LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Erion Dasho/ Gjyshi duhanpirës dhe shoku anti-vax

6 Dhjetor 2021, 09:04, Lifestyle CNA
Nga Erion Dasho/ Gjyshi duhanpirës dhe shoku anti-vax

Nga Erion Dasho

Prej dekadash vazhdon lufta kundër duhanpirjes, një prej dëmtuesve më të egër të shëndetit dhe shkaktare e miliona vdekjeve të parandalueshme çdo vit. Fillimisht, nuk ka qënë aspak e lehtë dhe një nga “argumentët” më të njohur ka qënë:

– Gjyshi im pinte 2 paketa në ditë dhe jetoi 90 vjeç. Çfarë problemi ka duhani?

Këtë argument jemi duke e hasur çdo ditë e më tepër edhe midis anti-Vax-ëve: “Unë, vëllai, shoku, babai, etj. e kaluam vjet COVID-in pa asnjë problem! Unë njoh shumë më tepër njerëz që janë shëruar sesa që kanë vdekur nga COVID-i. Përse duhet të vaksinohemi të gjithë?!”

Përgjigjja për këta argumentë gjendet midis rreshtave të shkencës së shëndetit publik dhe të numrave të mëdhenj.

Gjithsecili prej nesh nëse sheh vetëm mjedisin e vet, e ka shumë të lehtë të nxjerrë përfundime të gabuara. Gjyshi duhanpirës mund të ketë qëlluar bartës i të quajturave “gjene të përjetësisë” të cilat u mundësojnë mushkërive të pastrojnë blozën dhe katranin e duhanit. Por nëse arrijmë të “shohim” një milion gjyshë duhanpirës dhe një milion jo-duhanpirës, do të kuptojmë se pothuajse vetëm duhanpirësit vdesin nga kanceri i mushkërive dhe laringut. Apo se duhanpirësit sëmuren disa herë më shumë nga sëmundjet e zemrës, vrasëset kryesore të shekullit tonë.

E njëjta gjë ndodh me COVID-in. 80% e personave e përjetojnë COVID-in si një virozë të zakonshme dhe 15% si një “grip të keq”. 5% rrezikon spitalin dhe rreth 1% rrezikon jetën.

Problemi është se asnjë metodë që kemi sot në dispozicion nuk arrin dot të parashikojë nëse një person është pjesë e 99%-it, apo e 1%-it.

Kur e sheh në nivel individi, 1% duket i papërfillshëm, por në nivel globi flasim për 80 milion njerëz! Në Shqipëri flasim për 30,000 njerëz. Të cilët do të vdesin nëse COVID-i lihet të qarkullojë i lirë.

Institucionet që mbrojnë shëndetin publik, nuk paguhen vetëm për të mbrojtur 2 milion e nëntëqind e shtatëdhjetë mijë shqiptarët që janë gjenetikisht të aftë ta përballojnë COVID-in, por edhe ata 30,000 që nuk janë.

Sot, konsensusi mbarëbotëror për të mbrojtur jetën e 1%-shit që rrezikohet nga COVID-i është vaksinimi. Nesër sigurisht do të ketë metoda të tjera.

Përparimet që bëhen çdo ditë në fushën e mjeksisë së personalizuar do të sjellin momentin kur me një analizë gjenetike dhe duke shfrytëzuar algoritmet e inteligjencës artificiale do të përcaktohet me siguri të lartë se cilët persona rrezikojnë më shumë dhe cilët më pak në raport me sëmundje të caktuara, përfshi edhe ato të tipit të COVID-it. Por kjo është pjesë e së ardhmes.

Sot për sot, kemi vetëm vaksinën që mbron prej COVID-it. Ta shfrytëzojmë?/ CNA.al

Lajmet e fundit nga