Connect with Us

Klorinda Çela fshehu pasurinë dhe cënoi besimin e publikut/ Zbardhet vendimi i KPK

Vetingu

Klorinda Çela fshehu pasurinë dhe cënoi besimin e publikut/ Zbardhet vendimi i KPK

Publikuar

-

/
cna lajme vetting

Nga Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja e Tiranës, Klorinda Çela u shkarkua nga detyra më 28 tetor, pasi rezultoi me mungesë burimesh financiare prej 55 milionë lekësh për justifikimin e pasurive familjare. Ashtu si në procesin e rivlerësimit për bashkëshortin e saj, gjyqtarin Ken Dhima, u konkludua se Çela kishte fshehur pasurinë, kishte kryer deklarim të rremë dhe se nuk ka qenë bashkëpunuese gjatë procesit të vetingut të saj, duke cenuar besimin e publikut tek drejtësia.

Klorinda Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit. Prej vitit 2013 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2014, ministri i Drejtësisë së kohës kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Klorinda Çela dhe bashkëshortit të saj, Ken Dhima për shkak të problemeve me pasurinë – por kërkesa u rrëzua nga ish-Këshilli i Lartë i D3ejtësisë. Dhima u shkarkua më 29 korrik 2021, pasi nga hetimi i KPK-së rezultoi gjithashtu me bilanc negativ në 12 vite si dhe me pasuri të fshehura.

Pasuri me hua dhe dhurime

Në vendimin e arsyetuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pamundësi për pagesën e këstit të parë për një apartament me sipërfaqe 114.6 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2005 dhe të blerë 10 vite më vonë kundrejt shumës 74 mijë euro. Si burim për krijimin e kësaj pasurie, Çela ka deklarur të ardhurat nga pagat e saj dhe të bashkëshortit, të ardhurat nga shitja e librit të këtij të fundit në shumën 300 mijë lekë dhe një hua 2 milionë lekë marrë shtetasit A. Ç.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur pamundësi për krijimin e gjithë likujditeteve të zotëruara në dy depozita në vitin 2004 dhe se nuk kanë provuar të ardhurat e huadhënësit A.Ç.

Ndërkohë, ka rezultuar se në korrik të vitit 2015 huadhënësi A. Ç. ka marrë me qira nga subjekti dhe bashkëshorti i saj një njësi shërbimi me sipërfaqe 44 m2, kundrejt shumës prej 172 mijë lekësh në muaj.

Nëpërmjet një vërtetimi të vitit 2016, qiramarrësi ka deklaruar se ka paguar në mënyrë të rregullt deri në dhjetor të atij viti qiratë mujore në vlerën totale rreth 2.9 milionë lekë, ndërkohë që subjekti nuk e kishte shlyer ende huanë 2 milionë lekë.

“Konstatohet se e gjitha marrëdhënia financiare e subjektit të rivlerësimit me shtetasin A. Ç. paraqitet kontradiktore dhe pa logjikë ekonomike dhe, në këtë kontekst, Komisioni ngre dyshime të arsyeshme lidhur me vërtetësinë e marrëdhënies së huasë në masën 2,000,000 lekë dhe marrëdhënies së qirasë me këtë shtetas,” citohet në vendim.

Trupi gjykues nuk ka konsideruar as të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga bashkëshorti prej botimit të librit, pasi nuk është dokumentuar shitja e tyre.

Subjekti ka deklaruar si burim për krijimin e katër pasurive njësi shërbimi e tregtare në Tiranë, të ardhurat e përfituara nga prindërit prej shpronësimit të një bar-restoranti në Pogradec në vlerën 14.4 milionë lekë dhe 311 mijë lekë për truallin.

Në vitin 2012, Çela ka deklaruar se babai i ka dhuruar një njësi shërbimi me sipërfaqe 44 m2 pranë Prokurorisë së Tiranës, por Komisioni konstaton se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion justifikues ligjor mbi mënyrën e përfitimit të kësaj pasurie nga pala dhuruese, si dhe për të evidentuar ligjshmërinë e burimeve të të atit.

Ndërkohë, ka ezultuar se ky ambjent i është dhënë me qira në vitin 2013 me afat 2 vjeçar shtetasit E.Dh., por nga hetimi ka rezultuar se prej vitit 2009 e në vijim aty ka ushtruar aktivitet “bar-kafe” edhe babai i subjektit.

Në vitin 2015, Çela ka deklaruar një ambient shërbimi me sipërfaqe 46 m2 në Tiranë të blerë me hua nga prindërit prej të ardhurave të përfituara nga shpronësimi, si dhe të ardhura nga qiraja prej A.Ç. Nga hetimi janë konstatuar deklarime kontradiktore lidhur me huanë e marrë nga prindërit, pasi është pretenduar se është dhënë hua vlera 14.7 milionë lekë, por shuma 700 mijë lekë ka rezultuar se është depozituar me afat prej prindërve.

Ndërkohë, Komisioni ngre dyshime lidhur me shumën 500 mijë lekë të deklaruar se është përfituar nga dhënia me qira e njësisë së shërbimit shtetasit A. Ç., pasi subjekti dhe bashkëshorti pretendonin përfitimin e të ardhurave prej tij ndërkohë që kishin ende detyrime të pashlyera për huanë 2 milionë lekë të marrë në vitin 2005 për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Çela ka deklaruar si burim të ardhurat e prindërve nga shpronësimi, edhe për blerjen e një njësie shërbimi me sipërfaqe 47 m2 në Tiranë në vitin 2015.

Po në vitin 2015, Çela ka porositur edhe një njësi shërbimi me sipërfaqe totale 188.18 m2 në Tiranë, të përbërë nga tre njësi më të vogla, përkatësisht me sipërfaqe 47.23 m2, 42.62 m2 dhe 98.33 m2, kundrejt çmimit total 246 mijë euro nëse do të merreshin në dorëzim të përfunduara plotësisht dhe me vlerë 105 mijë euro nëse do të dorëzoheshin në gjendje karabina.

LEXO EDHE:  Dyshimet për konflikt interesi/ Komisioni publik ankimon në KPK Kastriot Selitën

Edhe për këto pasuri, subjekti ka deklaruar në vitin 2015 të ardhurat e përfituara prej prindërve nga shpronësimi, ndërsa në deklaratën ‘veting’ ka pasqyruar një kredi në shumën 21 milionë lekë, të ardhurat nga dhënia me qira e dy njësive, si dhe pagat e saj e të bashkëshortit. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në vlerën 18.6 milionë lekë për blerjen e këtyre pasurive.

Ndërkohë, trupi gjykues konstaton se gjatë viteve 2016 – 2017 janë depozituar cash nga persona të tretë vlera monetare për shlyerjen e kësteve të kredisë. Nisur nga fakti se subjekti nuk ka paraqitur asnjë provë për të ardhurat e personave që kanë depozituar shumat cash, si për shkak të mosdeklarimit të këtyre huave apo dhurimeve, trupi gjykues ka konsideruar në analizë se e gjithë vlera e kredisë është paguar nga subjekti dhe bashkëshorti i saj.

Gjyqtarja Çela nuk ka deklaruar në vitin 2015 blerjen e dy garazheve në Tiranë, me sipërfaqe 18.9 m2 dhe 18.2 m2, me vlerë 4500 euro secili. Ndërsa në deklaratën ‘veting’ ka deklaruar si burime krjimi të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit nga pagat si gjyqtarë, të ardhurat nga qiradhënia e shtetasit E. Dh. të njësisë së shërbimit.

KPK vëren se krahas mosdeklarimit të këtyre pasurive, Çela nuk ka deklaruar as pakësimin e gjendjes cash të vitit 2014 dhe as në vitet e mëpasshme. Për rrjedhojë në analizë nuk janë konsideruar likujditetet e pretenduara nga Çela, që ka rezultuar me balancë negative fondesh në shumën 1.5 milionë lekë.

Pasuri të fshehura

Në raportin e ILDKPKI-së, bazuar në informacionin e marrë nga agjencitë ligjzbatuese është evidentuar se në datën 3 shkurt 2011, bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit ka porositur nga shoqëria “S. C.” sh.p.k. një pasuri të llojit apartament në Shëngjin më sipërfaqe 190 m2. Kjo pasuri e porositur nuk është deklaruar në vitet 2011, 2012 dhe 2013 dhe as në deklaratën ‘veting’.

Subjekti ka dërguar deklarimin e bashkëshortit të vitit 2013, ku bashkëngjitur janë gjendur kontrata e sipërmarrjes së vitit 2011, deklaratë noteriale për prishjen e kësaj kontrate e vitit 2013 dhe kontratë sipërmarrje e vitit 2013 e lidhur mes të njëjtës shoqëri ndërtuese dhe vëllait të bashkëshortit të subjektit, shtetasit E.Dh..

Megjithëse bashkëshorti i Çelës ka pretenduar se kontrata është nënshkruar prej tij, pasi vëllai jetonte si emigrant në Greqi dhe nuk mund të ishte i pranishëm, nga verifikimi i kryer në sistemin TIMS ka rezultuar se E. Dh. ka qenë në territorin shqiptar ditën e nënshkrimit të kontratës së porosisë.

Transferimi i të drejtave të kësaj pasurie tek i vëllai i bashkëshortit konsiderohet se është kryer me qëllim shmangien e kontrollit dhe verifikimit të ligjshmërisë së burimeve financiare që kanë shërbyer për pagesat e kryera. Gjithashtu, subjekti ka rezultuar në pamundësi në shumën 6.9 milionë lekë për pagesën e këstit të parë në vitin 2011.

Situatë e ngjashme ka rezultuar edhe për një njësi tregtare me sipërfaqe 124 m2 në Tiranë. Në vitin 2010, subjekti ka deklaruar marrjen e një kredie në shumën 10 milionë lekë, por pa pasqyruar destinacionin e vlerës monetare.

Megjithëse Çela ka pretenduar se kredia është marrë për vëllanë e saj për pagesën e çmimit të një njësie tregëtare në Tiranë, pasi ai nuk ishte në kushtet për të marrë kredi, KPK ka gjetur se kontrata e furnizimit me ujë rezulton në emër të subjektit.

Gjithashtu, Komisioni konstaton se vëllai i saj nuk ka deklaruar të dhëna mbi kontratën e porosisë së nënshkruar me shoqërinë “S.” sh.p.k., çmimin e kësaj pasurie, pagesat e kryera, burimin e ligjshëm të të ardhurave, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e pagesave dhe detyrimin e mbetur.

Nisur nga këto fakte, KPK ngre dyshime se kjo pasuri de facto është porositur nga subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti, të cilët kanë rezultuar në pamundësi financiare në shumën totale 17.7 milionë lekë për ta blerë atë.

Komisioni nuk ka përfshirë në analizën financiare të përgjithshme të ardhura në vlera të konsiderueshme nga disa hua, dhurime, sponsorizime, ndihma financiare dhe të ardhura nga shitja e librave të deklaruara në vite nga subjekti i rivlerësimit pasi nuk është provuar përfitimi i tyre, shkaqet dhe burimet tyre.

Po ashtu, nuk është vërtetuar dot prej subjektit mënyra e përfitimit të një apartamenti banimi me sipërfaqe 92 m2 në Kavajë në vitin 2018, për të cilin ka pretenduar se e ka trashëguar nga babai.

Nga analiza financiare për periudhën 2003 – 2016 ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 55,5 milionë lekë.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Vetingu

“Përplasja” mes komisioneve të Vettingut/ KPK: Kemi hetuar në mënyrë të paanshme

Publikuar

-

Nga

cna lajme vetting

Kolegji i posaçëm i Apelimit ka rrëzuar disa nga vendimet që KPK  ka marrë për subjekte të caktuara.

Të paktën në 18 vendime, 1 që i përket vitit 2018, 8 vendime që i përkasin vitit 2019, 5 vendime të vitit 2020 dhe 4 vendime të viti 2021, KPA ka rrëzuar vendimin e KPK-së, duke vendosur për shkarkimin e subjekteve të rivlerësimit.

Lidhur me këto raste CNA.al ka pyetur KPK-në, se çfarë ka ndodhur?

KPK nuk ka pasur informacionet e duhura, nuk janë bërë hetime të thelluara, që KPA, ka ndryshuar vendime të KPK-së?

Por, sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, këto nuk kanë ndodhur nga neglizhenca e tyre, apo mungesa e një hetimi të detajuar.

“Ju sigurojmë se Komisioni kryen hetim të thelluar, të gjithanshëm dhe të paanshëm për çdo subjekt rivlerësimi, duke garantuar një proces të rregullt ligjor.

 Vendimet e Komisionit nuk janë të formës së prerë dhe mund të ankimohen nga Institucioni i Komisionerit Publik (IKP) apo subjektet e rivlerësimit.



Shkaqet për të cilat bëhet ankim, si dhe vendimmarrja e Komisionit shqyrtohen dhe janë në kompetencë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).

 Si një nga Kolegjet e Gjykatës Kushtetuese, KPA-ja po, ashtu, orienton KPK-në përmes jurisprudencës së saj lidhur me zgjidhjen e rasteve të njëjta apo të ngjashme me objekt rivlerësimi.

Për këtë arsye, ligjvënësi është kujdesur të zbatojë parimin e kontrollit gjyqésor duke parashikuar dy shkallë gjykimi, si shkallë të parë rivlerësimi KPK-në dhe si shkallë të dytë rivlerësimi KPA-në.

 Vendimet e Kolegjit janë përfundimtare, megjithatë subjektet gëzojnë të drejtën e ankimimit edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe, kjo, në mënyrë që atyre t’u garantohet një proces sa më i drejtë”, thuhet në përgjigjen e KPK, fimosur nga sekretari i përgjithshëm Edmond Verçani për CNA.al

Nga ana tjetër KPK, teksa evidenton sfidat me të cilat janë prballur, shprehet se nëse do t;ju zgjatet mandati do të vijojnë punën me të njëjtin angazhim dhe seriozitet.

“Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë është një proces kompleks dhe i vështirë, për pasojë, Komisioni është përballur me sfida nga më të ndryshmet, por zbatimi i ligjit, përkushtimi dhe përvoja e këtyre viteve ka bërë që ato të tejkalohen me sukses.

Aktualisht, Komisioni është në pritje të vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për zgjatjen ose jo të mandatit kushtetues. Nëse ky mandat do të zgjatet, Komisioni do të vijojë punën me të njëjtin angazhim dhe seriozitet për të rivlerësuar sipas ligjit të gjithë subjektet”, thuhet në përgjigjen e KPK-së./E.S-CNA.al

LEXO TE PLOTE

Vetingu

Të shkarkuarit e drejtësisë nuk i shpëton dot më Strasburgu/ Ish gjyqtarja e Kushtetueses, legjitimoi Vettingun

Publikuar

-

Nga

Në Shkurt të këtij viti, Gjykata e Strasburgut ka dhënë vendimin e parë për Vettingun në Shqipëri duke i dhënë të drejtë procesit.
Trupa në Strasburg ka rrëzuar me shumicë votash padinë e ish-gjyqtares të Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj e cila u shkarkua në vitin 2018. Ajo ngriti padi në Gjykatën e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg duke e cilësuar vendimin nga trupa e Vettingut në Shqipëri si të papajtueshëm.
Ndërkohë prej vendimit të 2018 ajo është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për 15 vite për shkak të problemeve me pasurinë dhe aftësive profesionale. Por, si e komenton Kolegji i Posaçëm i Apelimit këtë rast, ndërsa është pyetur nga CNA.al edhe për sfidat me të cilat përballet?
Për KPA-në, rasti Xhoxhaj, do të thotë legjitim i procesit të Vettingut dhe se të shkarkuarit e drejtësisë nuk mund t’i shpëtojë më as Strasburgu.
“Që nga fillimi i funksionimit të institucionit në korrik 2017, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka ushtruar funksionin e tij, duke u fokusuar në garantimin e zbatimit të parimit të procesit të rregullt ligjor dhe konsolidimin e jurisprudencës së tij lidhur me specifika në interpretimin e Kushtetutës dhe ligjit.
Sipas raporteve të ekspertëve që kanë analizuar vendimet e KPA-së, Kolegji ia ka dalë “të ndihmojë në orientimin më të mirë të praktikës së vettingut, duke kontribuuar në konsolidimin dhe qartësimin e çështjeve të diskutueshme,
si psh sa i takon zbatimit parimit të proporcionalitetit në drejtim të vlerësimit tre kritereve dhe veçanërisht të pasurisë”. Me vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “Xhoxhaj kundër Shqipërisë” rrëzohen pretendimet e ngritura kundër procesit të rivlerësimit dhe legjitimohet procesi i vettingut i zhvilluar nga KPA”, nënvizon KPA. Ndërsa sfidë kryesore e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, si gjykata e procesit, mbetet zhvillimi i gjykimeve bazuar në parimin për një proces të rregullt ligjor, duke garantuar standarde të qëndrueshme sipas Kushtetutës dhe ligjit për të gjithë subjektet e rivlerësimit, si dhe duke përshpejtuar ritmet e gjykimit për një përfundim të çështjeve brenda mandatit kushtetues të Kolegjit.
“Në përgjigje edhe të rekomandimeve të Opinionit të Venecias, si dhe rekomandimeve të Komisionit Europian për gjykime të shpejta, Kolegji ka përmirësuar rregullat procedurale të funksionimit të tij, sidomos sa i përket përgatitjes së çështjeve dhe gjykimit të atyre që zhvillohen në seancë publike.
Gjithashtu, Kolegji është përpjekur të gjejë modalitetet e duhura në aspektin organizativ nëpërmjet harmonizimit më të mirë të proceseve që kryhen brenda strukturave të tij, duke përzgjedhur si pjesë të personelit më të mirët profesionalisht, si dhe duke kërkuar shtimin e personelit të Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe stafit administrativ mbështetës për gjykimet.
Sikurse ka arritur të konsolidojë jurisprudencën e tij sa i përket juridiksionit të rivlerësimit, mbetet sfidë për Kolegjin konsolidimi i praktikave gjyqësore edhe në çështjet e juridiksionit disiplinor”, thekson më tej KPA.
Më tej KPA, njofton se po punon për miratimin e rregullave te brendshme dhe bazuar në legjislacionin në fuqi për shkeljet dhe procedimet disiplinore, si dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së.
“Kolegji i Apelimit ka juridiksion të shqyrtojë shkeljet disiplinore të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe shqyrton ankimet kundër vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për vendosjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve të tjerë. Në kuadër të këtij juridiksioni, po punohet për miratimin e rregullave te brendshme dhe bazuar në legjislacionin në fuqi për shkeljet dhe procedimet disiplinore, si dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së”, evideon më tej KPA, në një përgjigje për CNA.al./E.S-CNA.al
LEXO TE PLOTE

Vetingu

Gjyqtarët dhe prokurorët “mbysin” Kolegjin e Apelimit/ 225 ankimime për KPK-në

Publikuar

-

Nga

cna lajme vetting

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zbardhur për CNA.al, numrin e rasteve dhe vendimet që ka marrë përgjatë tre viteve që nga viti 2018 deri në vitin 2021.

Deri më 31.10.2021, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit janë regjistruar 225 çështje të juridiksionit të rivlerësimit.

Sipas KPA 40 çështje janë regjistruar gjatë vitit 2018, 62 çështje gjatë vitit 2019, 63 çështje gjatë vitit 2020 dhe 60 çështje deri më datë 31.10.2021. Nga 40 çështje gjatë vitit 2018, 16 janë ankimuar nga Komisioneri Publik dhe 24 nga subjektet e rivlerësimit.

Nga 62 çështjet e regjistruara gjatë vitit 2019, 11 janë ankimuar nga Komisoneri Publik, 50 nga subjektet e rivlerësimit dhe një çështje është ankimuar edhe nga subjekti i rivlerësimit, edhe nga Komisioneri Publik.

Nga 63 çështjet e regjistruara gjatë vitit 2020, 16 janë ankimuar nga Komisioneri Publik dhe 47 nga subjektet e rivlerësimit; Nga 60 çështjet e regjistruara deri më datë 31.10.2021, 13 janë ankimuar nga Komisioneri Publik, 46 nga subjektet e rivlerësimit dhe një çështje është ankimuar edhe nga subjekti i rivlerësimit, edhe nga Komisioneri Publik.

Sipas KPA, aktualisht, janë duke u shqyrtuar 105 çështje, nga të cilat 5 çështje janë nën gjykim (3 seanca publike dhe 2 dhoma këshillimi), ndërsa 100 çështje janë me status përgatitje për gjykim.

Deri në datën 31.10.2021, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shpallur 120 vendime të Juridiksionit të Rivlerësimit, nga të cilat, 12 janë shpallur në vitin 2018, 34 janë shpallur gjatë vitit 2019, 42 janë shpallur gjatë vitit 2020 dhe 32 vendime janë shpallur deri në datën 31.11,002”, saktëson KPA për CNA.al.



Vendimet e KPA

Nga 120 çështje të cilat kanë përfunduar, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur, lënien në fuqi të Vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në 88 vendime (8 janë të vitit 2018) dhe (23 janë të vitit 2019) dhe (32 vendime i përkasin vitit 2020) dhe (25 vendime i përkasin vitit 2021).

Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, lidhur me përmbajtjen në dispozitiv për, ndalimin e subjekteve të rivlerësimit të emërohen gjyqtarë apo prokurorë të çdo niveli, anëtar i KLGJ ose KLP, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare në 3 vendime (2 janë të vitit 2018) dhe (1 është i vitit 2019).

Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërprerjen e procesit të ri verësimit dhe ndalimin e subjekteve të rivlerësimit të emërohen gjyqtarë apo prokurorë të çdo niveli, anëtar i KLGJ ose KLP, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare, në 1 vendim (vendimi është i vitit 2021).

LEXO EDHE:  KPK nxori të dhëna konfidenciale/ Gjyqtari Shkëlzen Selimi kërkon hetim të Komisionit

LEXO EDHE:  Berisha non grata në SHBA/ Edith Harxhi: Lajm i trishtë, një ditë e vështirë për demokracinë

Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit në 18 vendime (1 vendim është i vitit 2018), (8 vendime janë të vitit 2019), (5 vendime janë të vitit 2020) dhe (4 vendime janë të vitit 2021). Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit – 3 vendime (vendimet janë të vitit 2020).

Prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra – në 1 vendim (1 vendim i përket vitit 2019), prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërprerjen e procesit të rivlerësimit dhe ndalimin e subjekteve të rivlerësimit të emërohen gjyqtarë apo prokurorë të çdo niveli, anëtar i KLGJ ose KLP, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare , 1 vendim ( vendimi i përket vitit 2020).

Prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke urdhëruar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të vazhdojë kryerjen e procesit të rivlerësimit, 1 vendim (vendimi i përket vitit 2021), prishje e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, 1 vendim (vendimi i përket vitit 2021).

Pushimin e shqyrtimit të çështjes për shkak të tërheqjes së ankimit nga ankuesi – në 3 vendime (1 vendim i përket vitit 2018), (1 vendim i përket vitit 2019) dhe (1 vendim i përket vitit 2020)/ E.S-CNA.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: