Connect with Us

Nga Blendi Fevziu/ Kush ka faj për Shqipërinë e sotme!

Opinione

Nga Blendi Fevziu/ Kush ka faj për Shqipërinë e sotme!

Publikuar

-

/

Rreth 3 muaj më parë vendosa ta pasuroj rutinën time të përvitshme me një analizë paksa më moderne. Që prej vitit 1993, kryesisht në çdo dhjetor, arkivoj artikujt, komentet dhe kujtimet e protagonistëve të Dhjetorit 1990. Fillimisht në hard copy në një cep të bibliotekës sime dhe, prej thuajse një dekade e gjysmë, edhe në një dosje të veçantë në kompjuter…

Ideja më lindi kur doja të shkruaja librin “Piedestale pa statuja” që u takonte 4 ditëve të Lëvizjes Studentore, e cila ndryshoi sistemin në Shqipëri dhe i dha fund diktaturës komuniste. Për librin ishte e nevojshme të përballja kujtimet e protagonistëve për të dhënë një pamje më të plotë. Por më 2010-n, kur e ribotova librin, të pasuruar me dokumente, vura re diçka që më befasoi. Një numër jo i vogël i protagonistëve kishte ndryshuar jo vetëm komentet, por edhe kujtimet për Dhjetorin 1990. Pra, i njëjti protagonist shfaqej me kujtime çuditërisht të ndryshuara, shumë herë në varësi të pozicionit aktual politik apo të mërive të tij personale. Sikur në Dhjetor të mos kishte pasur një të vërtetë, por disa të vërteta që ndryshojnë sipas kalendarit politik në Shqipëri. Kujtimet e pandryshueshme ishin vetëm të atyre që nuk jetojnë më e që, me gjasë, nuk i hyjnë nëpër këmbë askujt.

Për ta sjellë më shumë në kohë, vendosa të bëj edhe një eksperiment, i cili kohët e fundit po më argëton së tepërmi. Ia dërgova pjesën kryesore të artikujve të këtij viti një analisti tekstesh që jeton prej disa dekadash në SHBA dhe që po lulëzon duke analizuar mes rreshtave emocionet njerëzore. Pas disa ditësh, ai më dërgoi një analizë, në të cilën shënonte se artikujt, kujtimet apo qëndrimet qenë të mbushura me mospëlqim, refuzim dhe mungesë shprese. Thelbi i analizës së tij ishte zhgënjimi dhe mbërritja në një vend dhe në një stad që s’e kishte menduar askush: larg pritshmërive të dikurshme.

“Sa e vërtetë është kjo ndjesi e protagonistëve të asaj kohe?”, pyeta veten. “Nëse po, kujt i kërkojnë llogari? Shumica e tyre janë njerëzit që kanë qenë dhe janë elita e këtyre 30 viteve në Shqipëri. Pra, ata që e sollën Shqipërinë deri këtu”.

Ndaj vendosa të analizoj dy gjëra: Së pari, a është e vërtetë që këta 30 vjet kanë qenë një kthim pas dhe e dyta, ku jemi realisht në krahasim me mundësitë reale që kemi pasur. Pra, në krahasim edhe me pritshmëritë.

Eksperienca 31-vjeçare si gazetar më ka mësuar që perceptimet dhe fakti janë dy gjëra të ndryshme. Në librin e tij “Forca e faktit”, Hans Rosling sqaron pikërisht këtë gjë. Ai na jep dhjetë arsye përse perceptimi ynë për botën është i gabuar dhe se gjendja është më e mirë nga sa duket. Ai u drejton pyetje shumë të thjeshta njerëzve të të gjitha shtresave, duke përfshirë edhe parlamentarë apo kryeministra dhe zbulon se përgjigjja e tyre perceptive, krahasuar me faktin, është në një përqindje të lartë e gabuar. Ky krahasim mes perceptimit dhe fakteve rrëzon edhe pesimizmin që shfaqej në artikujt e këtij viti për Dhjetorin 1990 e që shfaqet po kaq shpesh në rrjetet sociale.

Për këtë po përdor të dhënat e Angus Maddison, një ekonomist britanik, gjeni i krahasimeve të zhvillimit ekonomik botëror. Në studimin e tij për GGDC-në, ndër të tjera, ai krahason edhe ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Sipas tij, në fillim të Luftës së Parë Botërore, ose në kohën që Shqipëria shpalli pavarësinë, prodhimi i saj për frymë ishte sa 21.6 % e mesatares së 30 vendeve të sotme të BE dhe partnerëve të saj.

Në vitin 1939, në prag të Luftës së Dytë Botërore, ky raport ishte rritur në 22.7 %. Në vitin 1990, në momentin e bashkimit të dy Gjermanive dhe rrëzimit të Murit të Berlinit, krahasimi i Shqipërisë me mesataren e vendeve të tjera evropiane ishte 10.9 %, i krahasueshëm me vendet më të varfra afrikane. Por, më 2010, sipas po këtij studimi, Shqipëria ishte ngjitur në 25.7 % të mesatares së vendeve të tjera evropiane. Me një krahasim të stimuluar, mendohet se në 2019, kjo shifër mund të jetë midis 31 dhe 32 % të vendeve evropiane. Me fjalë të tjera, shqiptarët janë ende shumë larg BE-së, por sot ata pa dyshim jetojnë më mirë se kurdoherë në historinë e tyre. Në krahasim me vetveten. Pra, ky ishte thjesht një verifikim i fakteve.

LEXO EDHE:  Zgjerimi i ujrave territorial/ Projektligji kalon në Parlamentin grek, zbulohet kur do votohet

Përtej këtij verifikimi lind pyetja e dytë: A jemi ne sot aty ku duhej të ishim? A është Shqipëria e sotme ajo që ne besonim 30 vjet më parë? Pa asnjë dyshim, përgjigjja është: Jo! Jemi larg të dyjave. Por nëse dikush do të pyesë se ku jemi në të vërtetë, përgjigjja ime do të ishte, pa asnjë dyshim: Jemi aty ku meritojmë.

Po mundohem ta shtjelloj edhe këtë ide. Le të rikthehemi te zhgënjimi i protagonistëve të Dhjetorit 1990, duke u shtruar atyre pyetjen: Kush e drejtoi Shqipërinë këta 30 vjet? A janë po ata?

Edhe pse gjithsecili beson se ka qenë në rrugën e duhur, por gabimi ka qenë i tjetrit, raporti mes ëndrrës dhe realitetit është përgjegjësi e tyre. Por jo vetëm e tyre. Edhe e gjithë shoqërisë shqiptare. Një shoqërie që ka një hendek të madh mes ideve dhe veprimit. Një shoqëri që e kupton çfarë është e mira, por që e thërrmon këtë mirësi me rastin e parë të përballjes me një interes personal.

Dy vjet më parë zhvilluam një anketim me fokus grupe për të parë reagimin dhe pëlqyeshmërinë e shikuesve për të ftuarit e emisionit “Opinion”. Pyetjes nëse korrupsioni është diçka e mirë apo e keqe, 93 % i përgjigjeshin “e keqe”. Por pyetjes nëse ju do të jepnit apo do të kërkonit lekë për të zgjidhur një punë, 78% i përgjigjeshin: “Normalisht po”. Pra, nuk e shihnin këtë si një problem. Korrupsioni ishte për ta diçka abstrakte, që nuk duhej të kryhej nga të tjerët, por që për ata vetë ishte një rutinë. M’u kujtua që disa muaj përpara këtij anketimi kisha kaluar festën e Vitit të Ri në Holandë. Në një artikull të shkruar në anglisht në gazetën e tyre më të madhe përmendej fakti që disa gjykatës holandezë kishin denoncuar oferta ryshfeti nga emigrantë sirianë që, kundrejt pagesës, mundoheshin të siguronin një urdhër qëndrimi në Holandë. Gazeta nënvizonte që më shqetësues sesa ngjarja, ishte fakti se si do të reagonte sistemi i drejtësisë holandeze përballë kësaj dukurie. Sipas tyre, sistemi nuk ishte testuar kurrë në këtë drejtim, sepse për shekuj me radhë, askush nuk mendonte të ofronte para në gjykatë. Pra, nuk ishin gjykatësit ata që nuk korruptoheshin, por shoqëria që nuk e mendonte dhe pranonte këtë si fenomen.

Po në të njëjtin anketim, pyetjes nëse fjala oligark ishte pozitive apo negative, 81 % i përgjigjeshin negative. Por, kur më pas u ofrohej një listë me personazhe të njohur dhe u thuhej se si cili prej këtyre do doje të ishe në jetë, askush nuk zgjodhi shkrimtarët apo aktorët, por 78 % zgjodhën ekzaktësisht disa nga personazhet që në Shqipëri etiketohen si oligarkë.

Pra, problemi nuk janë vetëm këta drejtues, por gjithë shoqëria që i ka votuar, që i ka mbështetur dhe stimuluar ata. Madje, të gjithë ata janë produkt i kësaj shoqërie. Një shoqërie ku të gjithë ankohen për mosrespektimin e ligjit, po ku të paktën 800 mijë qytetarë kanë ndërtuar pa leje; ku të gjithë ankohen për shkatërrimin urbanistik, po secili ka zgjatur ballkonet, muret, strehët duke zaptuar pak nga hapësira publike.

Në përfundim, kjo analizë duhet të ketë parasysh edhe diçka tjetër. Në vitin 1990 e më pas, Shqipëria nuk kreu vetëm një revolucion politik. Ajo kreu njëherazi një revolucion urban, ku popullsia rurale dominuese u përmbys në favor të asaj urbane; një revolucion modernizimi, duke nisur nga industria e vogël e deri te shërbimet; një revolucion të ringjalljes së besimeve fetare dhe mbi të gjitha një revolucion të mirëfilltë të cilësisë së jetesës. Pa harruar atë kryesorin: kalimin nga shoqëria e mbyllur dhe represive në një shoqëri të hapur e të mendimit të lirë.

Në fund vendosa t’ia nis këtë shkrim mikut tim të vjetër në SHBA, jo aq për analizë teksti, sesa për t’i kujtuar se që nga koha e zborit, kur ne prisnim pa ndonjë fat të madh të luftonim amerikanët që do vinin si pushtues, deri tani që ai është vetë shtetas amerikan, nuk ka shumë vend për zhgënjim. Dhe nëse ka, protagonistë jemi ne vetë…

Marrë nga revista “Medius”

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Dritëhijet e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë

Publikuar

-

Nga

Nga Mentor Kikia

A duhet të vazhdojmë ta ruajmë idhninë e Perandorisë Osmane, në raportet me Turqinë ne sot?

Padyshim që jo. Sepse nuk e kemi as luksin, mbi të gjitha. Sepse Turqia, sot nuk është perandori, por është fuqi e madhe ekonomike dhe superfuqi ushtarake, duke u bërë shpesh neutralizuese e Greqisë me petendime territoriale gjithandej me fqinjët.

Shqipëria duhet ti atribuojë Pernadorisë Osmane prapambetjen e tmerrshme ekonomike, mungesën e civilizimit(traditave politike, organizimin e shtetit, shoqërisë), mungesën e arsimimit…

Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria ishte vendi më i prapambetur në Europë, ishte një “muze” i mesjetës, ku Europa vinte të shikonte një vend ku koha kishte ngrirë prej 400 vjetësh. Prej Perandorisë, shqiptarët trashëguan edhe besimin islam, i ngulitur sa me dhunë, aq edhe si përpjekje për ti shpëtuar asimilit sllavo-grek.



Por historia nuk zhbëhet, thjeshtë ajo shkruhet dhe lexohet që të mos harrohet.

E megjithatë, në raportet me Turqinë nuk ka vend për të qenë kaq shumë festivë, përtej haresë që këto marrëdhënie kanë në qarqe me ndikim të fortë fetar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Sot Turqia është investitori më i madh në arsimim në Shqipëri, pas shtetit shqiptar. Në Shqipëri dhe në Kosovë, më shumë se në ekonomi, ajo po investon në rigjenerimin e trashëgimisë fetare myslimane.

LEXO EDHE:  A është e rrezikuar siguria e Shqipërisë nga Irani?

LEXO EDHE:  Edith Harxhi “shuplakë” qeverisë/ Dështimi i negociatave, jo për faj të BE-së  

Madje po ndërhyn për të diktuar edhe drejtimin e komunitetit mysliman. Presidenti Erdogan, nuk do ta inaugurojë sërish Xhaminë e Namazgjasë, sepse ajo nuk ka përfunduar (është pezulluar më saktë), pasi nga qeveria u vunë kushte për të dorëzuar Gylenistët, të konsideruar si terroristë nga Ankaraja.

Shqipëria duhet të ruajë marrëdhenie të mira më Turqinë, pa asnjë dyshim. Por ajo duhet të bëjë kujdes vazhdimisht, që ndikimet fetare të mos ngatërrohen në punët e shtetit./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Grigels Muçollari/ Aventura e fundit e Kolonel Bunker  

Publikuar

-

Nga

cna lajme politike

Reporterët e terrenit, kolegët e tyre operatorë por edhe vetë demokratët, cilido përveç administratës së partisë, i ishte ndaluar hyrja në seli. Prej ditësh kishte një kureshtje të madhe për të parë se ç’bëhej brenda kalasë së demokratëve.

Për herë të parë që nga themelimi i PD-së, hyrja në seli bëhej me vizë. Mirëpo një gazetar nuk ia përtoi, gjeti një dritare të hapur dhe me shpejtësinë e një pulitjeje qepallash e demaskoi live Lulzim Bashën, teksa ky i fundit nga një studio televizive po mohonte blindimin e dyerve.

Prandaj imazhet e fortifikimit të selisë blu u shpërndanë rrufeshëm. Një valë reagimesh u përhap si kërpudhë atomike. Paranoja e Bashës ishte derdhur në hekur ngjashmërisht me një parabolë politike të Kujtim Çashkut, e quajtur “Kolonel Bunker”. Filma me bunkerë gjen sa të duash por ky i Çashkut i rri Bashës si një kostum dhëndërie. Sikur të jetë bërë posaçërisht për të.

Për të provuar cilësinë e bunkerit merreshin nja dy a tre ushtarë të regjimit, vendoseshin brenda tij dhe prisnin efektin e predhës që do të binte mbi ta. Le të themi si kavie eksperimentale. Kjo formë primitive të menduari u pa edhe tek ish kryetari ynë.

I pushtuar nga paranoja e humbjes së karriges, Lulzim Basha e shndërroi selinë e partisë në bunkerin e marrëzisë. Thirri një mbledhje për të mos u gjendur vetëm në bunkerin që projektoi. Protesta e demokratëve nisi dhe përfundoi në oborrin e selisë. Historia u përsërit dhe bunkeri tmerroi vetëm ata që u mbajtën peng brenda tij. Historia gjithashtu na mëson se bunkeri është marrëzia e fundit e një politikani. Hitleri për shembull, doli i vetëvrarë nga bunkeri që ndërtoi. Me të drejtë mund t’ju lindin shumë pyetje. Përse një seli partie kthehet në bunker? Cilët janë armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm që do të sulmojnë? Nga kush mbrohet Lulzim Basha dhe përse hyn në bunker? Pyetje që nuk ma merrte mendja se një ditë do të më duhej të digjja neurone për të mos i lënë pa përgjigje. Mendoj se, pa ju lodhur gjatë sytë, kam vetëm një përgjigje për të gjitha.

Lulzim Basha mbrohet nga vota dhe hyn në bunker sepse është pakicë. Është aq e thjeshtë sa është dhe e lexueshme. Në literaturën ushtarake bunkerizimi është taktikë difensive për të zgjatur rezistencën në një përballje të pabarabartë në numër me armikun.



Thënë ndryshe, pala kundërshtare ka më shumë trupa. I ndodhur në këto raporte numrash, Lulzim Basha vendosi ta thellojë krizën politike duke përdorur një taktikë ushtarake. Zero rëndësi ka për Bashën nëse kjo do të prodhonte skizmën më të madhe në partinë që e bëri tre herë ministër dhe kryetar të saj. Mesa duket zero rëndësi ka edhe për mercenarët e tij në bunker, të cilët u panë duke festuar. Pamje që po t’ia tregoje një vizitori të huaj, do të mendonte me të drejtë se PD kishte fituar zgjedhjet dhe po festonte. Por PD nuk i ka fituar zgjedhjet.

LEXO EDHE:  Lajm i mirë për Shqipërinë/ Këshilli Evropian vendos çeljen e negociatave

LEXO EDHE:  Kërcënimet e Presidentit grek ndaj Shqipërisë/ Shpërthen avokati: Vetëm një injorant...

Ka humbur për një shkak madhor, se Lulzim Basha në zgjedhjet e 25 prillit nuk vepronte dot siç vepron me zgjedhjet brenda partisë. Dikush tjetër e ka tagrin për të organizuar zgjedhjet. Basha humb sepse e tmerron përballja reale me votën. Humb sepse është një qylaxhi politik që kërkon pushtet në tavolinë për t’u pleqëruar në bashkëqeverisje me Ramën. Me një ujdi që e nxorri nga Çadra e Lirisë për ta strukur si kungull në sqetullën e Ramës.

Ka vetëm një arsye përse Basha merr vendime personale, bën emërime dhe jo zgjedhje. Sepse kështu shmang votën. Kështu nuk del hapur që është pakicë. Ka vetëm një arsye përse mohoi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit dhe referendumin e 18 dhjetorit. Sepse aty u votua!

Atëherë si mundet që tmerri më i madh i tij të bëhet instrument i zgjidhjes së krizës politike? Përgjigjen e kësaj e dha vetë ai me një deklaratë. Nuk pranoi asnjë dialog, asnjë negociatë, sepse kjo do ta çonte në një përballje me votë, e për rrjedhim pakica do të humbiste. I fundit që reagoi pikërisht për këtë ishte vetë Escobar. Vetëm me një fjali, Escobar na tha se mënyra amerikane e zgjidhjes së krizës politike është vota.

Mëse dakord. Vota shmang dhunën, përplasjet, bunkerizimin dhe bën të qartë një herë e mirë se kush është shumicë e kush jo. Ishte kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, që i ofroi një zgjidhje Bashës; të kandidojë në zgjedhjet që referendumi i hapi rrugën, si një zgjidhje që do të shpëtonte edhe vetë Lulzim Bashën. Por vota të zhvesh maskën, të nxjerr zbuluar. Ai nuk e pranoi dhe nuk ka për ta pranuar ndonjëherë. Projektoi një bunker për t’u mbrojtur prej saj, si për të na thënë se kjo është aventura e fundit e Kolonel Bunker./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Lulzim Basha apo një Bashar al-Asad..???

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nga Rudin Sata 

Kur i qëndron besnik parimeve dhe së vërtetës….!!!

Kur nuk lejon që rrymat egocentriste të dominojnë mbi dinjitetin tënd…

Edhe i vetëm të jesh kur i thua këto të vërteta, ja që vjen një ditë edhe koha ai gjykatësi më i mirë, të jep plotësisht të drejtë.

Ja ku jemi sot…!!!!

Demokratët reflektuan…!!!

Demokratët u zgjuan nga gjumi letargjik dhe kuptuan që po shikonin vetëm ëndrra të bukura nga njeriu-vampir.

1)Ne duhet të shkojmë në shtëpinë e lirisë të gjithë sëbashku, ashtu si qytetar dhe demokratë të vërtetë dhe aty live në sy të kamerave të grisim kartën e anëtarësisë, e cila mban emrin dhe firmën e tradhtarit…!!!

LEXO EDHE:  Ish-deputeti jep alarmin/ Shqipëria në grusht shteti

LEXO EDHE:  Lajm i mirë për Shqipërinë/ Këshilli Evropian vendos çeljen e negociatave



2)Ne…duhet të shkojmë që t’i tregojmë mbarë opinionit botëror se dyert e Partisë Demokratike janë të blinduara dhe se aty qëndron i bunkerizuar Bashar al Asad-i.

3)Qëndroni aty me flamurin kombëtar dhe flamurin e PD-së në duar dhe këndoni himnin kombëtar…

Dhe lereni djallin qe ka hyre brenda ashtu si shejtan.

4)Shkoni aty dhe ndizni nga një qiri…për të larguar shpirtrat e këqinj…!!!

5)Shkoni aty dhe hidhni tufa me lule .

6)Ajo godinë është pushtuar nga djalli dhe ka nevojë për egzorxizma…!!!

Vetëm kështu duke e kthyer atë ditë si një ditë feste…do shikoni se djalli do të dali nga shtëpia…!!!/CNA.al

LEXO TE PLOTE