Connect with Us

Pse vendet e Evropës Veriore, kanë qytetarët më të lumtur në botë?

Blog

Pse vendet e Evropës Veriore, kanë qytetarët më të lumtur në botë?

Publikuar

-

cna lajme blog

Nga Benjamin Plackett “Discover Magazine”

Dielli gjatë muajit dhjetor nuk lind kurrë mbi horizontin e veriut Arktik të Finlandës. Edhe në jugun e largët të këtij vendi, ku jeton pjesa më e madhe e finlandezëve, banorët shohin vetëm 6 orë dritë dielli në ditët më të shkurtra të dimrit.

Pavarësisht nga kjo errësirë, Finlanda është zyrtarisht vendi më i lumtur në botë, dhe është renditur e para në këtë listë për 4 vjet me radhë. Kjo edhe sipas Raportit Botëror të Lumturisë të vitit 2021 të Kombeve të Bashkuara , që bazohet tek një pyetje të vetme (edhe pse subjektive).

Pjesëmarrësve anembanë globit, u kërkohet që të vlerësojnë lumturinë e tyre në një shkallë nga 1 deri në 10. Vendet e tjera nordike, duke përfshirë Islandën, Danimarkën dhe Suedinë, mbajnë gjithashtu vendet e para në këtë listë.

I vetmi vend jo-evropian, që renditet në mesin e 10 vendeve më të lumtura në botë është Zelanda e Re. Ndërkohë, shumë vende duke përfshirë Afganistanin, Sudanin e Jugut dhe Zambian, klasifikohen vazhdimisht në fund të listës. Shtetet e Bashkuara, renditen për këtë vit në vendin e 14-të.

Renditjet e tjera tregojnë rezultate të ngjashme. Indeksi i Prosperitetit Legatum, që mat mirëqenien ekonomike dhe sociale të vendeve, raporton gjithashtu nivele relativisht të larta lumturie brenda vendeve të Evropës Veriore, në krahasim me ato që përjetojnë konflikte intensive.

Dhe ndërsa mungesa e pasurisë, mund ta pozicionojë një vend në fund të tabelës, nga ana tjetër vetëm paratë nuk janë të mjaftueshme për ta renditur një vend në krye të kësaj liste.

Për shembull marrin rastin e Hong Kongut.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, ai është vendi i dhjetë më i pasur në botë, kur është fjala për të ardhurat kombëtare bruto (GNI). Por Hong Kongu pozicionohet në gjysmën e fundit të indeksit të OKB-së, pas vendeve me një GNI më të ulët si Shqipëria, Gana dhe Ekuadori.

Në përgjithësi, studiuesit thonë se një sistem politik i qëndrueshëm, një sistem i mirë i sigurisë sociale, kujdesi shëndetësor falas, dhe nivelet e larta të besimit të publikut në një sistem politik, demokratik janë elementët e duhur për të pasur një popullatë të lumtur.

“Tek e fundit thelbësore nuk është kultura, por janë institucionet e një vendi”- thotë Frenk Martela, studiues i psikologjisë në Universitetin Aalto në Finlandë, që kontribuon në raportin e përvitshëm të Kombeve të Bashkuara.

LEXO EDHE:  Rama publikon artikullin e Vogue për Tiranën/ Komentuesit: Na gjej punë të ushqejmë fëmijët

Performanca jo shumë e mirë e Hong Kongut, është sipas një raporti nga Indeksit të Prosperitetit Legatum, pjesë e një tendence rajonale. Ky raport arrin në përfundimin se “progresi u ngadalësua në rajonin e Azi-Paqësorit, kryesisht për shkak të një përkeqësimi të sigurisë dhe sigurisë, lirive personale, cilësisë së ekonomisë dhe sistemit arsimor”.

India shënon një shembull tjetër, në të cilin rritja e pasurisë nuk përkthehet domosdoshmërisht në rritje të lumturisë, thotë Martela. ”Gjatë 10 viteve të fundit, PBB-ja e saj është rritur me shpejtësi, por lumturia e saj po zvogëlohet. Kjo renditje, mund të jetë një manifestim i paqëndrueshmërisë politike në nën-kontinent, dhe tensioneve në rritje midis komuniteteve fetare të Indisë- shton ai.

Por si e ka arritur saktësisht Evropa Veriore këtë gjendje shpirtërore kaq të mirë? “Kur kemi analizuar të gjitha fazat e hulumtimet për këtë pyetje, duket sikur institucionet më të afta, janë ato që parashikojnë lumturinë në nivel kombëtar”- shprehet Martela.

“Vendet nordike ofrojnë shumë gjëra pozitive për qytetarët, si një sistem të gjerë të mirëqenies sociale, kopshte dhe kujdes shëndetësor falas. Këto gjëra janë shumë thelbësore, pasi nënkuptojnë se njerëzit mund t’i besojnë shoqërisë që të kujdeset për ta, në rast se diçka shkon keq në jetën e tyre”- nënvizoi ai.

Sipas të dhënave të mbledhura nga organizatat “Reporterët pa Kufij”, qytetarët e Evropës Veriore, kanë më pak censurë në media dhe korrupsion se sa kudo tjetër në botë. “Prandaj, cilësia e institucioneve demokratike, është shumë e lartë”- thotë Martela.

Nëse qytetarët kanë besim se sistemi demokratik është duke funksionuar, atëherë ata kanë më shumë gjasa që të ndihen sikur vota e tyre ka vërtet rëndësi. Kjo është një tjetër nxitje për mirëqenien e banorëve.

“Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Që zyrtarët e qeverive, duhet të ri-mendojnë se si e vlerësojnë ndikimin e politikave të tyre. Produkti i Brendshëm Bruto, është përdorur për një kohë të gjatë si një simbol për suksesin e një vendi. Synimi përfundimtar i qeverive, duhet të jetë sigurimi që të jenë të lumtur sa më shumë qytetarë”- thotë Martela.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.discovermagazine.com/planet-earth/are-some-countries-happier-than-others

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Franca po i përdor si armë emigrantët, ashtu si Bjellorusia

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Gavin Mortimer “The Spectator”

Ishte e vështirë të mos qeshje me një farë cinizmi me deklaratën e fundit të anëtarëve perëndimorë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që e dënuan Bjellorusinë për përdorimin e emigrantëve në kufirin e saj me Poloninë si një armë të krizës.

Pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten e shkuar, anëtarët perëndimorë botuan një deklaratë të përbashkët, duke e akuzuar Minskun se po rrezikon jetën e emigrantëve “për qëllime politike”.Kjo është sigurisht e vërtetë, por si mund të dëgjosh fjalë të tilla nga Franca. Çfarë hipokrizie!

Këtë vit ka shumë më pak emigrantë që jetojnë nëpër kampe prej kartoni në periferitë e ë Parisit. Pse? Sepse këto kampe janë shkatërruar, dhe emigrantët, shumica të rinj nga Afrika dhe Lindja e Mesme, janë nisur drejt veriut për në qytet-portin e Kalesë.

Pasi atje mund të shkosh në Angli përmes një udhëtimi të shkurtër përmes Kanalit. Dhe këtë udhëtim e kanë bërë këtë vit mbi 24 mijë njerëz, gati 3-fishi i numrit që ia doli të kalojë Kanalin në vitin 2020.

“Duket se francezët u kanë lënë dorë të lirë trafikantëve të qenieve njerëzore. Ky dështim i tmerrshëm i zbatimit të ligjit, do të ngrihet me forcë në diskutimet me Ministrit të Brendshëm Zherald Darmanin dhe qeverinë franceze”- citohet të ketë thënë një burim i qeverisë britanike, mbi paaftësinë e Francës për të ndaluar emigrantët ilegalë që kalojnë në Angli përmes territorit të saj.

Ndoshta, Boris Xhonson duhet të mendojë të dërgojë ushtarë britanikë në Kale, si dhe në kufirin polak. Protestat e britanikëve ndaj Parisit, nuk do të sjellin ndonjë gjë të mirë. Presidenti francez Emanuel Makron, ka nisur tashmë fushatën për zgjedhjet presidenciale të prillit të ardhshëm.

Dhe sfidantët e tij kryesorë vijnë nga e djathta:Marinë Lë Pen e Tubimi Kombëtar, analisti i krahut të djathtë Erik Zemur, dhe republikanët e qendrës së djathtë, të cilët nuk kanë zgjedhur ende një kandidat, e kanë bërë emigracionin një pikë qëndrore të manifestit të tyre.

Për më tepër, në 15 muajt e fundit në Francë ka pasur një numër sulmesh islamike të kryera nga burra që kanë hyrë ilegalisht në vend, përfshirë vrasjen e tre besimtarëve nga një tunizian në një kishë të Nisës.

Prandaj, Makron e di shumë mirë se duhet të bëjë diçka për numrin e madh të emigrantëve të paligjshëm që ndodhen aktualisht në Francë – dhe që vlerësohet të jetë rreth 900.000- dhe a ka ai zgjidhje më të mirë se sa transferimi i këtij problemi tek britanikët?

Një reportazh në mediat franceze të enjten në mbrëmje, vërtetoi para shikuesve se autoritetet franceze po e lehtësojnë migrimin e emigrantëve ilegalë drejt Anglisë nëpërmjet Kanalit. Gazetari që realizoi reportazhin, përshkroi se si emigrantët ishin zhvendosur në perëndim nga Kaleja në Dunat Dë La Slak, me pamje nga plazhet e arta të Vimero-së, një destinacion popullor turistik për britanikët në periudhën midis 2 luftërave.

LEXO EDHE:  “Ky nuk është investim, është idiotësi”/ Rama del “zbuluar”, qytetarët i tregojnë vendin

LEXO EDHE:  “Je bo teatër fare”, Rama replika me qytetarin/ Ja si i përgjigjet kryeministri



Një peshkatar vendas i shpjegoi gazetarit frekuencën me të cilën ai sheh gomonet që nisen për në Britani. “Anglezët nuk janë të lumtur më këtë situatë”- i thotë gazetari. Duke buzëqeshur, peshkatari u përgjigj:“E kush e çan kokën për këtë!”.

Ekipit të televizionit nuk iu desh të priste shumë përpara se të shihte një grup të madh emigrantësh ilegalë që mbanin në duar një gomone të fryrë buzë detit. Në përpjekjen e dytë ata e lëshuan me sukses gomonen dhe u nisën.

Nga dunat, 5 policë francezë të cilët qëndronin në makinën e tyre të patrullës shihnin gjithçka. Gazetari tha se ata kishin mbërritur shumë vonë për të parandaluar nisjen e gomones, por ata “kontaktuan rojen bregdetare, e cila e shoqëroi gomonen në ujërat territoriale britanike”.

Por sipas organizatës “Human Rights Watch”, policia francezë nuk ka qenë gjithmonë kaq e butë me sjelljen e saj ndaj emigrantëve. Muajin e shkuar HRW akuzoi policinë në Kale për “praktika abuzive”, të tilla si shembja e çadrave të ngritura nga emigrantët apo konfiskimi i sendeve të tyre.

E vërteta është se policisë, ashtu si njerëzve të mirë të Kalesë, u është sosur durimi pasi gjatë 2 dekadave të fundit emigrantët kanë ngritur kampe brenda dhe rreth portit, ndërsa dhuna dhe krimi janë një realitet shoqërues, të cilin ka dështuar që ta adresojë klasa politike franceze.
Inercia e tyre nuk është e ndryshme nga ajo e Brukselit, që ishte tepër i hutuar mbi mënyrën sesi ta trajtonte krizën e emigrantëve në vitin 2015, kur Angela Merkel hapi kufijtë e kontinentit. Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko e di mirë këtë.

Dhe ndërsa ai akuzohet për “përdorimin e emigrantëve si një armë”, sa ndryshon në fakt sjellja e tij nga ajo që po ndodh sot në Kale? Franca supozohet se paguhet nga qeveria britanike për të ndaluar emigrimin e paligjshëm, por ata nuk po bëjnë asgjë të tillë.

Kjo të kujton paksa sjelljen e tyre të vitit 2018, kur policia franceze në juglindje të vendit u akuzua nga Italia për lejimin e kalimit të emigrantëve që ata kishin kapur përtej kufirit. Mos-veprimi i autoriteteve franceze, madje mund të thuhet edhe inkurajimi i tyre i heshtur, po vë në rrezik jetën e emigrantëve.

Dy burra u mbytën në përpjekje për të kaluar Kanalin, teksa të premten u raportua zhdukja e 3 të tjerëve pasi ishin nisur drejt Britanisë me një varkë të vogël të tipit kajak. Ndoshta Britania duhet të thërrasë një mbledhje tjetër urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe këtë herë të dënojë sjelljen e Francës.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.spectator.co.uk/article/france-is-using-migrants-just-like-belarus

LEXO TE PLOTE

Blog

Lidhjet e shumëfishta të Frenk Sinatrës me botën e krimit në Amerikë

Publikuar

-

Nga

Frenk Sinatra është i njohur për shumë gjëra:për aftësinë e tij të jashtëzakonshme në të kënduar; për fitimin e dy çmimeve Akademy Awards, si dhe për  Çmimin Oskar si “aktori më i mirë në një rol dytësor” për rolin e tij në filmin “Nga këtu në përjetësi” të vitit 1953.

Por ai është gjithashtu i famshëm për lidhjen e tij me mafian amerikane, diçka që nuk pëlqente shumë që ta dinte publiku. Lidhjet e Sinatras me mafian e kanë origjinën që tek familja e tij, pasi xhaxhai i tij Bob Garavante, ishte pjesë e familjes mafioze italo-amerikane Gjenoveze.

Ndonëse Bob nuk pati një ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetet e tij të mëvonshme me botën e krimit të Amerikës, ai me siguri që i tregoi të riut Frenk se si të sillej dhe vepronte në një mjedis të tillë. Gjatë rrugëtimit të tij drejt famës, por dhe për vite pasi u bë një nga figurat kryesore të Hollivudit, Sinatra mbajti kontakte shumë të afërta  me mafian, duke përfshirë Benxhamin “Bagsi” Sigëll dhe Çarls “Laki” Luçiano.

Shumica e atyre me të cilët rrinte, ndanin pasionet e tij për gratë, lojërat e fatit dhe paratë, dhe takoheshin shpesh mbrëmjeve në klube nate dhe kazino. Duke folur për “Page Six”, ish-menaxheri i Sinatrës, Toni Opedisano, thotë se mafiozët ishin në një garë mes tyre për të pasur vëmendjen e artistit.

“Ata donin që të ishte në rrethin e ngushtë të Frenk. Vetë ai bëri çmos që të mos ta ekspozohej shumë me këta njerëz, por disa njerëz do ta tepronin. Me kalimin e kohës disa nga mafiozët u bënë miq të ngushtë me të, dhe ata do të përpiqeshin të bënin për të gjëra, të cilat ai nuk ua kërkoi asnjëherë. Frenk thoshte:Nëse këta njerëz duan vërtet të më bëjnë një nder, do të doja që të mos më bënin më ndere!”- thotë ai.

Sipas Opedisano, Frenk Sinatra e urrente lidhjen e tij me mafian, dhe fajësoi për këtë kryesisht ndjenjat anti-italiane që dominonin në atë kohë në SHBA. Ai vetë pretendonte se ra në kontakt me mafiozët, pasi ata kishin në pronësi ambientet ku ai këndonte.

“Toni, nuk e kuptoj. Nëse klubet e natës, do të ishin të gjitha në pronësi të Kardinalëve dhe Imzotëve, mendoj se do ta kisha kaluar kohën time me Kardinalët dhe Imzotët. Por kjo gjë nuk do të më bënte as Kardinal apo Imzot. As puna në një klub në pronësi të njerëzve të mafias, nuk do të bëjë mafioz”- i tha në një rast menaxherit të tij.

Megjithatë, kjo deklaratë nuk shpjegon arsyen se pse ai dilte aq shpesh foto me mafiozët e njohur. Ai vetë pretendonte se kjo ishte mënyra e tij e të qenit i sjellshëm, pasi “kur një burrë më zgjat dorën për të më takuar, unë nuk e pyes kurrë se si i ka fituar paratë, mirësjellja është mirësjellje”.

Ai ishte veçanërisht i ndjeshëm për lidhjen e tij të pretenduar me mafian, për të cilën shkruhet në librin e Mario Puzos “Kumbari”. Duke folur për “New York Magazine” në vitin 1972, Puzo tha se Sinatra ishte paksa i emocionuar nga lidhja midis tij dhe mafiozit Xhoni Fonten.

LEXO EDHE:  Rama optimist për shuarjen e zjarreve/ Qytetarët i “nxjerrin bojën”

LEXO EDHE:  “Ti je bandit, SPAK do të bëjë atë që meriton”/ Metës i tregojnë vendin



Të dy u ballafaquan një mbrëmje kur u prezantuan nga të njohur të përbashkët në një klub nate në Beverli Hills. Puzo kujton se Sinatra e kritikoi ashpër për librin e tij. Madje thuhet se këngëtari e kërcënoi se do ta rrihte, nëse ai do të ishte pak më i ri në moshë, gjë që e ofendoi Puzon.

“Ajo që më lëndoi ishte se Frenk, një italian nga veriu, po më kërcënonte me dhunë fizike mua, një italian nga jugu. Kjo është përafërsisht njëlloj sikur Ajnshtajni të kërcënonte me thikë Al Kaponen. Thjesht nuk shkon. Italianët e veriut, nuk ngatërrohen kurrë ata të jugut, përveçse kur i futin në burg ose i deportojnë në ndonjë ishull të shkretë”- tha më vonë Puzo.

FBI-ja amerikane nuk u besonte pretendimeve të Frenk Sinatrës, se nuk kishte personalisht lidhje me mafian. Organizata qeveritare kaloi mbi 40 vjet duke e survejuar, duke grumbulluar mijëra faqe që dokumentonin lëvizjet e tij, miqësitë dhe gjithçka tjetër rreth jetës së tij, duke nisur që me deklaratën e tij se për arsye shëndetësore, nuk ishte në gjendje të angazhohej me ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa FBI-ja nuk ishte asnjëherë në gjendje të provonte se ai ishte i përfshirë në akte kriminale, ajo regjistroi ndërveprime të shumta midis Sinatrës dhe disa emrave të mëdhenj të botës së krimit. Kishte shumë zëra rreth miqësisë së tij me bosin e mafias të Çikagos, Sam Xhankana.

Sipas vajzës së tij, Tina, Sinatra e prezantoi Xhon F.Kennedy me të dashurën e Xhiankana, Xhudith Eksner, e cila dyshohet se shërbeu si një ndërlidhëse midis presidentit dhe Xhankanës, gjatë hartimit të një plani për të vrarë udhëheqësin kuban Fidel Kastro.

Po ashtu në dosjet e FBI-së kishte raporte për dhuratat e marra nga Xhozef dhe Çarls Fisketi, kushërinj të bosit të mafias Al Kapone, si dhe për një performancë të Sinatrës në dasmën e vajzës së bosit të mafias së Filadelfias, Anxhel Bruno.

Madje ka dokumente që tregojnë se mafia ushtroi ndikimin e saj për ta ndihmuar Sinatrën të dilte nga një kontratë e nënshkruar në vitin 1951. Një incident i spikatur, ishte ai kur agjentët e FBI-së panë Sinatrën të takohej me mafiozët e Detroitit, Vito dhe Entoni Xhakalone.

“Disa herë në vit, ne e shihnim Xhanalonen të shkonte në aeroport për të marrë Sinatrën. Ata e kalonin fundjavën së bashku, duke u shoqëruar para dhe pas shfaqjeve të tij… Dhe Frenk nuk kërkoi ndjesë për këtë. Ata ishin miqtë e tij. Për të nuk kishte rëndësi fakti që ata ishin gangsterë dhe vrasës të njohur. Atij nuk i interesonte, por do të rrinte me ata që donte”- thotë agjenti në pension Sem Rufino./CNA.al

https://www.thevintagenews.com/2021/11/12/frank-sinatra-mob-ties/

LEXO TE PLOTE

Blog

Dhuna në Bosnje e mundur, por lufta nuk ka gjasa të përsëritet

Publikuar

-

Nga

Nga Valentino Grbavac “European Western Balkans”

Kriza politike në Bosnje Herzegovinë (BiH), ka arritur nivele të tilla, saqë disa po argumentojnë se vetë paqja është e kërcënuar, dhe se një luftë e re është shumë pranë. Ndërsa kriza aktuale politike është më e rënda që nga Rregullimi i Brendshëm Kroat i vitit 2001, një luftë e gjithanshme që të kujton konfliktin e tmerrshëm të viteve 1990, është jashtëzakonisht e pamundur.

Kjo s’do të thotë se nuk është i mundur shpërthimi i akteve sporadike të dhunës, apo që kriza aktuale nuk është shumë serioze apo e vështirë për t’u kapërcyer. Por lufta, e cila shkaktoi 100 mijë të vdekur në Bosnje në vitet 1990, dhe mbi 2.3 milionë refugjatë, ka shumë pak gjasa që të rindizet edhe njëherë.

Dhe arsyeja për këtë nuk është mungesa e urrejtjes apo e retorikës nacionaliste, pasi marrëdhëniet ndër-etnike janë më të këqija në vitin 2021, sesa në vitin 1991. Por të tria kombeve përbërëse të Bosnjës u mungojnë 3 elementët e nevojshëm për të filluar dhe zhvilluar luftën:fuqia punëtore, burimet ushtarake dhe motivimi.

Në vitin 1995, forcat boshnjake (ABiH) numëronin 230 mijë ushtarë (ku 96 për qind ishin boshnjakë), forcat kroate (HVO) kishin rreth 45 mijë ushtarë, ndërsa forcat dhe serbe (VRS) numëronin 155 mijë ushtarë (praktikisht të gjithë serbë). Pra në vitin 1995 të tria ushtritë kishin 430.000 ushtarë, ose afro 10 për qind të gjithë popullsisë së paraluftës prej 4.4 milionë banorësh .

Sot forcat e armatosura në Bosnje përbëhen nga vetëm rreth 8.800 ushtarë, ku 20 për qind janë kroatë, 34 për qind serbë dhe 46 për qind boshnjakë, që në shifra përkthehet respektivisht në 1.800 ushtarë kroatë, 3.000 ushtarë serbë dhe 4.000 ushtarë boshnjakë. Forcat e armatosura kanë 3 brigada këmbësorie multi-etnike, dhe një numër të vogël njësish mbështetëse. Por brigadat përbëhen nga 3 batalione mono-etnike të stacionuara në qytete të ndryshme, gjë që do të thotë se ushtria është e ndarë në 3 forca të veçanta.

Të dhënat e 4 viteve më parë tregojnë se në vend kishte 7300 policë boshnjakë, 2500 kroatë dhe 8500 serbë. Pra në total nën armë janë 11.300 boshnjakë (42 për qind), 4.300 kroatë (16 për qind) dhe 11.500 serbë (42 për qind), gjithsej 27.100 njerëz të trajnuar.

Popullsia aktuale e Bosnjës vlerësohet në pak më shumë se 2.6 milionë, me rreth 350 mijë kroatë, 950 mijë serbë dhe 1.3 milionë boshnjakë. Ndërsa një 60-vjeçar mund ta shtypë këmbëzën po aq lehtë sa një 18-vjeçar, lufta sidomos në terrenin e thyer dhe malor të vendit,  kërkon djem të rinj.

Bosnja ka përjetuar një rritje të paprecedentë të emigrimit në dekadën e fundit, dhe sipas një sondazhit të fundit afro gjysma e të rinjve (të moshës 15-30 vjeç) planifikojnë të largohen nga vendi. Popullsia ka mesatarisht një moshë mesatare 5 vjet më të madhe se në vitin 1991, dhe kjo do të thotë se ka më pak qytetarë të moshës për t’u rekrutuar në ushtri.

Dhe në një skenar të mobilizimit të plotë të ngjashëm me vitet 1990, maksimumi që mund të grumbullojnë të tria palët, përfshirë policë dhe ushtarë, do të ishte 20 mijë për kroatët, 55 mijë për serbët dhe 75 mijë për boshnjakët, ose 150.000 mijë në total, pra vetëm 1/3 forcave që ekzistonin në luftën e viteve 1990.

Në këto kushte, jo vetëm që nuk do të kishte forca të disponueshme për sulme strategjike, por të tria palët do të kishin probleme të mëdha për të mbledhur trupa të mjaftueshme edhe për mbrojtjen statike të vijës së frontit. Ndërkaq, cilësia mund të jetë një faktor edhe më i rëndësishëm.

Të gjithë 18 vjeçarët në kohën e ish-Jugosllavisë ishin të detyruar të shërbenin 1 vit të plotë në ushtri, duke marrë trajnimet bazë dhe ato të specializuara, gjë që ishte një faktor i madh në mobilizimin kaq të shpejtë të ushtarëve në vitet 1990.



LEXO EDHE:  “Turp t’iu vijë”/ Demokratët “masakrojnë” Bashën: Po vuajmë pasojat tuaja

LEXO EDHE:  Mirë se vini në vendin më të lumtur në botë

Por shërbimi ushtarak u hoq plotësisht në Bosnje në vitin 2006, gjë që do të thotë se të gjithë të rinjtë të moshave 18-33 vjeç, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së moshës së aftë për të luftuar, nuk kanë fare stërvitje ushtarake.

Nëse do të duhej të mobilizoheshin, atyre do të duheshin muaj për të pasur edhe forcën më elementare luftarake për një mbrojtje statike. Dhe do të duhej të paktën një vit derisa çdo palë të mund të ndërmerrte një ofensivë të vërtetë strategjike. Edhe veteranët më të rinj nga viti 1995, janë sot në mesin e të dyzetave, që do të thotë se një veteran në të 50-at do të ishte jashtë moshës për t’u angazhuar në front.

Por çështja e furnizimeve ushtarake, do të ishte edhe më penguese se sa ajo e mobilizimit. Bosnja nuk ka asnjë avion reaktiv, dhe helikopterët e saj të paktë operacionalë, përdoren kryesisht për transport. Ajo ka afro 40 tanke operacionale, 80 mjete të blinduara dhe rreth 120 pjesë operative të artilerisë së rëndë.

Pjesa tjetër e stokut është disa dekada e vjetër, dhe kryesisht e papërdorshme. Sa për krahasim, vetëm serbët kishin 500 tanke, 400 mjete të blinduara dhe rreth 1000 copë artileri të rënda në vitin 1992. Pra lufta do të duhej të zhvillohej ekskluzivisht me armë të lehta.

Në vend janë të regjistruara rreth 270.000 pistoleta dhe armë gjuetie, edhe pse shumë njerëz kanë fshehur armë automatike që nga koha e luftës. Megjithatë, ndërsa kallashnikovët dhe mortajat mund të mjaftojnë për të shkaktuar akte dhune në disa qytete të mbetura multi-etnike, ato nuk mjaftojnë për të zhvilluar një luftë në shkallë të gjerë, edhe nëse morali dhe motivimi mund të jetë i lartë.

Lufta në vitet 1990, kishte të bënte me pushtimin e territorit dhe pastrimin e “tjetrit” prej andej, duke krijuar zona homogjene në Bosnje. Mjerisht, ajo skemë ishte shumë efektive. Sot 95 për qind e serbëve jetojnë në Republika Srpska (RS), 85 për qind e boshnjakëve jetojnë në 6 kantone me shumicë boshnjake, dhe 70 për qind e kroatëve jetojnë në 4 kantone me shumicë kroate.

Dhe ky realitet tragjik, nënkupton se mungon motivimi për të nisur një luftë, pasi të gjitha palët kontrollojnë territorin e tyre monoetnik, që përfshin pothuajse të gjithë anëtarët e tyre në Bosnje. Për shembull, kroatët nuk kanë asnjë arsye të rinisin luftën kundër serbëve, pasi në RS kanë mbetur afërsisht 5.000 kroatë të moshuar (nga 145.000 para luftës).

Po kështu, vetëm 8.000 serbë kanë mbetur në territorin etnik të kontrolluar nga kroatët në Kantonin 10. Në këto kushte, çfarë mund t’i motivojë boshnjakët të marshojnë, të pajisur vetëm me armë të vogla, drejt Banja Lukës, e cila është mbi 90 për qind serbe, për t’u përballur me një forcë të barabartë?

Kush është gati të rrezikojë jetën e tij dhe të familjes për një territor, për të cilin nuk ka asnjë mënyrë për ta kontrolluar efektivisht pa gjenocid dhe spastrim etnik? Pohimi i kohëve të fundit i Bakir Izetbegoviç, liderit të partisë më të madhe boshnjake në Bosnje, se boshnjakët do të mobilizonin 200.000 ushtarë për të parandaluar shpërbërjen e vendit, është më shumë një qëndrim politik që i drejtohet votuesve të tij por edhe komunitetin ndërkombëtar, sesa një deklaratë realiste.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë nuk mund të shpërthejë një dhunë e lokalizuar midis boshnjakëve dhe serbëve në Brçko, apo midis boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjën Qendrore. Pavarësisht kësaj mundësie, nuk ka asnjë tregues se kjo dhunë nuk do të qëndronte e lokalizuar.

Por vetëm sepse lufta nuk ka gjasa të nisë, kjo nuk do të thotë se kriza nuk duhet të merret seriozisht. Pas 3 vitesh në stanjacion ekonomik, Bosnja është në prag të kolapsit të plotë të sistemit politik, gjë që mund të çojë në shpërbërjen e vendit./CNA.al

https://europeanwesternbalkans.com/2021/11/12/violence-in-bosnia-and-herzegovina-is-possible-but-war-is-extremely-unlikely/

LEXO TE PLOTE