Connect with Us

Çfarë ndodh nëse qëndrojmë shumë kohë pa fjetur?

Blog

Çfarë ndodh nëse qëndrojmë shumë kohë pa fjetur?

Publikuar

-

/
cna lajme blog

Kur Rendi Gardner u bë pjesë e panairit shkencor në shkollën e tij të mesme në vitin 1963, ai donte të bënte diçka të pazakontë. Ideja e tij ishte të thyente rekordin botëror për qëndrimit më gjatë pa gjumë, duke ia dalë të qëndronte plot 11 ditë.

Ai e realizoi këtë me ndihmën e 2 miqve të tij, por qëndrimi 264-orë zgjuar bëri që Gardner të përjetonte simptomat shqetësuese të mungesës së gjumit:si problemet me kujtesën, ulje të aftësive motorike, madje të kishte edhe halucinacione.

Shumë prej nesh kanë përjetuar disa versione të mungesës së gjumit, si për shembull qëndrimi deri natën vonë zgjuar për të përfunduar një detyrë kursi, apo pjesëmarrja në një festë. Të nesërmen ndihemi të përgjumur, të plogësht dhe shumë nervozë. Por çfarë ndodh kur netët pa gjumë bëhen 2, 4 apo edhe 11?

Me gjithë praninë e tij të kudondodhur tek njerëzit dhe kafshët e tjera, gjumi mbetet ende një mister për shkencëtarët. “Unë jam i magjepsur nga gjumi, pasi ai zë një pjesë shumë të madhe të jetës sonë dhe megjithatë nuk është kuptuar plotësisht”- thotë Brendan Lusej, profesor i asociuar i neurologjisë dhe drejtor i Divizionit të Mjekësisë së Gjumit në Universitetin e Uashingtonit në Sent Ljuis, Misuri, SHBA.

Lusej thotë se ndërsa shkencëtarët nuk e dinë saktësisht pse evoluoi gjumi, ata teorizojnë se roli i tij në funksionin e trurit, konsolidimin e kujtesës dhe metabolizmin, ka çuar në ruajtjen e tij tek të gjithë speciet. Ne e kalojmë rreth 1/3 e jetës sonë duke fjetur, dhe e dimë se gjumi është thelbësor, kur shohim se çfarë ndodh kur qëndrojmë gjatë pa fjetur.

Humbja e koordinimit dhe e gjykimit të mirë pas vetëm një nate pa gjumë, është i krahasueshme me atë që vërehet tek një person me një nivel alkooli në gjak prej 0.10 për qind mbi kufirin ligjor për të drejtuar një mjet në shumicën e shteteve të botës. Ndërsa netët pa gjumë grumbullohen, ne shfaqim simptoma gjithnjë e më të çuditshme.

24 orë pa gjumë

Ju mund ta dini shumë mirë se një natë pa gjumë mund të shkaktojë lodhje, konfuzion mendor, dridhje të trupit, nervozizëm dhe ulje të koordinimit. Ky privim i lehtë redukton gjithashtu fluksin e gjakut dhe metabolizmin në korteksin paraballor të trurit (që është përgjegjës për arsyetimin e nivelit më të lartë si vëmendja, zgjidhja e problemeve dhe vendimmarrja).

Ndjesia jonë e nuhatjes është e lidhur me këtë rajon. Ndaj një studim zbuloi se pas 24 orësh zgjuar, njerëzit kishin vështirësi në dallimin midis aromave të zakonshme si pica, ananasi dhe bari.

48 orë pa gjumë

Pas 2 ditëve pa gjumë, trupi i njeriut nis që të përjetojë simptoma fizike të mungesës së gjumit. Sistemi imunitar ndikohet direkt. Sipas një studimi, qelizat vrasëse natyrore (përgjegjëse për luftimin e tumoreve dhe viruseve) bien me rreth 37 për qind pas vetëm 48 orëve pa gjumë.

Ndërkohë mund të shfaqen halucinacione vizuale. Qëndrimi gjatë pa fjetur mund të formojë imazhet të gabuara në retinat tona të syve. Halucinacionet mund të jenë gazmore, si për shembull dhoma ku ndodhesh mund të duket më e madhe nga sa është në të vërtet, por edhe të frikshme sa shfaqja e papritur e një personi apo një kafshe imagjinare.

72 orë pa gjumë

Në këtë pikë, trupi juaj do të fillojë të gjejë mënyra për t’ju detyruar që të humbni vetëdijen. Mikro-përgjumjet janë shpërthime të pavullnetshme të gjumit që zgjasin nga 1 deri në 30 sekonda. Shpesh, ju nuk jeni të vetëdijshëm se po i përjetoni ato. Ato mund të jenë të rrezikshme nëse jeni duke ngarë makinën.

LEXO EDHE:  Studimi/ Njerëzit që vuajnë nga pagjumësia, 17% më të rriskuar për tu prekur nga diabeti tip 2

Ndoshta ju mund të keni përjetuar një mikro-gjumë më të padëmshëm gjatë orës së mësimit ose një takimi. Gjumi tjetër i detyruar shfaqet në leximet e EEG:valët delta (që lidhen me gjumin e thellë) janë zbuluar në trurin e njerëzve me një mungesë të rëndë të gjumit, por që janë plotësisht të ndërgjegjshëm.

96 orë ose më shumë pa gjumë

Në këtë fazë, ju mund të zhyteni në një gjendje që i ngjan psikozës. Mund të përjetoni iluzione, duke imagjinuar se fqinji juaj po komploton vrasjen tuaj, apo të bindeni sikur jeni pjesë e një mision ushtarak sekret. Tingujt e imagjinuar dhe ndjesitë e prekjes, gjallojnë në ndërgjegjen tuaj. Ju mund të ndiheni si të shkëputur nga vetja dhe të tjerët, një gjendje e quajtur depersonalizim. Në atë gjendje, ju nuk mund ta interpretoni saktë realitetin tuaj.

A vret privimi nga gjumi? 

Fatmirësisht, njerëzit me mungesë të theksuar të gjumit, mund të shërohen plotësisht nga këto simptoma, me një fjetje të mirë gjatë natës që pason. Por nëse privimi i gjumit vazhdon pafundësisht? Gardner tregoi ndoshta kufijtë e sipërm të privimit të gjumit që mund të përballojë njeriu. Por një çrregullim i rrallë gjenetik, i quajtur pagjumësia familjare fatale (FFI), e kalon atë prag.

Duke prekur më pak se 1 person për 1 milion banorë çdo vit, FFI është një sëmundje e karakterizuar nga një grumbullim i proteinave të palosura gabim në tru. Duke filluar me pagjumësinë e lehtë në moshën e mesme, sëmundja përparon me shpejtësi deri në humbje të plotë të gjumit, e pasuar nga përkeqësimi i rajoneve të trurit përgjegjës për funksionet thelbësore si frymëmarrja dhe rregullimi i temperaturës, duke shkaktuar në fund koma dhe vdekjen.

Si të bëni gjumë më të mirë

Ndërsa privimi i lehtë nga gjumi nuk do t’ju marrë jetën, ai mund të ketë efekte të dëmshme për shëndetin. “Gjumi ka ndikim tek shumë sisteme të trupit, thotë Lusej. Pagjumësia, apnea obstruktive e gjumit dhe puna me turne natën, janë shkaqe të zakonshme të mungesës së gjumit dhe lidhen me një rrezik më të madh të sëmundjeve të zemrës, presionit të lartë të gjakut, diabetit të tipit 2, obezitetit dhe sëmundjes së Alzheimerit.

Atëherë çfarë mund të bëni për të pasur sasinë e duhur të gjumit? Sara Benxhamin, eksperte në Qendrën për Gjumin në Universitetin Xhon Hopkins, i ndihmon njerëzit që të kapërcejnë problemet me gjumin. Pas identifikimit dhe trajtimit të çrregullimeve fiziologjike të gjumit, Benxhamin thotë se gjumi i mirë përfundon duke u bërë një rutinë.

“Shumica e njerëzve flenë më mirë në një orar të caktuar”- thotë ajo. Kjo do të thotë që të shkosh në shtrat dhe të zgjohesh në të njëjtën kohë çdo ditë. Po ashtu Benxhamin, thotë se është mirë të keni një periudhë relaksimi para gjumit:pra një periudhë kur ndaloni së bëri gjëra produktive, kur hiqni sytë nga ekranet dhe kur nisni të relaksoheni.

“Në jetën tonë ka kaq shumë gjëra që diktojnë përditshmërinë tonë, dhe ju duhet ta shihni  gjumin po aq të rëndësishëm sa çdo gjë tjetër që bëni për shëndetin tuaj”- thekson ajo. Në vitin 1989, Libri i Rekordeve Botërore Gines ndërpreu garën për vendosjen e kohës së qëndrimit më gjatë pa gjumë, duke përmendur si arsye problemet shëndetësore për pjesëmarrësit. Ndonëse që atëherë shumë të tjerë e kanë thyer rekordin e tij, 264 orët pa gjumë të Gardnerit, mbeten ende rekordi zyrtar i Librit të Rekordeve.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.discovermagazine.com/health/what-happens-when-we-go-without-sleep

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pesë metoda natyrale për të përmirësuar kujtesën tuaj

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Kujtesa është procesi i ruajtjes dhe marrjes së informacionit në trurin tonë. Në cilësinë e saj ndikojnë shumë faktorë, duke përfshirë moshën, dëmtimet e ndryshme, dhimbjen, gjumin dhe stresin. Angazhimi i trurit tonë, është një pjesë përbërëse e funksionit të kujtesës, dhe për ta bërë këtë ka shumë mënyra.

Të mësuarit e një gjuhe apo e një aftësie të re, të mësuarit e një instrumenti muzikor, apo zgjerimi i fjalorin tuaj mund të forcojnë kujtesën. Në këtë mënyrë mund të rritet edhe ndërveprimi juaj social. Edhe më e thjeshtë është ulja e sasisë së sheqerit që konsumoni çdo ditë, dhe ngrënia e më pak ushqimeve që shkaktojnë pasoja inflamatore në trup. Ja cilat janë 5 metodat natyrale për përmirësimin e kujtesës tuaj.

Hani në një mënyrë më të shëndetshme

Konsumimi i ushqimeve të shëndetshme, është i mrekullueshëm si për trupin ashtu edhe mendjen tuaj. Përveçse na ndihmojnë në gjendjen tonë shpirtërore, por edhe tek përqendrimi mendor, ushqimet e shëndetshme janë jetike edhe për kujtesën tonë.

Për shembull është vërtetuar se boronicat e shtojnë fluksin e gjakut në zonat e trurit që lidhen me kujtesën. Një studim krahasoi rezultatet në testet e kujtesës të kryer mbi fëmijët që pinin rregullisht lëngje me manaferra, krahasuar me ata që nuk i pinin ato.

Pas disa muajsh, studiuesit zbuluan se ata që pinin lëngje me manaferra. kishin rezultate më të larta në teste sesa pjesëtarët e eksperiment në një grup placebo. Studime shtesë me fëmijët që pinin lëngje manaferrash, treguan një përmirësim në testet e kujtesës, në krahasim me ata që pinin lëngje pa përmbajtje manaferre.

Përveç kësaj, peshqit yndyrorë – si salmoni, sardelet dhe harenga – kanë nivele të larta të acideve yndyrore omega-3, duke përfshirë DHA, që dihet tashmë se çon në përmirësimin e kujtesës. Arrat e përmirësojnë funksionin njohës, duke përfshirë kujtesën, për shkak të përmbajtjes së tyre të acidit Alfa Linolenik.

Dhe një lajm i mirë për njerëzit që e duan kafenë e mëngjesit:Studiuesit zbuluan se kafeina e forcon kujtesën, kur pjesëmarrësit u testuan me nivele kafeine prej 200 miligramë, pra sa  ekuivalenti i kafeinës që gjendet në rreth 2 filxhanë kafe.

Zgjidhni fjalëkryqe dhe enigma

Kur të rriturit në moshë madhore përfshihen rregullisht në zgjidhjen e fjalëkryqeve apo enigmave me fjalë dhe numra, si për shembull loja e Sudokut, ata dalin më mirë në një sërë testesh të funksionit të trurit, përfshirë edhe ato që bazohen tek kujtesa.

Studiuesit llogaritin se në mesin e njerëzve që merren rregullisht me zgjidhjen e këtyre lloj lojërash, funksioni i trurit në lidhje me kujtesën afatshkurtër. llogaritet të jetë të paktën 8 vjet më i ri sesa mosha e tyre aktuale.

Nuk jeni shumë të aftë në enigmat e fjalëve apo numrave? Atëherë provoni mozaikët që formohen nga bashkimi i pjesëve të figurave. Këto lloj lojërash prekin proceset njohëse vizualo-hapësinore, përfshirë kujtesën episodike dhe kujtesën e punës.

Kjo ndodh sepse kur zgjidhim një enigmë me bashkim të pjesëve të figurës, ne përdorim kujtesën tonë për të kujtuar aspekte të tilla si madhësitë dhe format, dhe të imagjinojmë se ku përshtaten ato. Kjo ndihmon në përmirësimin e kujtesës afatshkurtër.

LEXO EDHE:  Zjarret në vend/ EC japin informacion: Në 24 orët e fundit janë konstatuar 5 vatra

LEXO EDHE:  Policia e Tiranës bën “namin”/ 20 shtetas bien në pranga brenda 24 orëve, arsyeja

Por lojërat me mozaikë kanë edhe përfitime të tjera, përfshirë reduktimin e stresit, përmirësimin e humorit, përmirësimin e aftësive për zgjidhjen e problemeve, dhe rritjen e Koeficientit të Inteligjencës (IQ).



Flini më shumë gjumë

Funksioni i kujtesës përbëhet nga 3 pjesë:Përvetësimi, përjetimi ose mësimi i diçkaje të re; konsolidimi, procesi i integrimit të atij informacioni të ri në tru, pra i ruajtjes së kujtesës; dhe rikujtesa, pra qasja tek informacioni i ruajtur.

Të dhënat shkencore, sugjerojnë se një sërë fazash të gjumit ndikojnë në aspektin e konsolidimit të kujtesës. Dhe privimi nga gjumi ndikon negativisht tek ajo. Kur njerëzit

nuk flenë mjaftueshëm, truri nuk ka mundësi të mjaftueshme për të krijuar shtigje me synim konsolidimin e informacionit të ri që keni mësuar.

Shpesh cilësia e gjumit bie gjatë procesit të plakjes, për shkak të një kohe më të paktë të gjumit me valë të ngadalta (i njohur edhe si gjumë i thellë). Ndërsa korteksi medial paraballor përkeqësohet me kalimin e kohës, dhe është më e vështirë të arrihet tek gjumi i thellë. Kjo bën që të moshuarit të kenë shpesh probleme me përpunimin e kujtesës.

Stërvituni më shumë fizikisht

Ne e dimë se stërvitja fizike sjell shumë përfitime për trupin tonë, përfshirë rritjen e energjisë, rënien në peshë, rritjen e kolesterolit të mirë (HDL) dhe uljen e triglicerideve. Por me ushtrimet fizike, lidhen edhe përfitimet në aspektin e kujtesës.

Kështu është vërtetuar se stërvitja fizike e redukton inflamacionin dhe rezistencën ndaj insulinës, ndërsa çliron kimikate që mbështesin shëndetin e qelizave të trurit. Korteksi i përkohshëm paraballor dhe ai medial, që kontrollojnë kujtesën, kanë vëllim më të madh

tek ata që ushtrohen rregullisht.

Një studim nga Qendra Mjekësor e Univërsitetit Jugperëndimor të Teksasit, zbuloi se njerëzit që stërviten kanë një fluks më të madh të gjakut në tru, gjë që e përmirëson ndjeshëm kujtesën.

Pas një viti, pjesëmarrësit në studim që ushtroheshin fizikisht, patën një përmirësim 47 për qind në rezultatet e kujtesës, krahasuar me ata që praktikonin vetëm shtriqjen e muskujve. Edhe skaneri i trurit zbuloi rritje të fluksit të gjakut në hipokampus dhe korteksin cingulat anterior. Që të dyja këto rajonet, janë pjesë përbërëse e funksionit të kujtesës.

Praktikoni meditimin

Kujtesa afatshkurtër ndikohet negativisht nga ndërhyrja pro-aktive, pra procesi kur kujtimet më të vjetra ndërhyjnë në aftësinë tuaj për të kujtuar kujtimet e kohëve më të fundit. Rezultatet nga një studim ku u përdor meditimi për një muaj, zbuloi se pjesëmarrësit që e praktikuan teknikën kishin më pak ndërhyrje pro-aktive, duke treguar një kujtesë afatshkurtër më të mirë.

Një tjetër studim mbi njerëzit me probleme të kujtesës, u kërkoi pjesëmarrësve ose të meditonin, ose të dëgjonin një koncert të Mozartit për 12 minuta në ditë. Në fund të 2 muajve, ata zbuluan se grupi i meditimit e kishte rritur fluksin e gjakut në lobet cerebral frontale dhe parietale, të cilat lidhen me rikthimin e kujtimeve. Ndërsa grupi që dëgjoi muzikë, nuk arriti të njëjtin nivel përmirësimi.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Dhjetë konfliktet që do diktojnë zhvillimet ndërkombëtare gjatë këtij viti

Publikuar

-

Nga

Nga Mauro Indelicato “Il Giornale”

Viti i ri po rikthen konfliktet e vjetra. Pas Vitit të Ri, politika ndërkombëtare duhet të merret me modelet politike dhe ushtarake të trashëguara nga viti 2021. Në 12 muajt e ardhshëm do të ketë të paktën 10 situata shumë të nxehta që duhen monitoruar.

Tensionet SHBA-Kinë

Për momentin, sfida kryesore sot për sot që është më shumë politike sesa ushtarake, po zhvillohet në Paqësor. Vitin e kaluar u nënshkrua marrëveshja AUKUS midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Australisë.

Synimi kryesor i saj është të krijojë një aleancë të aftë për të frenuar synimet kineze në rajon. Ky vit mund të sjellë një përplasje direkte në Tajvan, ku gjendet një prani e madhe e trupave amerikane, ndërsa afër ishullit kinezët kanë kryer muajt e fundit shumë manovra më avionët dhe anijet e tyre.

Ukraina dhe lufta në Donbas

Viti që sapo ka përfunduar është shoqërua me një përshkallëzim të tensioneve. Ushtria ukrainase ka marrë nën kontroll “zonat tampon” të krijuara nga Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014. Nga ana e saj, Moska i ka dhënë dritën jeshile vendosjes së qindra mijëra ushtarëve të saj përgjatë kufirit. Në dhjetor, një bisedë telefonike midis presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Xho Bajden, i ka ulur disi tensionet. Por mundësia e një konflikti të drejtpërdrejtë midis Moskës dhe Kievit është ende shumë e fortë.

Afganistani dhe rikthimi i terrorizmit

Në gushtin e vitit të kaluar, Talebanët rifituan pushtetin në Afganistan pas 20 vitesh. Por konflikti afgan nuk mund të konsiderohet si i përfunduar. Kjo pasi Talebanët po përballen me probleme të ndryshme, të cilat mund të destabilizojnë vendin në muajt e ardhshëm.

Krizës ekonomike i shtohet sfida e ISIS. Bllokada ekonomike dhe alarmi i rikthimit të terrorizmit, mund ta përshpejtojnë destabilizimin e ri të Afganistanit.

Kazakistani dhe Azia Qendrore

Shkaqet e trazirave që filluan në këtë vend të Azisë Qendrore në fillim të këtij vitit, janë të vjetra  Dhuna e protestave, i befasoi autoritetet. Kundërpërgjigja e ashpër e qeverisë mund ta kthejë situatën në normalitet, por nga ana tjetër mund të çojë në një përplasje edhe më të ashpër midis të njëjtave autoritete dhe grupeve rebele.

Këta të fundit, falë edhe grabitjeve të kazermave dhe komisariateve të policisë, kanë në dispozicion shumë armë dhe municione. Çdo destabilitet në Kazakistan do të kishte pasoja të mëdha për disa arsye. Para së gjithash, do të ishte një problem shumë serioz për Rusinë brenda hapësirës ish-sovjetike. Së dyti, ai mund të destabilizojë edhe vendet fqinje.

Destabiliteti në Libi

2021 duhej të ishte viti i zgjedhjeve në Libi. Por nuk pati negociata dhe dështimi i procesit zgjedhor mund të përfaqësonte prologun e një faze të re destabiliteti. Vendi është ende shumë i fragmentuar, si në nivelin politik po ashtu edhe në atë ushtarak.

Që nga marsi i vitit të kaluar ka një qeveri të unitetit kombëtar, por njëkohësisht nuk ka qartësi për strukturën aktuale institucionale dhe kontrolli real i territorit u është besuar milicive të të gjitha llojeve. Pas më shumë se 10 vjetësh që prej vdekjes së Muamar Gadafit, dita e një rifillimi në shkallë të gjerë të luftës nuk është aq e largët.

LEXO EDHE:  Policia e Tiranës bën “namin”/ 20 shtetas bien në pranga brenda 24 orëve, arsyeja

LEXO EDHE:  Maqedonia e Veriut nuk gjen paqe/ 4 viktima dhe 126 të infektuar me Covid në 24 orë



Lufta kundër Tigraj në Etiopi

Deri tani lufta e nisur që në fundin e vitit 2020, ka shkaktuar mijëra të vdekur. Konflikti zhvillohet midis forcave qeveritare dhe atyre që lidhen me organizatën rebele “Tigrat TPLF” në rajonin verior Tigraj. Kur lufta hyri në fazën e saj më delikate, qeveria etiopiane është mbështetur tek Kina dhe Turqia.

Që nga fundi i dhjetorit të kaluar nuk ka pasur më përleshje. Qeveria ka rimarrë të gjitha territoret e humbura në muajt e mëparshëm, por rebelët kanë mbajtur kontrollin e kryeqytetit rajonit Makale. Por këtë vit luftimet mund të rikthehen edhe më fuqishëm se me parë, me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e rajonit.

Konflikti i pafundmë në Siri

Për Sirinë flitet aktualisht pak në media. Por lufta aty është ende shumë e pranishme, dhe e aftë të shkaktojë në çdo moment jo pak probleme në nivel ndërkombëtar. Qeveria e Bashar Al Asadit, e mbështetur nga Rusia, ka marrë prej kohësh kontrollin e të gjitha qyteteve kryesore.

Por provinca e Idlibit është ende në duart e forcave ekstremiste dhe pro-turke. Për këtë arsye konflikti do të përfshijë ende një dialog intensiv midis Moskës dhe Ankarasë, dhe ekuilibri i ardhshëm do të varet nga negociatat Putin-Erdogan.

Konflikti Iran-SHBA dhe negociatat mbi programin bërthamor

Pesë vjet pas marrëveshjes së parë dhe 4 vjet pas zgjedhjes së Donald Trump për të nxjerrë SHBA-në nga ajo marrëveshje, Teherani dhe Uashingtoni po provojnë sërish rrugën e dialogut në Vjenë. Por planet për një sulm të SHBA-së mbi territorin iranian nuk janë anuluar kurrë plotësisht.

Pas përplasjes mes iranianëve dhe amerikanëve qëndron hija e izraelitëve. Shteti hebre

është i shqetësuar për programet e pasurimit të uraniumit nga Republika Islamike dhe ka bombarduar vazhdimisht objektivat iraniane në Siri në fund të vitit 2021.

Lufta e harruar në Jemen

Këtu lufta vazhdon që nga viti 2015, kur Arabia Saudite nisi sulmin mbi milicitë Huthi, që kanë lidhje me Iranin dhe ia dolën vitin e kaluar të pushtonin kryeqytetin e Jemenit Sana. Konflikti ka shkaktuar pasoja të rënda humanitare. Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite është shpërbërë pjesërisht, dhe nuk ka arritur objektivat e përcaktuara politike dhe ushtarake. Konflikti u përshkallëzua në javët e fundit të 2021, dhe situata mbetet e nderë edhe për këtë vit 2022.

Izrael-Palestinë, dhe tensionet që nuk janë zbutur asnjëherë

Vitin e kaluar, për pak sa nuk nisi Intifada e Tretë, ndërsa Rripi i Gazës përjetoi skenat e luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Gjithçka nisi me protestat e palestinezëve kundër shpronësimeve në pjesën e vjetër të Jeruzalemit. Hamas lëshoi shumë raketa në drejtim të Izraelit, duke shkaktuar si kundërpërgjigje sulmet ajrore izraelite mbi Rripin e Gazës. Tensioni në rajon mbetet ende shumë i lartë edhe këtë vit.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Si funksionon radari/ Teknologjia që u bë e famshme nga Lufta e Dytë Botërore

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Radari ishte ndër zbulimet më të rëndësishme teknike të Luftës së Dytë Botërore. Kjo teknologji e ndihmoi Britaninë dhe aleatët e saj që të dilnin fitimtarë gjatë Betejës së Britanisë, luftës ajrore të zhvilluar mbi qiellin britanik midis aleatëve dhe Gjermanisë naziste në vitin 1940.

Radar, që është një shkurtesë e “Radio Detection and Ranging”, është një sistem zbulimi që përdor valët e radios për të lokalizuar objektet. Kjo pajisje përdoret gjerësisht ende sot, por ndërsa teknologjia ka avancuar, radarët shpesh përdorin mikrovalët.

Këto të fundit gjenden në skajin më të lartë të frekuencës së spektrit të radiovalëve, dhe ofrojnë lexime më të sakta. Edhe pse u bë shumë e njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo teknologji nisi të ekzistojë shumë më herët, dhe u përqendrua rreth studimit të valëve elektromagnetike (EM).

Rrezatimi EM, është një formë e energjisë që gjendet kudo dhe mund të marrë forma të ndryshme, si radio-valët, mikrovalët, rrezet X, rrezet gama dhe ultravjollcë (ato të Diellit).

Po ashtu, valët EM përbëjnë edhe bazën se si funksionojnë telefonat celularë dhe rrjetet kompjuterike me valë.

Dhe në vitin 1885, ishte fizikani skocez Xhejms Maksuell, ai që hodhi i pari idenë se ndoshta valët e radios mund të reflektoheshin nga objekte metalike, ashtu siç bënin valët e dritës. Disa vite më vonë, fizikani gjerman Hajrih Herc u përpoq që ta vërtetonte këtë hipotezë.

Në një eksperiment që ai kreu në vitin 1888, zbuloi se ato reflektonin vërtet duke u kthyer pas. Si personi i parë që zbatoi teoritë e Maksuell, njësia e frekuencës së një valë EM u emërua 1 Herc sipas emrit të tij.

Në vitin 1904, inxhinieri gjerman Kristian Hulsmajer mori një patentë për atë që u quajt “një detektor pengesash dhe një pajisje për lundrimin e anijeve”. Nuk ishte një emër tërheqës, megjithatë kishte lindur një lloj sistemi i hershëm i radarëve.

Pavarësisht kësaj, vetëm në vitet 1930 lindi një nevojë e madhe për përdorimin e kësaj teknologjie, kryesisht për shkak të shpikjes së avionëve bombardues me rreze të gjatë, gjë që i shtyu vendet të investonin shumë mbi një sistem që mund të zbulonte afrimin e tyre dhe të jepte paralajmërim të hershëm.



Të gjitha fuqitë e mëdha botërore në atë kohë vazhduan kërkimet për këtë qëllim, por ishin SHBA dhe Britania e Madhe, ato që arritën ta përsosnin këtë teknologji. Fizikanti skocez, Sër Robert Uotson-Uot, i njohur edhe si “babai i radarit”, krijoi sistemin që përbën bazat e radarëve të sotëm.

LEXO EDHE:  Situata e zjarreve në vend/ Rama bën bilancin e 24 orëve të fundit

LEXO EDHE:  Studimi/ Njerëzit që vuajnë nga pagjumësia, 17% më të rriskuar për tu prekur nga diabeti tip 2

Një sistem tipik i radarëve ka 4 elementë kryesorë. Së pari transmetuesin, pra burimin e valës së radios. Së dyti është antena, e cila nevojitet për ta dërguar impulsin në hapësirë, dhe për ta kapur atë kur të reflektohet mbi një objekt. Elementi i tretë është ndërprerësi, një pajisje që i tregon antenës se kur duhet të transmetojë apo marrë impulset.

Elementi i katërt është marrësi, që zbulon dhe kthen pas impulset, të cilat shndërrohen në një format vizual që lexohet nga një operator. Procesi i drejtimit të valëve artificiale të radios drejt objekteve quhet ndriçim, edhe pse në fakt valët e radios janë të padukshme për syrin e njeriut si dhe kamerat optike.

Sipas NASA-s, ato dërgohen me një shpejtësi rreth 300 mijë km në sekondë, pra sa shpejtësia e dritës. Sipas Byrosë Australiane të Meteorologjisë, disa nga valët e radios të reflektuara (jehona) drejtohen sërish drejt radarit ku merren dhe amplifikohen, dhe të dhënat interpretohen nga operatorët me ndihmën e kompjuterave.

Valët e radios mund të kalojnë përmes borës, mjegullës dhe janë të sigurta për njeriun ndryshe nga rrezet gama dhe X. Radari mund të përdoret për të zbuluar anijet, avionët dhe satelitët. Ato përdoren nga policia për të llogaritur se sa shpejt po ecin makinat.

Edhe meteorologët e përdorin radarin për të hartuar dhe gjurmuar sistemet e motit në mbarë botën. Gjatë Betejës së Britanisë, radari i dha mundësoi RAF-it, Forcës Ajrore Mbretërore, të zbulonte avionët gjermanë që po vinin duke përdorur radiovalët.

Nga kullat e radarëve të vendosura në jug dhe në lindje të vendit, sistemi i dërgonte këto valë larg. Ato do të vazhdonin të udhëtonin derisa të ndeshnin diçka, si për shembull një avion. Duke llogaritur se sa kohë u nevojitej valëve për t’u rikthyer, operatorët e aftë mund të kuptonin lartësinë, rrezen dhe numrin e avionëve të armikut. Të qenit në vendin dhe kohën e duhur e ndihmoi Britaninë e Madhe të fitonte betejën, dhe t’i jepte një goditje të rëndë planeve pushtuese të Rajhut të Tretë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE