SHBA e BE për sulmin në Deçan/ “Pranë popullit kosovar në këto momente të vështira”

27 Nëntor 2021, 10:30, Kosova & Bota CNA
SHBA e BE për sulmin në Deçan/ “Pranë popullit

Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë dënuar sulmin që ndodhi më 26 nëntor në Deçan, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri u vranë tri persona dhe u plagos edhe një tjetër.

Nga sulmi me armë zjarri në drejtim të një autobusi që po bartte nxënës në relacionin Gjakovë-Deçan, vdiq shoferi i autobusit dhe dy nxënës, ndërsa mbeti i plagosur edhe një nxënës. Sulmi ndodhi në fshatin Gllogjan të Deçanit.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe i ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.

?I shokuar nga sulmi i dhunshëm ndaj nxënësve në Gllogjan. Autoritetet po punojnë që të sjellin autorët e krimit para drejtësisë së më parë. Ngushëllime të thella për familjet e viktimave dhe i uroj shërim të shpejtë të lënduarit?, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq në reagimin që ka bërë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është thënë që shpresojnë se i dyshuari të sillet sa më shpejt para drejtësisë.

?Të shokuar dhe thellësisht të pikëlluar nga sulmi i neveritshëm drejt autobusit të nxënësve. Bashkimi Evropian në Kosovë shpreson se keqbërësi do të sillet shpejt para drejtësisë. Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne urojmë shërim të shpejt për të plagosurin?, tha Zyra e BE-së përmes një postimi në Twitter.

Më 27 nëntor, Naim Sahiti, zëdhënës i Spitalit të Pejës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se i plagosuri është operuar dhe tani është jashtë rrezikut për jetë.

?I është hequr plumbi gjatë orëve të mbrëmjes (më 26 nëntor). Tash është gjatë procesit të trajtimit pas-operativ, por gjendja e tij është shumë e mirë?, tha Sahiti.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë./REL

Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, nëpërmjet një statusi në rrjete sociale shprehet se ndihet i tmerruar nga sulmi i ndodhur.

Ai shprehet se me mendje dhe zemër është pranë viktimave dhe familjeve të tyre dhe se përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë.

?Jam pranë të gjithë popullit kosovar në këto momente të vështira?, shkruan Borell./CNA.al

Lajmet e fundit nga