Connect with Us

Dhuna në Bosnje e mundur, por lufta nuk ka gjasa të përsëritet

Blog

Dhuna në Bosnje e mundur, por lufta nuk ka gjasa të përsëritet

Publikuar

-

/

Nga Valentino Grbavac “European Western Balkans”

Kriza politike në Bosnje Herzegovinë (BiH), ka arritur nivele të tilla, saqë disa po argumentojnë se vetë paqja është e kërcënuar, dhe se një luftë e re është shumë pranë. Ndërsa kriza aktuale politike është më e rënda që nga Rregullimi i Brendshëm Kroat i vitit 2001, një luftë e gjithanshme që të kujton konfliktin e tmerrshëm të viteve 1990, është jashtëzakonisht e pamundur.

Kjo s’do të thotë se nuk është i mundur shpërthimi i akteve sporadike të dhunës, apo që kriza aktuale nuk është shumë serioze apo e vështirë për t’u kapërcyer. Por lufta, e cila shkaktoi 100 mijë të vdekur në Bosnje në vitet 1990, dhe mbi 2.3 milionë refugjatë, ka shumë pak gjasa që të rindizet edhe njëherë.

Dhe arsyeja për këtë nuk është mungesa e urrejtjes apo e retorikës nacionaliste, pasi marrëdhëniet ndër-etnike janë më të këqija në vitin 2021, sesa në vitin 1991. Por të tria kombeve përbërëse të Bosnjës u mungojnë 3 elementët e nevojshëm për të filluar dhe zhvilluar luftën:fuqia punëtore, burimet ushtarake dhe motivimi.

Në vitin 1995, forcat boshnjake (ABiH) numëronin 230 mijë ushtarë (ku 96 për qind ishin boshnjakë), forcat kroate (HVO) kishin rreth 45 mijë ushtarë, ndërsa forcat dhe serbe (VRS) numëronin 155 mijë ushtarë (praktikisht të gjithë serbë). Pra në vitin 1995 të tria ushtritë kishin 430.000 ushtarë, ose afro 10 për qind të gjithë popullsisë së paraluftës prej 4.4 milionë banorësh .

Sot forcat e armatosura në Bosnje përbëhen nga vetëm rreth 8.800 ushtarë, ku 20 për qind janë kroatë, 34 për qind serbë dhe 46 për qind boshnjakë, që në shifra përkthehet respektivisht në 1.800 ushtarë kroatë, 3.000 ushtarë serbë dhe 4.000 ushtarë boshnjakë. Forcat e armatosura kanë 3 brigada këmbësorie multi-etnike, dhe një numër të vogël njësish mbështetëse. Por brigadat përbëhen nga 3 batalione mono-etnike të stacionuara në qytete të ndryshme, gjë që do të thotë se ushtria është e ndarë në 3 forca të veçanta.

Të dhënat e 4 viteve më parë tregojnë se në vend kishte 7300 policë boshnjakë, 2500 kroatë dhe 8500 serbë. Pra në total nën armë janë 11.300 boshnjakë (42 për qind), 4.300 kroatë (16 për qind) dhe 11.500 serbë (42 për qind), gjithsej 27.100 njerëz të trajnuar.

Popullsia aktuale e Bosnjës vlerësohet në pak më shumë se 2.6 milionë, me rreth 350 mijë kroatë, 950 mijë serbë dhe 1.3 milionë boshnjakë. Ndërsa një 60-vjeçar mund ta shtypë këmbëzën po aq lehtë sa një 18-vjeçar, lufta sidomos në terrenin e thyer dhe malor të vendit,  kërkon djem të rinj.

Bosnja ka përjetuar një rritje të paprecedentë të emigrimit në dekadën e fundit, dhe sipas një sondazhit të fundit afro gjysma e të rinjve (të moshës 15-30 vjeç) planifikojnë të largohen nga vendi. Popullsia ka mesatarisht një moshë mesatare 5 vjet më të madhe se në vitin 1991, dhe kjo do të thotë se ka më pak qytetarë të moshës për t’u rekrutuar në ushtri.

Dhe në një skenar të mobilizimit të plotë të ngjashëm me vitet 1990, maksimumi që mund të grumbullojnë të tria palët, përfshirë policë dhe ushtarë, do të ishte 20 mijë për kroatët, 55 mijë për serbët dhe 75 mijë për boshnjakët, ose 150.000 mijë në total, pra vetëm 1/3 forcave që ekzistonin në luftën e viteve 1990.

Në këto kushte, jo vetëm që nuk do të kishte forca të disponueshme për sulme strategjike, por të tria palët do të kishin probleme të mëdha për të mbledhur trupa të mjaftueshme edhe për mbrojtjen statike të vijës së frontit. Ndërkaq, cilësia mund të jetë një faktor edhe më i rëndësishëm.

Të gjithë 18 vjeçarët në kohën e ish-Jugosllavisë ishin të detyruar të shërbenin 1 vit të plotë në ushtri, duke marrë trajnimet bazë dhe ato të specializuara, gjë që ishte një faktor i madh në mobilizimin kaq të shpejtë të ushtarëve në vitet 1990.

LEXO EDHE:  Baton Haxhiu, spiuni që u “vra” gjatë luftës u ngjall pas luftës?

Por shërbimi ushtarak u hoq plotësisht në Bosnje në vitin 2006, gjë që do të thotë se të gjithë të rinjtë të moshave 18-33 vjeç, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së moshës së aftë për të luftuar, nuk kanë fare stërvitje ushtarake.

Nëse do të duhej të mobilizoheshin, atyre do të duheshin muaj për të pasur edhe forcën më elementare luftarake për një mbrojtje statike. Dhe do të duhej të paktën një vit derisa çdo palë të mund të ndërmerrte një ofensivë të vërtetë strategjike. Edhe veteranët më të rinj nga viti 1995, janë sot në mesin e të dyzetave, që do të thotë se një veteran në të 50-at do të ishte jashtë moshës për t’u angazhuar në front.

Por çështja e furnizimeve ushtarake, do të ishte edhe më penguese se sa ajo e mobilizimit. Bosnja nuk ka asnjë avion reaktiv, dhe helikopterët e saj të paktë operacionalë, përdoren kryesisht për transport. Ajo ka afro 40 tanke operacionale, 80 mjete të blinduara dhe rreth 120 pjesë operative të artilerisë së rëndë.

Pjesa tjetër e stokut është disa dekada e vjetër, dhe kryesisht e papërdorshme. Sa për krahasim, vetëm serbët kishin 500 tanke, 400 mjete të blinduara dhe rreth 1000 copë artileri të rënda në vitin 1992. Pra lufta do të duhej të zhvillohej ekskluzivisht me armë të lehta.

Në vend janë të regjistruara rreth 270.000 pistoleta dhe armë gjuetie, edhe pse shumë njerëz kanë fshehur armë automatike që nga koha e luftës. Megjithatë, ndërsa kallashnikovët dhe mortajat mund të mjaftojnë për të shkaktuar akte dhune në disa qytete të mbetura multi-etnike, ato nuk mjaftojnë për të zhvilluar një luftë në shkallë të gjerë, edhe nëse morali dhe motivimi mund të jetë i lartë.

Lufta në vitet 1990, kishte të bënte me pushtimin e territorit dhe pastrimin e “tjetrit” prej andej, duke krijuar zona homogjene në Bosnje. Mjerisht, ajo skemë ishte shumë efektive. Sot 95 për qind e serbëve jetojnë në Republika Srpska (RS), 85 për qind e boshnjakëve jetojnë në 6 kantone me shumicë boshnjake, dhe 70 për qind e kroatëve jetojnë në 4 kantone me shumicë kroate.

Dhe ky realitet tragjik, nënkupton se mungon motivimi për të nisur një luftë, pasi të gjitha palët kontrollojnë territorin e tyre monoetnik, që përfshin pothuajse të gjithë anëtarët e tyre në Bosnje. Për shembull, kroatët nuk kanë asnjë arsye të rinisin luftën kundër serbëve, pasi në RS kanë mbetur afërsisht 5.000 kroatë të moshuar (nga 145.000 para luftës).

Po kështu, vetëm 8.000 serbë kanë mbetur në territorin etnik të kontrolluar nga kroatët në Kantonin 10. Në këto kushte, çfarë mund t’i motivojë boshnjakët të marshojnë, të pajisur vetëm me armë të vogla, drejt Banja Lukës, e cila është mbi 90 për qind serbe, për t’u përballur me një forcë të barabartë?

Kush është gati të rrezikojë jetën e tij dhe të familjes për një territor, për të cilin nuk ka asnjë mënyrë për ta kontrolluar efektivisht pa gjenocid dhe spastrim etnik? Pohimi i kohëve të fundit i Bakir Izetbegoviç, liderit të partisë më të madhe boshnjake në Bosnje, se boshnjakët do të mobilizonin 200.000 ushtarë për të parandaluar shpërbërjen e vendit, është më shumë një qëndrim politik që i drejtohet votuesve të tij por edhe komunitetin ndërkombëtar, sesa një deklaratë realiste.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë nuk mund të shpërthejë një dhunë e lokalizuar midis boshnjakëve dhe serbëve në Brçko, apo midis boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjën Qendrore. Pavarësisht kësaj mundësie, nuk ka asnjë tregues se kjo dhunë nuk do të qëndronte e lokalizuar.

Por vetëm sepse lufta nuk ka gjasa të nisë, kjo nuk do të thotë se kriza nuk duhet të merret seriozisht. Pas 3 vitesh në stanjacion ekonomik, Bosnja është në prag të kolapsit të plotë të sistemit politik, gjë që mund të çojë në shpërbërjen e vendit./CNA.al

https://europeanwesternbalkans.com/2021/11/12/violence-in-bosnia-and-herzegovina-is-possible-but-war-is-extremely-unlikely/

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Bizneset e dyshimta të djalit të Presidentit Xho Bajden me një kompani të njohur kineze

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Roberto Vivaldelli “Il Giornale”

Detaje të reja të turpshme, janë zbuluar së fundmi në lidhje me marrëdhëniet midis Hanter Bajden, djalit të presidentit të SHBA-së, dhe disa biznesmenëve të lidhur me Partinë Komuniste Kineze.

Në librin e saj të ri “Laptop nga ferri”, kolumnistja e “The New York Post”, Miranda Devin eksploron në detaje marrëdhëniet midis familjes Bajden dhe Pekinit, bazuar tek dokumentet që përmban laptopi i Hanter i braktisur në një servis kompjuterësh në Delauer.

Sipas tyre rezulton se Hanter dhe xhaxhai i tij, Xhim Biden, kanë hyrë në një marrëveshje me konglomeratin kinez të energjisë “CFEC China Energy”. Kompania kontaktoi biznesmenin dhe donatorin e demokratëve Toni Bobulinski për të menaxhuar operacionin.

Pra një biznes me gjigantin aziatik, që duket se indirekt përfshin edhe presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara. Po ashtu kompania kineze i ka dhuruar djalit të presidentit amerikan një diamant të çmuar. Sipas rindërtimit të ngjarjeve nga Miranda Devin, JI Jianming, në atë kohë president i konglomeratit energjetik kinez “CEFC”, dyshohet se i dhuroi Hanter Bajdenit një diamant 3.16 karat me vlerë 80.000 dollarë.

Tre javë pasi babai i tij përfundoi detyrën si zëvendëspresident i SHBA-së në fillim të vitit 2017-ën, Hunter shkoi në Majemi me 2 ndërmjetës të besuar për t’u takuar me Ji, i cili kishte shkuar në Florida për të marrë pjesë në ekspozitën ndërkombëtare të varkave në Majemi.

Gjatë një darke private, presidenti i gjigantit kinez i bëri një ofertë të rëndësishme djalit të presidentit amerikan. Ai premtoi një tarifë prej 10 milionë dollarësh në vit në këmbim të lobimit për forcimin e marrëdhënieve si dhe “prezantimeve” në vendet e Perëndimit, nga të cilat mund të përfitonte konglomerati kinez.

E kush më mirë sesa pasardhësi i njërës prej familjeve më të fuqishme dhe mëme ndikim në SHBA, mund ta bënte këtë punë? Ji e vulosi aleancën e re me një dhuratë luksoze:një diamant 3.16 karat me vlerë 80.000 dollarë. Fotografitë e gurit të çmuar, u gjendën në laptopin e Hanter.

Marrëveshja kishte ardhur në kohën më të mirë të mundshme. Hanter gjendej në mes të një divorci të vështirë me ish-bashkëshorten e tij Kethlin, dhe menaxherja e zyrës së tij, Xhoan Pog, sapo i kishte dërguar Hanter një mal me fatura që duheshin paguar.

Mes tyre ishte një njoftim nga Agjencia e Mbledhjes e Taksave nga Distrikti i Kolumbias, që kërkonte shlyerjen e menjëhershme të detyrimit prej 47.226 dollarësh. Më vonë Hanter do ta pranonte për Adam Entus të “New Yorker” se ishte e vërtetë që kishte shkuar enkas në Majemi për të takuar Ji, por tha se e bëri këtë vetëm “për qëllime bamirësie”, pasi shpresonte të merrte një donacion për Programin Botëror të Ushqimit në SHBA.

Por ai harroi të përmendte faktin se kishte shkuar në Florida me partnerët e tij për të lidhur një marrëveshje me CEFC. Nëntë ditë pasi Hanter u takua me Ji në Majemi, 3 milionë dollarë u transferuan në një llogari në emër të kompanisë së Rob Uoker-“Robinson Walker LLC” me bazë në Shangai – e lidhur me CEFC.

LEXO EDHE:  Dhuna ndaj aktivistëve të Mbrojtjes së Teatrit/ Komisionerja për të Drejtat e Njeriut: Policia nuk ka reflektuar

LEXO EDHE:  Baton Haxhiu, spiuni që u “vra” gjatë luftës u ngjall pas luftës?



Po kush është Uoker? Një ish-zyrtar i administratës së Klintonit, gruaja e të cilit Betsi Uoker, kishte qenë asistente e Xhill Bajden. Më 1 mars 2017, në llogarinë e Uoker u transferuar 3 milion dollarë të tjerë.

Të dy transaksionet do të raportohen më vonë nga Rrjeti i Zbulimit të Krimeve Financiare të Departamentit të Thesarit në një “raport mbi aktivitetet e dyshimta”, të paraqitur në komisionet e Senatit si “Dokumenti Konfidencial Nr.16”.

Siç na tregon Miranda Devin në librin e saj, ishte ora 22.00 e datës 2 maj 2017 kur Hanter dhe xhaxhai i tij Xhim ishin duke pritur partnerin e atëhershëm në biznes të djalit të presidentit amerikan, Toni Bobulinski, në barin e njohur të lobistëve “Beverly Hilton”.

Xho Bajden, që ishte larguar nga detyra e zëvendëspresidentit pak më shumë se 3 muaj më parë, në atë kohë po udhëtonte drejt Los Anxhelosit për të folur në konferencën prestigjioze globale të Institutit Milken, dhe do t’i bashkohej atyre brenda një ore.

“Babai nuk vjen dot deri para orës 23.00”-i shkruan Hanter në një mesazh në WhatsApp. “Le të takohemi bashkë me Xhimin në orën 22.00 në Beverly Hilton ku po qëndron ai. Ne nuk do të hyjmë në detajet e biznesit. Unë dua që babai im të ndihet komod me ty”- i shpjegon më tej Hanter Bobulinskit.

Në orën 22:38, Xho Bajden mbërriti në bar përmes hyrjes kryesore të hotelit me shoqëruesit e tij të shërbimit sekret, dhe Hanter nxitoi drejt tij për ta ulur në tavolinë me biznesmenin. Bobulinski ngrihet për të shtrënguar duart me ish-zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara.

“Ky është Toni babi, njeriu që siç të kam folur do të na ndihmojë me biznesin me kinezët”- i tha Hanter të atit. “Faleminderit për shërbimin tuaj. Faleminderit që e ndihmove djalin tim”- i thotë Xho Bajden Bobulinskit.

Më pas Xhim dhe Hanter i shpjegojnë presidentit të ardhshëm të SHBA-së, se Bobulinski ka “punuar shumë” për arritjen e marrëveshjes me kinezët. “Im bir dhe vëllai im ju besojnë, ndaj edhe unë kam besim tek ju”-i thotë Xho biznesmenit.

Muajt ​​e fundit ka qenë vetë Bobulinski, ai që ka konfirmuar biznesin e familjes Bajden me kinezët. Po ashtu Bobulinski kishte qenë marrës i një e-maili të publikuar nga “The New York Post”, i cili tregonte detajet e një transaksioni biznesi midis një kompanie kineze dhe anëtarëve të familjes Bajden.

“Kam dëgjuar që Xho Bajden të shprehet se nuk ka diskutuar kurrë për çështje biznesi me Hanter. Por kjo është një gënjeshtër. Unë kam njohje të drejtpërdrejtë me të, pasi jam marrë direkt me familjen Bajden, përfshirë Xho Bajden”- shpjegon Toni Bobulinski. Kjo çështje është vërtet një dhimbje koke e madhe për presidentin e SHBA-së. Vërtetë ai nuk dinte ai asgjë për biznesin e djalit të tij?/CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Ku shkuan fondet e FMN-së, për Covid-in?

Publikuar

-

Nga

cna lajem blog

Nga D.J.Nordquist & Dan Katz “The Wall Street Journal”

Pas një viti diskutimesh mbi mënyrën më të mirë për t’iu kundër-përgjigjur krizës ekonomike të shkaktuar nga Covid-19, Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi në gusht një ndarje të re të përgjithshme të një fondi gjigant prej 650 miliardë dollarësh.

SDR-të janë instrumente financiare që u japin qeverive që janë aksionere të FMN-së qasje tek valutat e forta. FMN-ja dhe Banka Botërore, vendosin normalisht kushte të forta të transparencës dhe raportimit, se si mund të përdoren këto fonde.

Në fakt pati shumë probleme me shpërndarjen e këtyre fondeve të ndihmës. Në parim SDR duhet të shpërndahen në proporcion me aksionet e vendeve të ndryshme tek FMN. Të gjithë anëtarët e FMN-së, madje edhe vendet diktatoriale,janë përfituese të tyre.

Kështu, Irani mori rreth 5 miliardë dollarë, ndërsa Bjellorusia 1 miliard dollarë. Këto të ardhura të papritura, i minojnë përpjekjet ndërkombëtare për ta përdorur presionin ekonomik si një mjet presioni për të ndryshuar sjelljen e keqe të këtyre regjimeve.

Ky program i shtoi me më shumë se 17 miliardë dollarë rezervat në valutë të Rusisë, duke e forcuar aftësinë e Moskës për të amortizuar çdo lloj goditje financiare nëpërmjet sanksioneve ndërkombëtare, që mund të burojë nga vendimet e saj për të reduktuar furnizimin e BE-së me gaz, apo për të dërguar më shumë trupave në kufirin Ukrainas.

Pavarësisht këtyre mangësive, FMN dhe përkrahësit e saj e justifikuan ndarjen e fondeve me arsyetimin se përfitimet nga fondi peshonin më shumë sesa dëmet që shkakton ofrimi në mënyrë të pa diferencuar i ndihmës financiare. Por për shkak të formulës së aksioneve të FMN-së, ndarja e SDR-së,dështoi të përmbushë qëllimin e deklaruar të FMN-së për t’i ofruar ndihmë vendeve të varfra.

Vetëm 3 për qind e fondeve shkoi tek vendet me të ardhura të ulëta. Për të siguruar mbështetje politike për ndarjen e fondeve, FMN-ja bëri premtime të bujshme se këtë herë shpërndarja do të ishte ndryshe. Ajo pretendoi se vendet e pasura do t’i kanalizonin fondet e tyre tek vendet që ishin realisht më në nevojë.

Po ashtu,FMN dhe vendet e G7-ës deklaruan se do të rialokoheshin më shumë se 100 miliardë dollarë. Për të adresuar mungesën e kushtëzimit për përdorimin e SDR-ve, FMN deklaroi publikisht se do të bashkëpunonte me Bankën Botërore dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare, për t`u siguruar që fondet të përdoreshin në mënyrë produktive në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Për ta bërë këtë, do të zbatoheshin standardet e reja të transparencës. Mjerisht FMN duket se ka rënë në grackën klasike të organizatave ndërkombëtare:ajo po vepron bazuar tek aspiratat, dhe jo tek marrëveshjet detyruese. G20-a, grupi i 20 vendeve industriale dhe në zhvillim,ka deklaruar se rreth 7 për qind e fondeve të saj do të shkojnë për vendet më të varfra.

Por vende të veçanta tëG20-ës, që kanë marrë dhe pjesën më të madhe të SDR-ve, kanë qëndruar kryesisht të heshtje. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së,Xhenet Jelen,ka qenë një avokate e fortë e shpërndarjes së drejtë të SDR-së, duke theksuar se vendet e pasura duhet të rishpërndajnë pjesën e tyre.

LEXO EDHE:  Dhunoi fizikisht bashkëshorten/ Arrestohet 35-vjeçari

LEXO EDHE:  Mbyt gruan me rripin e pantallonave



Por Departamenti i Thesarit nuk ka bërë ende publike planet e tij për rialokimin e ndonjë sasie nga fondi rreth 110 miliardë dollarësh që përfiton Amerika. Edhe Kina, që përfitoi afro 40 miliardë dollarë, nuk ka bërë publike planet e saj për të rialokuar SDR-të e saj.

Franca përbën një përjashtim, ndonëse njoftoi që në shtator se synon të transferojë 20 për qind të SDR-ve të saj të reja tek vendet afrikane, ende mbetet e paqartë nëse ka ndodhur deri më tani ndonjë transferim fondesh.

Britania e Madhe, një nga avokatet më të forta për rishpërndarjen e SDR, duket se po i përdor fondet e saj të reja si një mjet për të reduktuar ndihmën e saj tradicionale ndaj vendeve të huaja, ndërsa duket se po ruan angazhimin esaj për të shpenzuar një përqindje minimale të të ardhurave kombëtare për të ndihmuar të pambrojturit në vendet e tjera.

Pasi ka vepruar në mungesë të një marrëveshjeje mbi mekanizmat e rinj të planifikuar për një përdorim më efektiv të SDR-ve, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe të tjerët, FMN-ja po përballet tani me sfidën e rialokimit të SDR-ve.

Dhe janë vendet e varfra, ato që po përballojnë kostot e këtyre vonesave. Atyre do t’u ishte shërbyer më mirë përmes kredive apo granteve tradicionale, në vend se të mbështeteshin tek FMN-ja dhe vendet e tjera për mbajtjen e premtimeve të tyre për rishpërndarjen e SDR-së.

Strukturat ekzistuese që po ofrojnë tashmë lehtësim pandemik, përfshirë Shoqatën Ndërkombëtare të Zhvillimit të Bankës Botërore, do të kishin qenë më efektive në shpërndarjen e menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë të ndihmës shtesë në mënyrë më të shpejtë dhe më pak shpërdoruese për ata që kanë vërtet nevojë.

Ka gjithmonë një tension midis dhënies së shpejtë të ndihmës gjatë një emergjence dhe optimizimit të efektivitetit dhe llogaridhënies. Jo më vonë se në takimi i radhës në prillin e vitit 2022, FMN duhet të përmbushë premtimet e saj për ri-alokimin e SDR në shkallë të gjerë në vendet e varfra dhe rritjen e transparencës.

Besimi i publikut tek institucionet financiare ndërkombëtare është tronditur në mënyrë të kuptueshme si rezultat i hetimeve për korrupsion mbi kreditë emergjente që FMN dha për lehtësimin e pasojave të pandemisë, apo vjedhjes së ndihmës së Bankës Botërore nga zyrtarë e qeverive, si dhe pikëpyetjeve serioze në lidhje me ndikimin e papërshtatshëm kinez në Bankën Botërore dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Dhe mungesa e veprimit në kohë rrezikon që t’i dëmtojë më tej këto institucione shumë të nevojshme, dhe fatkeqësisht inkurajon pikëpamjen cinike se ndarja e SDR-ve ishte kryesisht një mënyrë që FMN-ja dhe anëtarët e saj të pasur të dukeshin sikur po ndihmonin vendet e varfra pa e dhënë atë vërtetë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Një luftë SHBA-Rusi për Ukrainën do të ishte katastrofike

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nga Rebekah Koffler “Fox News”

Si një ish-zyrtare e Agjencisë së Inteligjencës në fushën e Mbrojtjes (DIA) dhe specialiste mbi doktrinën dhe strategjinë ruse, që ka marrë pjesë në dhjetëra stërvitje luftarake që simuluan një konflikt SHBA-Rusi, jam shumë e shqetësuar për rrezikun e lartë që paraqet përfshirja e Uashingtoni në luftë për të mbrojtur Ukrainën.

Nëse mendoni se 2 trilion dollarë dhe 6.000 jetë amerikane të humbura, ishin një çmim i lartë i paguar për një rezultat pa asnjë fitore në angazhimin 20-vjeçar në Afganistan, akoma nuk keni parë asgjë. Kostot dhe humbjet e SHBA-së në një luftë me Rusinë bërthamore do të ishin katastrofike.

Një luftë e tillë nuk mund të fitohet,ndaj nuk ia vlen të paguhet duke sakrifikuar jetët e ushtarëve amerikanë. Gatishmëria e forcave ruse përgjatë kufirit ukrainas – duke përfshirë 114.000 ushtarë, forca speciale, zyrtarë të shërbimeve sekrete dhe armatimet e rënda, përfshirë tanket- të kujton pushtimin e Ukrainës Lindore nga Putin në vitin 2014.

Ky grumbullim së bashku me përballjet e fundit të rrezikshme midis anijeve luftarake amerikane dhe marinës ruse në Detin e Zi, si dhe me paralajmërimin që Putin i bëri SHBA-së më 13 nëntor, përbëjnë ato që në zhargonin e shërbimeve sekrete quhen“indikacione dhe paralajmërime” të një krize të afërt.

Të shqetësuar për probabilitetin e lartë të pushtimit të drejtpërdrejtë të Ukrainës nga ana e Rusisë, shërbimet sekrete amerikane i kanë paralajmëruar aleatët evropianë, se ekziston vetëm një dritare e ngushtë opsionesh për ta frenuar Vladimir Putin.

Në mënyrë të parashikueshme, “ekspertët”në Uashington japin këshilla që nuk janë të bazuara tek realiteti. Në këtë rast,është fakt që ndërsa Ukraina është pjesë e interesave jetike të Rusisë, ajo nuk është pjesë e interesave të Amerikës.

Disa ekspertë mbrojnë pranimin e përshpejtuar të Ukrainës në NATO, e cila sipas këndvështrimit të tyre prej “eksperti”, do të garantonte sigurinë e Ukrainës, duke e detyruar SHBA-në dhe NATO-n të hyjnë në një konflikt ruso-ukrainas në krah të Kievit.

Të tjerë bëjnë thirrje për grumbullime trupash në rajon, për të frenuar mjeshtrin e spiunazhit që nga koha e KGB-së, Putinin. E rrethuar dhe e ngacmuar, Ukraina duhet të jetë e lirë të ndjekë rrugën e saj të zhvillimit.

Por fatkeqësisht, vendndodhja e saj gjeostrategjike, e kufizuar nga të tre anët me një Rusi shumë më të madhe dhe më të fortë ushtarakisht, dikton edhe fatin e saj në botën e ashpër të realpolitikës. Sigurisht, të paktën në botën e Putinit.

Udhëheqësi rus ka deklaruar disa herë se pranimi i Ukrainës në NATO – një aleancë ushtarake të cilën Rusia e sheh si kërcënimin e saj kryesor – do të kalonte një “vijë të kuqe”. Për shekuj me radhë, Rusia e ka parë Ukrainën si zonën e saj të sigurisë tampon, kundër pushtimeve të huaja.



Jo se kjo është e justifikuar apo diçka e mirë. Por kështu është, dhe kështu ka qenë. Ivan Il’in, një mendimtar ortodoks rus, idetë e të cilit i ka përdorur Putin në zhvillimin e ideologjisë së tij, thotë në shkrimet e tij se një Ukrainë e pavarur do të ishte një “çmenduri” e paimagjinueshme.

LEXO EDHE:  “Janë prerë koka, jo thjesht gishta”/ Ish-ministri “shuplakë” Ramës

LEXO EDHE:  Dhunoi fizikisht bashkëshorten/ Arrestohet 35-vjeçari

Ashtu si Putin beson se është thelbësore që të sundohen së bashku të gjitha tokat e Rusisë Perandorake për të siguruar vetë mbrojtjen e saj. Ndërsa ruajtja e një perandorie mund të jetë diçka e huaj por dhe anakronike, për mendimtarët amerikanë ajo e dominon mendësinë e rusëve.

“Ekspertët” e Uashingtonit, të cilët janë tejet të dobët në të kuptuarit se çfarë i motivon kundërshtarët e huaj të Amerikës, nuk kanë asnjë ide për ndjenjën e brendshme shekullore të posesivitetit që ka Rusia ndaj Ukrainës.

Ri-integrimi i Ukrainës dhe i shteteve të tjera post-sovjetike në një bashkim të udhëhequr nga Rusia, është diçka që shihet nga Moska si një çështje e mbijetesës kombëtare. Është ky mentalitet që qëndron në themelin e veprimeve dhe politikave të Putinit, siç është aneksimi i Krimesë.

Vendosja e trupave amerikane në terren, në “oborrin e shtëpisë” së Rusisë, do të interpretohej nga Kremlini si një pararendëse e një veprimit të mundshëm kinetik të SHBA-së kundër Rusisë. Vetë prania e forcave të dislokuara të SHBA-së aq afër një konflikti, do të shtonte presionin ndaj Uashingtonit, që sapo u dëbua nga Afganistani, për të ndërhyrë në krah të Ukrainës.

Një veprim i tillë do ta nxiste Moskën që të aktivizonte reagimin e saj parandalues të “vetëmbrojtjes”, duke synuar atdheun e SHBA-së me sulme shkatërruese kibernetike dhe të luftës hapësinore. Me testin e fundit të sulmit raketor anti-satelitor të Rusisë, Putini ka treguar aftësinë e Rusisë për të gjymtuar satelitët amerikanë, tek të cilët ne mbështetemi jo vetëm për aftësitë tona luftarake, por edhe për shumë synime civile.

Putini, që ka frikë të bëhet një objektiv i doktrinës së Uashingtonit të “ndryshimit të regjimit”, dhe që ka goditur njerëz si Sadam Husein dhe Muamar Gadafi, është gati për një reagim të tepruar. Sapo të fillojnë të shtënat, lufta mund të degradojë në një luftë bërthamore, dhe të përfshijë sulme kibernetike dobësuese në rrjetin energjitik të Amerikës.

Askush nuk ka mundur që të fitojë një luftë me Rusinë në tokën ruse. Për këtë mjafton që të “pyesni” Napoleonin Bonapartin e Francës, Adolf Hitlerin e Gjermanisë apo edhe suedezët, ushtria e të cilëve u shkatërrua në vitin 1709 nga ushtarët e Pjetrit të Madh.

A është Ukraina ndër interesat më jetike të sigurisë për SHBA-në? A varet siguria, integriteti territorial dhe mbijetesa afatgjatë e Amerikës nga Ukraina e largët? Përgjigja për të dyja pyetjet është një “jo” e fuqishme./ Përshtatur nga CNA.al

Shënim: Rebekah Koffler, ish-zyrtare e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, dhe autore e librit “Manuali i Putin:Plani sekret i Rusisë për të mposhtur Amerikën”.

LEXO TE PLOTE