Ambasadat në Kosovë paralajmërojnë stafin: Ka rrezik për një sulm terrorist

27 Nëntor 2021, 20:49, Kosova & Bota CNA
Ambasadat në Kosovë paralajmërojnë stafin: Ka rrezik

Disa ambasada të huaja në Kosovë u kanë dërguar një e-mail të brendshëm stafit të tyre, që të evitojnë turmat dhe qendrat e mëdha tregtare nëpër qytetet e Kosovës, pasi ka rrezik për një sulm.

Në këtë e-mail thuhet se bëhet fjalë për ?një sulmues të vetëm?.

Koha e mundshme për sulmin eventual është përcaktuar fundi i këtij muaji, saktësisht 30 nëntori.

Në këtë e-mail gjithashtu thuhet se policia lokale është duke monitoruar të dyshuarin.

Për të qenë të sigurt, të gjithë anëtarët e stafit janë këshilluar të mos vizitojnë zonat e mëdha tregtare, veçanërisht qendrat tregtare.

Burime brenda policisë gjithashtu kanë konfirmuar se u është kërkuar një shtim i forcave rreth këtyre qendrave, ku eventualisht është planifikuar sulm, porse një operacion operativ i organizuar nuk është dhënë.

Policët më të shumtë në numër aktualisht po bëjnë monitorime dhe vëzhgime për të siguruar perimetrin përreth këtyre qendrave.

Sulmi është kategorizuar si ?sulm i mundshëm terrorist?.

Zyrtarisht megjithatë, Policia e Kosovës asgjë nuk ka konfirmuar.

I kontaktuar nga AP-ja, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka deklaruar se për informacione të tilla duhet të kontaktohet zyra qendrore, mirëpo zëdhënësi i përgjithshëm i Policisë, Baki Kelani, nuk u është përgjigjur thirrjeve të mediumit./Albanianpost

Lajmet e fundit nga