të imunitetit të tufës përmes një kombinimi të vaksinimit dhe infeksionit. Por 1 vit nga nisja e vaksinimit kundër Covid-19, ne po shohim rritjet më të mëdha të rasteve deri më sot në shumë rajone, përfshirë edhe vendet ku imuniteti i popullsisë nga infeksioni dhe vaksinimi është shumë i lartë.

Variantet shumë infektive Delta dhe Omicron,e kanë nxitur këtë rritje të fundit të rasteve përmes transmetueshmërisë së tyre të lartë, si dhe aftësisë për të shmangur pjesërisht imunitetin, duke e bërë një pjesë shumë më të madhe prej nesh sërish të ndjeshëm ndaj infektimit.

Kjo përvojë nënvizon faktin se pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm të vaksinave, ne nuk e kemi arritur ende – dhe ka të ngjarë të mos e arrijmë kurrë pragun e imunitetit të tufës. Njëherazi, ne nuk duhet të dorëzohemi ndaj valëve të pafundme të këtij virusi.

Aktualisht ne gjendemi në një tranzicion të vështirë drejt endemisë së Covid-19. Në një studim të botuar në revistën ?Science? në fillim të këtij muaji,Xheni Levin dhe bashkë-autorët e tjerë, parashikojnë se ashtu si koronaviruset e tjerë njerëzorë që tani shkaktojnë të ftohurën e zakonshme, edhe Covid-19 do të shndërrohet përfundimisht në një infeksion të butë që vazhdon të qarkullojë në nivele më të ulëta në popullatën njerëzore, pasi njerëzit do të ekspozohen dhe imunizohen në moshat e hershme.

Pra në një virus endemik. Dhe sapo Covid-19 të jetë endemik, imuniteti bllokues ndaj infeksionit do të zbehet me shpejtësi, në mënyrë që virusi të përhapet lehtësisht. Por nga ana tjetër imuniteti kundër sëmundjeve të rënda do të zgjasë më gjatë, duke bërë që infeksionet dhe sëmundjet (kryesisht të formës së lehtë) të zhvendosen tek grupmoshat më të reja që nuk janë ekspozuar ose imunizuar ende.

Rastet e sëmundjeve të formës së rëndë, që prekin kryesisht të rriturit pa një imunitet paraprak, duhet që të bien. E megjithatë, ne nuk jemi ende në atë pikë. Autorët e studimit në fjalë, paralajmërojnë se janë ende të nevojshme ndërhyrjet në sjelljen e njerëzve për të ngadalësuar përhapjen e virusit gjatë tranzicionit drejt endemisë.

Kjo për të shmangur rritjet drastike të shtrimeve në spital dhe vdekjeve, për të mos përmendur simptomat e Covid-it të gjatë, që deri tani vlerësohet se ka prekur të paktën 1.3 milionë njerëz vetëm në Britaninë e Madhe. Vaksinimi (dhe marrja periodikisht e dozave përforcuese) mbeten të rëndësishëm për zbutjen e pasojave më të këqija ndërsa po kalojmë gradualisht drejt fazës endemike të këtij virusi.

Është e rëndësishme të mos harroni se krijimi i imunitetit brenda një popullate sjell përfitime për të gjithë, madje edhe kur pragu i imunitetit të tufës nuk është i mundur të arrihet. Kjo pasi reduktohen ndjeshëm rastet e sëmundjeve të rënda, duke kursyer kësisoj burimet e kujdesit shëndetësor.

Kur infektohen njerëzit e vaksinuar, ata mund të jenë infektues për më pak kohë, dhe të kenë ngarkesa më të ulëta virale, duke e reduktuar kësisoj transmetimin e mëtejshëm. Mbrojtja është shumëfishuese kur njerëzit e vaksinuar janë kryesisht në kontakt me njëri-tjetrin, pasi gjasat për t?u infektuar dhe për ta kaluar atë infeksion janë edhe më të vogla.

Aktualisht përhapja e pakontrolluar e Covid-19 në rajonet me një përqindje të ulët të vaksinimit, mund të çojë në evoluimin e varianteve të reja që vazhdojnë të shkaktojnë sëmundje. Deri më tani, Omicron duket se shkakton zakonisht sëmundje më pak të rënda

se llojet e mëparshme të virusit, dhe konkurrenca midis varianteve (për shembull, Omicron  konkurron Deltën në shumë rajone), mund të jetë në favorin tonë.

Por edhe variantet më të buta kanë ende potencialin për të mbingarkuar spitalet, sidomos nëse ato janë shumë të transmetueshme. Vaksinimi i shpejtë dhe marrja e dozave përforcuese nga e gjithë popullsisë globale, dhe sidomos ata që përballen me pabarazi të rënda në disponueshmërinë e vaksinave, si dhe luftimi i keqinformimit që pengon vaksinimin, mbeten disa nga mënyrat më të mira për të ngadalësuar shfaqjen e varianteve të reja, dhe pasiguritë dhe pengesat që sjellin ato me vete.

Ne mund të përgatitemi për fazën endemike të Covid-19duke e përmirësuar qasjen tek vaksinat, maskat ????dhe testet me cilësi të lartë, dhe duke i kërkuar ato në mjedise publike ku rreziku është më i lartë. Ne duhet të investojmë në kërkimin dhe shpërndarjen e trajtimeve për të parandaluar format e rënda të sëmundjes, dhe në mbështetjen sociale për njerëzit që përballen me efektet afatgjata të Covid-19.

Po ashtu ne duhet të forcojmë infrastrukturën tonë të shëndetit publik për të parandaluar pandemitë e ardhshme, për të vendosur rregulla për mjedise më të sigurta të punës, dhe për të zbutur pabarazitë shëndetësore që janë përkeqësuar nga pandemia. Covid-19 nuk po largohet, por ne mund ta menaxhojmë atë me politika më të zgjuara dhe nëpërmjet veprimeve kolektive.

Shënim:Erin Mordecai, asistent/profesore e biologjisë në Universitetin e Stenfordit, SHBA. Mallory Harris kandidate për doktoraturë në Universitetin e Stanfordit, ku ajo studion sëmundjet infektive.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga