Connect with Us

Holodomor, masakra e miliona të pafajshmëve të vrarë nga uria në Ukrainë

Blog

Holodomor, masakra e miliona të pafajshmëve të vrarë nga uria në Ukrainë

Publikuar

-

/

23 Nëntori përkujton përvjetorin e Holodomorit, zisë së bukës së shkaktuar nga regjimi sovjetik, që goditi Ukrainën gjatë viteve 1932-1933, duke shkaktuar miliona të vdekur.

Ajo ishte një tragjedi aq e madhe, sa që ukrainasit shpikën një fjalë të re për ta përshkruar: Holodomor ose “shfarosja nga uria”.

Ajo masakër mbetet ende sot një nga arsyet e zemërimit të Kievit ndaj Moskës. Tragjedia filloi kur Stalini vendosi midis vjeshtës së vitit 1932 dhe pranverës së vitit 1933, kolektivizimin e detyrueshëm në bujqësi, duke i detyruar kulakët (fshatarët e pasur, apo pronarët e vegjël), që t’i bashkoheshin me dhunë kolkozeve sovjetikë.

Të  uritur

 Kolektivizimi i detyruar i tokës, shkaktoi një zi të madhe të bukës, që preku pjesë të ndryshme të Bashkimit Sovjetik, nga Kaukazi në Siberi, nga Kazakistani në zonën e lumit Vollga. Por ishin ukrainasit ata që i vuajtën më rëndë pasojat, pasi shfarosja e fshatarëve ishte e ndërthurur me persekutimin e inteligjencës dhe luftën kundër patriotizmit të një populli të tërë.

Për Bashkimin Sovjetik, Ukraina me toka shumë pjellore, dhe e etiketuar si ”hambari i Evropës”, ishte një vend për t’u shfrytëzuar. Ndaj Stalini vendosi që t’u “thyejë kurrizin” kulakëve, kundërshtarëve të fortë të kolektivizimit.

Kështu në fundin e viteve 1920, si fermerët e tjerë në Bashkimin Sovjetik, edhe fshatarët ukrainas u detyruan që t’i bashkoheshin kolkozeve, fermat kolektive shtetërore, ndërsa tokat e tyre u konfiskuan.

“Vdekshmëria e madhe u shkaktua direkt nga fakti se autoritetet sovjetike, indiferente ndaj variacioneve natyrore në prodhim, mbajtën një përqindje shumë të lartë të dorëzimit të drithit në shtet (rreth 20 për qind)”- shkruan historiani francez Bernar Bruneto në librin e tij “Shekulli i gjenocideve”.

Lëvoret e patateve

Bruneto shkrua se në Ukrainë, 70 për qind e fermave ishin kolektivizuar, përkundrejt vetëm 59 për qind në Rusi. Shumë ukrainas i kundërshtuan kërkesat e autoriteteve, refuzuan të hiqnin dorë nga të korrat e tyre, e fshehën prodhimin dhe i vranë bagëtitë, në vend se t’ua dorëzonin kolkozeve.

Ky qëndrim i ukrainasve, u konsiderua nga Byroja Politike Sovjetike si një akt shumë i rëndë rebelimi. Dhe pavarësisht se ishin në dijeni të mungesës serioze të ushqimit për banorët e fshatit, agjentë vendas dhe aktivistët e Partisë Komuniste, u dërguan që të konfiskonin ushqimin nëpër shtëpi dhe ferma.

Për më tepër, ata i izoluan fshatarët që të mos largoheshin për në qytete. “Nevoja për t’u ushqyer u konsiderua një krim kundër shtetit”- shpjegon Bruneto. Situata ishte e vështirë në të gjithë Bashkimin Sovjetik, popullsia ishte e rraskapitur dhe e uritur.

Por Stalini refuzoi çdo ndihmë nga jashtë, teksa i akuzoi fshatarët e uritur si fajtorë për situatën ku ndodheshin. Dhe si të mos mjaftonte kjo, ai miratoi ligje shumë të ashpra, të cilat vetëm sa shtuan tensionin, terrorin dhe numrin e viktimave. Cilido që gjendej duke fshehur diçka për të ngrënë, qoftë edhe lëvoret e patates, do të pushkatohej.

Shfarosja e fëmijëve

Ishte një masakër e vërtetë:Rreth 5 milionë njerëz në të gjithë BRSS – të privuar qëllimisht nga mjetet e jetesës – vdiqën nga uria. Nga këta, rreth 4 milionë ishin ukrainas. “Epidemitë u përhapën kudo, ndërsa pati edhe raste të kanibalizmit. Gati gjysma e viktimave ishin fëmijë”- vijon historiani.

LEXO EDHE:  Gjermania dhe Franca japin ultimatumin/ Të respektohet armëpushimi në Ukrainë

Këto shifra u mbajtën të fshehura nga regjimi. Moska shtypi të gjitha format e mospajtimit, dhe nuk e njohu kurrë këtë krim të tmerrshëm. Duke manipuluar të dhënat demografike, ajo arriti të fshehë zhdukjen e papritur të miliona qenieve njerëzore.

Mbulimi i fajit ishte total, jo vetëm në momentin e ngjarjes së tmerrshme por edhe më pas. Pas vdekjes së Stalinit në vitin1953, pasardhësi i tij Nikita Hrushovi nisi procesin e “de-stalinizimit”, duke denoncuar krimet e paraardhësit të tij, veçanërisht spastrimet brenda partisë, të cilat ndodhën kryesisht midis viteve 1936-1938.

Por ai nuk e përmendi kurrë tragjedinë ukrainase, e cila ishte shfarosja më e madhe në historinë evropiane të shekullit XX-të pas Holokaustit të hebrenjve. Gjithsesi edhe në ato vite u ngrit një zë, ai i shkrimtarit rus me origjinë ukrainase Vasili Grosman.

Në romanin e saj të famshëm “Gjithçka rrjedh”, të shkruar midis viteve 1955-1963, një nga personazhet, Ana Sergevna, rrëfen vitet e tmerrshme të kolektivizimit, urisë dhe shfarosjes së kulakëve në Ukrainë. Siç mund të imagjinohet, libri u botua pas shumë vështirësish.

Në vitet 1960 agjentët e KGB-ja ia sekuestruan dorëshkrimin, por autori e rishkroi librin nga e para. Kopja, e gjetur pas vdekjes së tij në vitin 1964, u botua më pas në vitin 1970 në Frankfurt të Gjermanisë Perëndimore. Ndërkohë në Rusi, romani u botua vetëm në vitin 1989, në kohën e Gorbaçovit dhe reformave të tij të Glasnost “politikës së transparencës”. Disa vite më parë, në vitin 1986 në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara, ishte botuar libri “Të korrat e dëshpërimit” nga historiani anglez Robert Konkest, ku u dokumentua dhe përshkrua për herë të parë në detaje Holodomori.

Konkest shkruan se zija e bukës nuk u shkaktua nga kolektivizimi i tokës, por nga konfiskimi i ushqimeve, dhe nga bllokimet e rrugëve që penguan lëvizjen e popullsisë. Për historianin anglez, shfarosja e miliona kulakëve, ishte një akt i qëllimshëm gjenocidi.

Por e vërteta mbi atë që ndodhi në ato vite, filloi të përhapet në një shkallë të gjerë vetëm pas shpalljes së pavarësisë së Ukrainës në vitin 1991, dhe hapjes së arkivave sovjetike. Në vitin 2003, Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë, sipas së cilës Holodomor ishte “rezultat i politikave dhe veprimeve mizore që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve”.

Pesë vjet më vonë, në vitin 2008, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, në të cilën shfarosja e Ukrainës klasifikohet si krim kundër njerëzimit. Megjithatë, ai nuk u njoh kurrë

si gjenocid, për të mos e zemëruar Rusinë. Historiani italian Etore Çinela, autor i librit “Ukraina:Gjenocidi i harruar 1932-1933”, thotë se përmes Holomodorit, Stalini synoi të shkatërronte karakterin kombëtar të popullit ukrainas përmes persekutimit antifetar, përdhosjes dhe shkatërrimit të kishave.

Si bota fshatare ukrainase ashtu edhe inteligjenca e vendit u goditën, në përpjekje për të fshirë kujtesën e tyre historike, duke filluar nga mësuesit e shkollës dhe Kisha, e cila ishte atëherë e pavarur nga Moska.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.focus.it/cultura/storia/Holodomor-genocidio-carestia-ucraina

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Deutschland, Alemania/ Pse Gjermania ka kaq shumë emra?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Të gjitha vendet kanë zakonisht emra shumë të ngjashëm në gjuhët e gjithë botës. Për shembull Franca. Në frëngjisht quhet “France”, në spanjisht “Francia”, në gjuhën çeke “Francie”, në suedisht “Frankrike”. Pra një listë e gjatë emrash, që sigurisht bazohet mbi
një temë të përbashkët.
Në fakt gjermanisht, Franca quhet “Frankreich” që do të thotë “Perandoria e Frankëve”. Shumica e vendeve thirren me shumë emra. Por tani shihni se çfarë ndodh me Gjermaninë. Ajo quhet “Deutschland” në gjermanisht, “Alemania” në spanjisht, “Niemcy” në polonisht dhe “Germania” në italisht. Pse kaq shumë emra të ndryshëm? Duke parë shembullin e Francës, shumëkush mund të pyesë veten se çfarë fshihet pas gjithë atyre emrave.

Populli gjermanik

“Germania” ishte në fakt ishte emri që i vunë romakët territorit në lindje të lumit Rin, dhe në veri të lumit Donau. Rreth vitit 50 Pas Krishtit Gaius Julius Çezari, e pushtoi territorin në anën lindore të Rinit, dhe ishte ai që i emërtoi si gjermanikë njerëzit, territorin e të cilëve ende nuk e kishte pushtuar.
Por gjermanët nuk kanë qenë kurrë një popull i vetëm, dhe nuk e kanë parë asnjëherë veten si të tillë. Në fakt, ai është vetëm një emërtim i huaj i vendosur nga pushtuesi. Rreth vitit 5 Pas Krishtit Romakët pushtuan territoret deri në lumin Elba, i cili ndodhet në atë që ata e quajtën “Germania”.

Teutonët

Teutonët ishin një fis gjermanik. Siç e përmendëm më lart, popujt gjermanikë nuk e panë kurrë veten si një të vetëm. Kjo ishte thjesht një etiketë që romakët vunë mbi fiset e mbetura. Dhe një nga ato fise quhej Teutonë. Shumëkush mendon sot se ishte pikërisht ky fis që i dha Gjermanisë emrin gjerman “Deutschland”.
Por nuk është kështu. Ky fis specifik jetonte në veri, afër vendit ku ndodhet sot Danimarka. Prandaj nuk ka shumë kuptim që Gjermania të merrte emrin e tyre, nëse ata nuk do të jetonin në Gjermani. Por ndoshta është ende e njëjta gjë, që u dha emrin të dyve.

Gjuha gjermane

Ndërsa romakët e quanin atë fis si populli gjermanik, dhe po kështu u referoheshin të gjithëve fiseve të tjera, vetë gjermanët i referoheshin ndonjëherë vetes si “diu-tisc”, që në gjermanishten e vjetër do të thotë “i përkasin popullit”.
Ata e përdorën këtë emër jo sepse ishin një fis, por me të vetmin qëllim për t’u dalluar nga fiset që ishin nën sundimin romak, dhe që adoptuan gjuhën e tyre latine. Duke përdorur atë fjalë ata u bashkuan kundër një armiku të përbashkët. Pra, kushdo që fliste gjuhën e tij ishte “diu-tisc”, dhe kushdo që fliste latinisht ishte armik. Dhe me sa duket nga këtu buron edhe fjala gjermane për “deutsch” për “gjerman”.

LEXO EDHE:  75-vjet nga masakra e Buzëmadhes/ Si u pushkatuan pa gjyq 21 banorë të fshatit

LEXO EDHE:  Masakra e Selenicës/ Burg përjetë për vrasësin e 8-fishtë



Niemcy

Edhe në këtë rast gjuha ka luajtur një rol të madh. Në zonën e Polonisë së sotme jetonin popujt sllavë, dhe në gjuhën sllave “niemcy” do të thotë memec. Sepse njerëzit që flisnin një gjuhë tjetër, nuk ishin të kuptueshëm për ta. Pra për ta, gjermanët ata ishin “memecë”, sepse nuk mund të komunikonin dot me sllavët.

Alemanët

Alemanët ishin njerëz që jetonin në atë që sot do të ishte Jugu i Gjermanisë dhe një pjesë e Zvicrës. Kultura e popullit aleman ka mbijetuar deri në ditët tona. Për shembull, banorët në jug të Gjermanisë, festojnë ende Fastnacht Sëabio-Alemannic, që është një lloj
karnavali.
Njerëzit vishen me kostume shumëngjyrëshe të qepura me kujdes, dhe mbajnë në fytyrë maska përgjithësisht të frikshme, dhe ecin në paradë nëpër fshat për të trembur dimrin. Këta njerëz dukej se ishin ata që frëngjisht-folësit dhe spanjisht-folësit u dhanë emrin “Alemania”. Alemanët ishin ndoshta ata që takuan të parët kur kalonin kufirin.

Përfundim

Gjermania mori emrat e saj nga fiset e saj të shumta, nga pushtuesit, si dhe nga gjuha e vështirë por shumë e bukur gjermane. Ata nuk e panë kurrë veten si të tillë, përveç ndoshta një periudhe të shkurtër, kur e panë të nevojshme të bashkoheshin kundër një armiku të përbashkët.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Historitë më të çuditshme dhe misterioze të mbijetesës

Publikuar

-

Nga

(Pjesa e dytë)

Trupi i njeriut është një gjë e çuditshme dhe e mrekullueshme. Ndonjëherë ne dukemi më

të brishtë në krahasim me të gjitha krijesat e tjera në botë. Por nuk jemi të projektuar për të jetuar në botën e egër dhe të vegjlit tanë nuk mund të kujdesen për veten e tyre për vite të tëra, në krahasim me disa kafshë që mund të ngrihen në këmbë dhe vrapojnë brenda disa orëve nga lindja. Por pavarësisht brishtësisë sonë të dukshme, ka raste kur njerëzit mund të mbijetojnë në mënyra shumë të çuditshme, duke sfiduar të gjithë probabilitet e mundshme …

Adrian De Viart

Me vetëm një sy dhe një dorë, De Viart mori pjesë në Luftën Boere, Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore. Ai u plagos në fytyrë, në kokë, në ije, në këmbë, në kyçin e këmbës dhe në vesh. Dhe i mbijetoi të gjithave plagëve.

Vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore, De Viart u plagos rëndë 8 herë. Kjo ndodhi pas pjesëmarrjes së tij në Luftën Boere, kur u qëllua në bark dhe ije. Edhe pse kishte vetëm një dorë ai mbante granata me vete, dhe përdorte dhëmbët për t’u hequr siguresën.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u plagos nga një avion luftarak që fluturonte mbi Detin Mesdhe. Ai arriti të dilte me not deri në breg ku u kap nga italianët. Në atë kohë ishte në të 60-at e tij, e megjithatë ia doli të arratisej nga kampi i të burgosurve pavarësisht se ishte me një dorë dhe kishte vetëm një sy. Pas luftës, shërbeu si përfaqësues personal i Uinston Çërçillit në Kinë dhe vdiq në moshën 83-vjeçare.

Aleksandër Sellkirk

Historia e Robinson Kruzo është përralla fantastike e një njeriu të humbur në një ishull të largët. Por pak njerëz e dinë se ajo bazohet mbi një histori të vërtetë, ajo e Aleksandër Sellkirk. Marinari skocez ishte një tip gjaknxehtë, ndaj ai u përlesh me kapitenin e tij në vitin 1704, i cili e dëboi të riun nga anija duke e lënë në një ishull aty pranë.

Në ishull Sellkirk ushqehej me mishin dhe qumështin e dhive të egra, rrepa dhe bimë të tjera. Natën kur flinte e sulmonin qindra minj, por ai arriti të zbusë disa mace të egra, duke e shpëtuar veten nga ai problem. Duke iu përshtatur jetës si një i humbur, Sellkirk ndërtoi dy kasolle, një për gatim dhe një tjetër për të fjetur.

Marinari në 2 raste gati u kap nga marinarët spanjollë, të cilët me siguri do ta kishin vrarë. Por ai arriti të fshihej në një pemë. Ai u shpëtua vetëm në vitin 1709, 4 vjet pasi ishte braktisur në atë ishull.

Familja Robertson

Në vitin 1971, familja Robertson, që përbëhej nga bashkëshortët Dugal dhe Lin dhe3 fëmijët e tyre Dagllas, Sendi dhe Neill, së bashku me një mikun e familjes të quajtur Robin, planifikuan të lundronin nëpër botë. Por 200 milje larg nga ishujt Galapagos një grup balenash vrasëse ua përmbysi varkën.

Familja u strehua në një gomone. Ata kishin ushqim të mjaftueshëm për 10 ditë, që përbëhej nga një qese me qepë, një tenxhere me biskota, 10 portokalle, 6 limonë dhe gjysmë kilogram karamele. Ndërkohë uji ishte plot me peshkaqenë.

LEXO EDHE:  Detajet e masakrës së Vlorës, policia zbardh motivet e krimit

LEXO EDHE:  Irani pranon se rrëzoi avionin ukrainas



Familja mbijetoi për 38 ditë në det, pjesërisht për shkak të optimizmit të Lin Robertson. Një infermiere në profesion, Lin e dinte se pirja e ujit të detit ishte një dënim me vdekje për të gjithë. Ndaj familja u përpoq të qëndronte gjallë duke pirë gjakun e breshkave të detit. Por kjo nuk mjaftonte.

Ndaj Lin përdori disa shkallë të vogla, dhe krijoi disa tuba të improvizuar në formën e një klizme. Uji në fund të gomones, i cili ishte një përzierje e ujit të shiut, gjakut dhe zorrëve të breshkave, kishte të ngjarë të vriste cilindo që përpiqej ta pinte.

Por nëse e merr me klizmë, mund ta thithësh atë ujë pa tretur asnjë nga elementët e rrezikshëm. Dhe kështu vepruan. Kur një anije peshkimi japoneze i shpëtoi, asnjë prej tyre nuk kishte urinuar prej 20 ditësh, dhe gjuhët e tyre ishin aq të fryra saqë nuk mund të flisnin dot.

Pema e Jetës

Por mbijetesa në disa raste të pabesueshme nuk kufizohet vetëm tek njerëzit. I tillë është rasti i Pemës së Jetës në Bahrein. Kjo pemë mendohet të jetë mbjellë në vitin 1582 dhe ndodhet në majë të një kodre prej rëre në pikën më të lartë të Bahreinit. Përreth pemës së gjelbër dhe me një pamje të shëndetshme ndodhet një shkretëtirë tepër e thatë.

Aty pranë nuk ka asnjë burim uji. Por pema merr ujë nga diku, dhe besohet se ajo ka rrënjë tepër të thella në një thellësi prej rreth 50 metrash. Disa njerëz thonë se pema ishte mbjellë në vendin e Kopshtit të Edenit, dhe kjo është arsyeja pse ajo është ende e gjallë.

Ernest Heminguei

Gjatë gjithë jetës së tij, shkrimtari i famshëm amerikan u përball me shumë përvoja afër vdekjes. Në Luftën e Parë Botërore, ai ishte shofer ambulance në shërbim të Kryqit të Kuq. Një mortajë austriake për pak sa nuk e vrau atë. Ai shpërthim e detyroi të vendoste një protezë aludimi në kupën e gjurit ndërsa në trup iu ngulën 237 copëza alumini.

Më vonë, ai për pak vrau veten gjatë përleshjes me një peshkaqen në Key West. Por, rreziqet më të mëdha për jetën i erdhën nga 2 aksidente ajrore, të cilat ndodhën brenda dy ditësh.

Kur ishte në Safari në Afrikë në vitin 1954, piloti i avionit Cesna ku udhëtonte Heminguei u rrëzua pasi u përpoq të shmangte një tufë zogjsh. Shkrimtari, bashkëshortja e tij dhe piloti e kaluan natën në xhungël. Më pas të nesërmen hipën në një avion tjetër, që u rrëzua menjëherë dhe mori flakë. Fillimisht Heminguei u raportua se kishte vdekur në aksident, por pak kohë më vonë doli nga xhungla me një tufë bananesh dhe një shishe xhin.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Foto/ Historitë më të çuditshme dhe misterioze të mbijetesës

LEXO TE PLOTE

Blog

Kina po shantazhon të tjerët me mjete ekonomike, SHBA dhe BE duhet të reagojnë

Publikuar

-

Nga

cna blog

https://www.newsweek.com/china-using-economic-coercion-blackmail-us-eu-must-fight-back-opinion-1667958

 

Nga Anders Fogh Rasmussen “Newsweek”

Për dekada, Tajvani është bllokuar në një pozicion që iu ri-përshtat të gjithëve:as nuk është pjesë e Kinës kontinentale, dhe as duke shpallur zyrtarisht pavarësinë. Republika Popullore e Kinës mund të ruante pretendimin e saj sovran mbi të. Por Tajvani ishte i lirë të zhvillohej si një demokraci liberale dhe një ekonomi moderne.

Dhe bota demokratike ishte në gjendje të mbante lidhje me të dyja, për sa kohë që ata distancoheshin nga çështja e sovranitetit dhe i përmbaheshin politikës së“Një Kine”.Por gjërat kanë ndryshuar. Nëpërmjet veprimeve të saj dhe retorikës së Sekretarit të saj të Përgjithshëm Xi Jingping, Kina ka treguar vitet e fundit se nuk është më e gatshme ta pranojë këtë statuskuo.

Prandaj, bota e lirë duhet që ta ri-mendojë qasjen e saj.

Gjatë mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm Xi si udhëheqës, Pekini i ka shtuar sulmet hibride ndaj Tajvanit. Kina po bombardon me dezinformata demokracinë e Tajvanit.

Ajo po përdor gjithë peshën e saj diplomatike në të gjithë skenën botërore, për t’i detyruar organet dhe institucionet shumëpalëshe që të mos përfshijnë Tajvanin. Dhe muajt e fundit ka ndërmarrë inkursione ushtarake gjithnjë e më agresive dhe të rrezikshme në hapësirën ajrore të ishullit.

Edhe pse Kina po kërcënon në mënyrë aktive Tajvanin demokratik, deri më sot shumë njerëz në botën e lirë kanë bërë një sy shurdh ndaj këtyre sulmeve. Ata kanë pasur frikë nga kërcënimet dhe presioni ekonomik i Pekinit,ndaj kanë qenë të gatshëm të tolerojnë përpjekjet e njëanshme të Kinës për të ripërcaktuar atë që Pekini tani e quan “parimi i një Kine”.

Pekini dëshiron që kjo të nënkuptojë, se asnjë vend tjetër nuk mund të ketë marrëdhënie ekonomike apo politike me Taipein. Statuskuoja e Tajvanit ekziston krahas një politike amerikane të përshkruar më së miri si paqartësi strategjike.

Me këtë të fundit nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Tajvanin nëse Kina do të sulmonte, por shkalla e saktë e çdo përgjigjeje, është lënë qëllimisht e papërcaktuar. Disa herë, presidenti Xho Bajden ka qenë shumë më pak i paqartë në pikëpamjet e tij.

Kina dhe Tajvani janë një fushë e politikës së jashtme, që bashkon të dyja partitë e mëdha në Uashington. Doktrina e “paqartësisë strategjike”, mund të ketë funksionuar mirë në të kaluarën. Por Kina e Xi Jinping nuk është Kina e së shkuarës. Tani duhet pak më shumë qartësi strategjike.

Kjo nuk do të thotë se SHBA-ja duhet t’i japë Tajvanit një garanci sigurie të ngjashme me klauzolën e mbrojtjes reciproke që përcakton neni 5 i traktatit themeltar të NATO-s. Por Shtetet e Bashkuara mund të bëhen më pak të fshehta në mbështetjen e tyre për Taipein.

Shtetet e Bashkuara kanë një interes shumë vetjak për mbrojtjen e Tajvanit. Nëse Tajvani do të bjerë, ndryshimi i ekuilibrit të fuqisë në Indo-Paqësorin më të gjerë do të ishte shkatërrues për kauzën e lirisë dhe demokracisë në mbarë botën.

Në këtë aspekt, as Evropa nuk mund të qëndrojë mënjanë, duke e kritikuar Amerikën për qasjen e saj më agresive ndaj Kinës, duke e lenë SHBA-në të mbajë të gjithë barrën e sfidave në rajonin e Indo-Paqësorit, ndërsa në të njëjtën kohë përpiqet që të ruajë një statuskuo merkantiliste me Pekinin.

Ne po shohim tashmë disa shenja të mira të hershme. Kohët e fundit, Parlamenti Evropian mbështeti me shumicë dërrmuese një rezolutë që kërkon përmirësimin e lidhjeve midis BE- së dhe Tajvanit, duke përfshirë një marrëveshje të re në fushën e investimeve.



Qeveria e re gjermane, me një Ministër të Jashtëm nga radhët e të Gjelbërve, është e orientuar më shumë drejt një politike të jashtme të bazuar tek vlerat. Ndërkohë Lituania ka braktisur një platformë ekonomike kinez në Evropën Qendrore, të njohur më shumë si 17+1, dhe ka lidhur haptazi marrëdhënie ekonomike me Tajvanin.

Këto veprime janë plotësisht në përputhje me “politikën e një Kine”, pasi ato nuk bëjnë asnjë njohje të sovranitetin e Tajvanit. Gjithsesi Kina po lufton kundër të drejtave sovrane të shteteve evropiane për të zhvilluar lidhje me Taipein.

LEXO EDHE:  A po përgatitet Rusia për pushtimin e Ukrainës?

LEXO EDHE:  Kongresi ameriakan, rezolutë për masakrat ndaj armenëve

Prandaj në kundërpërgjigje të lëvizjes së Lituanisë, Kina ka ndërmarrë një sërë lëvizjesh në fushën ekonomike kundër shtetit të vogël evropian, duke kufizuar eksportet e tij, dhe duke bllokuar në portet kineze më shumë se 1 mijë kontejnerë me mallra,për të cilat bizneset lituaneze kanë kryer tashmë pagesën.

Me këto sjellje Kina po ngacmon një aleat të NATO-s dhe një anëtar të BE-së, për të ndikuar tek vendimet e saj sovrane ekonomike dhe politike. Ky është një test për botën e lirë. Nëse e lëmë Lituaninë të vetme në përballje me Pekinin, super-arma e presionit ekonomik do t’u drejtohet edhe të tjerëve, për t’i detyruar më pas demokracitë t’i nënshtrohen vullnetit të Pekinit.

Në një periudhë afatshkurtër, ne duhet t’i ofrojmë Lituanisë hua të buta për të zbutur efektet e goditjeve ekonomike nga Kina. Edhe BE-ja duhet të deklarojë zyrtarisht se veprimet e Kinës po shtrembërojnë të gjithë tregun e përbashkët të BE-së, dhe të veprojë me kundërmasa ndaj Pekinit.

Bashkimi Evropian po punon për krijimin e një instrumenti kundër këtyre sjelljeve të Kinës, dhe kjo gjë që do t’i japë atij mjetet e duhura për të luftuar pikërisht kundër kësaj lloj sjellje. Por sfida e vërtetë e Brukselit nuk është nëse ai zotëron instrumentet e duhura ligjore; por nëse ka vullnet të mjaftueshëm politik për të mbrojtur të drejtën e Lituanisë për të bërë zgjedhjet e veta.

Në terma afatgjatë, bota e lirë mund të krijojë “Nenin 5” në fushën e ekonomisë për të reduktua abuzimet e Kinës me investimet strategjike dhe presionet ekonomik për qëllimet e saj gjeopolitike. Neni 5 i famshëm i NATO-s, thotë se një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve.

Po kështu, një “Nen 5 ekonomik” do të nxiste një përgjigje nga demokracitë,për të mbështetur një shtet apo biznes që përballet me presionet ekonomike që vijnë nga një autokraci. Pekini po e përdor fuqinë e tij ekonomike për të shantazhuar vendet dhe korporatat, pasi ky është një mjet efektiv.

Kjo praktikë ka funksionuar në rastet e kompanive të veshjeve, që u përballën me bojkot pasi vunë në dyshim shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe ndaj prodhuesve australianë të verës, të cilët janë përballur me tarifa të larta pas përkeqësimit të marrëdhënieve midis 2 vendeve.

Edhe Rusia përdor mekanizmat ekonomikë si një mjet për të arritur qëllimet e saj gjeopolitike, sidomos duke përdorur si një armë furnizimet e saj me gaz ndaj Evropës Perëndimore. Ne duhet të neutralizojmë efektet e këtyre taktikave që përdoren nga shtetet autoritare.

Ndërkohë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu një interes të përbashkët në rajonin e Indo-Paqësorit:ta mbajnë këtë të fundit të lirë, të hapur dhe sa më demokratik që është e mundur. Roli i Evropës në këtë aspekt, mund të mos jetë domosdoshmërisht dërgimi i një flote avionësh në zonë.

BE mund të përmirësojë marrëdhëniet e saj politike dhe ekonomike me Tajvanin.

Për shembull, duke zhbllokuar një marrëveshje dypalëshe investimi që u pezullua në kohën kur Brukseli po synonte të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme me Kinën.

Përmirësimi i lidhjeve ekonomike, është po aq në interesin tonë sa edhe të Tajvanit, duke pasur parasysh asetet e konsiderueshme që ka Tajvani në fushate teknologjisë së lartë sikurse janë gjysmë përçuesit. Evropa dhe SHBA-ja duhet të kërkojnë së bashku një qasje të re ndaj Kinës, diçka që administrata Bajden ia kërkoi BE-së edhe para inaugurimit të saj në detyrë.

Marrëdhënia jonë me Tajvanin nuk duhet të reduktohet vetëm tek mbështetja ushtarake apo në një marrëveshje specifike investimesh. Ajo ka të bëjë me pyetjen nëse ne jemi të gatshëm të ngrihemi për garantimin e lirisë dhe demokracisë në një rajon, ku që të dyja gjenden në një presion në rritje nga autokracia dhe diktatura.

Shënim: Anders Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vitet 2009-2014, dhe kryeministër i Danimarkës në vitet 2001-2009./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE