Pazari vdekjeprurës i Evropës me autokratët

25 Nëntor 2021, 10:00, Blog CNA
Pazari vdekjeprurës i Evropës me autokratët

Nga Charlotte McDonald-Gibson ?The New York Times?

Imazhet janë tronditëse. Fëmijë të grumbulluar rreth zjarreve, prindër që i shtërngojnë foshnjat në gjoks, ndërsa ushtarët pas gardhimit me tela me gjemba që vëzhgojnë gjithçka me një ndjenjë të dukshme padurimi. Por sado të tmerrshme që mund të jenë pamjet që na vijnë nga kufiri Bjellorusi-Poloni, nuk janë aspak befasuese.

Ato janë në fakt fytyra e politikës së emigracionit që ka Bashkimi Evropian. Nuk ka asnjë dyshim se pjesa më e madhe e fajit për këtë katastrofë humanitare – në të cilën mijëra emigrantë, shumica nga Iraku dhe Siria, po qëndrojnë nën acar ne mesin e një pylli prej  javësh – është e udhëheqësit të Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko.

Në një hakmarrje të hapur ndaj BE-së për sanksionet e vendosura kundër regjimit të tij, qeveria bjelloruse i çoi emigrantët në kufirin e fortifikuar polak, ku këta të fundit do të përballeshin vetëm me vështirësi dhe vuajtje. Ndonëse qeveria e shkatërroi kampin të enjten, dëmi është bërë.

Megjithatë, hakmarrja e Lukashenkos ishte e mirë-llogaritur:ai shfrytëzoi një problem që Bashkimi Evropiani ka krijuar vetes. Gjatë 6 viteve të fundit, BE është përpjekur që t?i ndalë emigrantët që vijnë nga vendet e varfra dhe që janë të përfshira në konflikte përmes mureve kufitare, një policimi të ashpër të kufijve, si dhe marrëveshjeve të dyshimta me vendet jashtë unionit, nga frika e efekteve politike të emigrimit në shkallë të gjerë.

Por ky pazar ka qenë vetë-mashtrues. Duke shfaqur panik dhe kaos të tillë përkundrejt perspektivës së emigrantëve në territorin e tij, Bashkimi Evropian u ka dhënë shteteve autoritare një manual sesi mund ta shantazhojnë unionin.

Në rast se blloku nuk gjen një përgjigje të përbashkët, të bazuar tek vlerat e tij themeltare të tolerancës dhe solidaritetit, Lukashenko nuk do të jetë autokrati i fundit, që do të shfrytëzojë ëndrrat e njerëzve për një jetë më të mirë.

Problemet nisën seriozisht që në vitin 2015, kur ardhja kaotike e më shumë se 1 milionë njerëzve, shumica për shkak të luftës dhe persekutimit në Siri, e katapultoi çështjen e emigracionit në krye të axhendës politike të kontinentit.

Mikpritja fillestare e kancelares së Gjermanisë Angela Merkel,i la shumë shpejt vendin deklaratave të ashpra dhe kufijve të sapo-fortifikuar. Mijëra emigrantë humbën jetën në përpjekje për të kaluar Detin Mesdhe, ndërsa u reduktuan në numër operacionet e kërkim-shpëtimit.

Të tjerët u grumbulluan në qendrat e zymta të paraburgimit përgjatë periferive të bllokut. Dhe vendet autoritare e vëzhguan me vëmendje atë që ndodhi. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, ndjeu shansin për ta përdorur këtë problem si një lloj mjeti për të shantazhuar fqinjët e tij, dhe ofroi ndihmë me një kosto të lartë.

Në vitin 2016, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje:6 miliardë euro, në këmbim që Turqia të ndalonte afro 3 milionë refugjatët sirianë në tokën e saj,të cilët po tentonin të kalonin në Greqi. Edhe para krizës, Bashkimi Evropian e kishte zakon që të kapitullonte ndaj kërkesave të autokratëve, duke i ofruar kolonelit libian Muamar Gadafi 60 milionë euro në vitin 2010, pasi ai kërcënoi Evropën me një ?fluks afrikanësh të uritur dhe injorantë?.

Sot, BE-ja vazhdon që të financojë Rojet Bregdetare Libiane, pavarësisht raporteve se shumica e parave përfundojnë tek milicët dhe trafikantët e qenieve njerëzore. Për emigrantët e paligjshëm, pasojat janë shpesh tragjike. Roja Bregdetare Libiane i mbyll njerëzit në qendrat e paraburgimit ku janë dokumentuar gjerësisht përdhunimet, torturat dhe vrasjet sistematike.

Sipas marrëveshjes me Turqinë, njerëzit që mbërrijnë në Greqi duhet të rikthehen në Turqi. Por në vend të kësaj, ata lëngojnë për vite në kampe të mbipopulluara në ishujt grekë.

Me një autoritet moral të dobësuar, Bashkimi Evropian është bërë më i prekshëm ndaj kërcënimeve nga qeveritë e paskrupullta.

Për shembull, kur blloku përpiqet që ta ndëshkojë Turqinë për shkeljen e të drejtavetë njeriut, sundimin e ligjit ose represionin politik, zyrtarët turq kërcënojnë shpesh Brukselin me anulimin e marrëveshjes. Në shenjë hakmarrje ndaj Spanjës që i ofroi trajtim mjekësor një lideri të pavarësisë së Saharasë Perëndimore, Maroku – shërbimet e sigurisë të së cilit financon edhe Bashkimi Evropian – e ndalën përkohësisht në maj policimin e kufirit me enklavën spanjolle të Ceutës.

BE varet tashmë nga vullneti i mirë i regjimeve autokratike për ruajtjen e kufijve të tij. Mjerimi njerëzor, është shndërruar në një mjet të pranueshëm për pazar: Burrat, gratë dhe fëmijët në kufirin polak, ishin vetëm të fundit në radhë që ranë pre e tyre.

Të bllokuar midis rojeve kufitare polake dhe atyre bjelloruse të armatosura rëndë, gati duke ngrirë nga i ftohti dhe me pak ushqime në dispozicion, ata u përballën me një situatë të rrezikshme. Të paktën 11 persona kanë humbur jetën deri tani.

Bashkimi Evropian u fokusua tek  Lukashenko, duke denoncuar veprimet e tij ?çnjerëzore?. Por këto fjalë tingëllojnë të zbrazëta kur Polonia, një shtet anëtar i BE-së, i detyroi emigrantët të riktheheshin në kufi dhe hodhi gaz lotsjellës dhe topa uji ndaj tyre.

Po ashtu, Varshava i pengoi gazetarët, punonjësit e ndihmës humanitare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë që të depërtonin në zonën kufitare. E megjithatë, çuditërisht Polonia nuk u vu nën presionin e unionit për të hapur kufirin e saj për emigrantët më në rrezik për jetën. Përkundrazi, ajo gëzonte mbështetjen e plotë të bllokut.

Zyrtarët evropianë përdorin gjuhën e epërsisë morale dhe humanitarizmit, pa politika për ta mbështetur atë, duke e dobësuar kësisoj autoritetin e tyre në raport me vende të tilla si Bjellorusia dhe Rusia. Ata duhet që të fillojnë menjëherë t?i korrigjojnë këto standarde të dyfishta.

Së pari, Komisioni Evropian duhet t?i bëjë presion Polonisë – duke përdorur kërcënimin apo edhe sanksionet – që të lejojë qasjen e organizatave humanitare në zonën kufitare aty ku është e nevojshme, dhe të përpunojë kërkesat për azil të njerëzve në territorin e saj.

Ky duhet të jetë hapi i parë në një qasje të re ndaj problemit të emigracionit, duke krijuar më shumë shtigje ligjore për dhënien e vizave të punës dhe zhvendosjen e refugjatëve, dhe duke zhvilluar një sistem funksional azili, në të cilin barra ndahet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut.

Asgjë nga këto nuk do të jetë e lehtë – ndjenja kundër emigrantëve e ekstremit të djathtë, është e rrënjosur gjerësisht në të gjithë kontinentin – por përfitimet do të ishin të gjera. Kjo lëvizje do të forconte pozitën morale të bllokut, dhe do t`i hapte shoqëritë ndaj përfitimeve që mund të sjellë emigrimi i mirë-kontrolluar.

Por në thelb, ky ndryshim në qasje ka një domethënie strategjike. Skenat kaotike në kufij, nuk janë një pamje e mirë. Duke i trajtuar azilkërkuesit në territorin e tij jo si skenarin më të keq të mundshëm, por si një situatë të menaxhueshme, e cila duhet përballuar me dhembshuri dhe solidaritet, Brukseli do t?i dërgonte një mesazh të fuqishëm botës.

Kundërshtarët e tij do ta mësonin se s?do të kishte kuptim që të përpiqeshin ta shantazhonin atë në të ardhmen. Por në rast se blloku lejon që vdekja dhe vuajtjet të bëhen të zakonshme për emigrantët, kufiri midis regjimeve autoritare dhe Bashkimit Evropian do të mjegullohet edhe më shumë. Kjo do të ishte panorama me e mirë për të gjithë ata që duan të minojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga