LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Republika e Moldavisë/ Reforma delikate në sistemin e drejtësisë dhe presione ruse

3 Dhjetor 2021, 07:53, Kosova & Bota CNA
Republika e Moldavisë/ Reforma delikate në sistemin e

Për tri dekada me radhë Republika e Moldavës ka qenë një shtet midis premtimeve të pambajtura për zhvillimin e reformave dhe korrupsionit të shfrenuar politik. Ekzemplar për këtë është e ashtuquajtura ?vjedhja e miliardit”, në nëntor 2014. Në vendin e drejtuar nga një qeveri e zgjedhur proeuropiane, një rrjet politikanësh dhe biznesmenësh morën me ndihmën e gjykatësve të korruptuar një miliardë dollarë nga tre banka moldave. Para, pjesa më e madhe e të cilave ka mbetur e zhdukur deri tani dhe për të cilat asnjë nga përgjegjësit kryesorë nuk është dënuar.

Por Republika e Moldavisë, që e pushtuar dikur nga sovietikët fitoi pavarësinë në gusht 1991, ka që prej një viti me Maia Sandun një presidente reformuese, që kryeson një qeveri reformuese me kryeministren Natalia Gavrilita, të krijuar tre muaj më parë. Pushtetarët e rinj jo vetëm që kanë premtuar të zhvillojnë reforma gjithëpërfshirëse, por edhe kanë filluar me zbatimin e tyre.

Në Europën perëndimore njerëzit mund të kenë vështirësi të dinë ku ndodhet gjeografikisht Republika e Moldavisë. Por projekti reformues i vendit me tre milionë banorë, që ndodhet midis Rumanisë dhe Ukrainës, është me rëndësi të madhe për politikën europiane. Sepse Republika e Moldavisë ndodhet në kufirin e jashtëm të BE dhe që prej tre dekadash është kthyer në skenë të një konflikti të ngrirë me rajonin separatist të Transilvanisë, në të cilin ndodhen të stacionuara edhe sot ushtria ruse dhe një arsenal i madh armësh të ish-Bashkimit Sovjetik. Rusia provon herë pas here në Moldavi politikën e saj agresive. Përveç kësaj vendi është qendër për larje parash ruse në sasi miliardash. Dhe vendi vuan nga eksodi i banorëve të vet, si asnjë vend tjetër europian.

A mund të ketë sukses një projekt reformash në një situatë të tillë? Kjo pyetje ishte temë e një konference të Shoqatës për Europën Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft (SOG))  të mbajtur javën e kaluar në Berlin. Aty u mblodhën përfaqësues të qeverisë moldave, të organizatave joqeveritare, juristë, ekspertë të ekonomisë. Deutsche Welle foli me disa prej tyre lidhur me tre muajt e parë të politikës reformuese në vend.

Qeveria e kryeministres Natalia Gavrilita, një ekonomiste dhe eksperte administrate, filloi punën në fillim të muajit gusht. Një muaj më parë ishin zhvilluar zgjedhje, të cilat i fitoi partia Aksion dhe solidaritet (PAS), e themeluar në vitin 2015 nga presidentja e sotme, Sandu. Kjo ishte hera e parë, që prej majit 1991, që një parti reformatore proeuropiane arriti të merrte shumicën absolute në zgjedhje parlamentare.

Qeveria e Gavrilitas dhe fraksioni i PAS në parlament vunë kohë rekord për reformën e drejtësisë. Në fillim të muajit shtator hyri në fuqi një ligj që mundëson evaluimin e pavarur të punës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe zëvendësimin e tij në rast të ?punës së pamjaftueshme”.  Pak më vonë parlamenti aprovoi reformën për emërimin e gjykatësve të thjeshtë dhe për krijimin e Gjykatës së Lartë (CSJ) dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë (CSM), organit vetadministrativ të drejtësisë. Synimi ishte zvogëlimi i ndikimit politik mbi gjykatësit. Së fundmi u fut në përdorim një rregull i ri për frenimin e larjes së parave.

Sekretari i shtetit në ministrinë e Drejtësisë, Iulian Rusu, është i kënaqur me gjendjen e deritanishme në reformën e drejtësisë. Për Deutsche Wellen ai thotë se është duke u punuar ende në pjesën më të rëndësishme të saj, në kontrollin sistematik të pasurive dhe mënyrës së jetesës së rreth 8 mijë gjykatësve dhe prokurorëve si dhe familjeve të tyre. Nëse ka mospërputhje midis të ardhurave zyrtare dhe pasurisë faktike, atëherë personat në fjalë duhet të largohen nga sistemi i drejtësisë. ?Besimi tek drejtësia është shumë i vogël në vendin tonë,” thotë Rusu. “Kjo nxit qytetarët të largohen, tremb investitorët dhe rrezikon në fund të fundit ekzistencën e shtetit tonë.”

Nuk është çudi që reforma e drejtësisë nuk gjen aprovim tek ish-pushtetmbajtësit, mes të cilëve socialistët prorus, që kanë qeverisur deri në muajin korrik. Por kritika vijnë edhe nga ekspertë të pavarur. ?Në fillim duhej të ishte bërë përgatitje më e mirë dhe diskutim më i mirë me shoqërinë civile”, thotë me kujdes Iulian Groza, drejtori i Institutit për Politikën Europiane dhe Reformat (IPRI). Më troç flet politologu Dionis Cenusa, i cili punon për një grup ekspertësh moldavë. Ai thotë se ligjet e reja të drejtësisë nuk pritën të merrnin ekspertizat nga Komisioni i Venedikut të Këshillit të Europës, gjë që do i kishte dhënë legjitimitet më të madh procesit të reformave.  “Nganjëherë të krijohet përshtypja se pushtetmbajtësit e rinj ndjekin moton, sipas të cilës rregullat janë për kohëra më të mira,” thotë Cenusa për DW.

 

Cenusa përmend po ashtu shembullin e Prokurorit të Përgjithshëm, Alexandr Stoianoglo, të arrestuar në muajin tetor. Kishte kohë që ekzistonin dyshimet se ai pengonte hetimet për korrupsion. Roli i Stoianoglo-sit ishte i dyshimtë, thotë Cenusa, “por mënyra se si u zëvendësua ai dhe si u ngrit akuza kundër tij ngre shumë pyetje”. Politologu kërkon që pushtetmbajtësit e rinj të respektojnë me rigorozitet rregullat e shtetit të së drejtës.

Në mes të aksioneve për zhvillimin e reformave në politikën e brendshme, Republika e Moldovës ngeci disa javë më parë në një krizë për gazin. Koncerni shtetëror rus, Gazprom, njoftoi se pas mbarimit të kontratës në muajin shtator, do ta furnizojë Moldavinë me gaz sipas çmimeve të tregut botëror dhe zgjati afatin për shlyerjen e borxheve të vjetra. Deri në fund të muajit shtator, Republika e Moldavisë paguante 150 dollarë për një mijë metër kub gaz, pas kësaj date duhet të paguante 800 dollarë. Një çmim që ky vend i varfër nuk ishte në gjendje të paguante.

Rusia e ka mbyllur rubinetin e gazit, sa herë që Republika e Moldavisë nuk vepronte politikisht siç dëshironte Kremlini. Edhe kësaj here, thonë vëzhguesit, mbas krizës së gazit fshihen motive politike. Sepse Republika e Moldavisë, që ka pasur për vite me radhë marrëdhënie të ftohta me Bashkimin Europian, i ka intensifikuar shumë raportet dhe nuk lë vend për të dyshuar se synon integrimin europian. Kjo me sa duket nuk i pëlqen Moskës. Në Moskë është kritikuar shpesh se presidentja moldave Maia Sandu ka dënuar aneksimin e Krimesë.

Nuk ka front tjetër në politikën e jashtme

Në fund të muajit tetor qeveria moldave nënshkroi një kontratë të re pesëvjeçare me Gazprom dhe do të paguajë tani 400 dollarë për një mijë metër kub gaz. Ajo që bie në sy është se marrëveshja u shoqërua me zbutjen e qartë të tonit deri tani të vetësigurt të presidentes moldave dhe të qeverisë, kundrejt Kremlinit. Kurrkush nuk thotë më se marrëdhëniet moldavo- ruse duhen ?balancuar”, gjestet e anëtarëve të qeverisë moldave kundrejt Moskës i tregojnë ata të bindur deri në servilë.

Ekspertët moldavë kritikojnë se kriza e gazit në Republikën e Moldavisë është shkaktuar pjesërisht vetë, sepse presidentja dhe qeveria nuk ishin në gjendje të kujdeseshin në kohën e duhur për të zhvilluar bisedimet për kontratën e re, ende pa kaluar afati i kontratës së furnizimit. “Mund ta quash joprofesionalizëm, injorancë apo marrëzi,” thotë Igor Munteanu, ish ambassador i Moldavisë në SHBA, dhe aktualisht docent në Akademinë Moldave për studimet ekonomike. Për qëndrimin rezervues ndaj Moskës, Munteanu tregon mirëkuptim ? për shkak të axhendës së vështirë në politikën e brendshme, qeveria nuk do që të hapë një front të ri në politikën e jashtme.

Bindja se kështu duhet të jetë, të krijohet edhe kur dëgjon përgjigjen e kryeministres moldave Natalia Gavrilita të pyetur për krizën e gazit. Javën e kaluar Gazprom i vendosi një ultimatum të ri Republikës së Moldavisë duke i thënë të paguajë borxhet për furnizimin me gaz në tetor dhe nëntor, përndryshe Gazprom do të ndalojë furnizimin. Qeveria bëri menjëherë pagesën. Pyetjes së Deutsche Welles nëse kjo ishte një manovër e re për të ushtruar presion Gavrilita i përgjigjet: “Unë ia lë ekspertëve të bëjnë vlerësimet, ne si qeveri nuk duhet të flasim për presione”. “Ne duhet të jemi pragmatikë dhe të vazhdojmë politikën tonë pragmatike në marrëdhëniet me Rusinë.”/DW

Lajmet e fundit nga