LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rusia dëbon diplomatë gjermanë

21 Dhjetor 2021, 08:02, Kosova & Bota CNA
Rusia dëbon diplomatë gjermanë

Pas shqiptimit të vendimit lidhur me rastin e të ashtuquajturës “vrasje në Tiergarten”, Rusia shpalli dy diplomatë gjermanë si “persona të padëshiruar”. Këtë e komunikoi Ministria e Punëve të Jashtme në Moskë pas një bisede me ambasadorin Géza Andreas von Geyr. Ky hap është një reagim ndaj dëbimit të dy diplomatëve rusë, punonjës të Ambasadës ruse në Berlin.

Ambasadorit gjerman iu dorëzua një “protestë e vendosur”, thuhet më tej. Ministria në Moskë më parë e kritikoi si të motivuar politikisht vendimin duke komunikuar një reagim të barazvlefshëm.

Ministria e Jashtme në Berlin e quajti dëbimin e diplomatëve gjermanë nga Rusia si një rëndim shtesë në raportet gjermano-ruse. “Ky hap nuk është i papritur, megjithatë nga këndvështrimi i qeverisë federale është veprim tërësisht i paargumentuar”, deklaron një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane. Njëkohësisht ai theksoi, se qeveria federale synon një dialog me Rusinë mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare dhe të respektit reciprok.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane shkruan më tej, se vendimi i palës gjermane javën e kaluar kishte të bënte me një reagim të përshtatshëm ndaj konstatimit të trupit gjykues në Berlin, se e ashtuquajtura “vrasje në Tiergarten” është kryer me porosi nga instanca shtetërore ruse. Kjo përbën një shkelje të rëndë të sovranitetit të Republikës Federale të Gjermanisë.

Për shkak të vrasjes së një gjeorgjiani në gusht 2019 në një park në Kleiner Tiergarten në Berlin gjykata të mërkurën e kaluar (15.12) shqiptoi dënimin me burgim të përjetshëm për një rus. Në gjykim bëhet fjalë për “terrorizëm shtetëror”: Sipas bindjes së gjyqtarit i akuzuari sot 56 vjeçar ka vepruar me porosi nga instanca ruse. Rusia i hedh poshtë këto akuza. Ministria e Jashtme në Moskë kritikoi vendimin gjyqësor ndaj shtetasit rus për shkak të vrasjes si “absolutisht i padrejtë dhe jo objektiv”. Gjerogjiani i vrarë në Berlin konsiderohej si një ndër “ish-drejtuesit e grupimeve terroriste në Veri të Kaukazit”. Presidenti rus, Vladimir Putin e pati cilësuar atë si “vrasës” dhe “bandit”  duke e akuzuar për vrasjen e dhjetëra vetëve.

Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock (Të Gjelbërit) javën e kaluar u shpreh për një “shkelje të rëndë të së drejtës gjermane dhe të sovranitetit të Republikës Federale të Gjermanisë”. Zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Scharova, deklaroi pas kësaj, se kemi të bëjmë me “veprime jo miqësore të Berlinit”, që nuk mund të mbeten pa përgjigje.

Qeveria gjermane edhe gjatë procesit të hetimeve lidhur me vrasjen në Tiergarten pati dëbuar dy punonjës të Ambasadës ruse duke e argumentuar këtë me mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim të instancave ruse. Si rrjedhojë autoritete ruse nuk kanë ndihmuar në zbardhjen e krimit.  Moska reagoi atëherë duke dëbuar gjithashtu dy diplomatë gjermane.

Marrëdhëniet mes Berlinit dhe Moskës që pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë në Detin e Zi nga ana e Rusisë më 2014 janë përkeqësuar. Ndër të tjera për këtë përkeqësim ka ndikuar edhe sulmi deri tani më i madh kibernetik i hakerimii në Bundestag në vitin 2015, për të cilin u bënë përgjegjës dy hakera rusë, helmimi i kritikut të Kremlinit Aleksej Navalny e së fundi edhe marshimi i trupave ruse në kufirin me Ukrainën./DW

Lajmet e fundit nga