LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A po përpiqet Rusia ta shndërrojë Ballkanin në një Ukrainë të dytë?

12 Janar 2022, 08:36, Blog CNA
A po përpiqet Rusia ta shndërrojë Ballkanin në një

Nga Steve Balestrieri ?19 Forty Five?

Veprimet e Rusisë në Ballkan janë paralele me qëllimet e saj në Ukrainë:gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1991-2001, Ballkani u zhyt në një kasaphanë e vërtetë. Aty ndodhën kryengritje të armatosura, spastrime etnike, luftëra për pavarësi, të cilat sollën shkëputjen e disa vendeve, por edhe vuajtje të mëdha njerëzore.

Vlerësimet mbi viktimat varionin nga 130.000-140.000, dhe rreth 4.000.000 të tjerë që u zhvendosën nga shtëpitë e tyre. A po rikthehen sot konfliktet e vjetra? Sipas një raporti të fundit drejtuar Kombeve të Bashkuara nga Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Kristian Shmid – ish-ministër gjerman – Bosnja është shumë e rrezikuar të shpërbëhet, dhe ka një ?perspektivë shumë reale? të një rikthimit tek një konflikt i armatosur.

?Kjo është e barabartë me shkëputjen, por pa e shpallur zyrtarisht?-shkruan Shmid në raportin e tij drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Ai theksoi ndër të tjerat se veprimet e Milorad Dodik ?rrezikojnë jo vetëm paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, por në rast se nuk ka një reagim nga komuniteti ndërkombëtar, mund të çojnë në rrëzimin e Marrëveshjes së paqes së Dejtonit.

Lufta e dy dekadave më parë, përfshiu Slloveninë, Kroacinë, Bosnje Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë. Ishte konflikti më i përgjakshëm i Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore,që në fund solli themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për

ish-Jugosllavinë (ICTY) nga OKB-ja për të ndjekur penalisht krimet e luftës ku përfshihej gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe përdhunimet.

Marrëveshja e Dejtonit e autorizuar nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit Uorren Kristofer dhe Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit Riçard Hollbruk i dha fund luftës dhe ndali masakrat, por marrëveshja, e cila nuk ishte menduar asnjëherë të ishte një dokument i përhershëm, ishte shumë larg të qenit e përsosur.

Serbët, të cilët ishin autorë të shumicës së dhunës dhe krimeve të luftës, u shpërblyen me zgjerimin e territorit të tyre. Qeverisja e Bosnjes është po aq konfuze sa edhe luftimet. Bosnja u nda në dy territore të veçanta:Federata Myslimano-Kroate (MCF) dhe Republika Srpska (RS).

Por vetë MCF u nda më tej në 10 kantone të veçanta, ku secila ka kushtetutën, ministritë dhe sistemet arsimore të vetat. Dhe këtu hyn në skenë Rusia. Tani, qeveria ruse e presidentit Vladimir Putin, e cila ka ndërhyrë në Bosnje, po përpiqet të minojë në mënyrë aktive NATO-n në çdo vend të Evropës Lindore, dhe po kërkon të rindërtojë rëndësinë e Rusisë në skenën ndërkombëtare në nivele të papara që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

Dhe në këtë mënyrë, Putini nuk dëshiron një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme, apo të zbatueshme. Rusët po tentojnë në Ballkan të njëjtën gjë që po bëjnë në Ukrainë. Moska po përdorin operacionet psikologjike, për të nxitur mosmarrëveshjet etnike dhe territoriale dhe mosbesimin midis popujve.

Rusët po u shesin serbëve një sasi gjithnjë e më të madhe armësh. Kohët e fundit presidenti serb Aleksandër Vuçiç vlerësoi blerjen e raketave anti-tank ?Kornet?.?Jam i kënaqur që ushtarët tanë janë të lumtur me blerjen e raketave nga Rusia. Ajo është ndoshta një nga armët anti-tank më të mira në botë, dhe është një mjet i rëndësishëm mbrojtës për të penguar këdo nga një agresion i mundshëm kundër vendit tonë?- theksoi ai.

Po ashtu Rusia i ka shitur Serbisë 60 tanke dhe transportues të blinduar të personelit, si dhe sisteme të sofistikuara ruse të mbrojtjes ajrore S-300 Pantsir, helikopterë sulmues dhe transportues, si dhe dronë kinezë. Moska i ka falur Beogradit 6 avionë luftarakë MiG-29, por që kanë shumë nevojë për riparime.

Qëkur lideri serb i Bosnjes, Milorad Dodik, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror në tetor, është rritur perspektiva për ripërtëritjen e konfliktit. Dodik ka kërcënuar të tërhiqet nga ushtria kombëtare e ndërtuar me ndihmën ndërkombëtare gjatë çerekshekullit të kaluar, duke krijuat një forcë serbe.

Ai deklaroi në mesin e tetorit të vitit të kaluar, se do ta detyronte ushtrinë boshnjake të tërhiqej nga gjysma serbe e Bosnjës duke rrethuar kazermat e saj, dhe nëse Perëndimi do të përpiqej të ndërhynte ushtarakisht, ai ka?miq? (me sa duket rusët dhe serbët), të cilët i kishin premtuar se do ta mbështesnin kauzën serbe.

Ngjashmëritë mes Ukrainës dhe Ballkanit janë të shumta. Ato nisin me mosmarrëveshjet territoriale dhe etnike, të cilat shtrihen shumë pas në kohë. Dhe në qendër të dy konflikteve janë rusët që përpiqen të dobësojnë Perëndimin, veçanërisht NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.

Rusia dëshiron të krijojë një zonë-tampon mes vetes dhe Perëndimit dhe Ukrainës që anon drejt Perëndimit. Sipas saj bashkimi me NATO-n ishte një vijë e kuqe që nuk duhej kaluar. Por ndërsa rusët mund të kërcënojnë me një pushtim për të trembur udhëheqësit vropianë që të tërhiqen, një pushtim konvencional ndoshta nuk është as në plan.

Rusët do të përdorin parimet e luftës hibride, duke përhapur keq-informata në faqet e internetit, duke kryer sulme kibernetike mbi infrastrukturën,si dhe do të përdorin trupat e operacioneve speciale apo trupat mercenaret si ?Grupi Wagner? për të nxitur pakënaqësi dhe për të mbështetur ?lëvizjet separatiste? në vend.

Në Ballkan, Rusia ka mbajtur gjithnjë anën e serbëve, dhe në këtë rajon Putini do të përpiqet ta vendosë Rusinë si ndërmjetësen e vetme rajonale dhe garanten e sigurisë, duke e dobësuar kësisoj NATO-n dhe Perëndimin, dhe duke dëshmuar se këta të fundit nuk janë më të besueshëm.

Dhe deri më tani, përgjigja e Evropës i ka dhënë të drejtë Moskës,pasi evropianët janë dukur të dobët, ndërsa integrimi i Ballkanit në BE ende nuk ka ndodhur, me përjashtim të Kroacisë. Disa analistë besojnë se presidenti amerikan Xho Bajden duhet të përshpejtojë anëtarësimin e Bosnjes dhe Kosovës në NATO, gjë që do t?i dërgonte një mesazh Rusisë se Perëndimi nuk do t?i kthejë shpinën asaj që rusët besojnë se është ?nën-brezi i butë i Evropës?. Por ka gjithsesi disa shanse që kjo gjë të ndodhë së shpejti.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga