LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Merkatoja e bllokuar e Skënderbeut, ja futbollisti që ka fituar gjyqin në FIFA

8 Janar 2022, 09:04, Sport CNA
Merkatoja e bllokuar e Skënderbeut, ja futbollisti që ka fituar gjyqin

Skënderbeu për momentin nuk mund të bëjë asnjë transferim pasi merkatoja e bardhekuqve është e bllokuar. Edhe pse drejtuesit kanë bërë tri lëvizje deri më tani, asnjë prej tyre nuk është bërë zyrtare pikërisht për këtë arsye.

Pavarësisht se në klub ende nuk ka një sinjal që të konfirmojë këtë dënim nga FIFA, pasi edhe vetë presidenti Takaj ka mohuar detyrime kundrejt lojtarëve, diçka e tillë tashmë është një fakt.

Skënderbeu ka humbur një gjyq ndaj Shqiprim Taipit, që luan te Kukësi dhe prej kësaj, merkatoja është e bllokuar.

Taipi dhe Skënderbeu mbyllën bashkëpunimin në fund të sezonit të kaluar. Ai ishte nga të parët që komunikoi largimin nga Skënderbeu, por asnjëherë nuk ka pretenduar zyrtarisht detyrime të klubit ndaj tij.

Duket se ai është përpjekur ta zgjidhë në qetësi këtë çështje, por nuk ia ka dalë dhe i është drejtuar FIFA-s.

Për momentin nuk dihet ende sa është shuma financiare e prapambetur që klubi korçar i detyrohet lojtarit. Vetë futbollisti nuk ka dashur të flasë publikisht.

Ndonëse merkatoja është e bllokuar, bardhekuqtë duken të qetë dhe nuk janë aspak në siklet si pasojë e këtij dënimi. Ata janë shumë të qetë dhe kjo do të thotë se e kanë një zgjidhje për këtë problem.

Skuadra e Memellit ka synim qëndrimin në elitë dhe konkurrenca është shumë e madhe, teksa kundërshtarët, përveç Kastriotit, e kanë shansin të bëjnë merkato dhe po bëjnë lëvizje në hyrje dhe në dalje.

Lajmet e fundit nga